Dëgjoni dhe mësoni
1. Pse duhet të bëjmë përpjekje të veçanta për të dëgjuar e mësuar në kongresin krahinor?
1 Së shpejti do të fillojnë kongreset krahinore të vitit 2013. Është punuar shumë për të përgatitur një program që plotëson nevojat e tanishme të veprës në mbarë botën. A keni marrë masa që të jeni të pranishëm në të tria ditët e kongresit? Në kongreset e mëdha mund të na shpërqendrojnë shumë gjëra, prandaj duhen përpjekje të veçanta që të jemi të vëmendshëm gjatë programit. Meqë sesionet zgjasin më shumë se mbledhjet e kongregacionit, edhe përqendrimin duhet ta mbajmë për një kohë më të gjatë. Për më tepër, udhëtimi dhe faktorë të tjerë mund të na lodhin disi. Çfarë do të na ndihmojë të jemi të vëmendshëm që të dëgjojmë e të mësojmë?—Ligj. 31:12.
2. Si mund ta përgatitim zemrën për programin e kongresit?
2 Para se të fillojë kongresi: Siti ynë zyrtar, www.jw.org/sq, tregon programin e kongresit i cili përmban titujt e të gjitha fjalimeve dhe një ose dy shkrime kyçe për secilin. Nëse keni mundësi të hyni në Internet dhe të shihni që më përpara këtë informacion, kjo do t’ju ndihmojë të përgatitni zemrën për atë që do të dëgjoni. (Ezd. 7:10) A mund të merrni pak kohë nga Adhurimi Familjar e të bisedoni për programin e kongresit, që si familje ta prisni me padurim këtë rast?
3. Çfarë do të na ndihmojë të dëgjojmë me vëmendje?
3 Gjatë programit: Po të jetë e mundur, kujdesuni që të shkoni në tualet para se të nisë sesioni. Fikeni celularin, kështu nuk do të shpërqendroheni nga telefonatat ose mesazhet dhe as nuk do të tundoheni t’u shkruani të tjerëve gjatë programit. Nëse duhet ta mbani hapur celularin, lëreni në një gjendje që, nëse ju telefonon dikush, të tjerët nuk shpërqendrohen. Nëse keni një tabletë gjatë programit, përdoreni pa i shpërqendruar të tjerët. Mundohuni të mos hani ose pini gjatë programit. (Ekl. 3:1) Mbajini sytë të përqendruar tek oratori. Kur të lexohet një shkrim, ndiqni me Biblën tuaj. Mbani shënime të shkurtra.
4. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët të dëgjojnë e mësojnë?
4 Duam që edhe fëmijët të dëgjojnë e të mësojnë. Te Proverbat 29:15 thuhet: «Djali i lënë pa fre, e turpëron nënën e tij.» Prandaj është mirë që familjet të ulen së bashku, kështu prindërit mund të sigurohen se fëmijët po dëgjojnë me vëmendje programin e nuk po flasin, nuk po shkëmbejnë mesazhe dhe nuk po enden nëpër stadium. Edhe nëse janë të vegjël e ndoshta nuk kuptojnë çdo gjë, mund të stërviten që të qëndrojnë zgjuar dhe të rrinë urtë.
5. Pse është e dobishme të rishikojmë programin dhe si mund ta bëjmë këtë?
5 Pas programit të secilës ditë: Mos rrini jashtë deri vonë. Flini herët që të pushoni mjaftueshëm. Kur rishikoni atë që dëgjuat, do ta mbani mend për një kohë të gjatë. Prandaj do të nxirrni dobi nëse merrni ca minuta për ta diskutuar programin çdo mbrëmje si familje. Nëse shkoni në restorant me miq, pse të mos merrni me vete shënimet dhe të ndani me ta një ose dy pika që ju kanë pëlqyer? Kur të ktheheni në shtëpi pas kongresit, mund të merrni kohë nga Adhurimi Familjar për të shqyrtuar si mund ta zbatoni informacionin si familje. Gjithashtu, çdo javë mund të programoni kohë që të shikoni një pjesë nga botimet e reja.
6. A mjafton vetëm të jemi të pranishëm në kongres? Shpjego.
6 Një gosti nuk ka shumë vlerë nëse ushqimi nuk është ngrënë e nuk është asimiluar. E njëjta gjë vlen edhe për gostinë frymore që do të shërbehet në kongresin krahinor. Le të përfitojmë plotësisht duke qenë të pranishëm në çdo sesion, duke dëgjuar me vëmendje dhe duke zbatuar atë që mësojmë.