BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • km 4/09 f. 4-7
  • A jeni përgatitur për një gosti frymore?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A jeni përgatitur për një gosti frymore?
  • Shërbimi ynë i Mbretërisë—2009
  • Material i ngjashëm
  • Një rast për t’u ushqyer frymësisht dhe për t’u gëzuar
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2008
  • Kongreset krahinore—Raste për të adhuruar me gëzim
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2010
  • Tri ditë freskimi frymor
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2011
  • Të ndjekim Krishtin duke u sjellë me dinjitet
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2007
Shih më tepër
Shërbimi ynë i Mbretërisë—2009
km 4/09 f. 4-7

A jeni përgatitur për një gosti frymore?

1. Çfarë përgatitjesh bëhen për një gosti?

1 Gostia kërkon shumë përgatitje. Ushqimi duhet të sigurohet, të përgatitet me shije dhe pastaj të serviret. Kërkohet organizim për ta servirur ushqimin. Përveç kësaj, duhet bërë gati edhe vendi ku do të shtrohet gostia. Edhe miqtë duhet të përgatiten, sidomos nëse u duhet të udhëtojnë për të shkuar në gosti. Kërkohet një punë e madhe, por ia vlen, duke pasur parasysh ushqimin e shijshëm e të shëndetshëm në shoqërinë e miqve dhe të familjes. Së shpejti, Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën do të mblidhen bashkë në grupe të mëdha a të vogla për të shijuar një festë frymore të shumëpritur: Kongresin Krahinor «Qëndroni vigjilentë!» Tashmë është bërë shumë punë për përgatitjen e programit dhe të gjërave që duhen. Të gjithë jemi të ftuar. Që të jemi të pranishëm dhe të përfitojmë sa më shumë, edhe ne duhet të përgatitemi personalisht.—Prov. 21:5.

2. Çfarë duhet bërë për të qenë të pranishëm gjatë gjithë gostisë sonë frymore?

2 Të përfitojmë sa më shumë: A keni mbaruar me planet tuaja që të jeni të pranishëm gjatë gjithë gostisë? Nëse është e nevojshme, flisni me punëdhënësin për ta njoftuar që do të ndiqni të gjitha sesionet e kongresit, përfshirë edhe ditën e parë. A keni marrë masa për transportin dhe strehimin? Pleqtë duhet të sigurohen se janë marrë masat për të ndihmuar të moshuarit, të sëmurët, si edhe të tjerët që kanë nevojë për ndihmë.—Jer. 23:4; Gal. 6:10.

3. Pse nuk duhet të shkojmë në një kongres ndërkombëtar ku nuk jemi ftuar?

3 Në disa vende, do të ketë kongrese ndërkombëtare. Kini parasysh që në këto raste janë ftuar edhe një numër i caktuar kongregacionesh dhe delegatë të huaj. Në përgatitjet e saj, zyra e degës ka llogaritur me kujdes se sa të ftojë duke marrë parasysh numrin e vendeve dhe dhomat e hoteleve që janë në dispozicion. Mund të ketë mbipopullim nëse në një kongres ndërkombëtar vijnë lajmëtarë që nuk janë ftuar.

4. Ç’përkujtues do të na ndihmojnë që çdo ditë të jemi gati për fillimin e programit?

4 Përgatituni që të vini në kongres çdo ditë herët për të zënë vend para se të fillojë programi. Shihni për pak minuta programin e sesionit para se të fillojë. Kjo do t’ju ndihmojë të përgatitni zemrën për informacionin që do të dëgjoni. (Ezd. 7:10) Kur drejtuesi i sesionit prezanton një interval muzikor, dëgjojeni intervalin dhe pastaj jini gati për këngën hapëse dhe lutjen.

5. Si mund të përfitojë sa më shumë familja jonë nga programi?

5 Nëse pjesëtarët e familjes ulen bashkë gjatë kongresit, prindërit do të jenë në gjendje të sigurohen se fëmijët po e dëgjojnë me vëmendje programin. (Ligj. 31:12) Të gjithë janë të inkurajuar të ndjekin në Biblën e tyre shkrimet që lexohen. Mbajtja e shënimeve të shkurtra mund t’ju ndihmojë të jeni më të vëmendshëm. Më vonë, shënimet do t’ju ndihmojnë të kujtoni pikat kryesore të fjalimeve. Rezistojini tundimit për të folur në mënyrë të panevojshme ose të çoheni nga vendi gjatë sesionit. Nëse keni celular, mos lejoni që gjatë programit të bëhet një shpërqendrim për ju dhe për të tjerët. Pas sesioneve të çdo dite, pse të mos flisni me të tjerë për atë që ju pëlqeu nga programi.

6. Cili është një aspekt i jashtëzakonshëm i kongreseve tona dhe si mund të përfitojmë sa më shumë prej tij?

6 Në kongresin krahinor, kemi mundësinë të gëzojmë me vëllezërit e motrat një lidhje unike që nuk e gjejmë asgjëkundi në botë. (Psal. 133:1-3; Mar. 10:29, 30) Pse nuk vini si synim që të prezantoheni me ata që janë ulur afër jush dhe të bisedoni me ta gjatë pushimit të drekës. Ky është një nga avantazhet kur merr me vete një drekë të lehtë dhe qëndron në vendin e kongresit e nuk shkon në ndonjë restorant. Mos lejoni që të humbisni një mundësi të tillë për të inkurajuar njëri-tjetrin.—Rom. 1:11, 12.

7. Çfarë përgatitjesh duhet të bëjmë në lidhje me atë që do të veshim?

7 Veshja: Vlen të përmendet urdhri që Jehovai u dha izraelitëve për të bërë në cepat e rrobave të tyre buzë me thekë dhe për të vënë mbi to një kordon të hollë blu. (Num. 15:37-41) Kjo bëhej që, kur ta shihnin, të kujtonin se ishin një popull i veçuar për të adhuruar Jehovain. Sot, veshja jonë dinjitoze dhe modeste kur jemi në kongres, na veçon nga bota. Ajo shërben si dëshmi e fuqishme për ata që na shohin, madje edhe kur dalim për të ngrënë jashtë pas programit. Prandaj mendojeni me kujdes që më përpara se çfarë do të vishni.

8. Si mund t’u dëshmojmë të tjerëve kur jemi në qytetin e kongresit?

8 Të japim dëshmi: Nëse përgatitemi pak që më përpara, mund të jemi në gjendje t’u dëshmojmë njerëzve në qytetin ku mbahet kongresi. Një vëlla që pas programit shkoi me gruan e tij në një restorant, thjesht duke treguar me gisht nga distinktivi i vet e pyeti kamerierin: «A ke parë shumë njerëz me këtë distinktiv?» Kamerieri tha që i kishte vënë re dhe kishte pyetur veten se çfarë ishin. Kështu nisi një bisedë midis tyre dhe vëllai e ftoi kamerierin në kongres.

9. Si mund të tregojmë vlerësim për Mikpritësin tonë, Jehovain?

9 Megjithëse gjithë fjalimet, intervistat dhe demonstrimet do të paraqiten nga vëllezërit tanë, është Ati ynë qiellor, Jehovai, që na e siguron me dashuri këtë gosti frymore të përvitshme. (Isa. 65:13, 14) Tregojmë vlerësim për Mikpritësin tonë duke qenë të pranishëm çdo ditë dhe duke shijuar çdo kafshatë të këtij ushqimi frymor që serviret. A i keni marrë masat për këtë?

[Kutia në faqen 6]

Përkujtues për kongresin krahinor

◼ Oraret: Në të tria ditët, programi do të fillojë në orën 9.20. Dyert do të hapen në orën 8.00. Kur të njoftohet muzika që do të vihet në sfond, të gjithë duhet të zëmë vend, me qëllim që programi të fillojë në mënyrë sa më dinjitoze. Të premten dhe të shtunën programi do të mbarojë në orën 16.55, ndërsa të dielën në orën 16.00. Kurse për kongreset ndërkombëtare të enjten programi do të fillojë në orën 13:20 dhe do të mbarojë në orën 16:45.

◼ Parkimi: Në të gjitha vendet e kongresit ku sigurohet një vend parkimi, ata që gjejnë vend mund t’i parkojnë makinat pa asnjë detyrim. Meqë vendet e parkimit zakonisht janë të kufizuara, mundohuni që të shfrytëzoni të gjitha vendet që ka një makinë.

◼ Vendet për t’u ulur: Mund të rezervoni vende vetëm për ata që udhëtojnë me ju ose për ata që jetojnë me ju në të njëjtën shtëpi.

◼ Dreka: Ju lutemi ta merrni drekën me vete, në mënyrë që të mos largoheni nga vendi ku mbahet kongresi gjatë pushimit të drekës. Nëse është e nevojshme, mund të merrni një çantë-frigorifer të vogël, që mund ta mbani poshtë karriges suaj. Çantat e mëdha familjare që përdoren për piknikë dhe enët prej qelqi nuk lejohen në vendin e kongresit.

◼ Kontributet: Mund ta tregojmë vlerësimin tonë për organizimin e kongresit duke dhënë kontribute vullnetare për veprën mbarëbotërore në Sallën e Mbretërisë ose në kongres. Çeqet duhet të bëhen të pagueshme për «Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri».

◼ Aksidentet dhe urgjencat: Shërbimet e urgjencës marrin shumë telefonata me celular për vogëlsira. Nëse në vendin e kongresit ka një rast urgjence, ju lutemi të thërritni përcjellësin më të afërt, i cili do të njoftojë menjëherë repartin e ndihmës së shpejtë, në mënyrë që personeli i specializuar i këtij reparti të përcaktojë se sa e rëndë është gjendja dhe të japë ndihmën e duhur. Nëse është e nevojshme do të thirret urgjenca.

◼ Këpucët: Çdo vit ndodhin disa dëmtime për shkak të këpucëve, sandaleve ose shapkave. Është mirë që ato të jenë modeste dhe t’ju rrinë mirë pas këmbës, që të jenë të sigurta nëpër shkallë, mbi skarat e pusetave ose në gjëra të ngjashme.

◼ Regjistrimi: Aparatet regjistruese nuk duhet të lidhen me sistemin elektrik ose akustik të kongresit dhe mund të përdoren vetëm në një mënyrë që nuk i shqetëson të tjerët.

◼ Karrocat e fëmijëve dhe karriget portative: Karrocat e fëmijëve dhe karriget portative nuk duhet të merren me vete në ambientet e kongresit. Megjithatë, mund të merren ndenjëse për fëmijë që mund të sigurohen në vendin përbri prindërve.

◼ Formularët «Ju lutemi, ndiqni interesin»: Për të dhënë informacion për ndonjë që tregon interes kur japim dëshmi joformale gjatë kongresit, duhet të përdoret formulari Ju lutemi, ndiqni interesin (S-43). Lajmëtarët duhet të marrin me vete një ose dy formularë të tillë. Formularët e plotësuar mund të çohen në Repartin e Literaturës ose mund t’ia jepni sekretarit të kongregacionit tuaj kur të ktheheni nga kongresi.—Shih Shërbimi ynë i Mbretërisë shkurt 2005, f. 6.

◼ Restorantet: Nderoni emrin e Jehovait me anë të sjelljes suaj të shkëlqyer në restorante. Në shumë vende është zakon që të lihet bakshish 15 deri në 20 për qind e shumës, por kjo është në varësi të shërbimit.

◼ Hotelet: (1) Ju lutemi të mos rezervoni më shumë dhoma sesa ju nevojiten dhe të mos mbani më shumë njerëz në dhomë nga sa lejohet. (2) Nëse duhet ta anuloni rezervimin, njoftoni hotelin pa humbur kohë. (3) Mos gatuani në dhomat ku nuk lejohet gatimi. (4) Mos abuzoni me asnjë nga ushqimet e mëngjesit, kafenë ose akullin që janë falas, pasi ato janë në dispozicion të klientëve kur janë në hotel. (5) Shfaqni gjithnjë frytin e frymës me personelin e hotelit. Ata kujdesen për një numër të madh klientësh dhe e vlerësojnë dashamirësinë, durimin dhe arsyetueshmërinë tonë. (6) Tarifa që tregohet në listën e strehimeve të rekomanduara është vlera e plotë e çmimit për çdo ditë. Nëse në llogarinë tuaj futen shpenzime shtesë për ndonjë gjë që nuk e keni kërkuar ose nuk e keni përdorur, mos pranoni t’i paguani dhe njoftoni Repartin e Strehimit të kongresit sa më shpejt që të jetë e mundur. (7) Nëse lind ndonjë problem me dhomën e hotelit, sigurohuni të njoftoni Repartin e Strehimit gjatë kohës që jeni në kongres.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo