Një fushatë që sjell rezultate të mira
Tri javë para se të fillojë kongresi, edhe këtë vit kongregacionet do të marrin pjesë në një fushatë për të ftuar të interesuarit të ndjekin këtë rast. Ka arsye të forta pse zhvillohet kjo fushatë e përvitshme. Atyre që pranojnë ftesën dhe vijnë në kongres, shpesh u bëjnë përshtypje fjalimet e bazuara në Shkrime, repartet e organizuara mirë ku punojnë vetëm vullnetarë, sjellja e mirë dhe uniteti ynë. (Psal. 110:3; 133:1; Isa. 65:13, 14) Megjithatë, a ka rezultate fushata jonë, sidomos në zona ku të interesuarve u duhet të bëjnë një rrugë të gjatë për të ndjekur kongresin?
Pas kongresit krahinor të vitit 2011, një zyrë degë mori një letër nga një grua që e kishte gjetur ftesën te dera e saj. Zakonisht, ajo fshihej kur i trokitnin në derë Dëshmitarët e Jehovait. Kjo grua shkroi: «Kisha një shtëpi të bukur, një bashkëshort të mrekullueshëm dhe mendoja se kisha çdo gjë që mund të më bënte të lumtur. Mjerisht, akoma nuk isha e lumtur dhe jeta ime nuk kishte qëllim. Prandaj vendosa të bëja 320 kilometra rrugë për të ndjekur programin e së shtunës.» Ajo u kënaq aq shumë në kongres, sa i telefonoi të shoqit për t’i thënë se do rrinte edhe një natë atje që të ndiqte programin e së dielës. «I dëgjova të gjitha fjalimet, takova shumë Dëshmitarë të Jehovait dhe kuptova se nuk dëshiroja që kjo përvojë të merrte fund.» Pasi u kthye në shtëpi, nisi të studionte dhe pas katër muajsh u bë lajmëtare e papagëzuar. «Jam shumë e lumtur që gjeta atë ftesë te dera, sepse tani jeta ime ka vërtet një qëllim!»
Disa që marrin ftesën do të vijnë në kongres. Prandaj merrni pjesë me zell në këtë fushatë të rëndësishme. Merrini me vete në qytetin e kongresit ftesat që ju kanë mbetur dhe përdorini për të dhënë dëshmi joformale.
[Kutia në faqen 5]
Si do ta ofrojmë ftesën?
Që të mbulojmë territorin, mund të jetë e nevojshme që ta prezantojmë shkurt ftesën. Mund të themi: «Përshëndetje. Në të gjithë botën, po bëjmë një fushatë për shpërndarjen e kësaj ftese. Kjo është ftesa juaj. Aty do të gjeni më shumë hollësi.» Jini entuziastë. Bashkë me ftesën, nëse është fundjavë dhe nëse është e përshtatshme duhet të ofroni edhe revistat.