‘Të dëgjojmë e të marrim më shumë mësim’
1 Libri i Proverbave e paraqet mençurinë sikur thërret: «Më dëgjoni, sepse flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta. Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë [mençuria praktike, BR]. . . . Më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia. Sepse ai që më gjen, gjen jetën dhe siguron përkrahjen e Zotit.» (Prov. 8:6, 14, 32, 35) Këto fjalë e përshkruajnë mirë mësimin që është bërë gati për ne në Kongresin Krahinor «Mësues të Fjalës së Perëndisë».
2 Janë analizuar nevojat e vëllezërve anembanë botës dhe programi i kongresit është përgatitur për të trajtuar këto nevoja. Mësimi frymor dhe sugjerimet praktike që do të jepen, nëse zbatohen mund të na ndihmojnë të jemi të lumtur, të mbajmë një marrëdhënie të mirë me Jehovain dhe të qëndrojmë në udhën që çon në jetën e përhershme. Sigurisht, kemi shumë arsye ‘për të dëgjuar e për të marrë më shumë mësim’.—Prov. 1:5.
3 Përpara programit: Për të nxjerrë plotësisht dobi nga ajo që paraqitet, në kohën kur fillon programi duhet të jemi në vendin tonë e të kemi qëndrimin e duhur mendor. Kjo kërkon organizim të mirë personal. Një faktor kyç është që t’i nisim punët herët në mëngjes. Natën përpara të shkojmë shpejt në shtrat. Të nesërmen të ngrihemi herët, aq sa të mund t’i japim kohë secilit në grup të bëhet gati e të ketë diçka për të ngrënë. Të arrijmë shpejt në vendin e kongresit që të mund të gjejmë vend e të kujdesemi për çështjet e nevojshme para se të fillojë programi. Dyert do të hapen në mëngjes në orën 8.00 dhe programi do të fillojë çdo ditë në orën 9.30.
4 Meqenëse qëllimi kryesor i grumbullimit është të lavdërohet Jehovai «mes turmave të mbledhura», çdo sesion duhet të hapet në një mënyrë që e lartëson Perëndinë tonë. (Psal. 26:12, BR) Për këtë arsye, të gjithë jemi të nxitur që të kemi zënë vend përpara njoftimit të këngës hapëse. Kjo është në përputhje me këshillën biblike: «Çdo gjë le të ndodhë siç ka hije dhe me rregull.» (1 Kor. 14:40) Çfarë do të thotë kjo për secilin nga ne? Kur shohim drejtuesin të ulur në platformë, ndërkohë që ka filluar muzika hapëse, të zëmë menjëherë vend. Kjo do të na japë mundësi të marrim pjesë me gjithë zemër në këngën që hap çdo sesion, duke i dhënë lavdi Jehovait.—Psal. 149:1.
5 Gjatë programit: Ezdra ‘e përgatiti zemrën e tij për të konsultuar ligjin e Jehovait dhe për ta zbatuar atë’. (Ezd. 7:10, BR) Si mund ta përgatitim ne zemrën për të marrë mësimin që siguron Jehovai? Ndërsa rishohim titujt e pjesëve të ndryshme të renditura në programin e shtypur, të pyesim veten: ‘Çfarë po më tregon Jehovai me anë të këtij programi? Si mund ta përdor informacionin për t’i sjellë dobi vetes dhe familjes sime?’ (Isa. 30:21; Efes. 5:17) T’ia bëjmë vazhdimisht këto pyetje vetes gjatë gjithë kongresit. Të marrim shënim pikat që duam të zbatojmë. Të lëmë kohë për t’i diskutuar ato në fund të sesioneve të çdo dite. Kjo do të na ndihmojë që ta ruajmë informacionin e ta zbatojmë atë.
6 Përqendrimi për disa orë rrjesht në një vend mund të jetë një sfidë. Çfarë mund të na ndihmojë që t’i bëjmë ballë prirjes së mendjes për t’u hallakatur? Të përfitojmë nga fuqia e syve. Në një masë të madhe, ajo ku i përqendrojmë sytë tanë, drejton dhe vëmendjen tonë. (Mat. 6:22) Prandaj, le t’i bëjmë ballë nxitjes që të kthejmë kokën për çdo zhurmë ose për çdo lëvizje që bëhet. T’i mbajmë sytë të përqendruar te folësi. Kur lexohet një shkrim, ta ndjekim leximin e tij me kopjen tonë të Biblës dhe ta mbajmë atë hapur ndërsa shkrimi diskutohet.
7 Dashuria e krishterë do të na nxitë që të mos i shqetësojmë të tjerët gjatë kohës që zhvillohet programi. (1 Kor. 13:5) Kjo është «një kohë për të heshtur» e për të dëgjuar. (Ekl. 3:7) Prandaj, le t’i shmangim bisedat dhe sorollatjet e panevojshme. T’i rrallojmë vajtjet në banjë, duke marrë masa që më përpara për këtë. Të mos hamë ose të mos pimë deri në kohën e caktuar, vetëm në rast se kemi të bëjmë me probleme serioze shëndetësore. Ata që kanë me vete celularë, aparate sinjalizuese, kamera dhe aparate fotografike, nuk duhet t’i përdorin ato në një mënyrë që i shpërqendron të tjerët. Prindërit duhet të marrin masa që e gjithë familja, duke përfshirë edhe adoleshentët, të ulet së bashku që t’i kenë kështu fëmijët nën mbikëqyrjen e duhur.—Prov. 29:15.
8 Vitin e kaluar, një plak që i ka ndjekur kongreset për shumë dekada vërejti: «Mendoj se ky kongres ishte i jashtëzakonshëm edhe për një arsye tjetër. Pothuajse të gjithë në auditor mbanin shënime, duke përfshirë edhe fëmijët. Ishte kënaqësi të shihje diçka të tillë. Biblat përdoreshin mirë kur oratorët ftonin që ajo të hapej në një faqe të caktuar.» Një dëgjim i tillë i vëmendshëm është me të vërtetë për t’u lavdëruar. Kjo gjë na sjell dobi jo vetëm neve dhe delegatëve të tjerë të kongresit, por mbi të gjitha i jep lavdi Mësuesit tonë të Madh, Perëndisë Jehova.—Isa. 30:20.