Një rast për t’u ushqyer frymësisht dhe për t’u gëzuar
1. Si kujdeset Jehovai për nevojat frymore të shërbëtorëve të tij?
1 Jehovai me dashuri kujdeset për nevojat frymore të shërbëtorëve të tij. Ndërkohë që bota në përgjithësi vuan nga uria frymore, ne kemi me bollëk. (Isa. 65:13) Një mënyrë se si na ushqen frymësisht Jehovai është nëpërmjet kongreseve të përvitshme krahinore. A po bëni përgatitje për të ndjekur të gjitha sesionet e Kongresit Krahinor të ardhshëm që ka temën «Të drejtuar nga fryma e Perëndisë»? Do të jetë një gosti e shijshme dhe me vlera ushqyese nga ana frymore.
2. Çfarë do të thotë të planifikoni që më përpara për kongresin?
2 Të planifikojmë që më përpara: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim.» (Prov. 21:5) Prandaj, për të planifikuar që të jeni të pranishëm në të tria ditët e kongresit, mos e shtyni për më vonë për të folur me punëdhënësin tuaj, nëse keni nevojë për leje. Po në rast se keni kërkuar një vendstrehimi, a e keni gjetur? Gjithashtu duhet të mendoni edhe për drekën që të hani bashkë me vëllezërit në ambientet e kongresit. Merrni masat që çdo ditë të arrini aq herët në kongres sa të mund të gjeni vend dhe të jeni gjatë këngës dhe lutjes hapëse.
3. Ç’lloj veshjeje duhet të planifikojmë për në kongres?
3 Duam të sigurohemi që të jemi modestë dhe të rregullt në veshje. (1 Tim. 2:9, 10) Kongreset krahinore janë një rast i shkëlqyer për të dhënë një dëshmi të mirë para njerëzve. Duke pasur një paraqitje dinjitoze kur jemi në qytetin ku zhvillohet kongresi dhe duke mbajtur distinktivat e kongresit, do të dallohemi nga jobesimtarët dhe do të lëmë një përshtypje të mirë tek ata që na shohin.
4. Çfarë do t’ju ndihmojë ju dhe familjen tuaj të përfitoni sa më shumë nga programi?
4 Të dëgjojmë me vëmendje: Sigurisht që nuk duam të humbasim as edhe një kafshatë nga ajo që serviret në këtë gosti frymore. (Prov. 22:17, 18) Duke ndjekur në Bibël atë që lexohet dhe duke marrë shënime të shkurtra, do ta mbajmë mendjen te programi dhe nuk do të shpërqendrohemi. Pastaj në mbrëmje mund të përdorim shënimet për të folur me të tjerë për pika të veçanta nga programi. Vitet e fundit është vënë re që disa të rinj ulen bashkë në kongres dhe bëjnë muhabet ose shkruajnë mesazhe me celular gjatë programit. Nëse keni fëmijë, përfshirë edhe adoleshentë, do të ishte më dobiprurëse të uleni bashkë dhe ta dëgjoni programin si familje, sesa t’i lini të ulen me të rinj të tjerë.
5. Çfarë mund ta bëjë më të bukur kongresin?
5 Të shijojmë shoqërinë: Ushqimi shijon më shumë kur e ha me miq. (Prov. 15:17) Po kështu, shoqëria me vëllezër e motra ia shton lezetin një kongresi. Prandaj, sa bukur është kur marrim iniciativën për të njohur delegatë të tjerë dhe shijojmë shoqërinë e tyre para ose pas një sesioni! (Ps. 133:1) Por, kur drejtuesi i kongresit na fton me mirësjellje të zëmë vend para se të fillojë muzika, duhet t’i lëmë muhabetet dhe të ulemi e të bëhemi gati për fillimin e programit.
6. Trego një përvojë personale që tregon se si mund t’u japim dëshmi njerëzve në qytetin ku mbahet kongresi.
6 Të shfrytëzojmë rastet për të dhënë dëshmi: Kongreset zakonisht krijojnë raste të shkëlqyera për të dhënë dëshmi. Shumë nga ata që shkojnë në restorante pas programit të kongresit pyeten nga kamerierët ose nga të tjerë për temën e kongresit në distinktiv. Kështu fillojnë biseda të këndshme dhe jepet një dëshmi e mirë për të vërtetën. Disa nga këta që kanë pyetur janë ftuar në kongres dhe kanë ardhur.
7. Pse duhet të jemi të pranishëm në kongresin e ardhshëm krahinor?
7 Janë harxhuar mijëra orë për të përgatitur programin e kongresit, për të rregulluar vendin ku mbahet, për të organizuar repartet dhe për të përgatitur fjalimet. E gjithë kjo punë e dashur që është bërë për të përgatitur këtë gosti frymore, tregon kujdesin e dashur të Jehovait për popullin e tij. Qofshim të gjithë të pranishëm dhe mësofshim sa më shumë! Kështu, ndryshe nga bota, ‘do të lëshojmë britma gëzimi për gjendjen e mirë të zemrës’.—Isa. 65:14.
[Kutia ne faqen 4]
Përkujtues për Kongresin Krahinor
◼ Oraret: Në të tria ditët, programi do të fillojë në orën 9.20. Dyert do të hapen në orën 8.00. Kur të fillojë të dëgjohet në sfond muzika, të gjithë duhet të zëmë vend, me qëllim që programi të fillojë në mënyrë sa më dinjitoze. Të premten dhe të shtunën programi do të mbarojë në orën 16.55, kurse të dielën në orën 16.00.
◼ Parkimi: Në të gjitha vendet e kongresit ku sigurohet një vend parkimi, ata që gjejnë vend mund t’i parkojnë makinat pa asnjë detyrim. Si identifikim për parkimin do të shërbejnë distinktivët e kongresit.
◼ Vendet për t’u ulur: Mund të rezervoni vende vetëm për ata që udhëtojnë me ju ose për ata që jetojnë me ju në të njëjtën shtëpi.
◼ Dreka: Ju lutemi ta merrni drekën me vete, në mënyrë që të mos largoheni nga vendi ku mbahet kongresi gjatë pushimit të drekës. Nëse është e nevojshme, mund të merrni një çantë-frigorifer të vogël, që mund ta mbani poshtë karriges suaj. Çantat e mëdha familjare që përdoren për piknikë, enët prej qelqi dhe pijet alkoolike nuk lejohen në vendin e kongresit.
◼ Kontributet: Mund ta tregojmë vlerësimin tonë për organizimin e kongresit duke dhënë kontribute vullnetare për veprën mbarëbotërore në Sallën e Mbretërisë ose në kongres. Çeqet duhet të bëhen të pagueshme për «Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri».
◼ Aksidentet dhe urgjencat: Shërbimet e urgjencës janë ankuar që marrin shumë telefonata me celular për vogëlsira. Nëse në vendin e kongresit ka një rast urgjence, ju lutemi të thërritni përcjellësin më të afërt, i cili do të njoftojë menjëherë repartin e ndihmës së shpejtë, në mënyrë që personeli i specializuar i këtij reparti të përcaktojë se sa e rëndë është gjendja dhe të japë ndihmën e duhur. Nëse është e nevojshme do të thirret urgjenca.
◼ Karrocat e fëmijëve dhe karriget portative: Karrocat e fëmijëve dhe karriget portative nuk duhet të merren me vete në ambientet e kongresit. Megjithatë, mund të merren ndenjëse për fëmijë që mund të sigurohen në vendin përbri prindërve.
◼ Aromat: Disa kongrese tani zhvillohen në ambiente të mbyllura ku ajrimi bëhet me ventilatorë. Prandaj, do të ishte e sjellshme nga ana jonë që të mos përdorim aroma të forta, kolonjë dhe parfume që i shqetësojnë ata që kanë probleme me frymëmarrjen dhe probleme të tjera të ngjashme.—1 Kor. 10:24.
◼ Formularët «Ju lutemi, ndiqni interesin»: Për të dhënë informacion për ndonjë që tregon interes kur japim dëshmi joformale gjatë kongresit, duhet të përdoret formulari Ju lutemi, ndiqni interesin (S-43). Lajmëtarët duhet të marrin me vete një ose dy formularë të tillë. Formularët e plotësuar mund të çohen në Repartin e Literaturës ose mund t’ia jepni sekretarit të kongregacionit tuaj kur të ktheheni nga kongresi.—Shih Shërbimi ynë i Mbretërisë shkurt 2005, f. 6.
◼ Restorantet: Nderoni emrin e Jehovait me anë të sjelljes suaj të shkëlqyer në restorante. Në shumë vende është zakon që të lihet bakshish 15 deri në 20 për qind të shumës, por kjo është në varësi të shërbimit.
◼ Hotelet: (1) Ju lutemi të mos rezervoni më shumë dhoma sesa ju nevojiten dhe të mos mbani më shumë njerëz në dhomë nga sa lejohet. (2) Nëse duhet ta anuloni rezervimin, njoftoni hotelin pa humbur kohë. (3) Mos gatuani në dhomat ku nuk lejohet gatimi. (4) Nëse është zakon në vendin tuaj, lini bakshish për pastruesen e dhomës çdo ditë. (5) Mos abuzoni me asnjë nga ushqimet e mëngjesit që janë falas, kafenë ose akullin, pasi ato janë në dispozicion të klientëve kur janë në hotel. (6) Shfaqni gjithnjë frytin e frymës me personelin e hotelit. (7) Tarifa që tregohet në listën e strehimeve të rekomanduara është vlera e plotë e çmimit për çdo ditë. Nëse në llogarinë tuaj futen shpenzime shtesë për ndonjë gjë që nuk e keni kërkuar ose nuk e keni përdorur, mos pranoni t’i paguani dhe njoftoni Repartin e Strehimit të kongresit sa më shpejt që të jetë e mundur. (8) Nëse lind ndonjë problem me dhomën e hotelit, sigurohuni të njoftoni Repartin e Strehimit gjatë kohës që jeni në kongres.