Të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim—Pjesa 1.
Çfarë është një studim biblik?
1 Çdo muaj, populli i Perëndisë drejton në të gjithë botën, rreth gjashtë milionë studime biblike. Duke përdorur metoda të mira mësimdhënieje, mund t’i ndihmojmë studentët biblikë që të bëjnë përparim deri në kushtim e pagëzim dhe të bëhen «të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar të tjerët». (2 Tim. 2:2) A do t’ju pëlqente që t’i ndihmonit studentët tuaj të përparonin deri në këtë pikë? Duke filluar me këtë numër, Shërbimi ynë i Mbretërisë do të ketë një seri artikujsh që do të shpjegojnë aspektet themelore se si të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim.
2 Kur mund të raportohet një studim?: Nëse rregullisht dhe sistematikisht bëni biseda biblike, edhe pse të shkurtra, gjatë të cilave përdorni Biblën dhe një nga botimet e rekomanduara, atëherë jeni duke drejtuar një studim biblik. Kjo vlen edhe kur studimi zhvillohet te dera ose me anë të telefonit. Studimi mund të raportohet nëse është bërë dy herë pasi studentit i është treguar se si kryhet një studim biblik dhe duket se studimi do të vazhdojë.
3 Broshura Çfarë kërkon? dhe libri Njohuria janë botimet që përdoren për të drejtuar shumë studime biblike. Nëse studentët i kanë mbaruar këto botime dhe është e qartë se, edhe pse ngadalë, studenti po bën përparim dhe po e rrit vlerësimin për atë që po mëson, atëherë mund ta vazhdojmë studimin me librin Të adhurojmë. Broshura Ti mund të jesh miku i Perëndisë! mund të përdoret me ata njerëz që kanë arsimim të kufizuar dhe aftësi jo të mira leximi.
4 Vepra e studimit biblik ka qenë frytdhënëse pasi ka ndihmuar me miliona njerëz të bëhen dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit. (Mat. 28:19, 20) Nëse zbatojmë sugjerimet që do të na jepen në artikujt e ardhshëm të kësaj serie, mund të drejtojmë studime që bëjnë përparim.