Të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim—Pjesa 12
T’i ndihmojmë studentët të fillojnë e të drejtojnë studime biblike
1 Kur studenti ynë fillon të marrë pjesë në shërbim mund të jetë pak i frikësuar kur mendon për të filluar dhe për të drejtuar vetë studime biblike. Si mund t’i ndihmojmë që të fitojnë më tepër siguri në këtë aspekt të rëndësishëm të shërbimit?—Mat. 24:14; 28:19, 20.
2 Kur studenti biblik kualifikohet si lajmëtar i papagëzuar, ka mundësi që tashmë të jetë regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Stërvitja që merr gjatë përgatitjes dhe përmbushjes së caktimeve në këtë shkollë, do ta ndihmojë që të aftësohet në ato pika të mësimdhënies për të cilat ka nevojë, «një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës».—2 Tim. 2:15.
3 Ta mësojmë me anë të shembullit tonë: Jezui i stërviti dishepujt e tij duke u dhënë udhëzime të qarta dhe duke u lënë një shembull të mrekullueshëm. Ai tha: «Kushdo që është i mësuar në mënyrë të përsosur, do të jetë si mësuesi i tij.» (Luka 6:40) Është shumë e rëndësishme që të imitoni Jezuin, duke lënë një shembull të mirë në shërbimin që bëni. Kur studenti ju vëzhgon në shërbim, ai do ta kuptojë se qëllimi i rivizitave është që të fillohen studime biblike.
4 Shpjegoji studentit se kur t’i ofrojë të interesuarit një studim, nuk është e nevojshme që t’ia përshkruajë me hollësi si zhvillohet studimi. Shpesh është mirë që t’ia demonstrojë se si bëhet një studim biblik duke përdorur një ose ndoshta dy paragrafë nga një libër a broshurë studimi. Për këtë mund të gjeni sugjerime praktike te faqja tetë e kësaj fletëpalosjeje dhe te Shërbimi ynë i Mbretërisë janar 2002, faqja 6.
5 Kur është e përshtatshme, ftoje studentin të të shoqërojë ty ose një lajmëtar tjetër me përvojë në ndonjë studim tjetër biblik. Ai mund të përfshihet duke komentuar për ndonjë paragraf ose shkrim kryesor. Kështu, duke vëzhguar, studenti do të mësojë më shumë për të drejtuar studime biblike që bëjnë përparim. (Prov. 27:17; 2 Tim. 2:2) Ta përgëzojmë dhe t’i tregojmë se si mund të përmirësojë.
6 Stërvitja për të qenë mësues të Fjalës së Perëndisë do t’i pajisë lajmëtarët e rinj për ‘veprën e mirë’ që përfshin fillimin dhe drejtimin e studimeve biblike. (2 Tim. 3:17) Sa bukur është të punosh krah për krah me ta për të përhapur ftesën e mrekullueshme: «Le të vijë; kushdo që dëshiron të marrë falas ujin e jetës!»—Zbul. 22:17.