Libri Çfarë mëson vërtet Bibla?—Mjeti ynë kryesor për studimet biblike
1 Sa të drithëruar ishim që në kongresin krahinor «T’i bindemi Perëndisë» morëm librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Të pranishmit u gëzuan që morën secili nga një kopje në fund të programit të së shtunës. Si do të përdoret ky mjet i ri mësimdhënieje? Është përgatitur për të qenë mjeti ynë kryesor për studimet biblike. Megjithëse ky libër i ri do të përdoret për herë të parë gjatë muajit mars si ofertë e literaturës, lajmëtarët janë të nxitur që të fillojnë ta përdorin menjëherë për të filluar dhe për të drejtuar studime biblike.
2 Studimet biblike të tanishme: Lajmëtarët që po drejtojnë studime biblike me librin Njohuria ose me broshurën Çfarë kërkon? duhet të përdorin gjykim të shëndoshë për të vendosur se si dhe kur të fillojnë ta përdorin botimin e ri në studim. Nëse studimi është filluar kohët e fundit, thjesht mund të nisni nga fillimi librin e ri. Në qoftë se keni ecur më shumë me librin Njohuria, mund të vazhdoni studimin në kapitullin përkatës të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Po qe se jeni nga fundi i librit Njohuria, mund të vendosni që ta përfundoni këtë botim.
3 Pa dyshim që të gjithë njohim shumë individë që do të nxirrnin dobi duke studiuar librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Pse të mos i ofrojmë çdo individi një studim biblik me këtë mjet që i paraqet të vërtetat biblike hap pas hapi? Për shembull, ata që kanë studiuar broshurën Çfarë kërkon? ose librin Njohuria, por nuk kanë bërë përparim deri në kushtim dhe pagëzim, mund të rinisin studimin duke përdorur librin e ri. Prindërit mund të vendosin që ta përdorin botimin, ndërkohë që u japin fëmijëve njohuri të saktë për vullnetin e Perëndisë.—Kolos. 1:9, 10.
4 Studimi i një libri të dytë: A ka një rregullim që një student i Biblës të studiojë një libër të dytë pasi të ketë përfunduar librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Po. Në rast se është e dukshme që një student po bën përparim, ndonëse të ngadalshëm, dhe po tregon çmueshmëri për atë që po mëson, studimi biblik mund të vazhdojë duke përdorur librin Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë. Jemi të sigurt se libri Çfarë mëson vërtet Bibla? do të jetë një mjet i fuqishëm në duart tona, ndërsa përmbushim detyrën për të bërë dishepuj.—Mat. 28:19, 20.