Të drejtojmë studime që bëjnë përparim, te pragu i derës dhe me anë të telefonit
1. Cili është qëllimi ynë kur drejtojmë studime biblike?
1 Çfarë gëzimi provojmë kur fillojmë një studim biblik! Por, të gjesh dikë që ka dëshirë të studiojë Biblën, është vetëm fillimi. Qëllimi i studimit është ta ndihmojë personin të bëhet një dishepull i vërtetë i Krishtit. (Mat. 28:19, 20) Çfarë mund të na ndihmojë për ta arritur këtë gjë?
2. Çfarë është studimi biblik te dera dhe studimi me anë të telefonit, dhe pse janë mënyra të efektshme?
2 Kur njerëzit janë të zënë: Njerëzit sot janë gjithnjë e më shumë të zënë me punë. Në disa vende, të paktë janë ata të cilët që në fillim programojnë një orë për të studiuar Biblën. Për t’i ndihmuar, jemi inkurajuar të fillojmë dhe të drejtojmë studime biblike te dera ose me anë të telefonit. Në fillim këto studime mund të jenë relativisht të shkurtra dhe gjatë tyre mund të shqyrtojmë vetëm disa shkrime biblike duke i mbështetur me anë të një ose dy paragrafëve në një botim të tillë, si libri Çfarë mëson vërtet Bibla? Është për t’u lavdëruar se tashmë shumë lajmëtarë drejtojnë studime të tilla te dera ose me telefon.
3. Pse duhet të përpiqemi që ta rritim kohën e studimit me ata që studiojnë te dera?
3 Por a duhet të kënaqemi vetëm me kaq, pra duke e bërë studimin gjithmonë te dera? Jo. Megjithëse tregohemi të mençur dhe nuk e zgjatim shumë bisedën kur fillojmë studimin te dera, Shërbimi ynë i Mbretërisë maj 1990, anglisht, në faqen 8 thoshte: «Në momentin kur fillohet një studim i rregullt dhe interesi i personit është rritur, studimi mund të zgjatet pak më shumë.» Kjo është tepër e rëndësishme. Le të bëjmë një ilustrim për ta kuptuar më mirë: një fëmije që ka ditë pa ngrënë, në fillim duhet t’i japim shumë pak ushqim derisa t’i vijë oreksi, por zor se do ta rimerrte veten plotësisht dhe do të rritej normalisht nëse do të vazhdonim t’i jepnin po kaq pak për muaj të tërë. Po kështu edhe një student biblik ka nevojë për një studim normal dhe më të rregullt që të bëhet një shërbëtor i pjekur i Perëndisë.—Hebr. 5:13, 14.
4. Cilat janë dobitë kur studimi biblik zhvillohet brenda në shtëpi?
4 Studime biblike brenda në shtëpi: Është mirë që një studim biblik të zhvillohet në një ambient të qetë, në një shtëpi ose në ndonjë vend tjetër të përshtatshëm. Kështu studenti do ta ketë më të lehtë studimin dhe do ta kuptojë më mirë Fjalën e Perëndisë. (Mat. 13:23) Madje kjo do ta ndihmojë drejtuesin e studimit që ta përshtatë materialin e studimit me nevojat e studentit. Përveç kësaj, një studim biblik më i gjatë do të krijojë mundësinë për një shqyrtim më të hollësishëm dhe besimforcues të Fjalës së Perëndisë.—Rom. 10:17.
5. Çfarë mund të bëjmë për ta kaluar një studim te dera brenda në shtëpi?
5 Po si mund ta kalojmë një studim te dera brenda në shtëpi? Pas disa studimeve të shkurtra te dera, thjesht mund të ofroni një studim më të gjatë duke përcaktuar kohëzgjatjen e tij. Ose mund ta bëni këtë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë duke e pyetur: «A ke kohë sot të ulemi dhe të flasim së bashku për këtë?» ose «Sa kohë do të doje të flitnim sot për këtë temë?» Nëse përpjekjet tuaja nuk japin rezultat, sigurisht që duhet të vazhdoni me studimin e shkurtër te dera. Në kohën e duhur, përpiquni përsëri për ta vazhduar studimin brenda në shtëpinë e tij.
6. Cili është qëllimi i shërbimit tonë dhe si na ndihmojnë sugjerimet në këtë artikull që ta arrijmë këtë qëllim?
6 Ndërsa vazhdojmë të kërkojmë ata që e meritojnë, të mos e harrojmë qëllimin tonë kur fillojmë dhe drejtojmë studime biblike. Qëllimi ynë është t’i ndihmojmë ata me zemër të sinqertë që të kushtohen dhe të pagëzohen si shërbëtorë të Jehovait. Përpjekjet tona paçin bekimin e tij ndërsa i shërbejmë me këtë qëllim.—2 Tim. 4:5.