BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 janar f. 26-31
  • Ta themi të vërtetën në mënyrë të hijshme

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ta themi të vërtetën në mënyrë të hijshme
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • KU MUND TA GJEJMË TË VËRTETËN?
  • PSE DUHET TË THEMI TË VËRTETËN?
  • SI DUHET TA THEMI TË VËRTETËN?
  • KUR DUHET TA THEMI TË VËRTETËN?
  • A e dallon qartë të vërtetën?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Gjej përgjigjet e këtyre pyetjeve
    Programi i Asamblesë Qarkore 2025-2026—Me mbikëqyrësin qarkor
  • ‘Perëndia i së vërtetës’ e përmbush gjithmonë qëllimin e tij
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 janar f. 26-31

30 MARS–5 PRILL 2026

KËNGA 76 Një ndjenjë speciale

Ta themi të vërtetën në mënyrë të hijshme

«Jehova, Perëndi i së vërtetës.»—PSAL. 31:5.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Do të shohim si mund ta themi të vërtetën në një mënyrë që u sjell dobi të tjerëve.

1. Ç’duhet të bëjmë që të jemi pjesë e familjes së Jehovait?

KUR takojmë për herë të parë një vëlla a motër, një nga pyetjet që bëjmë zakonisht është: «Si e ke marrë të vërtetën?» Disa përgjigjen se «janë rritur në të vërtetën». Të tjerë thonë se «e kanë njohur të vërtetën» kohët e fundit. I përdorim këto shprehje, sepse e vërteta e Fjalës së Perëndisë ndikon në çdo aspekt të jetës sonë. Në fakt, mund të bëhemi pjesë e familjes së Jehovait vetëm po të tregojmë se e duam të vërtetën dhe jetojmë sipas saj. Kjo përfshin të jemi të ndershëm me fjalët dhe me veprimet tona.—Psal. 15:1-3.

2. (a) Çfarë reputacioni kishte Jezui? (b) Si do të reagonin njerëzit ndaj të vërtetave që mësonte Jezui?

2 Jezui thoshte gjithmonë të vërtetën. Armiqtë e tij e pranonin se fjalët e Jezuit ishin të vërteta, edhe kur nuk u pëlqenin. (Mat. 22:16) Si do të reagonin njerëzit ndaj të vërtetave që mësonte ai? Jezui tha: «Erdha të shkaktoj përçarje: djali kundër babait, vajza kundër nënës dhe nusja kundër së vjehrrës.» (Mat. 10:35) Jezui nuk donte që njerëzit të reagonin negativisht ndaj mesazhit që predikonin ai dhe dishepujt e tij, ama ishte realist. (Mat. 23:37) E dinte se ky mesazh do ta ndante botën në dy grupe—ata që e duan të vërtetën e Biblës dhe ata që e urrejnë.—2 Sel. 2:9-11.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Njësoj si Jezui, ne përpiqemi të jemi të ndershëm duke thënë gjithnjë të vërtetën, edhe kur njerëzit nuk na shohin me sy të mirë. Gjithashtu predikojmë dhe u mësojmë të tjerëve të vërtetat e Biblës, ndonëse ajo që themi mund t’i bezdisë disa. Mirëpo, a do të thotë kjo se s’duhet t’i kushtojmë vëmendje mënyrës si e themi të vërtetën dhe kohës që zgjedhim për ta thënë? Patjetër që jo! Në këtë artikull, do të marrim përgjigjet e këtyre pyetjeve që lidhen me njëra-tjetrën: ku mund ta gjejmë të vërtetën? Pse, si dhe kur duhet ta themi të vërtetën? Këto përgjigje do të na ndihmojnë që të bëhemi më të zotë ta themi të vërtetën në mënyrë të hijshme, pra me takt dhe në kohën e duhur.

KU MUND TA GJEJMË TË VËRTETËN?

4. Pse themi se Jehovai është Burimi i së vërtetës?

4 Jehovai është Burimi i së vërtetës. Çdo fjalë e tij është e vërtetë. Për shembull, ajo që thotë për të drejtën dhe të gabuarën është e vërtetë. (Psal. 19:9; 119:142, 151) Gjithçka që thotë për të ardhmen realizohet. (Isa. 55:10, 11) Jehovai e mban gjithmonë fjalën. (Num. 23:19) Në fakt, është e pamundur që Perëndia të gënjejë. (Hebr. 6:18) Me të drejtë Jehovai quhet «Perëndi i së vërtetës».—Psal. 31:5.

5. Pse nuk është e vështirë ta gjejmë «Perëndinë e së vërtetës»? Shpjegoni. (Veprat 17:27)

5 Pavarësisht nga ajo që thonë disa, nuk është e vështirë ta gjesh Jehovain, «Perëndinë e së vërtetës». I gjithë krijimi flet për ekzistencën e tij. (Rom. 1:20) Kur po fliste me një grup intelektualësh grekë në Athinë, apostulli Pavël tha se Perëndia dëshiron që ne ‘ta gjejmë dhe se ai nuk është larg nga secili prej nesh’. (Lexo Veprat 17:27.) Vërtet, Jehovai i tërheq drejt vetes njerëzit me zemër të përulur që po kërkojnë të vërtetën.—Gjoni 6:44.

6. (a) Cilat janë disa të vërteta që përmban Bibla? (b) Pse je mirënjohës që i di këto të vërteta?

6 Një mënyrë si mund ta gjejmë, pra ta njohim Jehovain, është duke studiuar Biblën. Burrat që e shkruan këtë libër ishin të frymëzuar nga fryma e shenjtë e Perëndisë. (2 Pjet. 1:20, 21) Ndaj, çdo gjë që përmban Bibla është e vërtetë dhe e denjë për besimin tonë. Për shembull, mund t’i besojmë asaj që thotë për origjinën e universit dhe të jetës në tokë. (Zan. 1:1, 26) Veç kësaj, mund ta besojmë atë që thotë Bibla për arsyet pse mëkatojmë dhe pse ka kaq shumë vuajtje dhe vdekje. (Rom. 5:12; 6:23) Gjithashtu, mund t’i besojmë pa rezerva kur thotë se Jehovai, me anë të Birit të tij, do të zhbëjë gjithë dëmin që ka shkaktuar Satanai, «ati i gënjeshtrës». (Gjoni 8:44; Rom. 16:20) E mund t’i besojmë plotësisht premtimit të Biblës se Jezui do të shkatërrojë të ligjtë, do të ringjallë të vdekurit, do të kthejë tokën në parajsë e do të na ndihmojë të bëhemi të përsosur. (Gjoni 11:25, 26; 1 Gjon. 3:8) Ç’privilegj të pashoq na ka dhënë Jehovai! Na ka mësuar të vërtetën dhe na ka dhënë mundësinë t’ua mësojmë edhe të tjerëve.—Mat. 28:19, 20.

PSE DUHET TË THEMI TË VËRTETËN?

7-8. A ka rëndësi motivi pse themi të vërtetën? Jepni një shembull. (Marku 3:11, 12) (Shih edhe figurat.)

7 Siç e pamë më parë, që të jemi pjesë e familjes së Jehovait, duhet të flasim me ndershmëri. Sidoqoftë, që ta kënaqim Perëndinë, nuk mjafton vetëm që të themi të vërtetën. Për Jehovain, është i rëndësishëm edhe motivi pse e themi të vërtetën. Të shohim një rast se çfarë ndodhi gjatë shërbimit të Jezuit në tokë. (Lexo Markun 3:11, 12.) Ndërsa Jezui po predikonte pranë detit të Galilesë, rreth tij u mblodhën turma të mëdha njerëzish. Mes tyre ishin disa të pushtuar nga demonët që binin në gjunjë para Jezuit dhe thërritnin: «Ti je Biri i Perëndisë.» Pse demonët thanë të vërtetën për Jezuin? Mbase kishin si qëllim të fitonin besimin e atyre që po i dëgjonin dhe më pas t’i largonin nga Jehovai. Ndonëse demonët thanë të vërtetën, motivet e tyre ishin egoiste. Gjithsesi, Jezui i dinte qëllimet e tyre dhe nuk i pa me miratim. Ja pse i urdhëroi të mos predikonin për të.

8 Ç’mund të mësojmë nga kjo ngjarje? Jehovait i interesojnë motivet pse e themi të vërtetën. Ndaj është shumë e rëndësishme që motivi ynë për të predikuar të vërtetën të jetë i pastër dhe që meritën për çdo gjë t’ia japim Jehovait, jo vetes.—Mat. 5:16; krahaso Veprat 14:12-15.

Dy skena që tregojnë si drejton një motër studimin e Biblës me një vajzë të re. 1. Motra flet për veten, kurse Biblën e ka vënë përmbys mbi tavolinë. 2. Motra e mban Biblën të hapur dhe i tregon studentes një shkrim.

Kujt ia jep lavdinë kur u mëson të tjerëve të vërtetën? (Shih paragrafët 7-8)


9. Për çfarë duhet të bëjmë kujdes, dhe pse?

9 Të mendojmë për një situatë tjetër ku duhet të bëjmë kujdes të mos kërkojmë lavdinë e vetes. Ta zëmë se një vëlla me përgjegjësi na beson një informacion konfidencial, por pastaj ne ua tregojmë të tjerëve. Nëse më vonë ata zbulojnë se ajo që u thamë ishte e vërtetë, mund t’u bëjë përshtypje që e dinim atë informacion dhe mund të mendojnë se na besohen shumë çështje konfidenciale. Kjo mbase na rrit vlerën në sytë e tyre, por jo në sytë e Jehovait. (Prov. 11:13) Pse? Sepse jo vetëm që treguam një çështje konfidenciale, por edhe e thamë të vërtetën me motivin e gabuar.

SI DUHET TA THEMI TË VËRTETËN?

10. Çfarë do të thotë të përdorim fjalë «të hijshme»? (Kolosianëve 4:6)

10 Lexo Kolosianëve 4:6. Apostulli Pavël u kujtoi të krishterëve në Kolose se fjalët e tyre duhej të ishin «gjithnjë të hijshme». Çfarë nënkupton kjo? Në gjuhën origjinale kjo shprehje përcjell idenë se fjalët tona nuk duhet të jenë vetëm të dobishme për të tjerët, por edhe të dashura e tërheqëse.

11-12. Pse duhet të tregohemi të kujdesshëm kur u mësojmë të tjerëve të vërtetën? Ilustrojeni. (Shih edhe figurat.)

11 Kemi nevojë të zbatojmë këshillën e Pavlit që të përdorim fjalë të hijshme kur u mësojmë të tjerëve të vërtetën. Vetë Bibla i krahason të vërtetat e saj me një shpatë të mprehtë e cila mund të ndajë shpirtin dhe frymën. Me fjalë të tjera, ajo mund të nxjerrë në dritë ndjenjat dhe motivet tona të vërteta. (Hebr. 4:12) Mirëpo, nëse nuk e përdorim me mjeshtëri Biblën, mund t’i ofendojmë të tjerët dhe të ndezim debate të panevojshme. Si mund të ndodhë kjo?

12 Të mendojmë për këtë situatë: në shërbim takojmë një burrë të sinqertë që u lutet rregullisht ikonave dhe i pëlqen të festojë me familjen Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Me anë të Biblës mund t’i tregojmë se është e kotë t’u lutesh shëmbëlltyrave të pajeta dhe se Krishtlindjet dhe Viti i Ri janë festa pagane. (Isa. 44:14-20; 2 Kor. 6:14-17) Nëse veprojmë kështu që në bisedën e parë, po themi të vërtetën, por nuk po e përdorim me mjeshtëri Fjalën e Perëndisë.

Dy skena që tregojnë se si një çift i jep dëshmi një burri në shtëpinë e tij. Në sfond duket familja e tij që zbukuron pemën e Krishtlindjeve. 1. Çifti i tregon burrit artikullin «Çfarë thotë Bibla për Krishtlindjet?» në jw.org. Ai qëndron me krahët e kryqëzuar dhe dëgjon duke parë me inat. 2. Çifti i tregon burrit artikullin «Si të jesh baba i mirë» në jw.org. Burri buzëqesh teksa dëgjon me vëmendje.

Si mund t’ua mësosh të tjerëve të vërtetën me mjeshtëri? (Shih paragrafët 11-12)a


13. Si mund t’i lezetojmë me kripë fjalët tona?

13 Pavli tha edhe se fjalët tona duhet të jenë të lezetuara me kripë. Me këtë nuk donte të thoshte se duhet ta shtrembërojmë të vërtetën ose ta fshehim. Pavli po na nxiste që i foluri ynë të jetë «i lezetuar», pra që ta paraqesim të vërtetën sipas «shijes» së dëgjuesit. (Jobi 12:11) Por kjo nuk është aq e lehtë. Kur bëhet fjalë për një gatim, mund të mendojmë se ajo që na shijon neve, do t’u shijojë edhe të tjerëve. Po njësoj, mbase mendojmë se mënyra si flasim, u pëlqen të gjithëve. Por nuk është kështu. Për shembull, në disa kultura, njerëzit i shprehin opinionet e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë, madje edhe kur flasin me ata që janë më të mëdhenj në moshë. Në kultura të tjera, ky lloj i foluri mund të jetë i papranueshëm, madje ofendues. Pavli tha se duhet ‘të dimë si t’i përgjigjemi gjithsecilit’. Kjo nënkupton se s’duhet t’i lezetojmë fjalët sipas shijes ose kulturës sonë, por sipas shijes së dëgjuesit.

KUR DUHET TA THEMI TË VËRTETËN?

14. A u mësoi Jezui dishepujve gjithçka që dinte? Shpjegoni.

14 Jezui u fliste gjithmonë në mënyrë të hijshme dishepujve dhe u mësonte me dashuri shumë gjëra. (Mar. 6:34) Por kishte ende plot gjëra që duhej të mësonin. Jezui nuk u përpoq t’u tregonte gjithçka që dinte. Ngaqë i njihte mirë kufizimet e tyre, ai e dinte se nuk ishte koha e duhur dhe se nuk ishin në gjendje t’i kuptonin disa të vërteta. (Gjoni 16:12) Çfarë mësojmë nga kjo?

15. A duhet t’u mësojmë studentëve të Biblës gjithçka që dimë njëherësh? Shpjegoni. (Proverbat 25:11) (Shih edhe figurën.)

15 Nga shembulli i Jezuit mësojmë se fakti që dimë të vërtetën, nuk nënkupton se duhet t’u mësojmë të tjerëve gjithçka njëherësh. Si mund ta imitojmë shembullin e tij? Duhet t’i mirëkuptojmë rrethanat e njerëzve. Le të mendojmë përsëri për burrin që i pëlqen të festojë me familjen Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. E dimë se këto festa kanë origjinë pagane dhe se Jehovai nuk i miraton. Por, imagjino sikur ta kemi filluar studimin e Biblës një ose dy javë para Krishtlindjeve. Po t’i tregonim çfarë thotë Bibla për festat pagane dhe të prisnim menjëherë që të mos i festonte më Krishtlindjet, a do të ishim duke folur në mënyrë të hijshme? Është e vërtetë që disa studentë mund t’i zbatojnë menjëherë të gjitha gjërat që mësojnë nga Bibla. Ama, disa të tjerë duan më shumë kohë për të ndryshuar mënyrën si mendojnë dhe veprojnë. Mund t’i ndihmojmë studentët e Biblës që të përparojnë nëse ua themi atë që kanë nevojë të dinë në kohën e duhur, pra atëherë kur janë në gjendje ta kuptojnë.—Lexo Proverbat 25:11.

Çifti që tregohej te figura e mëparshme, studion broshurën «Gëzoje jetën përgjithmonë» me burrin të cilit i dhanë dëshmi. Aty pranë duket pema e Krishtlindjeve.

Imito Jezuin teksa vendos kur dhe sa do të flasësh për të vërtetën (Shih paragrafin 15)


16. Si mund t’i ndihmosh studentët e Biblës që ‘të vazhdojnë të ecin në të vërtetën’?

16 T’u mësosh të tjerëve të vërtetën për Jehovain, është një nga gjërat më të bukura në jetë. Mirëpo, si mund t’i ndihmosh ‘të vazhdojnë të ecin në të vërtetën’? (3 Gjon. 3, 4) Vazhdo të jesh një shembull i mirë për ta. Sigurohu që mënyra jote e jetesës të tregojë se ke plotësisht besim te premtimet e Fjalës së Perëndisë. Fol për të vërtetën me motivin e duhur. Mësoju të tjerëve të vërtetën me fjalë të hijshme, me butësi, me dashuri dhe në kohën e duhur. E për çdo gjë jepja lavdinë Jehovait. Nëse vepron kështu, do të tregosh se i përket Jehovait, Perëndisë së të vërtetës.

ÇFARË KE MËSUAR NGA KËTO SHKRIME?

  • Veprat 17:27

  • Kolosianëve 4:6

  • Proverbat 25:11

KËNGA 160 Lajmi i mirë!

a PËRSHKRIMI I FIGURËS: Në figurën e parë, një vëlla sheh pemën e Krishtlindjeve që ka vënë i zoti i shtëpisë dhe i tregon artikullin që flet për origjinën pagane të Krishtlindjeve. Në figurën e dytë, vëllai i tregon të zotit të shtëpisë një artikull me këshilla praktike për baballarët. Cila metodë do të jetë më e efektshme?

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo