8-14 QERSHOR 2026
KËNGA 8 Jehova, ti je streha jonë
‘Perëndia i së vërtetës’ e përmbush gjithmonë qëllimin e tij
«Ti më ke shpenguar, o Jehova, Perëndi i së vërtetës.»—PSAL. 31:5.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të forcojmë besimin se Jehovai do t’i plotësojë të gjitha premtimet dhe se Mbretëria do t’u japë fund së shpejti gënjeshtrave e mashtrimeve të Satanait.
1. Sipas Psalmit 31:2-5, pse mund të kemi besim te Jehovai?
BOTA ku jetojmë është në dorë të Satanait, ndaj s’është çudi që janë kaq të përhapura gënjeshtrat, mashtrimi dhe tradhtia. Mund të jetë e vështirë të dish kujt t’i besosh. Biznesmenët ua punojnë pas krahëve konkurrentëve të tyre. Reklamuesit i mashtrojnë konsumatorët për produktet që shesin. E ndonjëherë edhe miqtë e ngushtë dalin nga fjala. Ama, Jehovait mund t’i besojmë gjithmonë, dhe kjo na e ngroh zemrën. Ai është «Perëndi i së vërtetës». (Lexo Psalmin 31:2-5.) E vërteta është pjesë thelbësore e natyrës së Jehovait. Ai është përherë i besueshëm në fjalë e në vepra.
2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Në këtë artikull, si fillim do të shohim disa arsye pse t’i besojmë me gjithë zemër Jehovait. Pastaj do të shqyrtojmë si do t’i japë fund Perëndia i së vërtetës botës së ligë të Djallit dhe çfarë po bën që tani për të përmbushur qëllimin e Tij. Ky artikull do të na ndihmojë që të jemi guximtarë dhe sypatrembur ndërsa japim dëshmi për Jehovain.
PSE MUND TË BESOJMË TE PERËNDIA I SË VËRTETËS
3. Pse mund të kemi besim absolut te Jehovai?
3 Mund t’i besojmë Jehovait, sepse është Krijuesi. Ai është Bërësi i qiejve dhe i tokës, si edhe Burimi i jetës. (Zan. 1:1; Psal. 36:9; Zbul. 4:11) Gjithashtu ka krijuar gjithçka që na nevojitet për të vazhduar jetën, për shembull ajrin dhe ujin. Ai e ka nën kontroll universin dhe do ta ketë gjithmonë. Ndaj mund t’ia besojmë pa frikë jetën dhe të ardhmen tonë Krijuesit të gjithëdijshëm dhe të plotfuqishëm.
4. Si e dimë se Jehovai na do?
4 Mund t’i besojmë Jehovait, sepse na do. Ai na krijoi ngaqë dëshironte të na jepte edhe neve dhuratën e bukur të jetës. Jehovai e bëri të qartë qëllimin e vet, kur i tha Birit të tij të vetëmlindur: «Le ta bëjmë njeriun sipas imazhit tonë, në ngjashmëri me ne.» (Zan. 1:26) Perëndia na dha vullnet të lirë dhe krijoi një shtëpi të bukur posaçërisht për ne. (Psal. 115:16) Ai i bekoi prindërit tanë të parë me caktimin emocionues që ta kthenin tokën në parajsë. (Zan. 1:28; 2:15) Veç kësaj, u vuri në dispozicion të gjitha pasuritë dhe burimet e planetit tonë. Këto gjëra nuk lënë hije dyshimi se «dashuria besnike e Jehovait zgjat mot e jetë».—Psal. 103:17.
5. (a) Si e mbajti fjalën Jehovai, pavarësisht nga përpjekjet e Djallit për të shkatërruar familjen njerëzore? (b) Cilat janë disa nga premtimet që ka bërë realitet Perëndia? (Shih edhe kutinë «Prova se Perëndia thotë të vërtetën».)
5 Mund t’i besojmë Jehovait, sepse nuk del kurrë nga fjala. Jehovai nuk e krijoi tokën «pa një qëllim, por e formoi që të banohej». (Isa. 45:18, 19) Rebelimi u kushtoi jetën Adamit dhe Evës. Në pamje të parë, mund të dukej sikur qëllimi i Perëndisë kishte dështuar. Por Jehovai i përmbush të gjitha premtimet e tij. (Isa. 46:10, 11) Qëllimi i tij që njerëzit e drejtë të mbushnin tokën, nuk ndryshoi. Ja pse e lejoi Adamin dhe Evën të bëheshin me fëmijë. Gjithashtu dha Birin e tij të vetëmlindur si shpërblesë, që të shpëtonte pasardhësit e Adamit dhe t’u jepte shpresën e mrekullueshme për të jetuar përgjithmonë.—Gjoni 3:16.
PERËNDIA I SË VËRTETËS PËRMBUSH QËLLIMIN E TIJ
6. Çfarë paratha Jehovai pas rebelimit në Eden?
6 Ai që e ktheu Adamin dhe Evën kundër Perëndisë, ishte «gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana».a (Zbul. 12:9; Zan. 3:4, 5; Gjoni 8:44) Prandaj Jehovai shpalli një gjykim kundër tij dhe tha se në fund do të shkatërrohej. (Zan. 3:15) Mirëpo, para se të ndodhte kjo, shumë veta do të ndiqnin Satanain dhe do të vepronin si ai. Megjithatë do të kishte edhe njerëz që do t’i qëndronin besnikë Jehovait.
7. Kush janë mbështetësit e Djallit, dhe cili do të jetë fundi i tyre?
7 Në krahun e Satana Djallit janë rreshtuar njerëz dhe engjëj rebelë. Meqë e kundërshtojnë qëllimin e Perëndisë, këta bëhen pjesë e pasardhësit të Satanait. Ama qoftë Satanai, qoftë mbështetësit e tij, do të shkatërrohen njëherë e mirë në kohën që ka caktuar Perëndia.—Dan. 2:44; Rom. 16:20.
8. Çfarë bëri Jezui në vitin 1914? (Shih edhe figurat.)
8 Pse jemi të sigurt se qëllimi i Perëndisë për të asgjësuar Satanain dhe përkrahësit e tij të ligj do të realizohet? Në vitin 1914, Jezui filloi luftën kundër Satana Djallit e demonëve të tij dhe i hodhi poshtë në tokë. (Zbul. 12:7-9) Megjithëse kjo betejë u zhvillua në qiell, pasojat e saj u ndien edhe në tokë. Bibla thotë: «Mjerë ti tokë e ti det, sepse Djalli zbriti te ju me zemërim të madh, ngaqë e di se i mbetet një periudhë e shkurtër kohe!» (Zbul. 12:12) Që prej 1914-s, toka është bërë shënjestra kryesore e Satanait, e si rrjedhojë, kushtet botërore sa vijnë e keqësohen. Sa të vërteta kanë dalë fjalët: «Mjerë ti tokë!» Mirëpo, së shpejti, Jezui do ta çojë deri në fund atë që nisi në vitin 1914. Ai ‘do të plotësojë fitoren’ duke e lidhur Satanain për 1.000 vjet dhe duke shkatërruar të gjithë njerëzit që e përkrahin. (Zbul. 6:2) Jezui do ta bëjë të qartë se Satanai është i lig dhe ka shpifur për Jehovain. (Psal. 45:4-6) Të gjithë kanë për ta marrë vesh se Jehovai është Perëndi i së vërtetës!—Ezek. 38:23.
Lufta I Botërore: U.S. National Archives photo; bomba atomike: USAF photo; pandemia: blvdone/stock.adobe.com; trazira: inhauscreative/E+ via Getty Images
Që prej vitit 1914, kushtet botërore kanë shkuar keq e më keq (Shih paragrafin 8)
PERËNDIA I SË VËRTETËS MBLEDH ATA QË E DUAN TË VËRTETËN
9. Kë po mbledh Jehovai sot?
9 Jehovai ‘po mbledh së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat në tokë’. (Efes. 1:10) «Gjërat në qiej» janë të mirosurit, të cilët Jehovai i ka zgjedhur të qeverisin me Krishtin në qiell. «Gjërat në tokë» janë njerëzit që do të jetojnë përgjithmonë në Parajsën në tokë. Të gjithë këta adhurues të Jehovait po bëjnë maksimumin që të nxjerrin në shesh gënjeshtrat e Satanait. Veç kësaj, po i ndihmojnë njerëzit me zemër të sinqertë të njohin të vërtetën.
10. Si po i çliron Jehovai njerëzit nga gënjeshtrat e fesë së rreme? (Zbulesa 14:6, 7)
10 Jehovai po i mbledh ata që e duan të vërtetën, me anë të veprës më të madhe të dëshmisë që ka parë ndonjëherë bota. (Lexo Zbulesën 14:6, 7.) Megjithëse Jehovai na përdor ne për t’u dhënë të tjerëve lajmin e mirë, edhe engjëjt bëjnë pjesën e tyre që të tërheqin në popullin e Perëndisë njerëzit me zemër të sinqertë. Vepra e predikimit demaskon Babiloninë e Madhe, perandorinë botërore të fesë së rreme, të cilën Djalli e ka përdorur ndër shekuj për të përhapur gënjeshtra për Jehovain. (Zbul. 18:2, 4) Së shpejti, fetë e rreme do të shkatërrohen dhe të gjithë ata që e duan Perëndinë e së vërtetës do t’i japin lavdinë që meriton plotësisht.—Zbul. 17:16.
11. Nga dallohen adhuruesit e vërtetë të Jehovait?
11 Ata që e duan të vërtetën, vijnë nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe ekonomike e janë nga të gjitha kombet. (Zbul. 7:9, 10) Kur e dëgjuan ‘lajmin e mirë’, njohën tingullin e së vërtetës dhe u bashkuan me dëshirë me popullin e Jehovait. (Mar. 13:10) Ndërsa koha kalon, bëhet gjithnjë e më e qartë cilët po e adhurojnë Perëndinë siç dëshiron Ai. Profeti Malakia paratha: «Do ta shihni përsëri dallimin mes të drejtit dhe të ligut, mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben.» (Mal. 3:18) Me anë të sjelljes dhe të veprës së predikimit, shërbëtorët e Jehovait tregojnë se po adhurojnë Perëndinë e së vërtetës.
12. Ç’rol luan vepra e predikimit në përmbushjen e qëllimit të Jehovait?
12 Kur predikojmë ‘lajmin e mirë për Mbretërinë’, i bindemi urdhërimit të Jezuit e njëkohësisht përmbushim profecitë. (Mat. 24:14; 28:18-20) Si rezultat i kësaj vepre, njerëz në mbarë tokën po bëhen dishepuj të Krishtit dhe mezi presin ta adhurojnë në përjetësi Perëndinë e së vërtetës. Ç’privilegj i shkëlqyer është të bëjmë pjesën tonë në përmbushjen e qëllimit të Jehovait!
PRITE TË ARDHMEN PLOT BESIM
13. Kush është shënjestra e preferuar e Satanait, dhe pse?
13 Satana Djalli është i tërbuar, ngaqë e di se «i mbetet një periudhë e shkurtër kohe», para se të marrë fund sistemi i tij. (Zbul. 12:12, 13) Shënjestra e tij e preferuar janë përfaqësuesit e Mbretërisë së Perëndisë në tokë, «që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe janë caktuar të japin dëshmi për Jezuin». (Zbul. 12:17; 14:12) Mirëpo, shënjestër e sulmeve të tij bëhet edhe kushdo që mbështet të mirosurit dhe veprën që kryejnë ata.
14. Ç’do të ndodhë kur Satanai të sulmojë popullin e Jehovait? (Shih edhe figurën.)
14 Pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe, përkrahësit e Satanait do ta sulmojnë pa mëshirë popullin e Jehovait. Kjo do të çojë në fillimin e luftës së Armagedonit. (Zbul. 16:13, 14, 16) Jezui dhe ushtritë qiellore do t’i çlirojnë adhuruesit e Jehovait dhe do të zhdukin çdo gjurmë të sistemit të Satanait. (Zbul. 19:19-21) Nuk do të ketë më njerëz gënjeshtarë, të ligj dhe intrigantë. (Zbul. 21:8) Perëndia i së vërtetës dhe i së drejtës do të shfajësohet njëherë e mirë.
Jezui dhe ushtria e tij qiellore kalërojnë drejt luftës së Armagedonit, që të shkatërrojnë armiqtë e Perëndisë (Shih paragrafin 14)
15. Pse mund ta presim të ardhmen plot besim? (Isaia 65:16, 17) (Shih edhe figurën.)
15 Bota s’ka qenë kurrë më e përçarë se sot. Por falë ndihmës së Perëndisë, adhuruesit e Tij janë në unitet. Jehovai po afron vazhdimisht në familjen e tij ata që e duan të vërtetën. Asgjë s’mund ta pengojë Jehovain të bekojë popullin e tij dhe veprën që po bëjnë. (Lexo Isainë 65:16, 17.) Mund ta presim plot besim të ardhmen. Fjalët e apostullit Pavël te Romakëve 8:38, 39 na sigurojnë se «as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat e së tashmes, as gjërat e së ardhmes, as fuqitë, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë krijim tjetër, nuk do të na ndajnë dot nga dashuria e Perëndisë, që është shprehur përmes Krishtit Jezu, Zotërisë tonë».
Në botën e re, problemet e sotme nuk do të vijnë më në mendje (Shih paragrafin 15)
16. Pse i beson me gjithë zemër Jehovait?
16 Kemi çdo arsye të besojmë te Jehovai, Perëndia i së vërtetës. Ai është Krijuesi ynë dhe na do jashtë mase. Radhët e shumicës së madhe po shtohen dita-ditës, teksa njerëz nga të gjitha kombet po marrin anën e Jehovait. (Isa. 60:22; Zak. 8:23) E dimë se ai e përmbush gjithnjë qëllimin e tij dhe, së shpejti, do të shkatërrojë rrjetën e gënjeshtrave dhe mashtrimeve që ka thurur Satanai. Lutemi njësoj si Davidi që tha: «Lëvduar qoftë Perëndia Jehova . . . ! Vetëm ai bën gjëra të mrekullueshme. Lëvduar qoftë emri i tij i lavdishëm në jetë të jetëve! Lavdia e tij mbushtë tokën mbarë!»—Psal. 72:18, 19.
KËNGA 2 Emri yt është Jehova
a Bibla nuk e tregon emrin e këtij engjëlli të lig. Ai përshkruhet vetëm me terma, si «Djall» [Shpifës] dhe «Satana» [Kundërshtar].