BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 janar f. 20-25
  • Si të tregosh mirënjohje për shpërblesën

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si të tregosh mirënjohje për shpërblesën
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • STUDENTËT E BIBLËS
  • LAJMËTARËT E PAGËZUAR
  • ATA QË JANË LARGUAR NGA KONGREGACIONI
  • ÇFARË DO TË BËSH?
  • Bekimet që vijnë falë dashurisë së Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Çfarë na mëson shpërblesa?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Pse kemi nevojë për shpërblesën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • A je gati për ditën më të rëndësishme të vitit?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 janar f. 20-25

23-29 MARS 2026

KËNGA 18 Përjetë mirënjohës për shpërblesën

Si të tregosh mirënjohje për shpërblesën

«Dashuria që ka Krishti, na motivon.»—2 KOR. 5:14.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Do të shohim si mund të tregojmë mirënjohje për shpërblesën.

1-2. Për çfarë duhet të na motivojë flijimi shpërblyes i Jezuit, dhe pse? (2 Korintasve 5:14, 15) (Shih edhe figurën.)

NËSE dikush do të të shpëtonte nga rrënojat e një ndërtese, a nuk do t’i ishe borxhli për tërë jetën? Edhe po të ishe mes shumë të shpëtuarve, ka të ngjarë që do të doje t’ia shprehje personalisht mirënjohjen. Kështu do t’i tregoje se nuk e sheh si diçka të zakonshme atë që bëri për ty.

2 Siç e pamë në artikullin e kaluar, nuk çlirohemi dot vetë nga pasojat e mëkatit të trashëguar. Megjithatë, flijimi shpërblyes i Jezuit na shpëton, sepse i hap rrugën (1) faljes së mëkateve, (2) shpresës për t’u çliruar plotësisht nga gjendja mëkatare dhe (3) pajtimit me Perëndinë. Si rezultat, kemi perspektivën për të jetuar përgjithmonë në botën e re të Jehovait. Vërtet, shpërblesa nxjerr në pah dashurinë e Jezuit për njerëzimin. Ai i ka dashur njerëzit shumë kohë para se të vinte në tokë si njeri i përsosur. (Prov. 8:30, 31) Apostulli Pavël shkroi se «dashuria që ka Krishti, na motivon». (Lexo 2 Korintasve 5:14, 15.) Kjo do të thotë se dashuria e Jezuit duhet të na nxitë të tregojmë mirënjohje për flijimin e tij shpërblyes dhe të mos e shohim kurrë si diçka të zakonshme.

Një pjesëtar i skuadrës së shpëtimit nxjerr me vinç burrin që kishte ngecur nën rrënojat e një ndërtese, siç shpjegohej në artikullin e kaluar.

Siç do t’i ishim mirënjohës dikujt që na shpëton nga rrënojat e një ndërtese, po njësoj u jemi mirënjohës Jehovait dhe Jezuit që na shpëtuan nga mëkati i trashëguar (Shih paragrafët 1-2)


3. Pse dhurata e shpërblesës mund ta motivojë ndryshe secilin prej nesh?

3 Për çfarë do të të motivojë ty dhurata e jashtëzakonshme e shpërblesës? Përgjigjja jote mund të ndryshojë nga ajo e dikujt tjetër. Pse? Për ta ilustruar, imagjino sikur tre veta që ndodhen në qytete të ndryshme nisen drejt të njëjtit vend. Kuptohet që për të mbërritur në destinacion, u duhet të ndjekin rrugë të ndryshme. Po njësoj, «destinacioni» yt është të tregosh mirënjohje për shpërblesën, por «rruga» që do të ndjekësh varet nga «vendndodhja» jote—pra në ç’pikë është tani marrëdhënia jote me Jehovain. Me këtë në mendje, do të shqyrtojmë si mund të tregojnë mirënjohje për shpërblesën këto tri grupe: (1) studentët e Biblës, (2) lajmëtarët e pagëzuar dhe (3) ata që janë larguar nga kongregacioni.

STUDENTËT E BIBLËS

4. Në ç’kuptim i vëren Jehovai studentët e Biblës?

4 Nëse po studion Biblën, kjo tregon se je mes atyre që Jehovai i ka tërhequr të bëhen miq të tij. (Gjoni 6:44; Vep. 13:48) Mos harro se Jehovai ‘shqyrton zemrat’. Kjo do të thotë se vëren çdo përpjekje që po bën për ta njohur. Atij i gëzon zemra kur sheh që po bën ndryshime për ta përputhur jetën me normat e tij. (Prov. 17:3; 27:11) Falë shpërblesës, mund të lidhësh një miqësi të ngushtë me Jehovain. (Rom. 5:10, 11) Mos e merr kurrë si të zakonshme këtë!

5. Si mund ta zbatojnë studentët e Biblës këshillën që gjendet te Filipianëve 3:16?

5 Nëse je student i Biblës, si mund ta tregosh mirënjohjen për shpërblesën? Një mënyrë është duke zbatuar këshillën që u dha apostulli Pavël filipianëve: «Nga këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë.» (Filip. 3:16) Në harmoni me këtë këshillë, mos lejo asgjë që të pengojë rrugëtimin tënd në udhën e jetës.—Mat. 7:14; Luka 9:62.

6. Ç’mund të bëjë një student nëse e ka të vështirë të bëjë ndryshime? (Ligji i përtërirë 30:11-14) (Shih edhe figurën.)

6 Çfarë mund të bësh nëse e ke të vështirë të pranosh një të vërtetë të Biblës që ke mësuar kohët e fundit? Bëj kërkime dhe lutju Jehovait që ta kuptosh më mirë. (Psal. 86:11) Nëse e ke ende të vështirë ta kuptosh atë mësim, lëre për një moment tjetër, ama mos e ndërprit studimin. Po nëse nuk e ke kollaj të heqësh dorë nga një praktikë që bie ndesh me parimet e Biblës? Mos harro se Jehovai nuk do të të kërkojë kurrë diçka të pamundur. Mund t’ia dalësh të jetosh sipas standardeve të tij. (Lexo Ligjin e përtërirë 30:11-14.) Jehovai premton se do të jetë gjithmonë krah teje për të të ndihmuar. (Isa. 41:10, 13; 1 Kor. 10:13) Ndaj, mos u dorëzo! Në vend se ta mbash mendjen te sfida që po has, përqendrohu te gjithë të mirat që ka bërë Jehovai për ty—ku përfshihet edhe dhurata e shpërblesës. E ndërsa të thellohet dashuria për Jehovain, do të kuptosh se «urdhërimet e tij nuk janë të rënda».—1 Gjon. 5:3.a

Një burrë po lexon mësimin 40 të librit «Gëzoje jetën përgjithmonë». Mbi tavolinë ka një pako cigare dhe një tavllë plot me bishta cigaresh.

Jehovai nuk kërkon kurrë diçka të pamundur prej teje. Ai do të të ndihmojë të jetosh sipas standardeve të tij (Shih paragrafin 6)


7. Për çfarë mund të mendojnë të rinjtë që po rriten në të vërtetën?

7 Ç’të themi për ju të rinj që po rriteni në të vërtetën? Edhe ju jeni studentë të Biblës. Madje për prindërit tuaj jeni studentët më të rëndësishëm. Bibla thotë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jak. 4:8; 1 Kron. 28:9) Kur ti hedh hapin i pari për t’iu afruar Jehovait, edhe ai afrohet për t’u bërë Miku yt. Ai nuk të sheh thjesht si pjesë të një grupi. Jehovai e tërheq secilin si individ—duke përfshirë këdo që po rritet në të vërtetën. Çfarë ka bërë Jehovai që ti të kesh një miqësi të ngushtë me të? Ai ka siguruar shpërblesën—një dhuratë speciale që s’duhet ta konsiderosh kurrë të zakonshme. (Rom. 5:1, 2) Ndaj, para se të ndjekësh Përkujtimin këtë vit, pse të mos mendosh thellë për atë që kanë bërë Jehovai dhe Jezui për ty? Kjo do të të nxitë që të punosh fort për të arritur synimin e radhës në shërbim të Jehovait, cilido qoftë ai. Kështu do të tregosh se e çmon shpërblesën që siguroi Jehovai me anë të Birit të tij.b

LAJMËTARËT E PAGËZUAR

8. Si kanë treguar besim te shpërblesa lajmëtarët e pagëzuar?

8 Nëse je i pagëzuar, tashmë ke treguar besim te shpërblesa në shumë mënyra. Për shembull, ke bërë përpjekje për t’iu afruar Jehovait dhe për të jetuar siç i pëlqen atij. I je bindur urdhrit të Jezuit për të bërë dishepuj, duke dhënë dëshmi për të dhe për Jehovain. I ke kushtuar jetën Jehovait dhe je pagëzuar. A ke hasur kundërshtim ngaqë mban anën e adhurimit të vërtetë? (2 Tim. 3:12) Besnikëria dhe qëndrueshmëria jote tregojnë se e do Jehovain e se je mirënjohës për shpërblesën.—Hebr. 12:2, 3.

9. Ndaj cilit rrezik duhet të kenë kujdes lajmëtarët e pagëzuar?

9 Si lajmëtarë të pagëzuar, duhet të kemi kujdes nga një rrezik. Me kohë, mund të na venitet çmueshmëria për shpërblesën. Si mund të ndodhë kjo? Le të shohim rastin e kongregacionit të Efesit në shekullin e parë. Pas ringjalljes, Jezui i lavdëroi për qëndrueshmërinë e tyre. Megjithatë, u tha: «Kam diçka kundër teje: e ke lënë dashurinë e fillimit» (Zbul. 2:3, 4) Siç tregojnë fjalët e Jezuit, një lajmëtar i pagëzuar mund të fillojë gradualisht ta adhurojë Jehovain në mënyrë mekanike. Ndoshta lutet, shkon në mbledhje dhe merr pjesë në shërbim, por thjesht për inerci, jo i motivuar nga dashuria. Çfarë mund të bësh nëse ndien se dashuria jote për Jehovain nuk është më aq e fortë sa dikur?

10. Si mund ta zbatosh këshillën që i dha Pavli Timoteut? (1 Timoteut 4:13, 15)

10 Apostulli Pavël i tha Timoteut të ‘bluante në mendje dhe të zhytej’ në gjëra që do t’ia forconin marrëdhënien me Jehovain. (Lexo 1 Timoteut 4:13, 15.) Sipas kësaj këshille, pse të mos mendosh si ta bësh më domethënës adhurimin tënd, që fryma e shenjtë ‘të vlojë si zjarr në zemrën tënde’? (Rom. 12:11) Për shembull, mund të përgatitesh më mirë për mbledhje që të jesh më i vëmendshëm gjatë programit. Ose mund ta bësh më të këndshëm studimin personal duke gjetur një ambient të qetë që të meditosh për atë që ke studiuar. Ashtu siç do t’i hidhje dru zjarrit për ta mbajtur ndezur, duhet të vazhdosh t’i bësh këto gjëra që të rindezësh mirënjohjen për gjithçka që të ka dhënë Jehovai, ku përfshihet edhe shpërblesa. Gjithashtu mund të shfrytëzosh javët para Përkujtimit që të meditosh për bekimet e pashoqe që gëzojmë si pjesë e popullit të Jehovait. Pa dyshim, kjo do të të ndihmojë të thellosh çmueshmërinë për shpërblesën—themelin e miqësisë me Jehovain.

11-12. A do të thotë se nuk e kemi më frymën e Jehovait nëse na është zbehur zelli për njëfarë kohe? Shpjegoni. (Shih edhe figurën.)

11 Po nëse ke ca kohë që ndien se të është zbehur zelli në shërbimin e Jehovait? Mos u shkurajo dhe mos nxirr përfundimin se nuk e ke më frymën e Jehovait. Sill ndër mend atë që u shkroi apostulli Pavël korintasve për shërbimin e tij: «Edhe sikur ta bëj kundër vullnetit tim, nuk harroj se kjo detyrë më është besuar si kujdestar.» (1 Kor. 9:17) Çfarë donte të thoshte me këto fjalë?

12 Edhe Pavlit i mungonte ndonjëherë dëshira për të predikuar. Megjithatë, ai ishte i vendosur të ngulmonte në shërbim, pavarësisht se si ndihej në ato momente. Njësoj si Pavli, ji i vendosur të bësh gjënë e duhur edhe kur s’ndihesh i motivuar. Lutju Jehovait të të japë ‘dëshirën dhe fuqinë që të veprosh’. (Filip. 2:13) Përfshihu sa më shumë në aktivitete teokratike. Të jesh i sigurt se, me kohë, të gjitha këto do të ta forcojnë dashurinë për Jehovain dhe do të ta rindezin zellin.

Një motër e shkurajuar, e cila ka beben në karrocë, ka dalë në shërbim me një motër që i ka hedhur dorën në sup.

Përfshihu sa më shumë në aktivitete teokratike, edhe nëse për njëfarë kohe nuk ndihesh i motivuar (Shih paragrafët 11-12)


13. Si mund të vazhdojmë të vëmë në provë veten nëse ‘jemi në besim’?

13 Herë pas here është mirë të shqyrtojmë veten në harmoni me nxitjen që gjejmë te 2 Korintasve 13:5: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni çfarë jeni ju vetë.» Për shembull, mund të pyesim veten: «A po e vendos Mbretërinë në vend të parë në jetën time?» (Mat. 6:33) «A tregojnë zbavitjet që zgjedh se e urrej të keqen?» (Psal. 97:10) «A bëj çmos të nxit paqen dhe unitetin në kongregacion?» (Efes. 4:2, 3) Përkujtimi është një rast i mirë për t’i menduar këto pyetje. Kur reflektojmë për atë që kanë bërë Jehovai dhe Jezui për ne, zemra do të na shtyjë të tregojmë çmueshmëri e të sigurohemi se po jetojmë për Krishtin, jo për veten.c

ATA QË JANË LARGUAR NGA KONGREGACIONI

14. Pse mund të largohen nga kongregacioni disa vëllezër e motra?

14 Disa vëllezër e motra që i kanë shërbyer me besnikëri Jehovait për muaj a madje për vite, nuk i ndjekin më mbledhjet. Pse? Disa mund t’i kenë vënë përposh «ankthet e jetës». (Luka 21:34) Të tjerë mund të jenë penguar nga fjalët ose veprimet e një bashkëbesimtari. (Jak. 3:2) Ndërsa të tjerë mund të kenë bërë një mëkat të rëndë dhe ngurrojnë të kërkojnë ndihmë. Cilado qoftë arsyeja, ç’mund të bësh nëse je larguar nga kongregacioni? Për çfarë mund të të nxitë ty dhurata e dashur e shpërblesës?

15. Si kujdeset Jehovai për ata që janë larguar nga kongregacioni? (Ezekieli 34:11, 12, 16)

15 Mendo pak si ndihet Jehovai për ata që janë larguar nga kongregacioni. Ai nuk i hedh poshtë, por i kërkon delet e tij të humbura. Veç kësaj, i ushqen dhe i ndihmon të kthehen përsëri tek ai. (Lexo Ezekielin 34:11, 12, 16.) A po bën të njëjtën gjë Jehovai edhe për ty? Patjetër që po! Fakti që ti po lexon këtë artikull tregon se akoma dëshiron të bësh atë që është e drejtë. Mos harro: Jehovai pa gjërat e mira në zemrën tënde dhe të tërhoqi në të vërtetën. Ai sheh ende të mirat që ke dhe dëshiron të rikthehesh në familjen e tij.

16. Çfarë mund të bëjnë delet e humbura për t’u rikthyer te Jehovai? (Shih edhe figurën.)

16 Broshura Kthehu te Jehovai! përmban këto fjalë zemërdhënëse: «Ji i sigurt se Jehovai do të jetë gati të të presë sapo të kthehesh tek ai. Ai do të të ndihmojë të përballosh ankthin, të largosh ndjenjat e lënduara dhe të gjesh atë paqe në mendje e në zemër që vjen nga një ndërgjegje e pastër. Atëherë mund të nxitesh përsëri t’i shërbesh Jehovait me bashkadhuruesit e tjerë.» Gjithashtu mos harro se edhe pleqtë duan me gjithë shpirt të të ndihmojnë. Ata mund të bëhen për ty «si një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata». (Isa. 32:2) Për të treguar mirënjohje për shpërblesën, pyet veten: «Çfarë hapash mund të ndjek që ‘t’i ndreq gjërat’ me Jehovain?» (Isa. 1:18; 1 Pjet. 2:25) Për shembull, ndoshta mund të ndjekësh një mbledhje në Sallën e Mbretërisë. Ose mund të flasësh me një plak kongregacioni dhe t’i kërkosh ndihmë për t’u kthyer te Jehovai. Ai mund të marrë masa që dikush të studiojë Biblën me ty për ca kohë. Mos ki pikë dyshimi se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet e tua të sinqerta që të tregosh vlerësim për flijimin e Jezuit.

Një burrë në njëfarë moshe po qëndron pak metra larg Sallës së Mbretërisë me Biblën në dorë. Ai po sheh motrat dhe vëllezërit teksa mirëpresin me ngrohtësi njëri-tjetrin.

Pyet veten: «Çfarë hapash mund të ndjek që ‘t’i ndreq gjërat’ me Jehovain?» (Shih paragrafin 16)


ÇFARË DO TË BËSH?

17-18. Si mund ta përdorësh me mençuri periudhën para Përkujtimit?

17 Jezui tha se Jehovai e dërgoi të jepte jetën «që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16) Shpërblesa është mjeti që ka përdorur Jehovai për të na çliruar nga pasojat e mëkatit dhe nga vdekja. Ndaj s’duhet të na venitet kurrë mirënjohja për këtë dhuratë të pashoqe. (Rom. 3:23, 24; 2 Kor. 6:1) Ditët para Përkujtimit, lër kohë që të meditosh për dashurinë që ka treguar Jehovai dhe Jezui. Kjo dashuri duhet të na motivojë të tregojmë mirënjohje për shpërblesën.

18 Si mund ta shprehësh mirënjohjen tënde për shpërblesën? Përgjigjja jote mund të ndryshojë nga ajo e dikujt tjetër. Megjithatë ji plotësisht i sigurt se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet e tua dhe të miliona adhuruesve të tij që ‘nuk jetojnë më për veten, por për atë që vdiq për ta’.—2 Kor. 5:15.

SI MUND TË TREGOJNË MIRËNJOHJE PËR SHPËRBLESËN . . .

  • studentët e Biblës?

  • lajmëtarët e pagëzuar?

  • ata që janë larguar nga kongregacioni?

KËNGA 14 Lëvdoni Mbretin e ri të tokës!

a Që të zbatosh atë që po mëson nga Bibla, përdor kutinë «Provo këtë» në fund të çdo mësimi të librit Gëzoje jetën përgjithmonë.

b Për të parë disa sugjerime se çfarë synimesh mund të vendosësh, lexo artikullin «Të rinj—‘Vazhdoni të punoni për shpëtimin e vetes suaj’» në Kullën e Rojës të dhjetorit 2017.

c Për të parë disa sugjerime si të mbash një qëndrim mirënjohës, lexo artikullin «Çfarë të shtyn t’i shërbesh Perëndisë» në Kullën e Rojës të 15 qershorit 1995.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo