Mbledhjet nxitin në vepra të shkëlqyera
1 Dy aspekte thelbësore të adhurimit tonë janë prania në mbledhjet e kongregacionit dhe pjesëmarrja në shërbimin në fushë. Këto të dyja janë në lidhje të ngushtë me njëra-tjetrën. Njëra ndikon tjetrën. Mbledhjet e krishtere nxitin në vepra të shkëlqyera, më e shkëlqyera prej të cilave është vepra e predikimit të Mbretërisë dhe e bërjes së dishepujve. (Hebr. 10:24) Nëse do të hiqnim dorë nga prania në mbledhje, shpejt do të pushonim së predikuari, sepse nuk do të ishim të nxitur për ta bërë këtë.
2 Në mbledhjet javore ne marrim mësimin frymor, i cili ka si qëllim të na nxisë për të predikuar. Urgjenca e kohëve theksohet në mënyrë të vazhdueshme, duke na shtyrë për t’u çuar të tjerëve mesazhin jetëdhënës të Biblës. Ne inkurajohemi dhe forcohemi për të qëndruar në veprën e predikimit. (Mat. 24:13, 14) Duke përfituar nga mundësitë për të komentuar në mbledhje, ne mësohemi që të shprehim besimin tonë para të tjerëve. (Hebr. 10:23) Duke u regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik, stërvitemi për të qenë shërbëtorë më të efektshëm dhe për të përmirësuar aftësitë tona të të mësuarit.—2. Tim. 4:2.
3 Si na nxitin Mbledhjet e Shërbimit për të predikuar?: Të gjithë ne jemi të inkurajuar që t’i hedhim një sy materialit në Shërbimi ynë i Mbretërisë që më përpara. Ky informacion ngulitet më pas në mendjen tonë, ndërsa ndjekim Mbledhjen e Shërbimit dhe shohim prezantime të demonstruara nga podiumi. Kur jemi në shërbimin në fushë, ne mund të mendojmë në lidhje me Shërbimi ynë i Mbretërisë, të kujtojmë prezantimet që u demostruan dhe me anë të tyre të japim një dëshmi më të efektshme. Kjo ka qenë përvoja e shumë lajmëtarëve.
4 Si rrjedhojë e ndjekjes së Mbledhjeve të Shërbimit, disa marrin takime me të tjerë për të marrë pjesë së bashku në shërbim. Lajmëtarët i kanë të freskëta në mend pikat që aplikoheshin në fushë dhe janë të shtyrë për t’i provuar ato, sepse këto mbledhje i kanë inkurajuar që të kenë një pjesëmarrje në veprën e predikimit çdo javë.
5 Nuk ka asnjë zëvendësues për mbledhjet tona të krishtere, ku ne mblidhemi me bashkadhuruesit dhe jemi të nxitur në vepra të shkëlqyera. Nëse duam që shërbimi ynë të lulëzojë, ne duhet të ndjekim rregullisht mbledhjet e kongregacionit. Le të tregojmë çmueshmëri për këtë sigurim të mrekullueshëm nga Jehovai, duke «mos braktisur të mbledhurit tonë së bashku».—Hebr. 10:25.