Të nxjerrim dobi plotësisht nga mbledhjet për shërbim
1. Si na ndihmojnë mbledhjet për shërbim?
1 Mbledhjet për shërbim që janë të efektshme, na sigurojnë nxitje të vërtetë dhe udhëzime praktike para se të dalim në shërbim. Ato na japin mundësi të dalim në shërbim me të tjerë, që të punojmë bashkë me ta për të mbështetur dhe për të stërvitur njëri-tjetrin. (Prov. 27:17; Ekl. 4:9, 10) Ç’mund të bëjmë që të nxjerrim dobi plotësisht nga këto mbledhje?
2. Cilat janë disa gjëra që mund të shqyrtojë drejtuesi?
2 Drejtuesi: Normalisht nuk jepen skema me informacione specifike për t’u trajtuar në këto mbledhje. Prandaj, nëse do ta drejtosh ti këtë mbledhje, duhet të përgatitesh mirë. Mos planifiko automatikisht të shqyrtosh shkrimin e ditës, edhe pse mund të vendosësh ta përfshish për diskutim, nëse lidhet drejtpërdrejt me shërbimin. Mendo se çfarë do t’i ndihmojë praktikisht ata që do të dalin në shërbim atë ditë. Për shembull, mund të shqyrtohet ose të demonstrohet një prezantim. Mund të vendosësh që të shqyrtohet diçka nga libri Të arsyetojmë, nga libri Shkolla e Shërbimit ose nga një pjesë që është mbajtur kohët e fundit në Mbledhjen e Shërbimit. Në ndonjë rast tjetër, mund të diskutohet se si të përballohet një problem që lind në territor. Ose mund të shqyrtosh si të zhvillohet interesi dhe të fillohen studime biblike, sidomos nëse do të ketë shumë veta që do të bëjnë rivizita. Pavarësisht nga ajo që shqyrtohet, ji entuziast dhe pozitiv.
3. Sa duhet të zgjatë mbledhja dhe çfarë duhet të kryhet gjatë asaj kohe?
3 Filloje mbledhjen në kohën e duhur, edhe sikur të dish që disa do të vijnë vonë. Përdor gjykim të shëndoshë për të organizuar grupet dhe siguro territor për ata që kanë nevojë. Mbledhja nuk duhet të zgjatë më shumë se 10 deri në 15 minuta, madje edhe më pak, nëse është pas një mbledhjeje të kongregacionit. Para se të mbyllësh mbledhjen, të gjithë duhet ta dinë se me kë do të dalin në shërbim dhe ku do të punojnë. Mbledhja duhet të përfundojë me lutje.
4. Çfarë do të ndihmojë që të gjithë të nxjerrin dobi plotësisht nga mbledhjet për shërbim?
4 Të gjithë mund të ndihmojmë: Ashtu si me mbledhjet e kongregacionit, tregojmë respekt për Jehovain dhe konsideratë për të tjerët, duke qenë atje në orar. Duhet të marrim pjesë në diskutim. Mund të lëmë që të na caktojë drejtuesi me kë të dalim ose mund të marrim vetë takime para mbledhjes. Nëse kemi dëshirë të lëmë takime, duhet të përpiqemi ‘të zgjerohemi’ duke punuar me lajmëtarë të ndryshëm, jo të dalim sa herë vetëm me miqtë tanë të ngushtë. (2 Kor. 6:11-13) Pasi ka përfunduar mbledhja, të mos ndryshojmë caktimet, por të nisemi menjëherë për në territor.
5. Për ç’qëllim mbahen mbledhjet për shërbim?
5 Qëllimi i mbledhjeve për shërbim është i njëjtë si i mbledhjeve të tjera të kongregacionit. Ato janë organizuar me qëllim që «të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera». (Hebr. 10:24, 25) Nëse përpiqemi të nxjerrim dobi nga këto mbledhje, do të jemi më të përgatitur që të kryejmë shërbimin tonë, i cili është vërtet një ‘vepër e shkëlqyer’!