Mbledhjet për shërbim
1. Pse përpiqemi që të dalim në shërbim në mënyrë të organizuar?
1 Jezui la shembullin duke u kujdesur që vepra e predikimit për Mbretërinë të bëhej në një mënyrë të organizuar dhe frytdhënëse. Po kështu edhe sot, ata që janë përgjegjës për fushatën mbarëbotërore të predikimit për Mbretërinë kanë shumë dëshirë që kjo vepër të bëhet me të njëjtin kujdes. Për këtë qëllim, kongregacionet në mbarë botën përdorin mbledhjet për shërbim si një mënyrë për të organizuar grupet e lajmëtarëve që dalin për të predikuar për Mbretërinë.—Mat. 24:45-47; 25:21; Luka 10:1-7.
2. Çfarë duhet bërë në mbledhjet për shërbim?
2 Një masë e shkëlqyer: Qëllimi i mbledhjeve për shërbim është që të japin inkurajim, udhëzime praktike dhe drejtim për ata që do të dalin në shërbim. Shkrimi i ditës mund të shqyrtohet shkurtimisht kur zbatohet qartë për shërbimin. Ndonjëherë, mund të shqyrtohen përkujtues nga Shërbimi ynë i Mbretërisë, nga libri Të arsyetojmë ose nga libri Shkolla e Shërbimit për t’i ndihmuar të pranishmit të jenë të përgatitur për shërbimin atë ditë. Mund të demonstrohet edhe një prezantim i shkurtër për një botim që po ofrohet. Para lutjes mbyllëse, të gjithë duhet ta dinë se me kë do të dalin në shërbim dhe ku ndodhet territori në të cilin do të predikojnë. Menjëherë pas mbledhjes, që nuk duhet të zgjatë më shumë se 15 minuta, të gjithë duhet të nisen për në territor.
3. Cilët janë përgjegjës për organizimin e mbledhjeve për shërbim?
3 Si janë organizuar? Mbikëqyrësi i shërbimit merr drejtimin dhe është përgjegjës për organizimin e programit të mbledhjeve për shërbim. Mbikëqyrësit e grupeve ose ndihmësit e tyre kanë përgjegjësinë të shoqërojnë në fundjavë grupet e tyre përkatëse. Ndoshta disa mbikëqyrës ose shërbëtorë ndihmës kanë mundësi t’i shoqërojnë grupet e shërbimit në mes të javës. Mbikëqyrësit e grupeve punojnë ngushtë me mbikëqyrësin e shërbimit që grupet e tyre të kenë territor të mjaftueshëm për të predikuar shtëpi më shtëpi në fundjavë. Gjatë javës, mbikëqyrësi i shërbimit do të mbikëqyrë organizimet e bëra për ata që do të drejtojnë grupet përkatëse në shërbim.
4-6. (a) Cili është qëllimi i mbledhjeve për shërbim në lidhje me territorin e kongregacionit? (b) Çfarë mund të shqyrtohet për të përcaktuar se ku dhe kur të mbahen mbledhjet për shërbim?
4 Ku dhe kur duhen mbajtur këto mbledhje? Që të mos mblidhet i gjithë kongregacioni në të njëjtin vend, në përgjithësi është më mirë që këto mbledhje të mbahen në vende të përshtatshme në të gjithë territorin, zakonisht në shtëpi private, që territori i kongregacionit të predikohet me efektshmëri. Për këtë mund të përdoret edhe Salla e Mbretërisë. Shumë kongregacione e përdorin Sallën e Mbretërisë për të mbajtur një mbledhje për shërbim të dielën, pak pas Fjalimit Publik dhe Studimit të Kullës së Rojës. Duhen bërë përpjekje që lajmëtarët të mos kenë rrugë të gjatë për në territor. Prandaj, masat e marra mund të rishikohen rregullisht për t’u siguruar se vendet ku mbahen këto mbledhje janë ende të përshtatshme që territori të predikohet me efektshmëri dhe plotësisht.
5 Orari më i mirë për këto mbledhje dhe sa herë duhen mbajtur gjatë javës, janë në varësi të territorit. Pyetjet e mëposhtme mund të jenë orientuese për të përcaktuar se ku dhe kur është më mirë të mbahen mbledhjet për shërbim.
6 Cilit territor i duhet kushtuar më shumë vëmendje? Cili është orari më i mirë për të predikuar shtëpi më shtëpi? A duhet programuar një orar në mbrëmje për predikimin shtëpi më shtëpi ose për rivizitat? Të gjitha rregullimet për shërbimin duhet të vihen në tabelën e informacionit të kongregacionit. Sigurisht, dëshira e të gjithë lajmëtarëve të Mbretërisë është ta predikojnë tërë territorin e caktuar në mënyrë të plotë, që ashtu si apostulli Pavël, edhe ne të mund të themi: «S’kam më territor të paprekur.»—Rom. 15:23.
7. Çfarë përgjegjësie ka ai që është caktuar të drejtojë mbledhjen për shërbim të grupit të tij?
7 Drejtimi i mbledhjeve për shërbim: Ai që është caktuar të kujdeset për këtë mbledhje, tregon respekt të thellë për këtë masë teokratike duke u përgatitur mirë. Mbledhjet duhet të fillojnë në kohë dhe duhet të jenë praktike e të shkurtra, nga 10 deri në 15 minuta. Para se të fillojë mbledhja, drejtuesi duhet të ketë territore ku mund të predikojë grupi. Edhe pse nuk ka nevojë të presim ata që vijnë me vonesë pasi mbledhja ka mbaruar, mund të jetë mirë të lëmë një mesazh se ku do të predikojë grupi. Pasi ka mbaruar mbledhja, të gjithë duhet të nisen pa humbur kohë për në territorin e caktuar. Një mbledhje për shërbim e organizuar mirë dhe praktike, do t’u japë pa dyshim drejtimin e duhur të gjithë të pranishmëve që të kryejnë shërbimin atë ditë.—Prov. 11:14.
8. Në ç’mënyra mund të bashkëpunojnë me drejtuesin ata që ndjekin mbledhjet për shërbim?
8 Ndjekja e mbledhjeve për shërbim: Bashkëpunimi është thelbësor. (Hebr. 13:17) Kur është e mundur, ai që organizon grupin do të ndihmojë çdokënd që ka nevojë për ndihmën e një lajmëtari tjetër. Është mirë që në mbledhje të jenë të pranishëm lajmëtarë me përvojë për të ndihmuar lajmëtarët e rinj ose me pak përvojë. Ata që janë të gatshëm të caktohen për të ndihmuar me raste lajmëtarë të ndryshëm, mund të sjellin mjaft rezultate të mira. (Prov. 27:17; Rom. 15:1, 2) Të gjithë duhet të bëjnë çmos për të ardhur në orar. Respekti që kemi për këtë masë teokratike dhe konsiderata për të bashkëkrishterët do të na nxitin të bëjmë ndryshimet e nevojshme në këtë drejtim.—2 Kor. 6:3, 4; Filip. 2:4.
9. Në ç’mënyra të vlefshme mund t’i mbështetin pionierët mbledhjet për shërbim?
9 Mbështetja e pionierëve: Mbështetja e pionierëve në mbledhjet për shërbim është mjaft e vlefshme dhe inkurajuese për të gjithë. Kuptohet, pionierët kanë shumë përgjegjësi. Përveç studimeve biblike dhe rivizitave, në programin e përditshëm mund të kenë edhe përgjegjësi familjare e punën. Prandaj, pionierët nuk janë të detyruar të jenë në çdo mbledhje për shërbim që mban kongregacioni, sidomos nëse janë të përditshme. Megjithatë, pionierët mund të kenë mundësi të mbështetin të paktën disa nga mbledhjet për shërbim që mbahen çdo javë. Deri në njëfarë mase, mbledhjet për shërbim janë një mundësi stërvitjeje, dhe njohuria biblike e përvoja në shërbim e pionierëve mund të jenë një ndihmë e madhe për të tjerët. Ata kanë fituar mjaft përvojë ngaqë dalin vazhdimisht në shërbim. Këtë përvojë mund ta ndajnë edhe me të tjerët. Nga pjesëmarrja e zellshme në shërbim dhe në mbledhjet për shërbim, janë bërë një shembull për t’u imituar. Dhe pjesëmarrja e tyre në këto mbledhje për shërbim vlerësohet mjaft.
10. Pse është e përshtatshme që të gjithë lajmëtarët e Mbretërisë t’i mbështetin me gjithë zemër mbledhjet për shërbim?
10 Ashtu si në rastin e Jezuit dhe të dishepujve, një pjesë e madhe e veprës sonë të predikimit për Mbretërinë bëhet me anë të dëshmisë shtëpi më shtëpi. Mbledhjet për shërbim kanë si qëllim inkurajimin reciprok dhe pjesëmarrjen frytdhënëse në këtë vepër. Të gjithë lajmëtarët e lajmit të mirë duhet t’i mbështetin këto masa teokratike sa më shumë të jetë e mundur. (Vep. 5:42; 20:20) Le të bëjmë të gjitha përpjekjet e nevojshme për t’i mbështetur me gjithë zemër këto mbledhje. Në këtë mënyrë, mund të jemi të sigurt se do të kemi bekime pa fund nga Jehovai dhe do t’i gëzojmë zemrën Udhëheqësit tonë, Jezu Krishtit, ndërsa predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë.—Mat. 25:34-40; 28:19, 20.