Të moshuarit predikojnë pa pushim
1 Ndërsa njerëzit plaken, shumë prej tyre mezi presin që të dalin në pension nga puna e tyre e rregullt botërore dhe të gëzojnë një jetë të shpenguar gjatë viteve që u mbeten. Ata mund të mendojnë se kanë punuar mjaft dhe tani e meritojnë një pushim. Ose ata mund të duan thjesht të gëzojnë jetën, sado që t’u ketë mbetur prej saj.—Luka 12:19.
2 Si shërbëtorë të dedikuar të Jehovait ne kemi një pikëpamje të ndryshme mbi jetën. Ne e dimë se nuk ka dalje në pension nga shërbimi ndaj Perëndisë. Pikëpamja jonë është pozitive, sepse ne mbajmë «sytë nga jeta e përhershme». (Jud. 21, BR) Vite të njohurisë dhe përvojës së mbledhur mund të përmirësojnë aftësinë shquese dhe mendjehollësinë e një personi. Kjo gjë mund ta aftësojë një person që të bëhet më i mençur e më i ekuilibruar dhe që të shfaqë një çmueshmëri më të thellë për jetën. Të gjitha këto tipare i sjellin dobi të madhe një shërbëtori të lajmit të mirë.
3 Plakja nuk është thjesht një çështje e plakjes fizike, ajo përfshin, gjithashtu, qëndrimin mendor të një personi. Nëse pret që të jetosh gjatë dhe përpiqesh për të mbetur i ri në pikëpamjet e tua, mund të kesh më shumë mundësi për t’i shtuar si njërën dhe tjetrën. Personat e moshuar mund ta pasurojnë jetën e tyre, duke e rritur njohurinë frymore dhe duke e ndarë atë me të tjerët.—1. Kor. 9:23.
4 Shembuj të jetës reale: Në moshën 86 vjeç, një motër tha: «Kur meditoj mbi 60 vitet që kanë kaluar që kur kam mësuar të vërtetën, premtimi sigurues i Perëndisë gufon në zemrën time. Po, Jehovai, i cili do të veprojë me besnikëri ndaj besnikëve po na lejon të korrim gëzim me bollëk.» (Psal. 18:25) Një vëlla i moshuar kujtoi se si vdekja e gruas së tij erdhi si një tronditje e rëndë për të, pas së cilës shëndeti i tij u keqësua tepër. Ai tha: «Megjithatë, me anë të dashamirësisë së pamerituar të Jehovait, e mora veten në mënyrë të mjaftueshme sa për të qenë në gjendje të filloja shërbimin e pionierit dy vjet më vonë. Sa mirënjohës i jam Jehovait që shëndeti im madje është përmirësuar me këtë rritje të aktivitetit të predikimit!»
5 Sa e lavdërueshme është që kaq shumë të moshuar janë të vendosur për të vazhduar predikimin pa pushim, në çfarëdo mase që ua lejon shëndeti dhe forca e tyre! Ata kanë arsye të shëndosha për të thirrur: «O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri dhe deri më sot unë kam shpallur mrekullitë e tua.»—Psal. 71:17.