BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 15/9 f. 28-31
  • Një përkthim i Biblës që ndryshoi botën

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një përkthim i Biblës që ndryshoi botën
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Përkthim i frymëzuar?
  • Jafeti në tendat e Semit?
  • Prozelitët dhe ata që druanin Perëndinë
  • Septuaginta ndihmoi në përgatitjen e udhës
  • Septuaginta humbet «frymëzimin» e saj
  • «Septuaginta»​—E dobishme në të kaluarën dhe në të tashmen
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Të krishterët e hershëm në botën greke
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • A duhet të mësosh hebraisht e greqisht?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Pse kaq shumë Bibla?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2017
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 15/9 f. 28-31

Një përkthim i Biblës që ndryshoi botën

Mbi 3.500 vjet më parë, kur profeti i Perëndisë, Moisiu, filloi të shkruante Biblën, atë mund ta lexonte vetëm një komb i vogël. (Ligji i përtërirë 7:7) Kjo ndodhte sepse Shkrimet ekzistonin vetëm në gjuhën origjinale hebraike të atij kombi. Megjithatë, me kalimin e kohës situata do të ndryshonte.

PËRHAPJA e mesazhit të Biblës dhe ndikimi i saj pozitiv përgjatë shekujve ka ndodhur në një masë të madhe si pasojë e përkthimit të parë të saj: Septuagintës. Pse u bë ky përkthim? Dhe a mund të thuhet me të drejtë se ajo qe një Bibël që ndryshoi botën?

Përkthim i frymëzuar?

Pas mërgimit të tyre në Babiloni gjatë shekullit të shtatë dhe të gjashtë p.e.s., shumë hebrenj mbetën jashtë vendit të Izraelit dhe të Judës së lashtë. Për hebrenjtë që lindën në mërgim, hebraishtja u bë gjuhë e dytë. Aty nga shekulli i tretë p.e.s., në Aleksandri, Egjipt, qendër e madhe kulturore e Perandorisë Greke, ndodhej një komunitet hebrenjsh. Këta hebrenj kuptuan vlerën e përkthimit të Shkrimeve të Shenjta në greqisht, e cila në atë kohë ishte gjuha e tyre mëmë.

Deri në atë kohë, mesazhi i frymëzuar i Biblës ishte shkruar në hebraisht dhe kishte vetëm fragmente të vogla në aramaisht, e cila ngjante shumë me hebraishten. Nëse Fjala e Perëndisë do të shprehej në një gjuhë tjetër, a do ta ulte kjo efektin e fuqishëm të frymëzimit hyjnor, madje duke çuar ndoshta në interpretime të gabuara? A mundeshin hebrenjtë, të cilëve u ishte besuar Fjala e frymëzuar, t’i lejonin vetes që me anë të përkthimit të rrezikonin shtrembërimin e atij mesazhi?—Psalmi 147:19, 20; Romakëve 3:1, 2.

Këto çështje delikate shkaktuan shqetësim. Por megjithatë, meraku se hebrenjtë nuk do ta kuptonin më Fjalën e Perëndisë, ua kaloi më në fund të gjitha mendimeve të tjera. U mor vendimi që të përgatitej përkthimi në greqisht i Toras, pesë librave të parë të Biblës, që i kishte shkruar Moisiu. Procesi i vërtetë i përkthimit është mbuluar nga veli i një legjende. Sipas Letrës së Aristesë, sundimtari egjiptian Ptolemeu II (285-246 p.e.s.) donte për bibliotekën e tij mbretërore një kopje të Pentateukut (apo Toras) të përkthyer në greqisht. Ai ua ngarkoi këtë detyrë 72 studiuesve hebrenj që erdhën në Egjipt nga Izraeli dhe ata e përfunduan përkthimin brenda 72 ditëve. Pastaj ky përkthim iu lexua komunitetit hebre, i cili deklaroi se ai ishte si i bukur, ashtu edhe i saktë. Zbukurimet e mëvonshme që iu bënë këtij tregimi thoshin se çdo përkthyes vihej në një dhomë më vete, por megjithatë përkthimet e tyre ishin identike shkronjë për shkronjë. Për shkak të legjendës rreth 72 përkthyesve, ky përkthim i Biblës në greqisht u bë i njohur si Septuaginta, bazuar në fjalën latine që do të thotë «shtatëdhjetë».

Shumica e studiuesve të sotëm janë dakord se Letra e Aristesë është një shkrim apokrif. Ata mendojnë edhe se iniciativën për përkthimin nuk e mori Ptolemeu II, por udhëheqësit e komunitetit hebre të Aleksandrisë. Por shkrimet e filozofit aleksandrian Filo dhe të historianit hebre Jozef, si edhe Talmudi, paraqesin të gjitha një bindje të përgjithshme mes hebrenjve të shekullit të parë se Septuaginta ishte po aq e frymëzuar sa edhe Shkrimet origjinale. Pa dyshim që bindje të tilla janë si pasojë e përpjekjeve për ta bërë Septuagintën të pranueshme për komunitetin hebre në mbarë botën.

Megjithëse përkthimi i parë përfshinte vetëm pesë librat e Moisiut, me kalimin e kohës emri Septuaginta iu referua në fakt të gjithë Shkrimeve Hebraike të përkthyera në greqisht. Pjesa tjetër e librave u përkthye pak a shumë gjatë njëqind vjetëve që pasuan. Në vend që të bëhej me përpjekje të bashkërenduara, e gjithë Septuaginta ishte një arritje e bërë copa-copa. Përkthyesit ndryshonin mes tyre për sa u përket aftësive dhe njohjes së hebraishtes. Shumica e librave u përkthyen fjalë për fjalë, madje disa herë deri aty ku s’kishte ku të shkonte më, ndërsa përkthimet e tjera ishin mjaft të lira. Disa libra ekzistojnë në versionin e gjatë dhe të shkurtër të tyre. Nga fundi i shekullit të dytë p.e.s., të gjithë librat e Shkrimeve Hebraike mund të lexoheshin në greqisht. Pavarësisht nga rezultatet jokoherente, efekti i përkthimit të Shkrimeve Hebraike në greqisht e tejkaloi shumë atë që mund të kenë pritur përkthyesit.

Jafeti në tendat e Semit?

Në trajtimin që i bën Septuagintës, Talmudi citon Zanafillën 9:27: «Jafeti . . . të banojë në çadrat e Semit.» (Megillah 9b, Talmudi babilonas) Në mënyrë të figurshme, Talmudi lë të nënkuptohet se me anë të bukurisë së gjuhës greke të Septuagintës, Jafeti (babai i Javanit, prej të cilit kanë origjinën grekët) banoi në tendat e Semit (stërgjyshi i kombit të Izraelit). Megjithatë, mund të thuhet edhe se me anë të Septuagintës, Semi banoi në tendat e Jafetit. Si vallë?

Pas pushtimeve të Aleksandrit të madh, në pjesën e fundit të shekullit të katërt p.e.s., u bë një përpjekje intensive për përhapjen e gjuhës dhe të kulturës greke në të gjitha vendet e pushtuara. Kjo politikë u quajt helenizim. Hebrenjtë e ndjenë veten nën sulmin e vazhdueshëm kulturor. Nëse do të mbizotëronin kultura dhe filozofia greke, vetë feja e hebrenjve do të minohej. Ç’gjë mund ta frenonte valën e këtij sulmi?

Në lidhje me një motiv të mundshëm të hebrenjve për përkthimin e Septuagintës, përkthyesi hebre i Biblës, Maks Margolis, thotë: «Nëse idenë për këtë përkthim mund t’ia lëmë në derë komunitetit hebre, do të futej në lojë një motiv tjetër, domethënë, vënia e ligjit hebre në dispozicion të popullsisë johebreje dhe bindja e botës se hebrenjtë zotëronin një kulturë që rivalizonte mençurinë e Hellasit [Greqisë].» Prandaj, vënia e Shkrimeve Hebraike në dispozicion të asaj pjese të botës që fliste greqisht, mund të ketë qenë si një formë vetëmbrojtjeje, ashtu edhe një kundërsulm.

Politika e Aleksandrit për helenizimin e kishte bërë greqishten gjuhën ndërkombëtare të botës. Madje edhe kur romakët rrëzuan mbretërinë e tij, greqishtja e zakonshme (apo koine) mbeti gjuha e tregtisë dhe e komunikimit mes kombeve. Pavarësisht nga fakti nëse kjo ishte rezultat i përpjekjeve të qëllimshme apo një zhvillim i natyrshëm, versioni Septuaginta i Shkrimeve Hebraike e gjeti shpejt rrugën për të hyrë në shtëpitë dhe zemrat e shumë johebrenjve, të cilët më parë nuk e njihnin Perëndinë dhe Ligjin e hebrenjve. Rezultatet ishin të mahnitshme.

Prozelitët dhe ata që druanin Perëndinë

Aty nga shekulli i parë i e.s., Filo mundi të shkruante se «bukuria dhe dinjiteti i legjislacionit të Moisiut vlerësohet jo vetëm nga hebrenjtë, por edhe nga gjithë kombet e tjera». Në lidhje me hebrenjtë që në shekullin e parë jetonin jashtë Palestinës, historiani hebre Jozef Klausner thotë: «Vështirë të besohet se gjithë këta milionë hebrenj u mblodhën vetëm me anë të emigrimit nga Palestina e vogël. Dikush është i detyruar të thotë se kjo rritje e madhe erdhi edhe nga përfshirja në të e shumë prozelitëve meshkuj dhe femra.»

Megjithatë, këto pika mbreslënëse nuk paraqesin të gjithë situatën. Autori She J. D. Kohen, profesor i historisë hebreje, pohon: «Gjatë shekujve të fundit p.e.s. dhe dy shekujve të parë të e.s., shumë johebrenj, si burra, ashtu edhe gra, ndryshuan fenë duke u kthyer në judaizëm. Megjithatë, edhe më të shumtë ishin johebrenjtë që pranuan disa aspekte të veçanta të judaizmit, por nuk u futën në të.» Si Klasneri, ashtu edhe Koheni, u referohen këtyre të pakthyerve në besim si ata që druanin Perëndinë, një shprehje që haset shpesh në literaturën greke të asaj periudhe.

Cili është ndryshimi mes një prozeliti dhe një njeriu që druan Perëndinë? Prozelitët ishin plotësisht të kthyer në besim, konsideroheshin si hebrenj në kuptimin e plotë të fjalës, sepse kishin pranuar Perëndinë e Izraelit (duke hedhur poshtë të gjitha perënditë e tjera), ishin rrethprerë dhe ishin bashkuar me kombin e Izraelit. Në kontrast me këta, për sa u përket atyre që druanin Perëndinë, Koheni thotë: «Megjithëse këta johebrenj zbatonin shumë praktika hebreje dhe, në një formë a në një tjetër, nderonin Perëndinë e hebrenjve, nuk e konsideronin veten si hebrenj dhe nuk konsideroheshin të tillë as prej të tjerëve.» Klausneri i përshkruan ata si njerëz që «qëndronin në mes», sepse e pranuan judaizmin dhe «zbatuan një pjesë të zakoneve të tij, por . . . nuk u bënë plotësisht hebrenj».

Ndoshta disave u interesoi Perëndia për shkak të bisedave me hebrenjtë që ishin angazhuar në aktivitetin misionar ose sepse vunë re që hebrenjtë ishin ndryshe për sa i përket qëndrimit, zakoneve dhe sjelljes. Por megjithatë, Septuaginta ishte mjeti kryesor që i ndihmoi këta njerëz që druanin Perëndinë të mësonin për Perëndinë Jehova. Edhe pse nuk ekziston asnjë mënyrë për të ditur numrin e saktë të atyre që druanin Perëndinë në shekullin e parë, pa dyshim që Septuaginta përhapi njëfarë njohurie mbi Perëndinë në mbarë Perandorinë Romake. Me anë të Septuagintës, u hodh edhe një themel i rëndësishëm.

Septuaginta ndihmoi në përgatitjen e udhës

Septuaginta i kontribuoi shumë përhapjes së mesazhit të krishterimit. Kur u themelua kongregacioni i krishterë në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., shumë hebrenj që flitnin greqisht ndodheshin mes të pranishmëve. Prozelitët ndodheshin edhe mes atyre që në atë fazë të hershme u bënë dishepuj të Krishtit. (Veprat 2:5-11; 6:1-6; 8:26-38) Meqenëse shkrimet e frymëzuara të apostujve të Jezuit dhe të dishepujve të tjerë të hershëm kishin si qëllim të arrinin një auditor sa më të madh që të ishte e mundur, u shkruan në greqisht.a Prandaj, shumë citime nga Shkrimet Hebraike që paraqiten në Shkrimet e Krishtere Greke u bazuan te Septuaginta.

Përveç hebrenjve natyrorë dhe prozelitëve, të gatshëm për ta pranuar mesazhin e Mbretërisë ishin edhe njerëz të tjerë. Korneli johebre ishte «një burrë i devotshëm dhe që e druante Perëndinë bashkë me të gjithë familjen e tij, i bënte shumë dhurata mëshire popullit dhe i përgjërohej vazhdimisht Perëndisë». Në vitin 36 të e.s., Korneli, familja e tij dhe njerëz të tjerë që ishin mbledhur në shtëpinë e tyre, qenë johebrenjtë e parë që u pagëzuan si ithtarë të Krishtit. (Veprat 10:1, 2, 24, 44-48, BR; krahaso Lukën 7:2-10.) Kur apostulli Pavël udhëtoi nëpër Azinë e Vogël dhe nëpër Greqi, u predikoi shumë johebrenjve që tashmë e druanin Perëndinë, si dhe «grekëve që adhuronin Perëndinë». (Veprat 13:16, 26; 17:4) Pse Korneli dhe këta johebrenj të tjerë qenë gati ta pranonin lajmin e mirë? Septuaginta kishte ndihmuar në përgatitjen e udhës. Një studiues mendon se Septuaginta «është libër me një domethënie kaq kritike, saqë pa të, si i ashtuquajturi krishterim, ashtu edhe kultura perëndimore, do të ishin të pakonceptueshme».

Septuaginta humbet «frymëzimin» e saj

Përdorimi i gjerë i Septuagintës përfundimisht shkaktoi një reagim të ashpër mes hebrenjve. Për shembull, në bisedat me të krishterët, hebrenjtë deklaronin se Septuaginta ishte një përkthim i pasaktë. Nga shekulli i dytë i e.s., komuniteti hebre i ktheu plotësisht shpinën përkthimit që dikur e kishte lavdëruar si të frymëzuar. Rabinët hodhën poshtë legjendën e 72 përkthyesve, duke deklaruar: «Dikur, pesë pleq shkruan për mbretin Ptoleme Toran në greqisht dhe për Izraelin ajo ditë qe po aq ogurzezë sa dhe dita kur u bë viçi i artë, sepse Tora nuk mund të përkthehet saktë.» Për të siguruar një pajtim më strikt me pikëpamjet rabinike, rabinët dhanë autorizimin për një përkthim të ri në greqisht. Ky përkthim u përfundua në shekullin e dytë të e.s., nga një prozelit hebre me emrin Akuila, dishepull i rabinit Akiba.

Septuaginta nuk u përdor më nga hebrenjtë, por u bë standardi «Besëlidhja e Vjetër» i Kishës Katolike që po lindte, derisa u zëvendësua nga Vulgata latine e Zheromit. Megjithëse një përkthim nuk mund të zërë kurrë vendin e origjinalit, Septuaginta luajti një rol të rëndësishëm në përhapjen e njohurisë mbi Perëndinë Jehova dhe Mbretërinë e tij me anë të Jezu Krishtit. Vërtet, Septuaginta është një përkthim i Biblës që ndryshoi botën.

[Shënimi]

a Ungjilli i Mateut mund të jetë shkruar në fillim në hebraisht dhe më vonë të jetë bërë një version në greqisht.

[Figura në faqen 31]

«Septuaginta» u kuptua nga shumë njerëz që Pavli u kishte predikuar

[Burimi i figurës në faqen 29]

Me lejen e Israel Antiquities Authority

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo