BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • wp17 nr. 6 f. 12-14
  • Pse kaq shumë Bibla?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pse kaq shumë Bibla?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2017
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • BIBLA E PARË
  • SEPTUAGINTA GREKE
  • VULGATA LATINE
  • SHTOHEN PËRKTHIMET
  • «Septuaginta»​—E dobishme në të kaluarën dhe në të tashmen
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Si erdhi Bibla tek ne?​—Pjesa e parë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • A duhet të mësosh hebraisht e greqisht?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Studimi numër 5​—Teksti hebraik i Shkrimeve të Shenjta
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2017
wp17 nr. 6 f. 12-14
Bibla të ndryshme të shkruara me dorë, të shtypura dhe në format elektronik

Pse kaq shumë Bibla?

Pse sot ka kaq shumë versione ose përkthime të Biblës? Të duken ndihmë apo pengesë versionet e reja të Biblës? Kur mëson se kush i ka përkthyer dhe pse, mund ta kesh më të lehtë t’i vlerësosh siç duhet.

Por si fillim, kush e shkroi Biblën e parë dhe kur?

BIBLA E PARË

Zakonisht, Bibla ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë ka 39 libra që përmbajnë «thëniet e shenjta të Perëndisë». (Romakëve 3:2) Zoti frymëzoi disa burra besnikë që t’i shkruanin këta libra gjatë një periudhe gati 1.100-vjeçare, nga viti 1513 p.e.s. deri diku pas vitit 443 p.e.s. E shkruan kryesisht në hebraisht, ndaj këtë pjesë e quajmë Shkrimet Hebraike, e njohur edhe si Dhiata e Vjetër.

Pjesa e dytë ka 27 libra që po ashtu quhen ‘fjala e Perëndisë’. (1 Selanikasve 2:13) Zoti i frymëzoi dishepujt besnikë të Jezu Krishtit t’i shkruanin këta libra në një periudhë kohe shumë më të shkurtër​—që nisi rreth vitit 41 të e.s. deri në vitin 98 të e.s., pra gati 60 vjet. Ata shkruan kryesisht në greqisht, ja pse këtë pjesë e quajmë Shkrimet e Krishtere Greke, e njohur edhe si Dhiata e Re.

Këta 66 libra të frymëzuar formojnë Biblën e plotë, mesazhin e Perëndisë për njerëzimin. Por, pse u bënë përkthime të tjera të Biblës? Ja tri arsye kryesore:

  • Që njerëzit ta lexonin Biblën në gjuhën e nënës.

  • Që të ndreqeshin gabimet e kopistëve e kështu të rivendosej teksti origjinal i Biblës.

  • Që të zëvendësohej gjuha e vjetruar.

Shqyrto dy përkthime të hershme që i përfshinë këta faktorë.

SEPTUAGINTA GREKE

Rreth 300 vjet para kohës së Jezuit, studiuesit judenj nisën t’i përkthenin Shkrimet Hebraike në një gjuhë tjetër, në greqisht. Përkthimi u bë i njohur si Septuaginta greke. Cili ishte qëllimi i saj? Që të ndihmonte shumë judenj të cilët flitnin greqisht, jo hebraisht, t’i kuptonin, t’i zbatonin dhe t’i donin «shkrimet e shenjta».​—2 Timoteut 3:15.

Septuaginta ndihmoi edhe miliona jojudenj që flitnin greqisht, të familjarizoheshin me mësimet e Biblës. Në ç’mënyrë? Profesor W. F. Hauardi tha: «Që nga mesi i shekullit të parë, ajo u bë Bibla e Kishës së Krishterë, misionarët e së cilës shkonin nga sinagoga në sinagogë ‘duke provuar me pjesë nga shkrimet se Mesia ishte Jezui’.» (Veprat 17:3, 4; 20:20) Sipas studiuesit të Biblës F. F. Brus, kjo ishte një nga arsyet pse shumë judenj shpejt «e humbën interesin për Septuagintën».

Teksa dishepujt e Jezuit shkruanin nën frymëzim librat e Shkrimeve të Krishtere Greke, librat iu shtuan përkthimit Septuaginta të Shkrimeve Hebraike, e kështu mori formë Bibla e plotë që kemi sot në dorë.

VULGATA LATINE

Rreth 300 vjet pas përfundimit të Biblës, studiuesi fetar Jeronimi botoi një përkthim latin të saj, që në fund u quajt Vulgata latine. Por, pse duhej një përkthim i ri kur tashmë ekzistonin disa përkthime në latinisht? Jeronimi donte të korrigjonte «përkthimet e gabuara, gabimet trashanike dhe shtesat apo heqjet e panevojshme», thotë The International Standard Bible Encyclopedia.

Jeronimi ndreqi shumë prej këtyre gabimeve. Por, me kalimin e kohës, autoritetet kishtare shkaktuan dëmin më të madh në histori! E shpallën Vulgatën latine si të vetmin përkthim të miratuar të Biblës dhe këtë e bënë për shekuj me radhë. Në vend që Vulgata t’i ndihmonte njerëzit e thjeshtë të kuptonin Biblën, e ktheu atë në një libër të pakuptueshëm, pasi shumica s’merrte vesh fare nga latinishtja.

SHTOHEN PËRKTHIMET

Ndërkohë dolën përkthime të tjera të Biblës, si përkthimi i mirënjohur Peshita siriake, i cili u përdor gjerësisht rreth shekullit të pestë të e.s. Megjithatë, vetëm në shekullin e 14-të rinisën përpjekjet për t’i përkthyer Shkrimet në gjuhët amtare të njerëzve të thjeshtë.

Në fund të shekullit të 14-të, në Angli, Xhon Uajklifi nisi ta çlironte Biblën nga kthetrat e një gjuhe të vdekur, duke e përkthyer në anglisht, gjuhë që bashkëkombësit mund ta kuptonin me lehtësi. Pak pas kësaj, metodat e shtypjes nga Johanes Gutenbergu u çelën udhën studiuesve të Biblës të botonin e të shpërndanin përkthime të reja në gjuhë që fliteshin anembanë Evropës.

Kur u shtuan përkthimet e Biblës në anglisht, kritikët ngritën dyshime nëse duheshin versione të ndryshme në të njëjtën gjuhë. Xhon Ljuisi, klerik anglez i shekullit të 18-të, shkroi: «Gjuha vjetrohet dhe bëhet e pakuptueshme, ndaj lind nevoja të rishqyrtohen përkthimet e vjetra që të përdoret një gjuhë e kuptueshme për kohën.»

Sot studiuesit e Biblës kanë më tepër mundësi se kurrë të rishikojnë përkthimet e vjetra. I kuptojnë goxha më qartë gjuhët e lashta të Biblës dhe kanë në dispozicion dorëshkrime biblike antike, me shumë vlerë, të gjetura kohët e fundit. Këto ndihmojnë të përcaktohet më saktë teksti origjinal i Biblës.

Ja pse përkthimet e reja të Biblës kanë vlerë. S’ka dyshim se duhet të jemi të kujdesshëm kur zgjedhim se cilin të përdorim.a Ama, nëse ata që kanë nxjerrë një përkthim të ri Bible, janë motivuar nga dashuria e sinqertë për Zotin, mund të nxjerrim jashtëzakonisht dobi nga puna e tyre.

Që ta lexosh Biblën në gjuhën tënde online ose në pajisjen tënde portative, vizito sitin www.jw.org. Shih te BOTIME > BIBLA.

a Shih artikullin «Si të zgjedhësh një version të mirë të përkthimit të Biblës?» në numrin e 1 majit 2008 të kësaj reviste.

EMRI I SHENJTË I ZOTIT NË BIBËL

Emri hyjnor në një fragment të Septuagintës që përdorej në ditët e Jezuit

Emri hyjnor në një fragment të Septuagintës që përdorej në ditët e Jezuit

Shkrimet e Shenjta​—Përkthimi Bota e Re e përdor emrin e shenjtë të Zotit, Jehova, si në Shkrimet Hebraike, edhe në Shkrimet e Krishtere Greke. Megjithatë, shumë Bibla të sotme nuk përdorin emrin, por titullin «Zotëri». Sipas disa përkthyesve, një arsye është se emri i Zotit, që paraqitet nga Tetragrami (JHVH), nuk shfaqet kurrë te Septuaginta, përkthimi në greqisht i Shkrimeve Hebraike. A është vërtet kështu?

Në mesin e shekullit të 20-të u gjetën disa fragmente shumë të vjetra të Septuagintës që ekzistonte në ditët e Jezuit. Në to gjendej emri i shenjtë i Perëndisë në hebraisht. Nga sa duket, më vonë kopistët e hoqën emrin hyjnor dhe e zëvendësuan me Kírios, që në greqisht do të thotë «Zotëri». Përkthimi Bota e Re rivendos emrin hyjnor në Shkrime, tamam aty ku duhet.

A KA NDRYSHUAR BIBLA?

Rrotull e Isaisë nga Deti i Vdekur

Rrotull e Isaisë nga Deti i Vdekur, 2.000-vjeçare. Ngjan tej mase me librin e Isaisë në Biblën e sotme

S’ka dyshim se kopistët e Biblës bënë gabime. Gjithsesi, asnjë prej këtyre gabimeve nuk e cenoi besueshmërinë e Biblës. «Asnjë nga doktrinat themelore të Krishterimit nuk mund të vihet në diskutim.»​—Our Bible and the Ancient Manuscripts.

Kopistët judenj bënë fare pak gabime. «Skribët judenj që jetuan në shekujt e parë pas themelimit të kongregacionit të krishterë kopjuan dhe rikopjuan me besnikërinë më të madhe tekstin e Biblës në hebraisht.»​—Second Thoughts on the Dead Sea Scrolls.

Për shembull, një rrotull e Isaisë që u gjet mes Rrotullave të Detit të Vdekur është 1.000 vjet më e vjetër se tekstet ekzistuese. A ndryshon nga teksti që kemi në dispozicion sot? «Vetëm tek-tuk është shtuar ose është hequr ndonjë fjalë.»​—The Book. A History of the Bible.

Gabimet e kopistëve jo edhe aq të kujdesshëm, si shkronja, fjalë ose fraza të cilave u është ndërruar vendi, tani mund të identifikohen dhe të ndreqen kollaj. «Në botë s’ekziston asnjë koleksion literature antike me një saktësi të tillë si të Dhiatës së Re.»​—The Books and the Parchments.

«Ngjashmëria tejet e madhe mes papiruseve më të hershme biblike të gjetura në Egjipt dhe tekstit të sotëm, i siguron jashtë mase besimtarët meraklinj për saktësinë e Biblës, ndonëse përgjatë shekujve ajo është kopjuar me dorë dhe është shtypur me qindra herë në Evropë.»​—The Book. A History of the Bible.

Atëherë, a ka ndryshuar Bibla? Me plot gojën mund të themi jo!

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo