Zhvillim bisedimesh për një çmim nuseje të arsyeshëm
SOT, ashtu si në kohët biblike, në disa kultura një burri i kërkohet që përpara se të martohet, të paguajë një çmim nuseje. «Unë do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde më të vogël»,—i tha Jakobi vjehrrit të tij të ardhshëm, Labanit. (Zanafilla 29:18). Meqenëse e donte shumë Rakelën, Jakobi ofroi një çmim të lartë: ekuivalentin e rrogës së shtatë vjetëve! Labani e pranoi ofertën, por i punoi një rreng Jakobit, duke i dhënë në fillim Lean si grua. Më pas, Labani vazhdoi të vepronte me dinakëri ndaj Jakobit. (Zanafilla 31:41) Theksi që vuri Labani te fitimi material, bëri që bijat e tij të humbitnin respektin për të. «A nuk na ka trajtuar si të huaja,—pyetnin ato,—për arsye se na ka shitur dhe veç kësaj ka ngrënë edhe paratë tona?»—Zanafilla 31:15.
Mjerisht, në botën e sotme materialiste, shumë prindër janë si Labani. Madje disa janë edhe më keq. Sipas një gazete afrikane, disa martesa lidhen «vetëm për hir të përfitimit nga ana e baballarëve lakmitarë». Një faktor tjetër është presioni ekonomik që i shtyn prindërit t’i konsiderojnë vajzat e tyre si mjet për lehtësimin e krizës financiare.a
Disa prindër e shtyjnë martesën e vajzave, sepse presin atë që ofron më shumë. Kjo mund të shkaktojë probleme serioze. Një reporter gazete me qëndrim në Afrikën Lindore, shkroi: «Që t’u shpëtojnë prikave të tepruara që kërkon pala kokëfortë e krushqisë, të rejat zgjedhin ikjen me të dashurin.» Një prej problemeve të shkaktuara ngaqë kërkohet një çmim i lartë nuseje, është imoraliteti seksual. Veç kësaj, disa të rinj bëjnë si bëjnë për të blerë një grua, por mbeten të zhytur në borxhe. «Prindërit duhet të jenë të arsyeshëm,—nxiste një punëtor social në Afrikën e Jugut.—Nuk duhet të kërkojnë shuma të mëdha. Çiftit të sapomartuar i duhet të jetojë . . . Pse, pra, ta lënë pa një dyshkë në xhep dhëndrin?»
Si mund të japin një shembull arsyetueshmërie prindërit e krishterë, kur zhvillojnë bisedime për pagimin ose marrjen e një çmimi nuseje? Kjo është një çështje serioze, sepse Bibla urdhëron: «Arsyetueshmëria juaj të njihet nga të gjithë.»—Filipianëve 4:5, BR.
Parime të arsyeshme biblike
Vendosin apo jo prindërit e krishterë që të bisedojnë për çmimin e nuses, është një vendim personal. Nëse zgjedhin që ta bëjnë këtë, bisedime të tilla duhen zhvilluar në harmoni me parimet biblike. «Mënyra juaj e jetesës të jetë pa dashuri për para»,—thotë Fjala e Perëndisë. (Hebrenjve 13:5, BR) Nëse ky parim nuk është i dukshëm në bisedimet për martesën, një prind i krishterë mund të jetë duke treguar që nuk është një shembull i mirë. Burrat që në kongregacionin e krishterë kanë pozita me përgjegjësi, duhet të jenë «të arsyeshëm», jo ‘dashurues të parasë’ ose «lakmitarë të fitimit të pandershëm». (1. Timoteut 3:3, 8, BR) I krishteri që me lakmi dhe pa u penduar zhvat një çmim të lartë nuseje, mund edhe të përjashtohet nga kongregacioni.—1. Korintasve 5:11, 13; 6:9, 10.
Për hir të problemeve të shkaktuara nga lakmia, disa qeveri kanë nxjerrë ligje që i vendosin tavan çmimit të nuses. Për shembull, një ligj në shtetin Togo të Afrikës Perëndimore, deklaron se çmimi i nuses «mund të paguhet në natyrë, në para ose në të dyja mënyrat». Ligji shton: «Shuma nuk duhet të kalojë në asnjë rast 10.000 F CFA (20 dollarë).» Herë pas here Bibla i urdhëron të krishterët të jenë qytetarë që i përmbahen ligjit. (Titit 3:1) Edhe nëse qeveria nuk detyron zbatimin e një ligji të tillë, një i krishterë i vërtetë duhet të bindet. Kështu ai do të mbajë një ndërgjegje të mirë para Perëndisë dhe nuk do të jetë shkak për pengimin e të tjerëve.—Romakëve 13:1, 5; 1. Korintasve 10:32, 33.
Kush është përgjegjës për zhvillimin e bisedimeve?
Në disa kultura, mënyra se si zhvillohen bisedimet për çmimin e nuses mund të bjerë ndesh me një parim tjetër të rëndësishëm. Sipas Biblës, përgjegjës për çështjet e shtëpisë është babai. (1. Korintasve 11:3; Kolosianëve 3:18, 20) Prandaj, ata që kanë pozita me përgjegjësi në kongregacion, duhet të jenë burra që ‘drejtojnë në mënyrë të shkëlqyer fëmijët dhe shtëpitë e tyre’.—1. Timoteut 3:12, BR.
Megjithatë, në një vend mund të jetë e zakonshme që bisedimet e rëndësishme për martesën t’u lihen të afërmve të kreut të familjes. Këta të afërm pretendojnë, gjithashtu, të marrin një pjesë të çmimit të nuses. Kjo gjë përbën një sprovë për familjet e krishtere. Në emër të zakonit, disa krerë familjesh i lejojnë të afërmit jobesimtarë të zhvatin një çmim të lartë nuseje. Disa herë kjo ka çuar në martesën e një vajzeje të krishterë me një jobesimtar. Kjo gjë bie në kundërshtim me këshillën që të krishterët duhet të martohen «vetëm në Zotërinë». (1. Korintasve 7:39) Një kryefamiljar që i lejon të afërmit e tij jobesimtarë të marrin vendime që janë në dëm të mirëqenies frymore të fëmijëve të tij, nuk mund të konsiderohet si një burrë që «drejton në mënyrë të shkëlqyer shtëpinë e tij».—1. Timoteut 3:4, BR.
Si në rastin e patriarkut Abraham që druante Perëndinë, ç’ndodh nëse një baba i krishterë nuk merr pjesë drejtpërdrejt në bisedimet për martesën e njërit prej fëmijëve të tij? (Zanafilla 24:2-4) Nëse për ta bërë këtë caktohet dikush tjetër, babai i krishterë duhet të sigurohet që ky person të ndjekë udhëzime që janë në harmoni me parimet e arsyeshme të Biblës. Për më tepër, përpara se të hidhen hapat për bisedimet rreth çmimit të nuses, prindërit e krishterë duhet t’i peshojnë me kujdes gjërat dhe të mos i lejojnë vetes të rrëmbehen nga zakone apo kërkesa të paarsyeshme.—Fjalët e urta 22:3.
Të shmangim aspektet jo të krishtere
Bibla e dënon krenarinë dhe «shfaqjen për t’u dukur të mjeteve të jetesës». (1. Gjonit 2:16; Fjalët e urta 21:4) Por megjithatë, disa individë që shoqërohen me kongregacionin e krishterë i kanë shfaqur këto aspekte në bisedimet martesore. Disa imitojnë botën, duke u mburrur se kanë paguar ose marrë një çmim të lartë nuseje. Nga ana tjetër, njëra prej zyrave të Degës së Shoqatës Watch Tower në Afrikë thotë: «Disa burra nuk kanë treguar respekt kur familja e nuses u ka kërkuar një çmim të arsyeshëm nuseje, duke e konsideruar këtë sikur po ua shitnin gratë me çmimin e një ‘dhie’.»
Lakmia për çmim të lartë nuseje i ka mposhtur disa të krishterë dhe ka çuar në pasoja tragjike. Për shembull, shiko se ç’thuhet në raportin e një dege tjetër të Shoqatës Watch Tower: «Në përgjithësi është e vështirë që vëllezërit beqarë të martohen ose që motrat të gjejnë bashkëshortë. Pasoja është numri në rritje i përjashtimeve, për shkak të imoralitetit seksual. Disa vëllezër shkojnë në miniera që të kërkojnë ar ose diamante, që të mund t’i shesin për të pasur paratë e nevojshme që të martohen. Për këtë mund t’u duhen dy ose më shumë vjet dhe zakonisht sëmuren frymësisht, sepse largohen nga shoqëria e vëllezërve të kongregacionit.»
Për t’i shmangur këto pasoja kaq të hidhura, prindërit e krishterë duhet të ndjekin shembullin e personave të pjekur të kongregacionit. Megjithëse nuk ishte prind, apostulli Pavël qe i arsyeshëm në mënyrën se si vepronte me bashkëbesimtarët. Ai kishte kujdes që të mos i vinte barrë të tepërt askujt. (Veprat 20:33) Sigurisht, kur fillojnë bisedimet për çmimin e nuses, prindërit e krishterë duhet ta mbajnë parasysh shembullin e tij joegoist. Në fakt, Pavli u frymëzua në mënyrë hyjnore që të shkruante: «Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shembullit që keni në ne.»—Filipianëve 3:17.
Shembuj arsyetueshmërie
Kur është fjala për bisedime martesore, shumë prindër të krishterë japin një shembull të shkëlqyer arsyetueshmërie. Merr rastin e Jozefit dhe të gruas së tij, Ma, të cilët shërbejnë si ungjillëzues në kohë të plotë.b Ata jetojnë në njërin prej Ishujve Solomon, ku shpeshherë bisedimet për çmimin e nuses përbëjnë një problem. Për të shmangur vështirësi të tilla, Jozefi dhe Ma morën masa që vajza e tyre, Helena, të martohej në një ishull fqinj. Të njëjtën gjë bënë edhe për martesën e vajzës tjetër, Esterit. Jozefi ishte dakord edhe që dhëndri i tij, Piteri, të paguante një çmim nuseje shumë më të ulët nga ajo që në mënyrë të arsyeshme mund të pritej. Kur e pyetën se përse veproi kështu, Jozefi shpjegoi: «Nuk dua t’i vë barrë dhëndrit tim që është pionier.»
Edhe në Afrikë, shumë Dëshmitarë të Jehovait kanë dhënë një shembull të shkëlqyer arsyetueshmërie. Në disa zona, pjesëtarët e rrethit familjar, përgjithësisht, presin që përpara bisedimeve për çmimin e nuses t’u paguhet një shumë e madhe parash. Gjithashtu, që ta marrë nusen, nga dhëndri mund të pritet të premtojë se do të mbulojë çmimin e ardhshëm të nuses për një vëlla më të vogël të së fejuarës së tij.
Në kontrast me këtë, shqyrto shembullin e Kosës dhe të gruas së tij, Marës. Vajza e tyre, Beboko, kohët e fundit u martua me një Dëshmitar të Jehovait që është mbikëqyrës udhëtues. Para martesës, të afërmit u bënë shumë presion prindërve të saj që të merrnin pjesën e tyre nga çmimi i lartë i nuses. Por prindërit qëndruan të palëkundur dhe nuk u pajtuan me kërkesa të tilla. Në vend të kësaj, ata biseduan drejtpërdrejt me dhëndrin e ardhshëm, i kërkuan një shumë minimale për bijën e tyre dhe pastaj gjysmën e kësaj shume ia kthyen çiftit të ri që ta përdorte për përgatitjet e ditës së dasmës.
Një shembull tjetër në po të njëjtin shtet, është ai i një Dëshmitareje të re në moshë që quhet Itongo. Në fillim, familja e saj kërkoi një çmim të arsyeshëm nuseje. Por të afërmit kërkuan që shuma të ishte më e madhe. Atmosfera ishte e nderë dhe dukej sikur këta të afërm do ta arrinin atë që donin. Ndonëse e ndrojtur nga natyra, Itongo u ngrit në këmbë dhe me respekt deklaroi se ishte e vendosur që martesa e saj me një të krishterë të zellshëm që quhej Sanze, do të bëhej siç e kishin lënë në fillim. Pastaj, me kurajë tha: «Mbi ke» (domethënë «kjo gjë ka marrë fund») dhe u ul. Nëna e saj e krishterë, Sambeko, e përkrahu. Nuk u bë më asnjë diskutim tjetër dhe çifti u martua siç e kishin planifikuar në fillim.
Shumë më tepër sesa përfitimi personal nga një çmim nuseje, prindërit e krishterë i shqetësojnë gjëra të tjera. Një burrë në Kamerun shpjegon: «Vjehrra ime shfrytëzon çdo rast për të më thënë se çfarëdo që dëshiroj t’ia jap si çmim nuseje, është më mirë ta përdor që të kujdesem për nevojat e vajzës së saj.» Prindërit e dashur shqetësohen edhe për mirëqenien frymore të fëmijëve të tyre. Për shembull, merr rastin e Farait dhe të Rudos, të cilët jetojnë në Zimbabve dhe i kushtojnë shumë kohë veprës së predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Megjithëse nuk janë rrogëtarë, kur martuan dy vajzat e tyre ata morën një pjesë shumë të vogël të çmimit që kërkohej shpesh. Arsyeja? Dëshironin që vajzat e tyre të përfitonin nga një martesë me burra që e duan vërtet Jehovain. «Ajo që e konsideronim si më të rëndësishme ishte gjendja frymore e dy vajzave tona dhe e dhëndurëve»,—shpjeguan ata. Ç’gjë e këndshme! Prindërit e çiftit që tregojnë një shqetësim të dashur për mirëqenien frymore dhe materiale të fëmijëve të tyre të martuar, janë për t’u lavdëruar shumë.
Dobitë e arsyetueshmërisë
Jozefi dhe Ma që jetojnë në Ishujt Solomon, u bekuan për bujarinë dhe kujdesin që treguan kur martuan vajzat e tyre. Në këtë mënyrë, dhëndurët e tyre nuk hynë në borxh. Përkundrazi, që të dyja çiftet kanë pasur mundësi të shërbejnë shumë vjet në veprën e plotëkohore të përhapjes së mesazhit të Mbretërisë. Duke sjell ndër mend të kaluarën, Jozefi thotë: «Vendimet që kam marrë unë dhe familja ime kanë sjellë si rezultat bekime të pasura. Vërtet, disa herë kishim një presion të madh nga ata që nuk kuptonin, por unë kam një ndërgjegje të mirë dhe kënaqem tek shoh fëmijët e mi të zënë dhe të fortë në shërbimin e Jehovait. Edhe ata janë të lumtur, ndërsa unë dhe gruaja ime më se të lumtur.»
Një dobi tjetër kanë qenë marrëdhëniet e mira mes krushqve. Për shembull, Zondi dhe Sibusiso shërbejnë si vullnetarë bashkë me gratë e tyre, të cilat janë motra gjaku, në Degën e Shoqatës Watch Tower në Zimbabve. Vjehrri i tyre, Dakari, është ungjillëzues në kohë të plotë dhe nuk është rrogëtar. Kur u bënë bisedimet për çmimin e nuses, ai tha se do të pranonte çfarëdo që mund të jepnin ata. «E duam shumë vjehrrin tonë,—thonë Zondai dhe Sibusiso,—dhe do të bëjmë çmos që ta ndihmojmë nëse do të ketë nevojë.»
Po, arsyetueshmëria gjatë bisedimeve për çmimin e nuses i kontribuon lumturisë familjare. Për shembull, të sapomartuarit nuk do të futen në borxhe, duke ua bërë kështu më të lehtë përshtatjen ndaj jetës martesore. Kjo gjë u ka bërë të mundur shumë çifteve të reja arritjen e bekimeve frymore, të tilla si shërbimin në kohë të plotë në veprën urgjente të predikimit dhe të bërjes së dishepujve. Kjo nga ana e saj, i ka sjellë lavdi Nismëtarit të dashur të martesës, Perëndisë Jehova.—Mateu 24:14; 28:19, 20.
[Shënimet]
a Në disa kultura ndodh e kundërta. Njerëzit e dhëndrit presin një prikë nga prindërit e nuses.
b Në këtë artikull janë përdorur emra zëvendësues.
[Kutia në faqen 27]
KTHYEN ÇMIMIN E NUSES
Në disa vende, nusja dhe prindërit e saj shikohen me përbuzje nëse çmimi i nuses është i ulët. Kështu, shpesh motivi i bisedimeve për një çmim të lartë nuseje është krenaria dhe dëshira për të shitur mend me pozitën e familjes. Një familje në Lagos të Nigerisë, krijoi një kontrast të këndshëm. Dhëndri i tyre, Delé, shpjegon:
«Familja e gruas sime më çliroi nga shumë shpenzime që kërkon ceremonia tradicionale e çmimit të nuses, të tilla si blerja e rrobave të shtrenjta. Madje edhe kur familja ime u dha çmimin e nuses, zëdhënësi i tyre pyeti: «Këtë vajzë, doni ta merrni për grua apo për bijë?’ E gjithë familja ime u përgjigj: ‘Duam ta marrim si bijë.’ Pas kësaj, çmimi i nuses na u kthye në po atë zarf.
Edhe sot e kësaj dite e çmoj mënyrën se si kanë vepruar vjehrri dhe vjehrrra ime për dasmën tonë. Qëndrimi i tyre më ka bërë të kem për ta një konsideratë të lartë. Pikëpamja e tyre e shkëlqyer frymore më bëri që t’i shoh si të afërm shumë të ngushtë. Ky qëndrim pati edhe një ndikim shumë të madh në mënyrën se si e konsideroj gruan time. Për shkak të mënyrës se si më trajtoi familja e saj, kam zhvilluar një çmueshmëri të thellë për të. Kur kemi ndonjë mosmarrëveshje, unë nuk lejoj që të kthehet në problem. Sapo kujtoj se nga cila familje vjen gruaja ime, mosmarrëveshja minimizohet.
Familja ime dhe e saj janë çimentuar me lidhje miqësie. Edhe tani, dy vjet pas martesës sonë, babai im i dërgon ende dhurata dhe ushqime familjes së gruas sime.»