BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 1/7 f. 4-6
  • Pse disa po e ndryshojnë fenë e tyre?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pse disa po e ndryshojnë fenë e tyre?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Përgjigje pyetjeve të vështira
  • Cili është qëllimi i jetës?
  • Të përballojmë problemet e jetës
  • Një marrëdhënie e ngushtë me Perëndinë
  • Feja e vërtetë ia vlen!
  • Kush është kryeengjëlli Mikael?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • Kush është kryeengjëlli Mikael?
    Çfarë mëson vërtet Bibla?
  • A është Jezui kryeengjëlli Mikael?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • A e ke gjetur fenë e vërtetë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 1/7 f. 4-6

Pse disa po e ndryshojnë fenë e tyre?

Për shumë veta, feja s’është asgjë më shumë sesa një etiketë. Ajo mund të tregojë se ku shkon hera-herës një person të dielave, kur martohet dhe kur e varrosin. Por nuk thotë se çfarë lloj personi është ai ose se çfarë di dhe beson. Për shembull, një anketë zbuloi se 50 për qind e atyre që mbahen për të krishterë, nuk e dinin se kush e ka mbajtur Predikimin në Mal. E pra, edhe udhëheqësi i famshëm indian, Mohandas Gandi, një hinduist, e dinte këtë!

A ËSHTË e habitshme që njerëzit largohen nga feja, kur kaq shumë nga ata dinë kaq pak për besimin e tyre? Jo, nuk është. Megjithatë, nuk është as e pashmangshme. Ata që kanë pranuar ndihmën për të mësuar rreth Biblës, shpesh kanë mbetur të mahnitur tek kanë vënë re se sa shumë dobi u sjell ajo. Vetë Bibla thotë: «Unë, Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson t’i sjellësh dobi vetes, Ai që të bën të shkelësh në rrugën në të cilën duhet të ecësh.»—Isaia 48:17, BR.

Çfarë duhet të bëjnë ata që kanë një uri të pashuar frymore? Nuk duhet të dorëzohen në shërbimin e Perëndisë! Përkundrazi, duhet të shohin me kujdes në Bibël dhe të kuptojnë atë që vetë Perëndia u vë në dispozicion.

Përgjigje pyetjeve të vështira

Në moshën shtatëvjeçare, Bernt e pa tek vdiste nënën e tij.a Gjatë pjesës tjetër të fëmijërisë, ai pyeste veten: ‘Ku është mami im? Pse duhet të rritem pa të?’ Në adoleshencë, Bernt ishte një anëtar aktiv i kishës. I shqetësuar për vuajtjet e njerëzimit, ai shpresonte të punonte në vendet në zhvillim, për t’i ndihmuar ato. Megjithatë, e trazonin pyetje, për të cilat kisha nuk kishte përgjigje të kënaqshme.

Më pas, Bernt foli me një shok shkolle, që ishte Dëshmitar i Jehovait. Ky i ri i tregoi nga Bibla Berntit se nëna e tij ishte e pavetëdijshme, në gjumin e vdekjes. Bernt mësoi se kishte shumë vargje biblike që e shpjegonin këtë, të tilla si Predikuesi 9:5: «Sa për të vdekurit, ata nuk janë të vetëdijshëm për asgjë.» (BR) Kështu që Bernt nuk kishte arsye për t’u shqetësuar se mos nëna e tij po vuante në ndonjë lloj purgatori apo edhe më keq. Megjithëse doktrina e shpirtit të pavdekshëm mësohet në shumicën e feve, Bernt pa në Bibël se një shpirt njerëzor është thjesht një person. Kur personi vdes, shpirti vdes. «Shpirti që mëkaton, ka për të vdekur.»—Ezekieli 18:4.

Bernt mësoi edhe rreth perspektivës së mrekullueshme për të vdekurit. Ai lexoi vetë në librin biblik të Veprave: «Do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.» (Veprat 24:15) Sa u drithërua ai, kur zbuloi se kjo ringjallje do të ndodhë këtu në tokë, të cilën Perëndia do ta kthejë në një parajsë!—Psalmi 37:29; Zbulesa 21:3, 4.

Shpejt, nevojat frymore të Berntit u plotësuan nga njohuria e vërtetë biblike. Bernt nuk hoqi dorë nga feja. Përkundrazi, la kishën që nuk mund ta shuante urinë e tij dhe adoptoi një formë adhurimi të bazuar fort te Bibla. Ai thotë: «Kjo ndodhi 14 vjet më parë dhe kurrë nuk më ka ardhur keq për këtë hap. Tani e di se Krijuesi nuk shkakton vuajtje. Satanai është perëndia i këtij sistemi dhe ai duhet fajësuar për kushtet që na rrethojnë. Por pas pak Perëndia do të ndreqë të gjithë dëmin që është bërë nga bota e Satanait. Edhe nëna ime do të kthehet në ringjallje. Ç’gëzim do të jetë!»

Meqë jemi te Bernt, ai e ka arritur synimin e tij për të punuar jashtë, që të ndihmojë të tjerët. Ai punon në një shtet të huaj, ku ndihmon të tjerët të mësojnë për Mbretërinë e Perëndisë, zgjidhjen e vërtetë për gjendjen e tyre të mjeruar. Ashtu si Bernt, miliona persona kanë mësuar se së shpejti Perëndia do t’u japë fund vuajtjeve njerëzore. Ata drithërohen tek vënë re se ekziston një fe që plotëson nevojën e tyre frymore.—Mateu 5:3.

Cili është qëllimi i jetës?

Ndërsa bota e Perëndimit bëhet gjithnjë e më shumë afetare, shumë veta pyesin: ‘Cili është qëllimi i jetës?’ Përgjigjja gjendet në Bibël, siç e zbuloi Majkëlli. Nga mesi i viteve 70, Majkëlli dëshironte të bashkohej me një grup terrorist. Ai kishte vetëm një qëllim në jetë: të kishte në shënjestër ata njerëz që i konsideronte si përgjegjës për padrejtësitë e sistemit kapitalist. «Asnjëherë nuk dilja nga shtëpia pa pistoletë,—thotë ai.—Plani im ishte të vrisja sa më shumë krerë politikanësh dhe kapitalistësh që të ishte e mundur. Për këtë kauzë do ta jepja edhe jetën time.»

Majkëlli shkonte rregullisht në kishë, por asnjë nga ata të kishës nuk mundej ta shpjegonte qëllimin e vërtetë të jetës. Kështu që, kur Dëshmitarët e Jehovait i shkuan në shtëpi dhe i treguan përgjigjet e Biblës për pyetjet e tij, Majkëlli dëgjoi me vëmendje. Filloi të ndiqte mbledhjet për adhurim në Sallën lokale të Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait.

Miqtë e Majkëllit ishin kureshtarë në lidhje me interesin e tij të sapogjetur për Biblën. «Ejani në mbledhje këtë të dielë,—i nxiti Majkëlli.—Rrini ca. Nëse s’ju pëlqen ajo që dëgjoni, shkoni në shtëpi.» Në fakt, pas një fjalimi prej 45 minutash të bazuar në Bibël, shumica e miqve të tij u larguan nga salla. Por njëra, Suzana, qëndroi. Kjo e re ishte magjepsur nga ajo që kishte dëgjuar. Më vonë, Majkëlli dhe Suzana u martuan dhe u pagëzuan si Dëshmitarë të Jehovait. «Tani e di se përse jemi këtu në tokë,—thotë Majkëlli.—U krijuam nga Jehovai. Qëllimi ynë i vërtetë në jetë është të arrijmë ta njohim atë dhe të bëjmë vullnetin e tij. Kjo është ajo që sjell kënaqësi të vërtetë!»

Me miliona njerëz kanë të njëjtën bindje me atë të Majkëllit. Ata marrin për zemër fjalët e Biblës: «Përfundimi i çështjes, pasi është dëgjuar çdo gjë, është: Druaju Perëndisë së vërtetë dhe zbato urdhërimet e tij. Sepse ky është i gjithë detyrimi i njeriut.—Predikuesi 12:13, BR.

Të përballojmë problemet e jetës

Të gjithë ne e përjetojmë përmbushjen e profecisë që gjendet në 2. Timoteut 3:1: «Në ditët e fundit do të jenë kohë kritike të vështira.» (BR) Askush nuk mund t’u shpëtojë problemeve të këtyre ‘kohëve kritike’. Por Bibla na ndihmon t’i përballojmë ato.

Merr rastin e Stivenit dhe të Olivës, një çift i martuar. Kur filluan të studiojnë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, ata, si shumë të tjerë, kishin probleme martesore. «Ne po ftoheshim me njëri-tjetrin,—shpjegon Stiveni.—Kishim synime dhe interesa të ndryshme.» Ç’gjë i ndihmoi të qëndronin së bashku? «Dëshmitarët e Jehovait na treguan se si mund t’i aplikonim parimet biblike në jetën tonë,—vazhdon Stiveni.—Për herë të parë, mësuam se çfarë do të thotë të jesh altruist dhe të kujdesesh për të tjerët. Aplikimi i parimeve të Biblës na çimentoi së bashku. Tani gëzojmë një martesë të lumtur dhe të qëndrueshme.»

Një marrëdhënie e ngushtë me Perëndinë

Sipas një ankete Gallup të kohëve të fundit, 96 për qind e amerikanëve besojnë te Perëndia dhe shumica e tyre i luten atij. Megjithatë, një anketë më vete tregoi se pjesëmarrja nëpër kisha dhe sinagoga është më e ulëta brenda një gjysmë shekulli. Rreth 58 për qind e amerikanëve thonë se shkojnë në kishë një herë në muaj ose më pak. Qartë, feja nuk i ka afruar ata me Perëndinë. Ky problem nuk kufizohet vetëm në Shtetet e Bashkuara.

Linda u rrit në Bavari. Ajo ishte katolike që e praktikonte fenë dhe lutej rregullisht. Në të njëjtën kohë, kishte frikë për të ardhmen. Nuk dinte asgjë rreth qëllimit të Perëndisë për njeriun. Kur s’ishte veçse 14 vjeçe, Linda u takua me Dëshmitarët e Jehovait dhe tregon: «Ajo që thanë ishte interesante, kështu që pranova dy prej botimeve të tyre ndihmëse për studimin e Biblës dhe i lexova menjëherë.» Dy vjet më vonë, Linda filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. «Çdo gjë që mësoja për Perëndinë nga Bibla, kishte kuptim»,—thotë ajo. Linda hoqi dorë nga kisha e saj dhe u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait në moshën 18-vjeçare.

Ç’gjë e nxiti Lindën ta ndryshonte fenë e saj? Ajo shpjegon: «Kisha ime më ndihmoi të kuptoja se ekziston një Perëndi dhe mësova të besoj në të. Por për mua ai nuk ishte një person dhe qe i largët. Studimi i Biblës jo vetëm që përforcoi besimin tim te Perëndia, por edhe më ndihmoi të arrija ta njihja dhe ta doja atë. Tani kam një marrëdhënie të çmuar personale me Perëndinë, diçka që është më e vlefshme se gjithçka tjetër.»

Feja e vërtetë ia vlen!

A të jep feja jote drejtim frymor? A të tregon se si mund të të ndihmojë Bibla për të përballuar problemet e jetës? A mëson ajo shpresën biblike për të ardhmen? A të çon në një marrëdhënie të ngushtë personale me Krijuesin, bazuar në një njohuri të saktë biblike? Nëse jo, mos u dorëzo. Në vend që ta braktisësh fenë, kërko formën e adhurimit, e cila bazohet patundshmërisht në Bibël. Atëherë do të jesh si ata për të cilët u profetizua në librin biblik të Isaisë: «Kjo është ajo që ka thënë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja! Shërbëtorët e mi do të hanë . . . Shërbëtorët e mi do të pinë . . . Shërbëtorët e mi do të gëzojnë . . . Shërbëtorët e mi do të thërrasin plot gëzim, për shkak të gjendjes së mirë të zemrës.’»—Isaia 65:13, 14, BR.

[Shënimi]

a Në këtë artikull, disa prej emrave janë ndryshuar.

[Figurat në faqet 4, 5]

Bibla na ndihmon të arrijmë ta njohim dhe ta duam Perëndinë

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo