BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/9 f. 8-12
  • A e ke gjetur fenë e vërtetë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A e ke gjetur fenë e vërtetë?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Si mund ta njohim pikëpamjen e Perëndisë?
  • A kanë të drejtë të gjithë që përdorin Biblën?
  • Shenja identifikuese të fesë së vërtetë
  • Adhurimi që miraton Perëndia
    Çfarë mëson vërtet Bibla?
  • Si mund ta gjej fenë e vërtetë?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • Identifikimi i fesë së vërtetë
    Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë
  • Feja
    Të arsyetojmë nga Shkrimet
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/9 f. 8-12

A e ke gjetur fenë e vërtetë?

«Forma e adhurimit që është e pastër dhe e panjollë nga pikëpamja e Perëndisë dhe Atit tonë është kjo.»​—JAKOVIT 1:27, BR.

1, 2. (a) Nga përcaktohet në mendimet e shumë njerëzve nëse feja e tyre është e vërtetë? (b) Çfarë duhet të shqyrtojmë seriozisht në gjykimin e një feje?

JETOJMË në një epokë kur shumë njerëz kënaqen duke i dhënë fesë një pjesë relativisht të vogël në jetën e tyre. Ndoshta mund të ndjekin disa shërbesa fetare, por shumë pak e bëjnë këtë rregullisht. Shumë njerëz nuk besojnë se të gjitha fetë e tjera janë të gabuara dhe se feja e tyre është e vërtetë. Ndoshta, thjesht mund të mendojnë se feja e tyre është e vërtetë për ta.

2 Nga kjo pikëpamje, a do të thotë pyetja: «A e ke gjetur fenë e vërtetë?»​—vetëm: A ke gjetur një fe që të pëlqen? Kush e përcakton se çfarë të pëlqen? Familja jote? Shokët e tu? Vetë ndjenjat e tua? Sa seriozisht e konsideron pikëpamjen e Perëndisë mbi këtë çështje?

Si mund ta njohim pikëpamjen e Perëndisë?

3. (a) Nëse duam të njohim pikëpamjen e Perëndisë, çfarë duhet të kemi në dispozicion? (b) Çfarë pyetjesh duhet të bëjmë në lidhje me faktin se përse besojmë personalisht që Bibla është prej Perëndisë?

3 Nëse duam të dimë se çfarë mendon vetë Perëndia, atëherë ai duhet të na ketë bërë disa zbulime. Bibla është libri më i lashtë që pohon se është i frymëzuar nga Perëndia. (2. Timoteut 3:16, 17) Por, a mund të thuhet me besim se ky libër, përkundër gjithë të tjerëve, përmban mesazhin e Perëndisë për të gjithë njerëzimin? Si do t’i përgjigjeshe ti kësaj pyetjeje dhe përse? Mos vallë ngaqë prindërit e tu kanë këtë pikëpamje? Apo sepse është mendimi i shokëve të tu? A i ke shqyrtuar personalisht dëshmitë? Përse të mos e bësh tani, duke përdorur katër linjat vijuese të dëshmive?

4. Sa për përhapjen, çfarë tregon se Bibla, përkundër ndonjë libri tjetër, është nga Perëndia?

4 Përhapja: Një mesazh që është vërtet prej Perëndisë dhe që është për të gjithë familjen njerëzore, duhet të jetë përhapur ndër ta. A është e vërtetë kjo gjë për Biblën? Shqyrto këtë: Bibla, tërësisht apo në disa pjesë, është botuar tashmë në më se 2.000 gjuhë. Sipas një shoqate që merret me shpërndarjen e Biblave (American Bible Society), pothuajse një dekadë më parë, gjuhët në të cilat Bibla ishte shtypur, e bënin atë të zotërueshme në më shumë se 98 përqind të popullsisë botërore. Siç nxjerr në pah Libri Gines i rekordeve botërore, Bibla është në mënyrë të padiskutueshme «libri më shumë i përhapur në botë». Këtë do të pritnim për një mesazh prej Perëndisë, që është thënë për njerëz të të gjitha racave, kombeve dhe grupeve gjuhësore. (Krahaso Zbulesën 14:6.) Nuk ekziston asnjë libër tjetër në botë që të ketë një rekord si ky.

5. Përse është domethënëse baza historike e Biblës?

5 Vërtetësi historike: Një shqyrtim i kujdesshëm i tregimeve biblike zbulon një mënyrë tjetër në të cilën Bibla dallon prej librave të tjerë që pohojnë se janë të shenjtë. Bibla përmban fakte historike, jo legjenda pa prova. Irvin Linton, i cili ishte një avokat që kishte zakon të analizonte se çfarë kërkohej si provë në një gjyq, shkroi: «Ndërsa romanet, legjendat dhe dëshmitë e rreme bëjnë kujdes për t’i vendosur ngjarjet që lidhen me to në ndonjë vend të largët dhe në ndonjë kohë të pacaktuar, . . . tregimet e Biblës na japin datën dhe vendin e gjërave që lidhen me to, me saktësinë më të madhe.» (Për shembull, shiko 1. Mbretërve 14:25; Isaia 36:1; Luka 3:1, 2.) Për njerëzit që i drejtohen fesë jo për të shpëtuar nga realiteti, por për të vërtetën, ky është një shqyrtim i rëndësishëm.

6. (a) Si e ndihmon Bibla me të vërtetë një njeri në problemet e jetës? (b) Në cilat tri mënyra e ndihmon Bibla një njeri për të përballuar realitetin e ashpër?

6 Praktike: Ata që e shqyrtojnë seriozisht Biblën, shpejt e kuptojnë se urdhrat dhe parimet e saj nuk janë bërë për të nxjerrë përfitime të padrejta prej tyre. Përkundrazi, nënvizojnë një mënyrë jetese që u sjell dobi njerëzve që u mbahen ngushtë atyre. (Isaia 48:17, 18) Ngushëllimi që ajo u ofron njerëzve me shqetësime nuk është i shtirur, i bazuar mbi filozofi boshe. Përkundrazi, ajo i ndihmon njerëzit që të përballojnë realitetin e ashpër të jetës. Si? Në tri mënyra: (1) duke dhënë këshilla të shëndosha për përballimin e vështirësive, (2) duke shpjeguar se si ta marrim mbështetjen e dashur që Perëndia u jep tani shërbëtorëve të tij dhe (3) duke zbuluar të ardhmen e mrekullueshme që ruan Perëndia për ata që i shërbejnë dhe duke u dhënë atyre arsye të shëndosha për të besuar në premtimet e tij.

7. (a) Duke përdorur shkrimet e cituara në shënim, shpjego përgjigjen që jep Bibla për njërën nga çështjet më të mëdha të njerëzve sot. (b) Trego se si na ruajnë apo si na ndihmojnë këshillat e Biblës për të përballuar një situatë të vështirë.

7 Edhe pse këshillat e Biblës zakonisht nuk kanë popullaritet midis atyre që nuk e pranojnë autoritetin dhe që ndjekin një jetë të dhënë pas kënaqësive, shumë të tjerë e kanë kuptuar se një jetë e tillë nuk u ka sjellë lumturi të vërtetë. (Galatasve 6:7, 8) Bibla jep përgjigje të drejtpërdrejta për pyetje mbi abortin, divorcin dhe homoseksualizmin. Këshillat e saj janë një mbrojtje ndaj abuzimit të drogës dhe alkoolit, si dhe ndaj marrjes së SIDA-s nëpërmjet gjakut të infektuar apo përzierjeve seksuale. Ajo na tregon se si të kemi një familje të lumtur. Ajo siguron përgjigje që e bëjnë një person të aftë për të përballuar situatat më të vështira në jetë, duke përfshirë edhe mospranimin nga anëtarët e ngushtë të familjes, sëmundje të rënda dhe vdekjen e njerëzve të dashur. Na ndihmon të vërejmë përparësitë tona, në mënyrë që jeta jonë të mbushet me domethënie dhe jo me pikëllim.a

8, 9. (a) Cila profeci të ka lënë personalisht përshtypje si provë e frymëzimit të Biblës? (b) Çfarë provojnë profecitë e Biblës në lidhje me origjinën e tyre?

8 Profeci: Bibla është e vetme si një libër profecish, një libër që thotë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe këtë e bën me hollësi. Ajo parashikoi shkatërrimin e Tirit të lashtë, rënien e Babilonisë, rindërtimin e Jeruzalemit, ngritjen dhe rënien e mbretërve medo-persë dhe grekë, si edhe ngjarje të shumta në jetën e Jezu Krishtit. Ajo parashikoi, gjithashtu, me hollësi kushtet botërore që do të zhvilloheshin gjatë këtij shekulli dhe shpjegon domethënien e tyre. Ajo tregon se si do të zgjidhen problemet që mbysin qeveritarët njerëzorë dhe identifikon Sundimtarin që do të sjellë paqe të qëndrueshme dhe siguri të vërtetë për njerëzimin.b​—Isaia 9:6, 7; 11:1-5, 9; 53:4-6.

9 Si një tekst Hyjnor, Bibla paraqet në mënyrë domethënëse aftësinë për të parashikuar me saktësi të ardhmen. (Isaia 41:1–46:13) Ai që mund ta bëjë këtë apo që mund të frymëzojë të tjerë për ta bërë, nuk është idhull i thjeshtë pa jetë. Nuk është as një njeri i thjeshtë i dedikuar. Ai është Perëndia i vërtetë dhe libri që përmban këto profeci është Fjala e tij.​—1. Selanikasve 2:13.

A kanë të drejtë të gjithë që përdorin Biblën?

10, 11. Siç ka treguar Jezui, edhe pse një klerik mund të përdorë Biblën, çfarë mund ta bëjë fenë që ai përkrah të pavlefshme?

10 Pra, a është e arsyeshme, e më e rëndësishmja, a është biblike të nxjerrim përfundimin se të gjitha grupet fetare që pohojnë se përdorin Biblën mësojnë fenë e vërtetë? Mos vallë të gjithë ata që e kanë apo që e citojnë Biblën praktikojnë fenë e vërtetë?

11 Shumica e klerikëve, edhe pse e kanë Biblën, e përdorin fenë si një mjet për të lavdëruar vetveten. Ata i hollojnë të vërtetat e pastra me tradita dhe filozofi njerëzore. A e pranon Perëndia adhurimin e tyre? Për krerët fetarë në Jeruzalemin e shekullit të parë, të cilët vepronin pikërisht kështu, në mënyrë të përshtatshme Jezu Krishti aplikoi deklaratën e Perëndisë me anë të profetit Isaia, duke thënë: «Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje. Dhe më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit.» (Mateu 15:8, 9; 23:5-10) Është e qartë, një fe e këtij lloji nuk është feja e vërtetë!

12, 13. (a) Si mund ta ndihmojë një person sjellja e anëtarëve të kishave, për të përcaktuar nëse feja e tyre është e vërtetë? (b) Si do ta shohë Perëndia adhurimin tonë, nëse zgjedhim si shokë ata që ai nuk i pranon? (2. Kronikave 19:2)

12 Ç’mund të themi nëse frytet e prodhuara nga mësimet e ndonjë feje, ashtu siç shfaqen në jetën e anëtarëve të tyre që janë në pozitë të mirë, dalin të kalbura? Në Predikimin e tij në Mal, Jezui paralajmëroi: «Ruhuni nga profetët e rremë . . . Ju do t’i njihni nga frytet e tyre . . . çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija.» (Mateu 7:15-17) Është e vërtetë se individët mund bëjnë gabime dhe kanë nevojë për ndreqje. Por situata është ndryshe kur anëtarë të kishave, madje edhe klerikë, tolerojnë kurvërinë dhe kurorëthyerjen, luftën, dehjen, lakminë, gënjeshtrën, spiritizmin, adhurimin e idhujve​—njërën ose të gjitha këto gjëra—​e megjithatë nuk merret asnjë masë disiplinore dhe kur ata që vazhdojnë në këtë rrugë nuk përjashtohen nga kongregacioni. Bibla pohon qartësisht se ata që praktikojnë gjëra të tilla duhet të përjashtohen nga kongregacioni; ata nuk do të kenë vend në Mbretërinë e Perëndisë. (Galatasve 5:19-21) Adhurimi i tyre nuk i pëlqen Perëndisë, as adhurimi ynë nuk ka për t’i pëlqyer nëse zgjedhim si shokë ata që ai nuk i pranon.​—1. Korintasve 5:11-13; 6:9, 10; Zbulesa 21:8.

13 Është e qartë se jo të gjitha grupet që thonë se përdorin Biblën praktikojnë fenë e vërtetë që ajo përshkruan. Çfarë na ka lënë Bibla, pra, si shenja identifikuese të fesë së vërtetë?

Shenja identifikuese të fesë së vërtetë

14. (a) Ku bazohen të gjitha mësimet e fesë së vërtetë? (b) Me sa sukses e kalojnë këtë provë mësimet e të ashtuquajturit krishterim mbi Perëndinë dhe shpirtin?

14 Mësimet e saj janë të bazuara fortësisht në Shkrimet e frymëzuara. «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi.» (2. Timoteut 3:16) Por, a flet Bibla e Shenjtë për Trinitetin e të ashtuquajturit krishterim? Dhe a mëson Bibla, siç bëjnë klerikët, se njerëzit kanë një shpirt që mbijeton mbas vdekjes së trupit fizik? A i ke kërkuar ndonjëherë ndonjë kleriku t’i tregojë këto mësime në Biblën tënde? The New Encyclopœdia Britannica pohon: «As fjala Trinitet dhe as doktrina e shkoqur, nuk shfaqen në Dhjatën e Re.» (1992, Micropœdia, volumi 11, faqe 928) Edhe New Catholic Encyclopedia pranon: «Mes Etërve Apostolikë nuk ka asgjë që mund t’i afrohet qoftë edhe fare pak këtij mentaliteti apo pikëpamjeje.» (1967, volumi XIV, faqe 299) Sa për konceptin e të ashtuquajturit krishterim mbi një shpirt që ndahet nga trupi pas vdekjes, dijetarët e kishave pranojnë se e kanë huazuar idenë nga filozofia greke. Megjithatë, feja e vërtetë nuk e lë mënjanë të vërtetën e Biblës për shkak të filozofive njerëzore.—Zanafilla 2:7; Ligji i përtërirë 6:4; Ezekieli 18:4; Gjoni 14:28.

15. (a) Si e identifikon Bibla të Vetmin që duhet adhuruar? (b) Si ndihen adhuruesit e vërtetë në lidhje me tërheqjen drejt Jehovait?

15 Feja e vërtetë përkrah adhurimin e Perëndisë së vetëm të vërtetë, Jehovait. (Ligji i përtërirë 4:35; Gjoni 17:3) Duke parafrazuar Ligjin e përtërirë 5:9, Jezu Krishti pohoi vendosmërisht: «Duhet të adhurosh Jehovain, Perëndinë tënd dhe vetëm atij duhet t’i bësh shërbim të shenjtë.» (Mateu 4:10, BR) Në vazhdim të kësaj, Jezui ua bëri të njohur emrin e Atit të tij dishepujve. (Gjoni 17:26) A të ka mësuar feja jote që të adhurosh Jehovain? A ke arritur ta njohësh Personin që identifikon ky emër, qëllimet e tij, aktivitetet e tij, cilësitë e tij, në mënyrë që të mund të ndihesh i tërhequr me besim drejt tij? Nëse feja jote është e vërtetë, përgjigjja do të jetë po.​—Luka 10:22; 1. Gjonit 5:14.

16. Çfarë nënkupton besimi në Krishtin për ata që praktikojnë fenë e vërtetë?

16 Një pjesë e rëndësishme e adhurimit që i pëlqen Perëndisë është besimi në Birin e tij, Jezu Krishtin. (Gjoni 3:36; Veprat 4:12) Kjo nuk do të thotë të besosh vetëm që ai ka jetuar dhe që ka qenë një njeri i jashtëzakonshëm. Ajo përfshin vlerësim për atë që mëson Bibla në lidhje me vlerën e flijimit të jetës së përsosur njerëzore të Jezuit dhe të pranosh pozitën e tij sot, si Mbret qiellor. (Psalmi 2:6-8; Gjoni 3:16; Zbulesa 12:10) Nëse shoqërohesh me ata që praktikojnë fenë e vërtetë, ti e di se në jetën e tyre të përditshme ata bëjnë përpjekje të ndërgjegjshme për t’iu bindur Jezuit, për të imituar shembullin e tij dhe për të marrë pjesë personalisht dhe me zell në veprën që ai u caktoi dishepujve të vet. (Mateu 28:19, 20; Gjoni 15:14; 1. Pjetrit 2:21) Nëse kjo nuk është e vërtetë për ata me të cilët adhuron, atëherë duhet të kërkosh tjetërkund.

17. Përse adhuruesit e vërtetë kanë kujdes që të mbeten të panjollë nga bota dhe çfarë përfshin kjo?

17 Adhurimi i vërtetë nuk është njollosur me përzierjet në politikë dhe në konfliktet botërore. (Jakovit 1:27) Përse jo? Sepse në lidhje me ithtarët e tij, Jezui tha: «Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota.» (Gjoni 17:16) Jezui nuk u përzie në politikë dhe nuk i lejoi ithtarët e tij t’u drejtoheshin armëve trupore. (Mateu 26:52) Ata që e marrin për zemër atë që thotë Fjala e Perëndisë ‘nuk mësojnë më luftën’. (Isaia 2:2-4) Nëse ndonjë fe, me të cilën ti je i lidhur qoftë edhe vetëm me emër, nuk i përputhet këtij përshkrimi, atëherë është koha për t’i prerë lidhjet me të.​—Jakovit 4:4; Zbulesa 18:4, 5.

18. (a) Çfarë identifikon Gjoni 13:35 si një karakteristikë dalluese të fesë së vërtetë? (b) Si mund ta ndihmosh dikë për të përcaktuar se cili grup është në përputhje me Gjonin 13:35?

18 Feja e vërtetë mëson dhe praktikon dashuri altruiste. (Gjoni 13:35; 1. Gjonit 3:10-12) Nuk është një dashuri për të cilën vetëm flitet nëpër predikime. Në të vërtetë, ajo mbledh së bashku në një vëllazëri të sinqertë, njerëz nga të gjitha racat, nga të gjitha grupet ekonomike, nga të gjitha gjuhët, nga të gjitha kombet. (Zbulesa 7:9, 10) Ajo i veçon të krishterët e vërtetë prej botës përreth tyre. Nëse akoma nuk e ke bërë këtë, ndiqi mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait në Sallën e Mbretërisë, si edhe kongreset e tyre të mëdha. Shikoji se si punojnë së bashku për të ndërtuar një nga Sallat e tyre të Mbretërisë. Vështro se si i trajtojnë ata të moshuarit (duke përfshirë edhe vejushat) dhe të rinjtë (duke përfshirë edhe ata që kanë vetëm një prind apo asnjë). (Jakovit 1:27) Krahasoje atë që vështron me çfarë ke parë në ndonjë fe tjetër. Pastaj pyet veten: «Kush praktikon fenë e vërtetë?»

19. (a) Çfarë përkrah si zgjidhje për problemet e njerëzimit feja e vërtetë? (b) Çfarë duhet të bëjnë anëtarët e grupit që i përket fesë së vërtetë?

19 Adhurimi i vërtetë përkrah Mbretërinë e Perëndisë si zgjidhjen e qëndrueshme të problemeve të njerëzimit. (Danieli 2:44; 7:13, 14; 2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:4, 5) A e bën këtë gjë ndonjë nga kishat e të ashtuquajturit krishterim? Kur ka qenë hera e fundit që ke dëgjuar një klerik të shpjegojë Mbretërinë e Perëndisë dhe se çfarë tregojnë Shkrimet për atë që do të bëjë ajo? A të inkurajon organizata së cilës i përket për t’u folur të tjerëve mbi Mbretërinë e Perëndisë dhe nëse po, a marrin pjesë të gjithë anëtarët e saj bashkarisht në këtë? Jezui dha një dëshmi të tillë; këtë e bënë edhe dishepujt e tij të parë. Edhe ti mund të kesh privilegjin për të marrë pjesë në këtë aktivitet. Ajo është vepra më e rëndësishme që po kryhet sot mbi faqen e dheut.—Mateu 24:14.

20. Çfarë duhet të bëjmë tjetër për të identifikuar fenë e vërtetë?

20 Edhe pse ka mijëra fe, Bibla na ndihmon shpejt për të eliminuar konfuzionin, në mënyrë që të identifikojmë fenë e vërtetë. Por duhet të bëjmë më shumë se vetëm identifikimi i saj. Është jetësore që ta praktikojmë atë. Se çfarë përfshin kjo, do të shqyrtohet më gjerësisht në artikullin tonë vijues.

[Shënimet]

a Abort: Veprat 17:28; Psalmi 139:1, 16; Të Dalët 21:22, 23. Divorc: Mateu 19:8, 9; Romakëve 7:2, 3. Homoseksualizëm: Romakëve 1:24-27; 1. Korintasve 6:9-11. Abuzim droge dhe alkooli: 2. Korintasve 7:1; Luka 10:25-27; Proverbat 23:20, 21; Galatasve 5:19-21. Gjak dhe përzierje seksuale: Veprat 15:28, 29; Proverbat 5:15-23; Jeremia 5:7-9. Familje: Efesianëve 5:22–6:4; Kolosianëve 3:18-21. Mospranim: Psalmi 27:10; Malakia 2:13-16; Romakëve 8:35-39. Sëmundje: Zbulesa 21:4, 5; 22:1, 2; Titit 1:2; Psalmi 23:1-4. Vdekje: Isaia 25:8; Veprat 24:15. Përparësi: Mateu 6:19-34; Luka 12:16-21; 1. Timoteut 6:6-12.

b Për prova të këtyre profecive dhe të përmbushjeve të tyre shiko broshurën A do të ekzistojë ndonjëherë një botë pa luftë, faqe 7; dhe librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë, faqe 56, par. 27 dhe kapitullin 18 të po këtij libri. Që të dy janë botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

Si do të përgjigjeshe?

◻ Në identifikimin e fesë së vërtetë, cila pikëpamje është më e rëndësishme?

◻ Cilat janë katër linjat e dëshmisë që e tregojnë Biblën si Fjalë të Perëndisë?

◻ Përse nuk janë të pranueshme për Perëndinë të gjitha fetë që përdorin Biblën?

◻ Cilat janë gjashtë shenjat identifikuese të fesë së vetme të vërtetë?

[Kutia në faqen 10]

Dëshmitarët e Jehovait . . .

◆ I mbështetin të gjitha mësimet e tyre në Bibël.

◆ Adhurojnë Perëndinë e vetëm të vërtetë, Jehovain.

◆ Jetojnë në harmoni me besimin e tyre në Jezu Krishtin.

◆ Nuk janë përfshirë në politikë dhe në konfliktet botërore.

◆ Përpiqen të shfaqin dashuri altruiste në jetën e përditshme.

◆ Përkrahin Mbretërinë e Perëndisë si zgjidhjen e qëndrueshme për problemet e njerëzimit.

[Figura në faqen 9]

BIBLA: çfarë tregon se ajo përmban mesazhin e Perëndisë për gjithë njerëzimin?

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo