BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 15/4 f. 11-15
  • Përse do të marrë fund feja botërore?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Përse do të marrë fund feja botërore?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Si ka rënë Babilonia e Madhe?
  • Duhet të zgjedhësh
  • Paditet feja e rreme
  • Fryma e Kainit në fenë e rreme
  • «Paradoks mahnitës»
  • Fesë së rreme po i vjen fundi!
    Fesë së rreme po i vjen fundi!
  • Si kanë hedhur baltë mbi reputacionin e Perëndisë fetë e rreme?
    Gëzoje jetën përgjithmonë—Bibla zbulon si
  • A i pëlqejnë Perëndisë të gjitha fetë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Çfarë do të ndodhë me fenë?—Çfarë zbulon Bibla?
    Tema të tjera
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 15/4 f. 11-15

Përse do të marrë fund feja botërore?

«Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni pjesëtarë të mëkateve të saj dhe të mos merrni nga plagët e saj.»​—ZBULESA 18:4.

1. (a) Në ç’mënyrë ka rënë Babilonia e Madhe? (b) Si ka ndikuar mbi Dëshmitarët e Jehovait kjo ngjarje?

«BABILONIA E MADHE ka rënë.» Po, nga pikëpamja e Jehovait, perandoria botërore e fesë së rreme ka rënë. Kjo ka ndodhur që nga 1919-a, kur mbetja e vëllezërve të Krishtit doli nga ndikimi i të ashtuquajturit krishterim, që është një pjesë mbizotëruese e Babilonisë mistike. Si rezultat, ata ishin të lirë për të denoncuar fenë e rreme dhe për të shpallur sundimin e drejtë të Perëndisë nëpërmjet Mbretërisë Mesianike. Gjatë këtij shekulli, Dëshmitarët besnikë të Jehovait kanë demaskuar përzierjen fetare që Satanai ka përdorur si kukull për të mashtruar «të gjithë tokën e banuar».​—Zbulesa 12:9, BR; 14:8, BR; 18:2.

Si ka rënë Babilonia e Madhe?

2. Cila është gjendja e tanishme e feve në botë?

2 Megjithëkëtë, ndokush mund të pyesë: «Si mund të thuash se Babilonia ka rënë, ndërkohë që duket se fetë po lulëzojnë në kaq shumë vende?» Katolicizmi dhe islamizmi pohojnë se numërojnë mbi një miliard besimtarë secili. Protestantizmi lulëzon akoma në Amerikën Veriore dhe atë Jugore, ku çelen vazhdimisht kisha dhe kishëza të reja. Qindra milionë njerëz ndjekin ritualet e budizmit dhe të hinduizmit. Megjithatë, deri në ç’masë ushtron një ndikim pozitiv gjithë kjo fe mbi sjelljen e këtyre miliarda personave? A i ka parandaluar ajo vrasjet mes njëri-tjetrit tek katolikët dhe protestantët e Irlandës së Veriut? A u ka sjellë paqe të vërtetë hebrenjve dhe myslimanëve në Lindjen e Mesme? A ka sjellë harmoni ndërmjet hindusëve dhe myslimanëve në Indi? Dhe tani vonë, a i ka ndaluar ortodoksët serbë, katolikët kroatë dhe myslimanët boshnjakë të kryejnë «spastrimin etnik», plaçkitjet, përdhunimet dhe masakrimin e njëri-tjetrit? Shpesh, feja është vetëm një etiketë, një rimeso e hollë sa një lëvozhgë veze, që thyhet edhe nën trysninë më të vogël.​—Galatasve 5:19-21; krahaso Jakovit 2:10, 11.

3. Përse feja është në gjykim para Perëndisë?

3 Nga pikëpamja e Perëndisë, mbështetja e fesë nga masat nuk ndryshon një fakt të pashmangshëm: e gjithë feja është në gjykim para Perëndisë. Babilonia e Madhe, siç dëshmon qartë historia e saj, meriton të gjykohet në mënyrë të pafavorshme, sepse «mëkatet e saj janë grumbulluar dhe kanë arritur deri në qiell dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj». (Zbulesa 18:5) Hozea shkroi në gjuhë profetike: «Meqenëse mbjellin erë, do të korrin furtunë.» Të gjitha fetë e rreme të Satanait në të gjithë botën do ta paguajnë shtrenjtë tradhtinë e tyre ndaj Perëndisë, ndaj dashurisë, ndaj emrit dhe ndaj Birit të tij.​—Hozea 8:7; Galatasve 6:7; 1. Gjonit 2:22, 23.

Duhet të zgjedhësh

4, 5. (a) Në ç’kushte po jetojmë sot? (b) Cilave pyetje duhet t’u përgjigjemi?

4 Po jetojmë në pjesën përfundimtare të ‘ditëve të fundit’ dhe si të krishterë të vërtetë po luftojmë për të mbijetuar këto «kohë të vështira». (2. Timoteut 3:1-5) Të krishterët e vërtetë janë banorë të përkohshëm në botën e Satanait, e cila pasqyron vërtet personalitetin e tij të korruptuar si vrasës, si gënjeshtar dhe si shpifës. (Gjoni 8:44; 1. Pjetrit 2:11, 12; Zbulesa 12:10) Ne jemi të rrethuar nga dhuna, mashtrimi, dredhitë, korruptimi dhe imoraliteti i paskrupullt. Parimet nuk përfillen më. Hedonizmi dhe përshtatshmëria janë fjalët që tipizojnë situatën. Përveç kësaj, në shumë raste kleri fal korruptimin moral, duke e zbutur dënimin e qartë të Biblës mbi homoseksualizmin, kurvërinë dhe kurorëthyerjen. Prandaj, puna është: A e mbështet dhe e fal adhurimin e rremë, apo merr pjesë aktivisht në adhurimin e vërtetë?​—Levitiku 18:22; 20:13; Romakëve 1:26, 27; 1. Korintasve 6:9-11.

5 Tani është koha e shoshitjes. Prandaj, ka gjithnjë e më shumë arsye për të bërë dallimin ndërmjet adhurimit të rremë dhe atij të vërtetë. Ç’gjë tjetër kanë bërë fetë e të ashtuquajturit krishterim, që i bën ato kaq të qortueshme?​—Malakia 3:18; Gjoni 4:23, 24.

Paditet feja e rreme

6. Si e ka tradhtuar i ashtuquajturi krishterim Mbretërinë e Perëndisë?

6 Megjithëse miliona persona në të ashtuquajturin krishterim përdorin rregullisht lutjen e Zotërisë, në të cilën luten që të vijë Mbretëria e Perëndisë, ata kanë mbështetur me ngulm çdo formë të shprehjes politike, me përjashtim të sundimit teokratik. Shekuj më parë, «princat» e Kishës Katolike, si kardinalët Risheljë, Mazarin dhe Uolsei, ushtruan veprimtari edhe si burra shteti, ministra qeveritarë.

7. Si e kanë demaskuar Dëshmitarët e Jehovait klerin e të ashtuquajturit krishterim mbi 50 vjet më parë?

7 Më shumë se 50 vjet më parë, Dëshmitarët e Jehovait nxorën në dritë përzierjen e të ashtuquajturit krishterim me politikën në broshurën e titulluar Feja korr vorbullën.a Ajo që u tha atëherë, aplikohet me të njëjtën forcë edhe sot: «Hetimi i ndershëm i sjelljes së klerit fetar të të gjitha sekteve, do të zbulojë se udhëheqësit fetarë të të gjithë ‘të ashtuquajturit krishterim’ po marrin pjesë me interes të madh në politikën ‘e kësaj bote të tanishme të ligë’ dhe po llapashitin në çështjet e saj botërore.» Në atë kohë, Dëshmitarët e kritikuan ashpër papa Piun XII për marrëveshjet e tij me Hitlerin nazist (1933) dhe Frankon fashist (1941), si dhe për shkëmbimin e përfaqësuesve diplomatikë të papës me kombin agresor të Japonisë në mars të 1942-shit, vetëm pak muaj pas sulmit famëkeq Perl Harbor. Papa nuk arriti të ndiqte paralajmërimin e Jakovit: «O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që do të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë.»​—Jakovit 4:4.

8. Si është përzier sot në politikë Kisha Katolike Romake?

8 Si është situata sot? Papati është akoma i përzier me politikën, përmes përfaqësuesve të tij klerikë dhe laikë. Papët e kohëve të fundit, e kanë vënë vulën e tyre të miratimit mbi Kombet e Bashkuara, duke deklaruar se ky falsifikim i bërë nga njerëzit do të sjellë paqen në botë. Një botim i fundit i gazetës zyrtare të Vatikanit (L’Osservatore Romano), lajmëronte se shtatë diplomatë të rinj, «ambasadorë në Selinë e Shenjtë», i paraqitën «Atit të Shenjtë» letrat e tyre kredenciale. A mund ta përfytyrojmë Jezuin dhe Pjetrin të përfshirë në shkëmbime të tilla diplomatike? Jezui nuk pranoi që hebrenjtë ta bënin mbret dhe tha se Mbretëria e tij nuk ishte nga kjo botë.​—Gjoni 6:15; 18:36.

9. Përse mund të themi se fetë protestante nuk janë më të mira se dublikatët e tyre katolikë?

9 A janë udhëheqësit protestantë më të mirë se dublikatët e tyre katolikë? Në Shtetet e Bashkuara, shumë fe konservatore protestante si edhe mormonët, identifikohen me një lloj orientimi politik. Koalicioni i krishterë është përfshirë thellësisht në politikën e Shteteve të Bashkuara. Klerikë të tjerë protestantë identifikohen qartë me një qëndrim të ndryshëm politik. Shpeshherë është harruar se zëdhënësit politikë të Shteteve të Bashkuara, klerikë si Pat Robertson dhe Xhesi Xhekson janë ose ishin «nderuar» edhe si anëtarë britanikë të parlamentit Jan Pezli në Irlandën e Veriut. Si e justifikojnë ata pozitën e tyre?​—Veprat 10:34, 35; Galatasve 2:6.

10. Cila deklaratë e qartë u bë në 1944-n?

10 Ashtu siç pyeste në 1944-n broshura Feja korr vorbullën, ashtu pyesim edhe ne tani: «A mund të jetë kishë e Perëndisë apo përfaqësuese e Jezu Krishtit në tokë . . . çfarëdo organizatë që hyn në marrëveshje me fuqitë botërore dhe që manovron aktivisht strategji brenda çështjeve politike të kësaj bote, duke kërkuar përparësi në të dhe mbrojtje nga kjo botë? . . . Është e qartë se të gjithë fetarët që kanë të njëjtat synime me mbretëritë e kësaj bote, nuk mund të përfaqësojnë mbretërinë e Perëndisë që do të sundojë me anë të Krishtit Jezu.»

Fryma e Kainit në fenë e rreme

11. Si e ka ndjekur feja e rreme shembullin e Kainit?

11 Gjatë gjithë historisë, feja e rreme ka shfaqur frymën e Kainit vëllavrasës, i cili vrau të vëllanë, Abelin. «Prej kësaj njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e Djallit; kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk është nga Perëndia dhe i tillë nuk është as ai që nuk do vëllanë e vet. Sepse ky është mesazhi që dëgjuat nga fillimi. Ta duam njëri-tjetrin, jo sikundër Kaini, i cili ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe për ç’arsye e vrau atë? Sepse veprat e tij ishin të liga dhe ato të vëllait ishin të drejta.» Duke mos toleruar adhurimin e pastër dhe të pranueshëm që i bënte vëllai i tij Perëndisë, Kaini iu drejtua dhunës, që është mjeti i fundit për ata që nuk gjejnë një përgjigje logjike për veprimet e tyre.​—1. Gjonit 3:10-12.

12. Çfarë dëshmie ekziston për bashkëfajësinë e feve në luftëra dhe konflikte?

12 A e mbështesin faktet këtë padi kundër fesë së rreme? Një autor shprehej kështu në librin e tij: «Në historinë e qytetërimeve, . . . gjithmonë kanë qenë të bashkuara dy forca në aleancë të dyfishtë. Ato janë lufta dhe feja. Dhe nga të gjitha fetë më të mëdha të botës, . . . asnjëra nuk ka qenë më e devotshme ndaj [luftës] sesa [i ashtuquajturi krishterim].» (Preachers Present Arms) Disa vite më parë, një gazetë e Vankuverit, Kanada, pohonte: «Është dobësi ndoshta e të gjithë fesë së organizuar, që kisha ndjek flamurin . . . Në cilën luftë nuk është thënë se Perëndia ka qenë në anën e secilës palë?» (The Sun) Ndoshta ke parë prova të kësaj në disa kisha lokale. Në të shumtën e rasteve, flamujt kombëtarë stolisin altarin. Nën cilin flamur mendon se do të marshonte Jezui? Fjalët e tij kanë ushtuar përgjatë shekujve: «Mbretëria ime nuk është e kësaj bote.»​—Gjoni 18:36.

13. (a) Si ka dështuar feja e rreme në Afrikë? (b) Cilën shenjë dha Jezui për identifikimin e krishterimit?

13 Fetë e të ashtuquajturit krishterim nuk u kanë mësuar turmave të tyre të vërtetën e dashurisë së sinqertë vëllazërore. Përkundrazi, kanë lejuar që radhët e tyre të përçahen nga dallimet kombëtare, fisnore dhe etnike. Raportet tregojnë se kleri katolik dhe ai anglikan kanë marrë pjesë dhe kanë ndikuar në përçarjet që çuan në gjenocidin fisnor në Ruanda. Gazeta The New York Times raportonte: «Masakrat në Ruanda kanë bërë që shumë veta të Kishës Katolike Romake të ndihen të tradhtuar nga hierarkia në kishë. Kisha shpesh ishte e përçarë, në lidhje me çështjen etnike ndërmjet fiseve hutu dhe tutsi.» Po kjo gazetë, citonte atë që tha një prift meriknoll: «Kisha dështoi sa s’ka më keq në Ruanda, në vitin 1994. Në një kuptim, shumë ruandezë ia kanë hequr vizën kishës. Ajo nuk gëzon më asnjë besueshmëri.» Çfarë ndryshimi me fjalët e Jezuit: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»​—Gjoni 13:35.

14. Çfarë sjelljeje tregojnë shumica e feve jo të krishtere?

14 Fetë e tjera të mëdha të Babilonisë së Madhe nuk kanë lënë një shembull më të mirë. Masakrat e tmerrshme të 1947-s, kur u copëtua India, tregojnë se fetë e mëdha atje nuk kishin sjellë tolerancë. Dhuna e vazhdueshme shoqërore në Indi, pohon se shumica e njerëzve nuk ka ndryshuar. S’është për t’u habitur që revista India Today, doli në këtë përfundim: «Feja ka qenë një flamur, nën të cilin janë kryer krimet më të shëmtuara. . . . Ajo ka ndezur një dhunë të tmerrshme dhe është një forcë shumë shkatërrimtare.»

«Paradoks mahnitës»

15. Cila është gjendja e fesë në botën perëndimore?

15 Edhe komentuesit e shekullit e kanë vërejtur dështimin e fesë për të bindur, për të rrënjosur vlera të vërteta dhe për t’u rezistuar depërtimeve të shekullarizimit. Këshilltari kombëtar për sigurinë në SHBA, Zbigniev Brezhinski, shkroi në një libër të tij: «Është paradoks mahnitës që fitorja më e madhe për propozimin ‘Perëndia ka vdekur’, nuk ka qenë në shtetet ku sundon marksizmi . . . por në shoqëritë liberale demokratike në Perëndim, të cilat kanë edukuar me kulturë apatinë morale. Fakt është se në këto të fundit, feja ka pushuar së qeni një forcë më e madhe shoqërore.» (Out of Control) Ai vazhdonte: «Ndikimi i fesë në kulturën evropiane është venitur shumë dhe Evropa sot, madje më shumë se Amerika, është në thelb një shoqëri e pafe.»

16, 17. (a) Çfarë këshille dha Jezui, në lidhje me klerin e ditëve të tij? (b) Cilin parim të shkëlqyer shprehu Jezui për frytet?

16 Çfarë tha Jezui për klerin hebre të ditëve të tij? «Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut [për të mësuar Torën, Ligjin]. Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t’ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë.» Po, hipokrizia fetare nuk është diçka e re.​—Mateu 23:2, 3.

17 Frytet e fesë së rreme e dënojnë atë. Urdhri i dhënë nga Jezui është shumë i zbatueshëm: «Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija. Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira. Çdo dru që nuk jep fryt të mirë pritet dhe hidhet në zjarr. Ju, pra, do t’i njihni profetët nga frytet e tyre.»​—Mateu 7:17-20.

18. Si duhej t’i kishte mbajtur të pastra radhët e tij i ashtuquajturi krishterim?

18 Çfarë do të ndodhte, nëse fetë e të ashtuquajturit krishterim do të zbatonin me ndërgjegje disiplinën e krishterë në lidhje me përjashtimin apo shkishërimin për të gjitha veprat e paligjshme të kryera nga ata që pohojnë se janë anëtarë të saj? Çfarë do të ndodhte me të gjithë gënjeshtarët e papenduar, kurvarët, kurorëthyesit, homoseksualët, mashtruesit, kriminelët, shpërndarësit e drogës e narkomanët dhe anëtarët e krimit të organizuar? Pa dyshim, fryteve të këqija të të ashtuquajturit krishterim u shkon për shtat vetëm shkatërrimi nga Perëndia.​—1. Korintasve 5:9-13; 2. Gjonit 10, 11.

19. Çfarë pranimesh janë bërë në lidhje me udhëheqjen fetare?

19 Asambleja e përgjithshme e Kishës Presbiteriane në Shtetet e Bashkuara, pranoi: «Po përballojmë një krizë të tmerrshme për përmasat dhe ndërlikimin e saj. . . . Nga 10 deri në 23 për qind e klerit mbarëkombëtar është përfshirë në një sjellje ndjellëse seksuale ose në marrëdhëniet seksuale me famullitarët, klientët, nëpunësit, etj.» Një biznesmen në Shtetet e Bashkuara e përmblodhi këtë pikë mjaft mirë: «Institucionet fetare kanë dështuar në transmetimin e vlerave të tyre historike dhe në shumë raste janë bërë pjesë e problemit.»

20, 21. (a) Si e denoncuan hipokrizinë Jezui dhe Pavli? (b) Cilës pyetje mbetet për t’i dhënë përgjigje?

20 Denoncimi që i bëri Jezui hipokrizisë fetare, mbetet i vërtetë edhe sot, ashtu si në kohën e tij: «Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju, kur tha: ‘Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje. Dhe më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit.’» (Mateu 15:7-9) Përveç kësaj, edhe fjalët e Pavlit drejtuar Titit, përshkruajnë situatën tonë moderne: «Ata pohojnë se njohin Perëndinë, po me vepra e mohojnë, sepse janë të neveritshëm, të pabindur dhe të pazotë për çfarëdo vepre të mirë.»​—Titit 1:16.

21 Jezui tha se kur i verbri drejton të verbrin, që të dy bien në gropë. (Mateu 15:14) A dëshiron të marrësh fund bashkë me Babiloninë e Madhe? Apo dëshiron të ecësh me sy të hapur nëpër shtigje të drejta dhe të gëzosh bekimet e Jehovait? Pyetjet që kemi tani përpara nesh, janë: Cila fe, nëse ekziston, sjell fryte të mira? Si mund ta përcaktojmë adhurimin e vërtetë të pranueshëm nga Perëndia?​—Psalmi 119:105.

[Shënimet]

a Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., në 1944-n; tani nuk shtypet më.

A të kujtohet?

◻ Çfarë do të thotë prania e Babilonisë së Madhe para Perëndisë?

◻ Mbi ç’bazë është paditur feja e rreme?

◻ Si e ka treguar feja e rreme frymën e Kainit?

◻ Cilin parim shprehu Jezui për gjykimin e çdo feje?

[Figura në faqen 13]

Gjatë gjithë historisë, udhëheqësit fetarë janë përzier me politikën

[Figurat në faqen 15]

Këta klerikë kanë qenë edhe burra të fuqishëm shteti

Kardinali Mazarin

Kardinali Risheljë

Kardinali Uolsei

[Burimi i figurës]

Kardinali Mazarin dhe Kardinali Risheljë: Nga libri Ridpath’s History of the World (Vëll. IV dhe Vëll. V përkatës). Kardinali Volsei: Nga libri The History of Protestantism (Vëll. I).

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo