Kapitulli i parë
Mesazhet e Jehovait për të kaluarën dhe të tashmen
1, 2. Si kanë kërkuar disa njerëz thesare të fshehura, por ç’mund të të ndihmojë ty që të gjesh kënaqësi në jetë?
GJITHNJË ka pasur njerëz që ëndërrojnë të gjejnë ndonjë thesar të groposur diku. A ke lexuar tregime historike për eksplorues, arkeologë e të tjerë që kanë kërkuar thesare të tilla? Ndoshta ti vetë s’ke ndër mend të bësh nga këto kërkime. Por, po sikur të gjeje vërtet një thesar? Sa do të kënaqeshe, nëse falë këtij thesari do të kishe një jetë më të mirë ose më të lumtur e më të suksesshme!
2 Shumica e njerëzve nuk i futen kurrë aventurës për të kërkuar thesare të fshehura. Megjithatë, mund ta kërkojnë lumturinë duke u përpjekur që të grumbullojnë para, të kenë shëndet të mirë dhe një martesë të lumtur, thesare këto që s’i gjen duke gërmuar në tokë. Jo vetëm kaq, por as nuk ekziston ndonjë hartë që të tregojë rrugën për të gjetur të tilla thesare. Ti e di se kërkohen përpjekje për t’i pasur. Ja pse shumë njerëz i vlerësojnë këshillat e mira për arritjen e synimeve që kanë dhe për ta bërë jetën më të kënaqshme e më të suksesshme.
3, 4. Ku mund të gjesh këshilla praktike për jetën?
3 Ç’është e drejta, mund t’i gjesh kollaj ato këshilla të dobishme, që tashmë kanë ndihmuar njerëz të tjerë të jenë të lumtur. Bibla ka këshillat më të mira se si të jetojmë, dhe këtë e kanë kuptuar shumë veta. Shkrimtari anglez Çarls Dikens tha këto fjalë për Biblën: «Është libri më i mirë që ka pasur e që do të ketë në botë, . . . sepse jep mësimet më të mira që mund të drejtojnë në jetë çdo qenie njerëzore.»
4 Ky koment nuk i befason ata që e shohin Biblën si një libër të frymëzuar nga Perëndia. Ka mundësi që ti e pranon pohimin që lexojmë te 2 Timoteut 3:16: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi.» Me fjalë të tjera, Bibla ka informacione shumë të dobishme që mund t’u tregojnë njerëzve se si t’i përballojnë problemet që ndërlikojnë jetën në botën e sotme. Ata që i drejtojnë hapat e tyre sipas Biblës, mund të kenë një jetë vërtet më të kënaqshme dhe më të suksesshme.
5-7. Në cilat pjesë të Biblës mund të kërkosh këshilla të dobishme?
5 Por, në cilat pjesë të Biblës mendon se mund të gjesh këshilla të tilla? Disave u vjen ndër mend Predikimi në Mal, ku Jezui dha këshilla shumë të vlefshme për jetën e përditshme. Të tjerëve u kujtohen shkrimet e apostullit Pavël. Gjithashtu, këshilla të dobishme për çdo njeri, gjen te Psalmet dhe te Proverbat, libra plot me fjalë të mençura. Në të vërtetë, çdo libër i Biblës mund të të sjellë dobi, në varësi të situatës në të cilën je ose të problemeve që mund të hasësh. Këtu futen edhe librat që janë kryesisht historikë, si librat nga Josiu deri te Estera. Në ato tregime historike gjejmë paralajmërime të vlefshme për këdo që dëshiron të jetë i lumtur duke i shërbyer Perëndisë. (1 Korintasve 10:11) Këta libra përmbajnë këshilla që mund t’i përdorësh si drejtim në jetën tënde, për ta bërë të suksesshme. Mbaje në mend këtë të vërtetë: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.»—Romakëve 15:4; Josiu 1:8; 1 Kronikave 28:8, 9.
6 Mirëpo, ka një pjesë në Bibël që, për shumë njerëz, është tamam si një territor i paeksploruar, por që ka plot thesare. Kjo pjesë është e përbërë nga 12 libra, që shpesh quhen Profetët e Vegjël. Zakonisht ndodhen pas librave biblikë më të mëdhenj, Ezekielit dhe Danielit, por përpara Ungjillit sipas Mateut. (Në shumicën e përkthimeve të Biblës, 12 librat janë vendosur sipas këtij rendi: Hozea, Joeli, Amosi, Abdia, Jonai, Mikea, Naumi, Habakuku, Sofonia, Hageu, Zakaria dhe Malakia.) Siç e lexuam më sipër, Bibla është e frymëzuar nga Perëndia dhe është e dobishme për t’i mësuar njerëzit e për t’u treguar atyre se si të jetojnë. A përfshihen edhe këta libra në këtë përshkrim?
7 Patjetër që po! Madje, këta të ashtuquajtur Profetë të Vegjël kanë thesare vërtet të dobishme për të na mësuar se si të jetojmë sot. Për të kuptuar pse disa i kalojnë pa lexuar këta libra, mendo se si i kanë quajtur në shumë gjuhë: Profetët e Vegjël. Mos ndoshta ky titull në vetvete, ka ndikuar në pikëpamjen që kanë njerëzit për këta libra? Mos ka ndikuar deri diku edhe në pikëpamjen tënde?
A JANË «PROFETËT E VEGJËL» VËRTET TË TILLË PËR NGA RËNDËSIA?
8. (a) Në cilën mënyrë të rëndësishme ka siguruar drejtim Perëndia? (b) Si quhen shpesh 12 librat që po shqyrtojmë, por në ç’kuptim përdoret ky titull?
8 Apostulli Pavël e filloi letrën drejtuar hebrenjve me këto fjalë: «Perëndia, që kohë më parë u foli në shumë raste dhe në shumë mënyra paraardhësve tanë me anë të profetëve, në fund të këtyre ditëve na ka folur neve me anë të një Biri.» (Hebrenjve 1:1, 2) Meqë Perëndia i përdori profetët për të përcjellë mesazhet e tij, sigurisht që nuk duhet t’i shohim si ‘të vegjël’ a të parëndësishëm ata ose shkrimet e tyre. Gjithsesi, për shkak të titullit «Profetët e Vegjël», disa mendojnë se përmbajtja e këtyre librave nuk është edhe aq e rëndësishme, ngaqë janë libra të vegjël. Të tjerë kanë nxjerrë përfundimin se mesazhet e këtyre librave nuk janë dhe aq me peshë sa librat e tjerë të Biblës. Por në të vërtetë, titulli «Profetët e Vegjël»a, që përdoret në shumë gjuhë, do të thotë vetëm që këta 12 libra janë më të shkurtër se disa të tjerë.
9. Përse gjatësia e një libri të Biblës nuk tregon vlerën që ka në të vërtetë?
9 Fakti që një libër biblik është i shkurtër, nuk tregon se sa rëndësi ose vlerë ka për ty. Libri i Ruthës është shumë më i shkurtër se librat e tjerë mes të cilëve ndodhet, e megjithatë, aty mund të gjesh informacione vërtet prekëse! Ky libër i vogël thekson besnikërinë që duhet të tregojmë ndaj adhurimit të vërtetë; ilustron sa shumë i vlerëson Perëndia gratë dhe jep hollësi të rëndësishme për gjenealogjinë e Jezuit. (Rutha 4:17-22) Ose, të marrim një shembull tjetër. Nga fundi i Biblës, gjejmë librin e Judës. Është një libër kaq i shkurtër, saqë në disa Bibla nuk mbush as një faqe. Por, sa shumë informacione dhe udhëzime të çmuara gjejmë në të! Mësojmë se si ka vepruar Perëndia me engjëjt e ligj, gjejmë paralajmërime se në kongregacion do të futen njerëz të korruptuar dhe nxitemi që të luftojmë me të gjitha forcat për besimin. Të jesh i sigurt se edhe librat që disa i quajnë «Profetët e Vegjël», ndonëse të shkurtër, nuk janë të vegjël as nga rëndësia, as nga vlera që kanë për ty.
NË Ç’KUPTIM JANË PROFETIKË?
10, 11. (a) Çfarë u vjen ndër mend disave, kur dëgjojnë fjalën «profetë»? (b) Sipas Biblës, çfarë bënte një profet?
10 Një pikë tjetër që duhet shqyrtuar, ka të bëjë me emrat «profetë» dhe «profetikë». Kur dëgjon këto fjalë, të vjen ndër mend parashikimi i së ardhmes. Shumë njerëz mendojnë se një profet është dikush që parathotë të ardhmen, ndoshta me fjalë të mistershme që interpretohen si të duash. Kjo ndikon në pikëpamjen që kanë disa njerëz për këta 12 libra.
11 Vërtet, kur lexon këta 12 libra, e vë re menjëherë se janë plot parashikime, shumë prej të cilave flasin për ardhjen e ditës së madhe të Jehovait. Kjo është në përputhje me kuptimin kryesor të fjalës «profet». Profeti kishte një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë dhe shpesh përdorej për t’u zbuluar njerëzve se çfarë do të ndodhte. Duke filluar me Enokun, shumë profetë të Biblës shërbyen për të parathënë të ardhmen.—1 Samuelit 3:1, 11-14; 1 Mbretërve 17:1; Jeremia 23:18; Veprat 3:18; Juda 14, 15.
12. Si mund të tregosh që, të jesh profet nuk do të thotë vetëm të parashikosh të ardhmen?
12 Por, nuk duhet të harrojmë se roli i profetëve të Jehovait nuk ishte vetëm që të thoshin parashikimet hyjnore. Shpesh, Perëndia i përdorte ata si zëdhënës, për t’u treguar të tjerëve vullnetin e tij. Për shembull, Abrahamin, Isakun dhe Jakobin ne nuk i mendojmë si njerëz që parathoshin të ardhmen, e megjithatë, te Psalmi 105:9-15, ata quhen profetë. Nganjëherë, Perëndia i përdori ata për të zbuluar diçka që do të ndodhte në të ardhmen, si në rastin kur Jakobi bekoi bijtë e tij. Por, ata patriarkë ishin profetë edhe në kuptimin që u përcillnin familjeve të tyre fjalët e Jehovait, për rolin që kishin në qëllimin e Tij. (Zanafilla 20:7; 49:1-28) Ka edhe diçka tjetër që tregon sa i gjerë është kuptimi i fjalës «profet» në Bibël: për Aaronin thuhet se shërbeu si profet për Moisiun. Aaroni e përmbushi rolin e tij si profet duke qenë zëdhënës ose «gojë» për Moisiun.—Dalja 4:16; 7:1, 2; Luka 1:17, 76.
13, 14. (a) Ilustro pse themi që profetët nuk bënin vetëm parashikime. (b) Pse ia vlen të dimë që profetët nuk shërbenin vetëm për të dhënë parashikime?
13 Mendo edhe për profetët Samuel e Natan. (2 Samuelit 12:25; Veprat 3:24; 13:20) Vërtet që Jehovai i përdori ata të dy për të shpallur ç’do të ndodhte në të ardhmen, por i përdori si profetë edhe në mënyra të tjera. Si profet, Samueli i nxiti izraelitët që të hiqnin dorë nga adhurimi i idhujve dhe të riktheheshin në adhurimin e pastër. Gjithashtu, shpalli gjykimin e Perëndisë kundër mbretit Saul, duke na mësuar se Jehovai vlerëson më shumë bindjen, sesa flijimet ose sakrificat. Pra, Samueli shërbente si profet edhe kur tregonte pikëpamjen e Perëndisë për mënyrën e duhur të jetesës. (1 Samuelit 7:3, 4; 15:22) Profeti Natan paratha se Solomoni do të ndërtonte tempullin dhe se mbretëria e tij do të bëhej e patundur. (2 Samuelit 7:2, 11-16) Por, edhe kur i tërhoqi vëmendjen Davidit për mëkatin me Betshebën, si dhe për atë që i bëri Uriahut, Natani ishte në rolin e profetit. Të lë vërtet mbresa mënyra se si ai e nxori në shesh kurorëshkeljen e Davidit—ilustrimi për të pasurin që i mori një të varfri qengjin e vetëm që kishte, të cilin e donte shumë. Veç kësaj, Natani pati rol edhe në organizimin e adhurimit të vërtetë në shenjtëroren e Perëndisë.—2 Samuelit 12:1-7; 2 Kronikave 29:25.
14 Pra, e rëndësishme është të mos mendojmë se mesazhet e këtyre librave profetikë janë vetëm për të parathënë të ardhmen. Në ta ka shprehje të frymëzuara nga Perëndia për shumë gjëra të tjera, duke përfshirë edhe këshilla të mrekullueshme se si duhej të jetonte populli i Perëndisë në atë kohë dhe si duhet të jetojmë ne sot. Në fakt, na jepet siguria se ajo që gjejmë në Bibël, ku futen edhe këta 12 libra, është shumë e dobishme dhe praktike, pasi i ndihmon njerëzit të kuptojnë cila është mënyra më e mirë për të jetuar. Këta libra të frymëzuar na japin një drejtim të vlefshëm, që na ndihmon «të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor mes kësaj bote».—Titit 2:12.
SI TË NXJERRIM DOBI?
15, 16. (a) Çfarë shprehjesh të figurshme mund të gjenden te «Profetët e Vegjël»? (b) Çfarë përshkrimesh profetike ka në këta libra?
15 Duke lexuar Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, mund të nxjerrim dobi në shumë mënyra. Disa libra të Biblës tregojnë se çfarë ka ndodhur në një periudhë kohe të caktuar, kurse të tjerë janë poetikë, por secili ka vlerën e vet të veçantë. Libra të tjerë dallohen për shprehjet e figurshme ose simbolike, siç ka edhe në këta 12 libra. Për shembull, Jezui po u referohej ngjarjeve të librit të Jonait kur tha: «Një brez i lig dhe kurorëshkelës vazhdon të kërkojë një shenjë, por asnjë shenjë s’do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona. Sepse ashtu si Jonai qëndroi në barkun e peshkut të madh tri ditë e tri net, kështu edhe Biri i njeriut do të qëndrojë në zemër të tokës tri ditë e tri net. Njerëzit e Ninevisë do të ringjallen me këtë brez Ditën e Gjykimit dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan nga ajo që predikoi Jonai. Por ja, këtu është dikush më i madh se Jonai.»—Mateu 12:39-41.
16 Duket qartë se Jezui nuk e konsideronte librin e Jonait vetëm si një dokument historik që tregonte për mënyrën si veproi Perëndia me Jonain; veprën e këtij profeti në Ninevi dhe çfarë ndodhi kur ai shpalli mesazhin paralajmërues të Perëndisë. Ai e kuptonte se profeti Jona kishte pasur edhe një rol të figurshëm që tregonte qartë për Jezu Krishtin, vdekjen dhe ringjalljen e tij ditën e tretë. Veç kësaj, reagimi i ninevitëve mund të përdorej si kontrast, për të treguar sa ndryshe iu përgjigjën shumica e judenjve predikimit dhe veprave të Jezuit. (Mateu 16:4) Duke u nisur nga kjo, kuptojmë se 12 librat kanë edhe përshkrime profetike për mënyrën si vepron Perëndia sot me popullin e tij. Studimi i tyre të mrekullon dhe është shumë i vlefshëm.b
17. Nga cili këndvështrim i trajton ky libër 12 librat profetikë?
17 Megjithatë, në këtë libër nuk do të studiohet kuptimi i figurshëm ose simbolik i librit të Jonait ose i 11 librave të tjerë. As nuk do të bëhet një analizë varg për varg e këtyre librave. Kryesisht, do të përqendrohemi tek informacioni që përmbajnë këta libra, të cilin mund ta zbatojmë në jetën e përditshme. Pyetjet që duhet t’i bëjmë vetes janë: ‘Çfarë këshillash të dobishme siguron për mua Jehovai në këta 12 libra? Si më ndihmojnë ‘të jetoj me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor mes kësaj bote’? Çfarë më tregojnë për jetën e krishterë, moralin, jetën familjare dhe për qëndrimet e njerëzve në këto ditë kritike, meqë «dita e Jehovait po vjen, ajo është afër»?’ (Titit 2:12; Joeli 2:1; 2 Timoteut 3:1) Ndërsa kërkon përgjigje të kënaqshme për këto pyetje, me siguri do të gjesh vargje që do t’i vlerësosh shumë, vargje që deri tani nuk i ke përdorur kur ke folur me njerëzit për këshillat biblike. Kështu, me siguri do ta pasurosh thesarin tënd me vargje biblike të çmuara, që mund t’i përdorësh për të arsyetuar me të tjerët.—Luka 24:45.
18. Si janë organizuar pjesët e këtij libri, dhe si mund të të sjellë dobi kjo?
18 Kapitujt e këtij libri janë grupuar në katër pjesë. Para se të fillosh shqyrtimin e çdo pjese, përpiqu të kuptosh në përgjithësi se për çfarë flet. Në secilin prej 13 kapitujve do të gjesh dy kuti, që do të të ndihmojnë të fiksosh në mendje çfarë ke lexuar. Pyetjet në këto kuti do të të japin mundësi të rikujtosh atë që ke lexuar dhe të meditosh rreth vlerës dhe zbatimit të saj. Kutia e parë gjendet nga gjysma e kapitullit. Kur të arrish te kjo kuti, shqyrto pyetjet e saj. Kjo do të të ndihmojë ta ngulitësh thellë në zemër atë që sapo ke studiuar. (Mateu 13:8, 9, 23; 15:10; Luka 2:19; 8:15) Kutia tjetër do të të japë mundësi të meditosh për atë që lexove në pjesën e dytë të kapitullit dhe do të ta ngulitë mirë në mendje. Prandaj, programo kohë për t’i studiuar këto kuti. Me siguri do të të ndihmojnë të zbulosh mënyra praktike se si të nxjerrësh dobi nga ajo që po shqyrton.
19. Çfarë duhet të ngulitësh në mendje për këta 12 libra?
19 Që të përgatitesh mendërisht për studimin, pyet veten se çfarë di për secilin nga këta 12 libra. Nëpërmjet kujt i përcolli Perëndia këto mesazhe dhe ç’njerëz ishin? Në ç’kohë jetuan dhe në cilat rrethana shërbyen si profetë? (Tabela kronologjike në faqet 20 dhe 21 do të të ndihmojë shumë, prandaj shqyrtoje shpesh ndërsa studion kapitujt e tjerë që vijojnë.) Cili ishte mesazhi ose zbatimi i informacionit në kohën kur u dha, e si mund të të ndihmojë kjo që ta kuptosh materialin në kontekstin e vet? Kapitulli vijues do të të ndihmojë t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve kyçe.
a Encyclopaedia Judaica thotë se ky titull «me sa duket, i ka rrënjët në përkufizimin latin që përdor Vulgata (Profetae Minores). Mbiemri ‘të vegjël’ në titullin ‘Profetët e Vegjël’ nuk ka të bëjë me rëndësinë e këtyre 12 profetëve në krahasim me Isainë, Jereminë dhe Ezekielin. Përkundrazi, ka të bëjë me vetë librat, që janë shumë më të shkurtër».—Vëllimi 12, faqja 49.
b Shih, për shembull, si shpjegohen librat e Hageut dhe të Zakarisë në librin Parajsa e rivendosur për njerëzimin, me anë të teokracisë!, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por që tani nuk shtypet më.