Kapitulli i dytë
Profetë me mesazhe që ndikojnë te ne
1. Pse duhet të na interesojë t’i njohim 12 profetët që shkruan librat e fundit të Shkrimeve Hebraike?
A DO të doje të njihje më nga afër 12 lajmëtarë të Perëndisë? Këta 12 për të cilët po flasim, jetuan para se të vinte Jezui në tokë, prandaj s’mund t’i takojmë dot. Megjithatë, ka një mënyrë për t’i njohur dhe për të parë si e mbajtën gjithnjë në mend ‘ditën e madhe të Jehovait’. Ajo që do të mësojmë, është me rëndësi për çdo të krishterë që, me mençuri, po përpiqet ta mbajë në mend ditën e madhe të Jehovait.—Sofonia 1:14; 2 Pjetrit 3:12.
2, 3. Çfarë ngjashmërish kanë me jetën tonë përvojat e 12 profetëve?
2 Në Shkrime, shumë burra janë quajtur profetë, madje një pjesë e madhe e librave biblikë kanë marrë emra profetësh. Ashtu si profetët e tjerë, edhe këta 12 burra për të cilët do të flasim, ishin shembuj besnikërie dhe guximi. Disa nga ata u kënaqën jashtë mase, sepse panë se si mesazhi i tyre ua ndryshoi zemrën dhe mendjen njerëzve, duke i kthyer prapë te Perëndia. Të tjerë përjetuan zhgënjim të hidhur, kur panë se si njerëzit rebelë shkelnin normat e Jehovait dhe vepronin në kundërshtim me vullnetin e tij. Disa nga këta 12 burra ndien pasojat e trishtuara që solli vetëkënaqësia dhe egoizmi i njerëzve që pretendonin se ishin adhurues të Jehovait.
3 Ashtu si ne, edhe këta 12 profetë jetuan në kohë me trazira politike, çrregullime shoqërore dhe rënie të vlerave fetare. Meqë ishin njerëz «me ndjenja si tonat», edhe ata duhet të kenë pasur frikë e të jenë ndeshur me vështirësi të ndryshme. (Jakovi 5:17) Megjithatë na lanë një shembull të mirë, dhe mesazhet e tyre duhen shqyrtuar seriozisht, pasi janë dokumentuar në ‘shkrimet profetike’ që të nxjerrim dobi ne, «mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve».—Romakëve 15:4; 16:26; 1 Korintasve 10:11.
12 PROFETË DHE KOHA KUR JETUAN
4. Çfarë ke vënë re për periudhën kohore në të cilën jetuan 12 profetët? Kë caktoi fillimisht Jehovai për të paralajmëruar e për të motivuar popullin e tij?
4 Ndoshta ti mendon se radha se si janë paraqitur në Bibël librat nga Hozea deri te Malakia, tregon rendin kronologjik në të cilin jetuan profetët. Por nuk është kështu. Për shembull, profetët Jona, Joel, Amos, Hozea dhe Mikea jetuan që të gjithë në shekullin e nëntë dhe të tetë p.e.s.a Gjatë asaj periudhe, shumë mbretër të mbretërisë jugore të Judës dhe të mbretërisë veriore të Izraelit, nuk u treguan besnikë. Nënshtetasit ndoqën shembullin e tyre, duke shkaktuar kështu zemërimin e Perëndisë. Në atë kohë, asirianët, dhe më vonë babilonasit, u përpoqën të shtrinin sundimin mbi gjithë botën. Izraelitëve nuk u shkonte mendja se Jehovai do t’i përdorte këto dy fuqi botërore për të ekzekutuar gjykimin e tij! Por, siç e dimë, Perëndia i kishte paralajmëruar vazhdimisht Izraelin dhe Judën, me anë të profetëve besnikë.
5. Cili grup profetësh shpalli gjykimin e Jehovait para shkretimit të Judës dhe të Jerusalemit?
5 Ndërsa afrohej koha kur do të gjykonte Judën dhe Jerusalemin, Jehovai caktoi një tjetër grup përfaqësuesish energjikë. Kush bënte pjesë në këtë grup? Profetët Sofonia, Naum, Habakuk dhe Abdia. Që të katër shërbyen gjatë shekullit të shtatë p.e.s. Ngjarjet më tragjike që karakterizuan atë periudhë ishin shkatërrimi i Jerusalemit nga babilonasit, në vitin 607 p.e.s., dhe çuarja në mërgim e judenjve. Përsëri, ndodhi siç kishte paralajmëruar Perëndia në profecitë që dhanë disa nga këta burra, të cilët i kishte dërguar të flitnin në emër të tij. Ata ishin përpjekur ta paralajmëronin popullin për gjërat e gabuara, si dehja e dhuna, por populli nuk donte të ndryshonte.—Habakuku 1:2, 5-7; 2:15-17; Sofonia 1:12, 13.
6. Çfarë bëri Jehovai për të motivuar mbetjen e judenjve që u kthye nga mërgimi?
6 Pasi u kthye nga mërgimi, populli i Perëndisë kishte nevojë për një udhëheqje të aftë, si dhe për ngushëllim e këshilla që të ishin gjithnjë të përqendruar në adhurimin e vërtetë. Këtë nevojë ua plotësoi një tjetër grup profetësh: Hageu, Zakaria dhe Malakia. Ata shërbyen në shekullin e gjashtë dhe të pestë p.e.s. Ndërsa mëson më shumë për këta 12 përkrahës të pathyeshëm të sovranitetit të Jehovait dhe për veprimtarinë e tyre, do të nxjerrësh mësime të rëndësishme që mund t’i zbatosh në shërbimin tënd gjatë këtyre kohëve të rrezikshme. Le të përqendrohemi tani te këta profetë duke u nisur nga periudha në të cilën shërbyen.
PËRPJEKJE PËR TË SHPËTUAR KOMBET KOKËFORTA
7, 8. Si na jep zemër përvoja e Jonait, për të përballuar periudhat kur mund të ndihemi të pasigurt?
7 A ke kaluar ndonjëherë një periudhë kur je ndier i pasigurt e ndoshta ke menduar se po të dobësohet besimi? Nëse po, me siguri që do të të vlejnë shumë përvojat e Jonait. Ai jetoi në shekullin e nëntë p.e.s. Ndoshta të kujtohet se Perëndia e caktoi Jonain të shkonte në Ninevi, kryeqytetin e Perandorisë Asiriane në kohën kur ajo po fitonte epërsi. Jonai duhej të shpallte hapur dënimin e ninevitëve për ligësinë e tyre. Mirëpo, në vend që të shkonte ku ishte caktuar—rreth 900 kilometra në verilindje të Jerusalemit,—Jonai mori një anije që po nisej drejt një porti tjetër, ndoshta në Spanjë. Po ikte 3.500 kilometra në drejtim të kundërt me caktimin e tij! Çfarë mendon për këtë? Mos vallë Jonai kishte vepruar nga frika, nga një humbje e përkohshme e besimit ose nga inati se mos ninevitët shfaqnin njëfarë pendimi e më pas ktheheshin kundër Izraelit dhe u shprehnin agresivitetin e tyre? Bibla nuk thotë ndonjë gjë specifike. Por, nga përvoja e tij mund të kuptojmë pse duhet të ruhemi që të mos mashtrohemi nga mendimet tona.
8 Ti e di si reagoi Jonai kur Perëndia e ndëshkoi. Pasi u gjend në barkun e ‘një peshku të madh’ që e gëlltiti, ai pranoi: «Shpëtimi i takon Jehovait.» (Jonai 1:17; 2:1, 2, 9) Pasi shpëtoi me anë të një mrekullie, Jonai e përmbushi detyrën që i ishte caktuar, por u zhgënjye shumë kur Jehovai nuk i shkatërroi ninevitët, ngaqë këta ia vunë veshin mesazhit dhe u penduan. Përsëri, Jehovai e ndreqi me dashuri profetin, që kishte shfaqur prirje për t’u përqendruar te vetja. E, ndonëse disa mund të përqendrohen te gabimet e Jonait, Perëndia e konsideroi të denjë si shërbëtor të bindur dhe besnik.—Luka 11:29.
9. Çfarë dobie mund të nxjerrësh nga mesazhi profetik i Joelit?
9 A je shkurajuar ndonjëherë, kur njerëzit e kanë kritikuar mesazhin biblik që u çon, duke thënë se po i alarmon kot? Edhe mesazhin e profetit Joel, emri i të cilit do të thotë «Jehovai është Perëndi», bashkëkombësit e tij e konsideronin njësoj. Me sa duket, ai i dokumentoi profecitë e tij rreth vitit 820 p.e.s., në Judë, në ditët e mbretit Uziah. Ka mundësi që Joeli dhe Jonai të kenë shërbyer së bashku për njëfarë periudhe. Joeli foli për një plagë me karkaleca shkatërrimtarë që do të vërshonin disa herë me radhë e do ta shkretonin vendin. Po, dita e frikshme e Perëndisë po afronte me të shpejtë. Megjithatë, siç do të shohësh, mesazhi që shpalli Joeli nuk ishte i gjithi i zymtë. Janë inkurajuese fjalët e tij se ‘do të kishte të shpëtuar’, njerëz besnikë. (Joeli 2:32) Ata që pendohen, mund të gëzojnë sepse Jehovai i fal e i bekon. Sa duhet të qetësohemi duke mbajtur parasysh se, edhe mesazhi që shpallim ne, ka një ton të tillë pozitiv! Joeli paratha se forca vepruese e Perëndisë, domethënë fryma e tij e shenjtë, do të derdhej «mbi çdo lloj njeriu». A e kupton se si je i përfshirë edhe ti në këtë profeci? Joeli theksoi, gjithashtu, të vetmen rrugë të sigurt shpëtimi: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.»—Joeli 2:28, 32.
10. Si e përdori Jehovai një punëtor të thjeshtë sezonal?
10 Në qoftë se ndonjëherë mbetesh i shtangur nga serioziteti i mesazhit që duhet të shpallim te njerëz që në përgjithësi nuk duan t’ia dinë për të, atëherë mund të ndiesh empati për Amosin. Amosi nuk ishte bir profeti dhe as bënte pjesë në ndonjë grup profetësh, por ishte një bari i thjeshtë dhe punëtor sezonal. Ai profetizoi gjatë kohës së mbretit Uziah të Judës, aty nga fundi i shekullit të nëntë p.e.s. Edhe pse vinte nga një shtresë e ulët, Amosi (emri i të cilit do të thotë «Të jesh ngarkesë; Të mbash një ngarkesë») shpalli mesazhe me peshë, që i drejtoheshin Judës, Izraelit dhe kombeve përreth. A nuk merr zemër kur mëson se Jehovai mund ta forcojë një njeri të thjeshtë që të bëjë këtë vepër kaq të rëndësishme?
11. Deri në ç’masë Hozea ishte i gatshëm të sakrifikonte, për të bërë vullnetin e Perëndisë?
11 A e ke pyetur ndonjëherë veten: ‘Deri në ç’pikë do të sakrifikoja, për të kryer vullnetin e Jehovait?’ Mendo për Hozenë, i cili jetoi afërsisht në kohën e Isaisë e të Mikesë dhe shërbeu si profet për rreth 60 vjet. Jehovai i tha Hozesë të martohej me Gomerën, ‘një grua që do të kryente kurvëri’. (Hozea 1:2) Nga tre fëmijët që lindi më pas Gomera, me sa duket, vetëm njëri ishte i Hozesë. Po pse i kërkoi Jehovai një njeriu që të duronte turpin e tradhtisë bashkëshortore? Ai po u mësonte njerëzve se çfarë është besnikëria dhe falja. Mbretëria veriore e kishte tradhtuar Perëndinë, ashtu siç tradhton një grua burrin e saj. E megjithatë, Jehovai do të tregonte dashuri për popullin e vet dhe do të përpiqej t’i ndihmonte që të pendoheshin. Është vërtet prekëse të lexojmë për këtë.
12. Si mund të nxjerrësh dobi duke analizuar shembullin e Mikesë dhe ndikimin që pati profetizimi i tij?
12 A nuk je dakord se në kohët kritike që po jetojmë, është e vështirë të jesh i guximshëm dhe të kesh besim të plotë te Jehovai? Po të shfaqësh këto cilësi, do të jesh si Mikea. Ai ishte bashkëkohës i Hozesë dhe Isaisë. Shpalli mesazhe kundër kombit të Judës dhe të Izraelit, gjatë mbretërimit të mbretërve judenj, Jotamit, Akazit dhe Hezekisë, në shekullin e tetë p.e.s. Mbretëria veriore e Izraelit ishte ndotur nga shthurja e skajshme morale dhe idhujtaria, prandaj u shkatërrua kur Samaria ra në duart e asirianëve, në vitin 740 p.e.s. Juda anonte sa nga bindja, sa nga mosbindja ndaj Jehovait. Pavarësisht nga gjëmat që kanoseshin, Mikea u ngushëllua kur pa se mesazhi hyjnor që shpalli, e ndali përkohësisht rënien frymore të Judës dhe shkatërrimin që do të vinte si pasojë. Sa ngushëlluese është për ne të shohim që disa i përgjigjen pozitivisht mesazhit tonë të shpëtimit!
PARATHONË STUHINË QË PO AFRON
13, 14. (a) Si mund të të ndihmojë në adhurimin tënd shembulli i Sofonisë? (b) Cilën reformë adhurimi solli vepra e Sofonisë?
13 Me dobësimin e fuqive botërore egjiptiane dhe asiriane, në skenën e botës po fillonte të shquhej Babilonia. Ardhja e saj në pushtet, shumë shpejt do të kishte pasoja të rënda për kombin e Judës. Por gjithsesi, profetët e Perëndisë i paralajmëruan dhe i këshilluan adhuruesit e Jehovait. Analizo disa nga këta profetë, duke mbajtur parasysh se, edhe sot, të krishterët predikojnë një mesazh paralajmërues.
14 Në qoftë se të është dashur të thyesh disa tradita familjare për të bërë vullnetin e Jehovait, atëherë mund ta kuptosh mirë Sofoninë. Ndoshta ai ishte stërnip i mbretit Hezekia dhe i afërm i mbretit Josia, pra, pjesëtar i shtëpisë mbretërore të Judës. Megjithatë, duke u bindur, Sofonia shpalli një mesazh dënimi për udhëheqjen e korruptuar të Judës. Emri i tij do të thotë «Jehovai ka fshehur». Sofonia theksoi se, vetëm falë mëshirës së Perëndisë, një njeri mund ‘të jetë i fshehur në ditën e zemërimit të Jehovait’. (Sofonia 2:3) Lumturisht, predikimi i guximshëm i Sofonisë dha fryt. Josia i ri, mbreti i Judës, bëri një reformë adhurimi, duke hequr idhujt, duke riparuar tempullin dhe duke rivendosur adhurimin e pastër. (2 Mbretërve, kapitujt 22, 23) Sofonia dhe profetët e tjerë të kohës së tij (Naumi dhe Jeremia) duhet të kenë luajtur rol kyç për ta ndihmuar ose këshilluar mbretin. Mjerisht, shumica e judenjve u penduan vetëm sa për sy e faqe. Pasi Josia vdiq në betejë, ata iu rikthyen idhujtarisë. S’kaluan shumë vjet dhe babilonasit i çuan në mërgim.
15. (a) Pse Ninevia e meritonte mesazhin ndëshkues që shpalli Naumi? (b) Ç’mund të mësosh nga ajo që i ndodhi Ninevisë?
15 Mbase ti ndihesh sikur nuk vlen asgjë dhe nuk je nga ata që bien në sy. Të krishterët kanë privilegjin e madh të jenë «bashkëpunëtorë» të Perëndisë, por gjithsesi, si individë, shumica nuk shquhen shumë. (1 Korintasve 3:9) Në mënyrë të ngjashme, për profetin Naum s’dimë asgjë tjetër, përveç faktit që ishte nga një qytezë e vogël e quajtur Elkosh, diku në Judë. E megjithatë, mesazhi i tij ishte me peshë dhe i rëndësishëm. Pse e themi këtë? Naumi profetizoi kundër Ninevisë, kryeqytetit të Perandorisë Asiriane. Populli i këtij qyteti i ishte përgjigjur mirë paralajmërimit të Jonait, por s’kaloi shumë kohë dhe iu rikthye avazit të vjetër. Disa gdhendje në gur nga vendndodhja e Ninevisë së lashtë tregojnë se ishte, siç tha Naumi, një ‘qytet gjakatar’. (Naumi 3:1) Në ato gdhendje ilustrohej trajtimi mizor që u bëhej robërve të luftës. Me fjalë të gjalla e dramatike, Naumi paratha shkretimin e plotë të Ninevisë. Mesazhi i tij doli i vërtetë, siç do të dalë i vërtetë edhe mesazhi që japim ne sot.
16, 17. Nëse shpresat tona për fundin nuk janë përmbushur ende plotësisht, ç’mund të mësojmë nga rasti i Habakukut?
16 Gjatë shekujve, disa lexues të Biblës kanë pritur gjëra që s’janë realizuar, në lidhje me ditën e Jehovait. Të tjerë mund të jenë të zhgënjyer, sepse duket sikur gjykimi nga Perëndia po vonon. Po ti, si ndihesh? Habakuku i shprehu shqetësimet e tij të arsyeshme, me pyetjet: «Deri kur, o Jehova, do të thërras për ndihmë dhe ti nuk do të më dëgjosh? . . . Përse para meje ka grabitje dhe dhunë?»—Habakuku 1:2, 3.
17 Habakuku profetizoi në një periudhë të trazuar të historisë së Judës, pas mbretërimit të Josisë, që ishte një mbret i mirë, por para se të shkatërrohej Jerusalemi, në vitin 607 p.e.s. Vendi vlonte nga padrejtësitë e nga dhuna. Habakuku paralajmëroi se aleanca me Egjiptin nuk do ta shpëtonte Judën nga babilonasit gjakatarë. Ai shkroi me një stil të gjallë e dramatik, duke thënë edhe fjalët ngushëlluese se «i drejti do të vazhdojë të jetojë falë besimit». (Habakuku 2:4) Me siguri që këto fjalë kanë shumë vlerë për ne, sepse apostulli Pavël i përmendi në tri libra të Shkrimeve të Krishtere Greke. (Romakëve 1:17; Galatasve 3:11; Hebrenjve 10:38) Për më tepër, me anë të Habakukut, Jehovai na siguron: «Vegimi është ende për kohën e caktuar . . . Nuk do të vonojë.»—Habakuku 2:3.
18. Pse Jehovai e udhëzoi Abdinë që të profetizonte kundër Edomit?
18 Profeti Abdia dallohet për faktin se ka shkruar librin më të shkurtër të Shkrimeve Hebraike, vetëm me 21 vargje. Gjithçka që dimë për të është se profetizoi kundër Edomit. Edomitët ishin pasardhës të vëllait të Jakobit, pra, ‘vëllezër’ të izraelitëve. (Ligji i përtërirë 23:7) Por Edomi s’e kishte trajtuar aspak si vëlla popullin e Perëndisë. Në vitin 607 p.e.s., rreth kohës kur Abdia shkroi librin e tij, edomitët bllokuan rrugët dhe, ata judenj që po iknin, ua dorëzuan armiqve babilonas. Jehovai paratha shkretimin e plotë të Edomit, profeci që u përmbush. Ashtu si për Naumin, edhe për Abdinë ndoshta s’dimë shumë, por është vërtet inkurajuese të kuptojmë që Perëndia përdor si lajmëtarë të Tij edhe njerëz që duken të parëndësishëm.—1 Korintasve 1:26-29.
MOTIVOJNË, NGUSHËLLOJNË DHE PARALAJMËROJNË
19. Si e ndihmoi Hageu popullin e Perëndisë që të merrte forcë?
19 Hageu është i pari nga tre profetët që shërbyen pas kthimit të mbetjes besnike të judenjve nga mërgimi babilonas, në vitin 537 p.e.s. Hageu mund të ketë qenë në grupin e parë të të kthyerve. Bashkë me guvernatorin Zorobabel dhe kryepriftin Josi, e në bashkëpunim me profetin Zakaria, Hageu u përpoq t’i motivonte judenjtë që të kapërcenin kundërshtimin e kombeve përreth, si dhe apatinë në të cilën kishin rënë për shkak të materializmit. Judenjtë duhej ta përfundonin punën për të cilën ishin rikthyer, domethënë, rindërtimin e tempullit të Jehovait. Katër mesazhet e drejtpërdrejta të Hageut, që i dha në vitin 520 p.e.s., e vinin theksin tek emri dhe te sovraniteti i Jehovait. Gjatë leximit, do të shohësh se në atë libër përdoret 14 herë shprehja «Jehovai i ushtrive». Mesazhet e fuqishme që dha Hageu, e motivuan popullin që ta rifillonte punën e ndërtimit të tempullit. A nuk fuqizohesh edhe ti, kur di se Jehovai, si Sundimtari Sovran, ka fuqi të pakufishme, dhe se komandon ushtri të panumërta me krijesa frymore?—Isaia 1:24; Jeremia 32:17, 18.
20. Kundër cilit qëndrim mbizotërues luftoi Zakaria?
20 Nganjëherë, mund të shkurajohesh duke parë se disave, që më parë i shërbenin Perëndisë, tani u është ftohur zelli. Atëherë, e kupton mirë se si është ndier profeti Zakaria. Ashtu si bashkëkohësi i tij, Hageu, edhe ai kishte detyrën e vështirë për të nxitur bashkadhuruesit të vazhdonin punën për ndërtimin e tempullit, derisa ta përfundonin. Zakaria u përpoq shumë ta forconte popullin për të kryer atë punë kolosale. Pavarësisht nga qëndrimi rehatidashës i njerëzve përreth, ai u përpoq t’i nxiste që të zhvillonin një besim të fortë dhe të vepronin sipas atij besimi. Përpjekjet e tij patën sukses. Gjithashtu, Zakaria dokumentoi shumë profeci për Krishtin. Edhe ne mund të marrim forcë nga mesazhi se «Jehovai i ushtrive» nuk do t’i harrojë njerëzit që kërkojnë miratimin e tij.—Zakaria 1:3.
NË PRITJE TË MESISË
21. (a) Pse ishte aq i domosdoshëm mesazhi i Malakisë? (b) Me cilën siguri i mbyll libri i Malakisë Shkrimet Hebraike?
21 I fundit nga 12 profetët, Malakia, jetoi në përputhje me emrin e tij, që do të thotë «Lajmëtari im». Pak dimë për këtë profet që jetoi aty nga mesi i shekullit të pestë p.e.s. Por, nga profecia e tij, dimë se ishte një profet trim, i cili e qortoi popullin e Perëndisë për mëkatet dhe për hipokrizinë që kishin. Kushtet që përshkroi Malakia janë shumë të ngjashme me ato të paraqitura nga Nehemia, që ndoshta ishte bashkëkohës i tij. Po pse ishte aq i domosdoshëm mesazhi i Malakisë? Zelli dhe entuziazmi që kishin nxitur disa dekada më parë profetët Zakaria dhe Hage, ishin venitur. Gjendja frymore e judenjve kishte arritur në një pikë kritike shumë të ulët. Malakia foli me guxim kundër priftërinjve fodullë e hipokritë dhe i kritikoi njerëzit për adhurimin me gjysmë zemre, si dhe flijimet që paraqitnin. Megjithatë, ashtu si e gjithë Fjala e Perëndisë na siguron për një të ardhme pozitive, edhe Malakia paratha ardhjen e pararendësit të Mesisë, Gjon Pagëzorit e, më pas, të vetë Krishtit. Me mesazhin e Malakisë, Shkrimet Hebraike mbyllen me një ton pozitiv, duke na premtuar se ‘dielli i drejtësisë ka për të shkëlqyer’ për ata që kanë frikë nga emri i Perëndisë.—Malakia 4:2, 5, 6.
22. Çfarë mendimi ke për cilësitë dhe për mesazhin e 12 profetëve?
22 Pra, siç e sheh, burrat që shkruan 12 librat e fundit të Shkrimeve Hebraike kishin besim dhe bindje të fortë. (Hebrenjve 11:32; 12:1) Shembulli dhe mesazhi i tyre mund të na japin mësime të vlefshme, ndërsa presim me padurim ‘ditën e Jehovait’. (2 Pjetrit 3:10) Shqyrto se si mund të ndikojnë këto mesazhe profetike në të ardhmen tënde të përhershme.
a Krahasoje këtë me tabelën kronologjike që gjendet në faqet 20 dhe 21. Nga tabela do të shohësh, për shembull, se Mikea dhe Hozea shërbyen në kohën kur Isaia ishte profet i Perëndisë në Jerusalem.