Harta për të plotësuar nevojat tuaja
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË BRITANI
NUK është e lehtë të gjeni rrugën në një vend apo qytet të panjohur. Së pari, duhet të përcaktoni vendndodhjen. Më pas, duhet vendosur cila është rruga më e mirë. Si mund ta gjeni? Ajo që ju nevojitet është harta gjeografike.
Kur filluan të përdoreshin hartat dhe përse?
Bërja e hartave ose siç quhet ndryshe kartografia, ka një histori të gjatë e të mundimshme. Disa studiues gjejnë gjurmë të hartave 4.300 vjet më parë, si ato të skalitura në pllaka argjile në Babiloni. Megjithatë, ishin grekët e lashtë ata që nxorën hartat që ishin pararendëse të hartave moderne. Pas hartave të botës së lashtë të skicuara nga Klaudio Ptolemeu në shekullin e dytë të e.s., filluan epokat e errëta për kartografinë. Zonat e paeksploruara shfaqeshin si zotërime të përbindëshave dhe të gjigantëve. Feja pati një ndikim kaq të madh mbi hartat, sa shumë prej tyre e shfaqnin botën të sunduar nga kopshti i Edenit. Jerusalemi dhe Lindja e Mesme filluan të dukeshin në majë të hartave të botës së njohur deri atëherë.
Edhe hartat e para të Britanisë pasqyruan një ndikim kishtar. Njëra prej tyre skiconte drejtimin që ndiqnin pelegrinët për në vendet e shenjta të Anglisë. Duke treguar me hollësi «Rrugën e madhe veriore të pelegrinëve», kjo hartë rrëfente një rrugë nga qyteti verior i Durhamit për në portin bregdetar jugor të Doverit.
Babai i kartografisë moderne ishte Gerard Merkator (1512-1594). Ai bëri një metodë për projektimin e hartave, e famshme mes lundruesve për saktësinë e saj dhe shumë harta të skicuara sipas projektit Merkator gjenden nëpër atlaset moderne.
Për pronarët e tokave, hartat u bënë një ndihmë e madhe. Duke iu referuar vijave të qarta kufitare që shfaqeshin në to, e kishin më të lehtë të zgjidhnin grindjet mbi pronat. Interesi i qeverive për hartat rritej, ndërsa tatimi për taksat varej nga regjistrimi i saktë i pronave që zotëroheshin.
Në ditë tona, hartat plotësojnë nevojat e përditshme. Atlaset i ndihmojnë fëmijët e shkollave të kuptojnë nocionet themelore të gjeografisë. Hartat u japin mundësi meteorologëve të tregojnë grafikisht çfarë kushtesh moti mund të presim. Harta mund të na ndihmojë të përdorim sa më mirë mjetet e transportit publik. Gjithashtu, kur bëhet një shëtitje me familjen, harta mund të tregojë rrugët me pamje më piktoreske.
Nuk lihen pas dore as specialistët. Ka harta për urbanistët, të cilat tregojnë dendësinë e popullsisë. Ka harta për fundin e detit që i ndihmojnë ata që kërkojnë anije të mbytura apo burime minerale. Hartat arkeologjike janë një ndihmë për ata që gërmojnë të kaluarën. Përse jo, për studiuesit e hapësirës ka edhe harta të hënës dhe të disa planeteve. Me një bollëk të tillë informacioni që disponohet nëpër harta, është për dobinë tuaj të zhvilloni dhe të përmirësoni aftësitë tuaja për t’i lexuar ato.
Si ta lexoni hartën?
Të përfitosh sa më shumë nga harta, është afërsisht sikur të mësosh një gjuhë të huaj. Kur studioni një gjuhë tjetër, ndesheni me një fjalor të ri dhe me një gramatikë të ndryshme. Në gjuhën e hartave, simbolet mund të krahasohen me fjalët, ndërsa shkalla dhe rrjeti i koordinatave me gramatikën. Në përgjithësi, hartat janë të pajisura me një legjendë, që përmban shpjegimin e simboleve të përdorura në hartë. Kjo shërben si një fjalor që shpjegon shenjat.
Simbolet zgjidhen me kujdes për të përçuar domethënien e tyre. Për shembull, për të gjetur një far, kërkoni një simbol në formën e farit. Kishat dhe xhamitë mund të tregohen nga katrorë apo rrathë të zinj me një kryq apo gjysmëhënë në majë.
Si mund të familjarizoheni me domethënien e këtyre simboleve? Xhon Uilson, autor i një libri mbi hartat, sugjeron «kalimin e këndshëm të kohës ‘duke soditur hartën’». Ai shton: «Lërini sytë të enden ngeshëm mbi hartë dhe përkthejini simbolet ashtu siç i ndeshni.»—Follow the Map.
A ju duket se zona në të cilën jetoni, duket shumë e ndryshme nga ajo që tregon harta? Përse kështu? Sepse ne normalisht e shikojmë mjedisin nga lartësia jonë, 1,5-1,8 m lart tokës. Ndërsa hartat e tregojnë vendin nga lart, pingul me çdo pikë. Për të kapur këtë nocion, është thelbësore të kuptoni gramatikën e hartës.
Shkalla, lartësia dhe pozicioni
Sfida e kartografit është të regjistrojë ndryshimet e lartësisë mbi nivelin e detit dhe çdo gjë të bërë nga njeriu në tokë. E gjithë kjo duhet të shtypet në një letër me përmasa praktike. Për të arritur këtë, hartat vizatohen në shkallë. Një seri e përhapur hartash britanike e tregon vendin në një shkallë 1:50.000, që do të thotë se çdo centimetër në hartë paraqet 50.000 centimetra në sipërfaqen e tokës.
Megjithatë, si mund t’i tregojë ndryshimet e lartësisë një hartë e sheshtë prej letre? Një mënyrë për të arritur përmasën e tretë është hija me dritë të pjerrët. Duket se dielli ndriçon nga një pikë lart në hartë në këndin majtas saj. Pjerrësia nga lindja dhe juglindja, duke qenë në hije, vizatohen me ngjyra më të errëta. Hartat moderne shpesh kanë vija konturesh që bashkojnë pikat e lartësive të njëjta mbi nivelin mesatar të detit. Këto shenja shtypen në ngjyra të lehta, për të mos penguar lexueshmërinë e veçorive të tjera të hartës.
Shumë harta përdorin sistemin e vijave të ndërprera që ndihmojnë për të përcaktuar me qartësi vendndodhjen. Ky rrjet koordinatash, siç quhet ndryshe, jep mundësi që çdo vend të ketë koordinata alfabetike ose numerike që tregojnë pikën në të cilën ndodhet. Për shembull, një qytet mund të gjendet në koordinatat G-13, d.m.th. në kolonën vertikale G dhe në vijën horizontale 13. Aty ku bashkohen këto dy pika do të gjeni qytetin. Por, si mund të jeni të sigurt se harta do t’ju japë një ide të saktë?
Hartat në epokën e kompjuterëve
Nevojat ushtarake kanë çuar shpesh në botimin e hartave shumë të sakta. Gjatë 40 vjetëve të fundit, kartografia e përpiktë e bazuar në krahasimin stereoskopik të fotografive nga ajri është bërë realitet dhe shumë vende ndjekin skema të ngjashme.
Tashmë në disa makina ekzistojnë harta lëvizëse të kompjuterizuara, si dhe harta udhëtimi të hollësishme për kompjuterë në shtëpi. Një artikull në The Observer titullohej: «Kompjuterët në timon.» Ai shpjegonte një projekt eksperimental që përdorte disqe kompjuteri me informata kartografike të lidhura me sintetizues zanorë. Shoferi duhet vetëm të shkruajë në ekranin e kompjuterit destinacionin. Nuk ka pse të shqetësohet për kryqëzimet hutuese rrugore. Përse? Sepse ndërsa makina i afrohet çdo kryqëzimi, një zë i tregon shoferit drejtimin që duhet të marrë. Një busull dhe disa elementë të ndjeshëm të vendosur mbi rrota, regjistrojnë drejtimin e makinës. Arritjet e fundit janë më të besueshme dhe më të thjeshta.
Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e hartave? Mos vallë hartat prej letre do të bëhen artikuj për koleksion? Koha do ta tregojë. Sido që të shkojnë gjërat, harta gjeografike do të vazhdojë të jetë një mjet i shumanshëm që plotëson nevojat tuaja në lidhje me udhëtimet.
[Harta dhe figurat në faqen 23]
Shumë harta përmbajnë një legjendë që shpjegon simbolet e përdorura
Ndryshimet në lartësi tregohen nga vija konturesh, zakonisht në ngjyra të lehta
Rrjeti i koordinatave jep mundësi të përcaktohet një vend në hartë
Zakonisht harta tregon se sa i korrespondon një centimetri në sipërfaqen e tokës (jo në këtë shembull)
Shkalla në kilometra apo në milje ju jep mundësi të matni largësinë ndërmjet dy vendeve
[Burimi]
Crown Copyright Reserved
[Burimi i figurës në faqen 22]
Nga libri Die Heiligkeit der Gesellschaft Jesu