Të rinjtë pyesin . . .
Përse të gjithë po martohen, kurse unë jo?
«Do të doja të martohesha. Atëherë, po, do të isha e lumtur.»—Armela.a
DËSHIRA për t’u martuar është e natyrshme. Perëndia e pajisi burrin dhe gruan me një tërheqje të natyrshme ndërmjet sekseve. Për këtë, ai vendosi martesën si një lidhje të përhershme ndërmjet burrit dhe gruas.—Zanafilla 1:27, 28; 2:21-24.
Prandaj, është e kuptueshme që ti mund të ndihesh disi i shkurajuar dhe madje i lënë mënjanë, nëse nuk je akoma i martuar, veçanërisht nëse shumë nga bashkëmoshatarët e tu janë martuar. Miqtë pa pasur ndonjë qëllim të keq, ta rrisin presionin. «Jam 24 vjeçe, beqare dhe tani për tani nuk po shoqërohem me asnjë,—thotë Irisi.—Duket se çdonjeri është tepër i shqetësuar për faktin se nuk jam martuar, saqë po filloj të bëhem shumë e ndjeshme për këtë. Më bëjnë të ndihem si një lëneshë e vjetër apo sikur nuk jam normale.»
Disa personave beqaria mund të fillojë t’u duket si një mur, një pengesë e pakapërcyeshme që i ndan nga lumturia. Çdo vit që kalon mund t’u duket si një rresht tjetër me tulla që është shtruar në majë të atij muri. Një djalë apo një vajzë mund të fillojë të mendojë se ai apo ajo mund të mos jetë tërheqëse apo e dëshirueshme. Një vajzë e re në Itali me emrin Rozana, thotë: «Shpeshherë ndihem e vetmuar dhe e pavlerë. Duket se nuk kam shanse për t’u martuar.» Edhe djemtë e rinj mund të kenë ndjenja të ngjashme. Eraldi, për shembull, filloi të mendojë se të gjithë miqtë e tij u bënë më interesantë dhe më të mprehtë, pasi u martuan. Ai filloi të pyeste veten nëse martesa mund të bënte të njëjtën gjë edhe për të.
A të ndodh të kesh mendime të tilla? Nëse je beqar, a e pyet ndonjëherë veten nëse ke diçka që nuk shkon apo nëse je i dënuar përgjithmonë ta shkosh jetën beqar?
Martesa: fantazi dhe realitet
Para së gjithash, le të shohim mendimin e përhapur se martesa i hap automatikisht dyert lumturisë. Është e vërtetë se martesa mund dhe shpesh i kontribuon lumturisë së një personi. Megjithatë, thjesht të qenët i martuar nuk e bën personin të lumtur. Edhe martesat më të mira, sjellin një masë ‘shtrëngimi në mish’. (1. Korintasve 7:28) Lumturia martesore vjen vetëm me vetëflijim të vazhdueshëm dhe përpjekje të mëdha. Interesant është fakti se njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, Jezu Krishti, ishte beqar. A mund të thoshte ndokush se ai nuk ishte i lumtur? Sigurisht që jo! Gëzimi i tij vinte nga kryerja e vullnetit të Jehovait.—Gjoni 4:34.
Një tjetër pohim i rremë është se martesa është një kurë e garantuar kundër vetmisë. Nuk është! Një burrë i krishterë i martuar, ankohej: «Ime shoqe nuk është hapur kurrë me mua dhe as ka bërë ndonjëherë biseda domethënëse me mua, kurrë!» Disa gra të krishtere, ngjashëm ankohen se burrat e tyre nuk komunikojnë me to apo se duken më të interesuar për punën dhe për miqtë sesa për to. Me keqardhje themi se të qenët i martuar, por i vetmuar është një gjë shumë e zakonshme.
Më pas, vijnë ata që e shohin martesën si një mjet për t’u shpëtuar problemeve familjare. Një grua e re e martuar thotë: «Mendoj se prindërit duhej të më kishin dhënë mundësinë për t’u rritur. Kurse ata nuk më lejonin të kisha një të dashur ose të dilja me shokët . . . Sikur prindërit të më kishin dhënë një mundësi, mendoj se nuk do të isha martuar që 16 vjeçe. Por doja t’u tregoja atyre se isha e rritur.»
Ndoshta mendon se jeta në shtëpi është shumë kufizuese. Por martesa sjell përgjegjësi që mund ta kufizojnë në një masë më të madhe lirinë personale të një personi. Mendo se çfarë duhet për të punuar që të jetosh, për të paguar qiranë, dritat dhe ujin, për të riparuar shtëpinë dhe makinën, për të gatuar, për të pastruar, për të larë teshat dhe ndoshta edhe për të rritur fëmijë. (Proverbat 31:10-31; Efesianëve 6:4; 1. Timoteut 5:8) Shumë të rinj, kur ndeshen me këto përgjegjësi më të mëdha, pësojnë tronditje.
Disa mendojnë, gjithashtu, se martesa është çelësi për të fituar popullaritet. Megjithatë, nuk ka asnjë garanci se të tjerët digjen për të pasur shoqëri me ty apo me bashkëshortin tënd, thjesht sepse ju jeni të martuar. Do t’u hysh në zemër të tjerëve, nëse je i sjellshëm, bujar dhe vetëmohues, sido që të jesh: i martuar apo beqar. (Proverbat 11:25) Edhe nëse për një çift është pak më e lehtë të përshtatet me miq të martuar, një burrë dhe një grua duhet të mbajnë në mendje se ata janë «një mish i vetëm». (Zanafilla 2:24) Shqetësimi i tyre kryesor duhet të jetë se si të shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe jo me miqtë.
A je gati për t’u martuar?
Natyrisht, edhe nëse këto pika të duken të arsyeshme, ndoshta përsëri ndonjëherë ndihesh i shkurajuar. Një proverb i lashtë thotë: «Pritja e zgjatur e ligështon zemrën.» (Proverbat 13:12) Për shembull, një djalë me emrin Denis, u gjend pranë dëshpërimit, për shkak se ishte beqar. Filloi të mendonte se ishte gati të martohej me këdo. Po ashtu, një vajzë me emrin Gerta shkurajohej çdo herë që mësonte se po çelte një dashuri. Pyeste veten kur do t’i vinte radha asaj.
Para se ta lejosh veten të biesh në trishtim, pyet: «A jam vërtet gati për t’u martuar?» Le ta themi hapur, nëse je adoleshent, përgjigjja mund të jetë një jo empatike. Në Shtetet e Bashkuara, shumica e martesave mes adoleshentëve dështojnë brenda pesë vjetëve.b Pa dyshim, disa të rinj për moshën që kanë mund të jenë jashtëzakonisht të pjekur dhe mund të kenë sukses në martesë. Por, kjo nuk do të thotë medoemos se edhe ti duhet të martohesh. A ke shqyrtuar me ndershmëri nëse je i përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësitë e martesës?
Një vetëshqyrtim i ndershëm mund të zbulojë shumë gjëra. Për shembull, sa i pjekur dhe i përgjegjshëm je? A je në gjendje ta kursesh paranë apo e bën rrush e kumbulla sapo të bie në dorë? A i paguan në kohë qiranë, dritat dhe ujin? A je në gjendje të vazhdosh në punë ose të mbash shtëpinë? A shkon mirë me të tjerët, si me kolegët e punës dhe prindërit apo grindesh vazhdimisht me ta? Nëse është kështu, ndoshta kupton se të shkosh mirë me një bashkëshort do të jetë shumë e vështirë.
Nëse je akoma adoleshent, mund të zbulosh lehtë se ke nevojë për disa vite përvojë më shumë për të arritur pjekurinë dhe qëndrueshmërinë që nevojitet për të qenë një burrë apo grua e mirë. Kur ta kesh kuptuar këtë fakt, do ta kesh më të lehtë të ndreqësh pretendimet e tua dhe ta shohësh martesën si një mundësi të ardhshme. Kjo mund të të ndihmojë të jesh më «i qëndrueshëm në zemër» në lidhje me beqarinë, të paktën për tani.—1. Korintasve 7:37.
Përgatitja e duhur
Po në qoftë se mendon se e ke kaluar «lulen e rinisë» dhe je i mendimit se je gati për t’u martuar? Mund të jetë shkurajuese nëse bashkëshortët e mundshëm janë të paktë ose nëse të refuzojnë sa herë që shpreh interes për dikë. Mirëpo, a do të thotë medoemos kjo se je i padëshirueshëm? Jo, aspak. Mbreti Solomon nuk arriti në asnjë mënyrë t’ia fitonte zemrën një vajze të re me të cilën kishte rënë në dashuri, megjithëse ishte një nga njerëzit më të pasur e më të mençur që kanë jetuar ndonjëherë. Ku qëndronte problemi? Thjesht, zemra e vajzës nuk kishte ndjenja romantike për të. (Kënga e Solomonit 2:7) Ngjashëm, ndoshta edhe ti nuk e ke takuar akoma atë me të cilin përputhesh me të vërtetë.
A mendon se nuk mund t’i pëlqesh askujt, sepse je shumë i shëmtuar apo e shëmtuar? Është e vërtetë se bukuria ka përparësitë e veta, por nuk është gjithçka. Kur mendon për çiftet e martuara që njeh, a nuk është e vërtetë se mes tyre ka njerëz të gjatë e të shkurtër, të shëndoshë e të dobët, shumë të bukur dhe më pak të bukur? Përveç kësaj, dikush që ka me të vërtetë frikë Perëndie, përqendrohet së pari se si je në ‘njeriun e fshehur të zemrës’.—1. Pjetrit 3:4.
Sigurisht, nuk duhet ta lësh në asnjë mënyrë pas dore pamjen tënde fizike. Është më se e arsyeshme të përpiqesh të dukesh sa më mirë. Veshja dhe pamja e jashtme e çrregullt mund t’u japë të tjerëve një përshtypje të keqe për ty.c Gjithashtu nëse nuk di të hysh në bisedë ose nëse ke ndonjë të metë në karakter, të tjerët mund të shtyhen të mos të të pëlqejnë para se të të njohin. Një mik i pjekur apo një prind mund të të thotë nëse nevojitet ndonjë ndryshim në këto gjëra. E vërteta mund të jetë e dhimbshme, por nëse e pranon, ndoshta mund të bësh ndryshimet e duhura dhe kështu të jesh më tërheqës për të tjerët.—Proverbat 27:6.
Megjithatë, në fund të fundit vlera jote si person nuk përcaktohet nga fakti nëse je apo jo i martuar. Ajo që vlen me të vërtetë është se si të konsideron Perëndia dhe është ai që «shikon zemrën». (1. Samuelit 16:7) Prandaj, shqetësimi yt kryesor duhet të jetë fitimi i aprovimit të Jehovait dhe jo martesa. Përpiqu të mos e lësh këtë të fundit të sundojë mendimet dhe bisedat e tua! Zgjidh me kujdes shoqërinë, muzikën dhe zbavitjen!
Është e vërtetë se dëshira për t’u martuar nuk do të zhduket, megjithatë mos krijo panik! Ki durim! (Eklisiastiu 7:8) Mos e shiko beqarinë si një dënim, por përfito sa më shumë nga liria që ajo ofron dhe nga mundësitë që paraqet për t’i shërbyer Perëndisë pa shpërqendrim! (1. Korintasve 7:33-35, 38) Martesa mund të vijë në kohën e duhur, ndoshta edhe më shpejt nga sa mendon.
[Shënimet]
a Disa nga emrat janë ndryshuar.
b Shiko artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Jemi martuar shumë shpejt: A mund t’ia dalim mbanë?» në botimin anglisht të 22 prillit 1995.
c Për sugjerime më specifike në lidhje me këto gjëra, shiko kapitujt 10 dhe 11 të librit Të rinjtë pyesin—Përgjigje praktike, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Figura në faqen 26]
Është e lehtë të ndihesh i lënë mënjanë kur bashkëmoshatarët martohen