Pikëpamja e Biblës
A janë normat e Perëndisë tepër të vështira?
«PERËNDIA NUK I MAT NJERËZIT ME CENTIMETËR.»—PROVERB I VJETËR SKOCEZ.
PROVIMET në shkollë, kërkesat për punë dhe analizat mjekësore janë momente kthese në jetën e një personi, në të cilat ai matet. Por, kur bëhet fjalë për jetën e përditshme sipas normave të Perëndisë, shumë njerëz mendojnë se për një arsye apo një tjetër, nuk i arrijnë dot. A jeni edhe ju të këtij mendimi? A mund t’i arrini normat e Perëndisë?
Për t’u përgjigjur, le të shohim së pari normat që Perëndia ka vënë për adhuruesit e tij. Bibla hedh dritë mbi rrugën që duhet të ndjekim në jetë. (Psalmi 119:105) Mbreti i mençur Solomon, shkrimtar i Biblës, doli në përfundimin se «i gjithë detyrimi i njeriut» është «t’i frikësohet Perëndisë së vërtetë dhe të mbajë urdhërimet e tij». (Eklisiastiu 12:13, BR) Profeti Mikea vërejti: «Çfarë kërkon prej teje Jehovai, përveçse të ushtrosh të drejtën e të duash mirësinë e të jesh modest në ecjen me Perëndinë tënd?»—Mikea 6:8, BR.
Jezu Krishti, vetë biri i Perëndisë, shpalli se asnjë urdhër nuk është më i madh se ‘të duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde’ dhe ‘të duash të afërmin tënd porsi vetveten’. (Marku 12:30, 31) Përveç kësaj, ne tregojmë se e duam Perëndinë, duke iu bindur të gjithë urdhrave të tij.—1. Gjonit 5:3.
Me fjalë të thjeshta, njerëzit duhet ta duan e ta respektojnë Perëndinë, t’u binden urdhrave të tij, të veprojnë drejt, të jenë të mirë me të gjithë dhe të shmangin krenarinë. A janë të paarritshme për ne këto norma?
Perëndia bën lëshime
Me të drejtë Perëndia pret nga njerëzit që të arrijnë normat e tij. Por, me gjithë ndershmërinë, a i përshtaten të gjithë njerëzit në mënyrë të përsosur këtyre normave në çdo moment? Sigurisht që jo, sepse ne kemi trashëguar papërsosmërinë nga prindi ynë i parë, Adami. (Romakëve 5:12) Prandaj, jemi të prirë për të gabuar. Megjithatë, kjo nuk na pengon t’i shërbejmë Perëndisë në mënyrën që ai pranon.
Për të bërë një shembull, le të shohim problemet që hasim kur mësojmë të ngasim një automjet. Që ta ngasësh mjaft mirë sa për të kaluar provat, duhet kujdes i vazhdueshëm dhe kohë. Pa dyshim, nëse duam të jemi shoferë të mirë, duhet të punojmë akoma edhe pasi të kemi marrë patentën. Sa më shumë që të fitojmë përvojë, aq më të aftë do të jemi. Megjithatë, shoferë të përsosur nuk ka.
Lumturisht, Perëndia bën lëshime për gabimet tona. Ai nuk është i paarsyeshëm që të kërkojë nga ne atë që s’e bëjmë dot dhe as nuk vazhdon të kërkojë fajin. Ai i kupton thyeshmërinë dhe dobësitë tona. Mbreti David, i cili mëkatoi rëndë, pranoi: «Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.» Për ç’arsye? «Sepse sa të lartë janë qiejt mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij [Perëndisë].» Edhe pse Jehovai e di që ne mëkatojmë, ai është i përgatitur t’i vërë shkeljet tona «sa larg është lindja nga perëndimi».—Psalmi 103:10-14.
Mos u dorëzoni!
«Kur ndihem i dëshpëruar,—shpjegon një adhurues i sinqertë i Perëndisë,—nganjëherë mendoj se kurrë nuk do të arrij të jetoj sipas normave të Perëndisë. Ndërsa kur zhvilloj një pikëpamje më pozitive, mendoj se mund të arrij të jetoj sipas mënyrës që do Perëndia. Por, nuk është fushë me lule.» Mos u shkurajoni nëse ndiheni kështu! Nuk jeni as të parët, as të fundit që shfaqni ndjenja të tilla.
Apostulli i krishterë Pavli, pranoi me çiltërsi: «Duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjindet në mua. Në fakt, unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mi, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe më bën skllav të ligjit të mëkatit . . . Oh, njeri i mjerë që jam!» Por ama, ai nuk përfundoi se ajo që kërkonte Perëndia, ishte tepër e vështirë, sepse shtoi: «Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes? I falemnderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen i shërbej ligjit të Perëndisë, por me mishin ligjit të mëkatit.» (Romakëve 7:21-25) Kështu, Pavli ndihej në gjendje se mund t’i pëlqente Perëndisë, edhe pse ishte mëkatar.
Jehovai, Krijuesi ynë i dashur, na i fal shkeljet dhe gabimet tona përmes meritës së sakrificës shpërblerëse të Birit të tij të shtrenjtë, Jezuit. «Nëse ndokush mëkaton,—shkroi apostulli Gjon,—kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin. Ai është shlyesi për mëkatet tona.» (1. Gjonit 2:1, 2) Pengesa që ndërfut mëkati dhe që na pengon për të arritur normat e Perëndisë për të pasur miqësinë e tij, hiqet dhe thyhet nga fuqia e sakrificës së Krishtit. Në këtë mënyrë, rivendoset miqësia me Perëndinë.
Pranimi me përulësi i kësaj përgatitjeje të dashur sjell faljen, sepse Perëndia banon «me atë që është i penduar dhe i përulur nga fryma». (Isaia 57:15) Mund të mbështetemi tek Ai për të ngjallur përsëri frymën tonë. Ai premton ‘të ngrejë të mjerin nga pluhuri’. Nuk kemi më arsye të mbetemi të dëshpëruar, kur nuk arrijmë t’i bindemi Perëndisë në mënyrë të përsosur. Përkundrazi, mund të jemi të bindur se Perëndia nuk i shpërfill kurrë përpjekjet që bëjmë për të jetuar sipas normave të tij.—Psalmi 113:7; Hebrenjve 6:10-12.
Edhe pse është një betejë, do të vëreni se kur bëni atë që i pëlqen Perëndisë, do të jeni më të lumtur. Devotshmëria ndaj Perëndisë e bën jetën më të durueshme për ju dhe për ata që ju rrethojnë. Mendoni, gjithashtu, edhe për të ardhmen. Përpjekja për të jetuar tani sipas normave të Perëndisë, sjell perspektivën e jetës së përhershme nën kushte parajsore.—Isaia 48:17; Romakëve 6:23; 1. Timoteut 4:8.
Alpinistët ekspertë e kuptojnë se pasi kanë arritur majën, u mbetet vetëm gjysma e rrugës. Akoma u mbetet të zbresin shëndoshë e mirë. Ngjashëm, ata që i frikësohen Perëndisë duhet t’i arrijnë normat e tij dhe më pas të këmbëngulin që të jetojnë sipas tyre.—Luka 21:19; Jakovit 1:4.
Ngushëllohuni nga njohuria se normat e Perëndisë nuk janë tepër të vështira! Kur ndonjëherë nuk arrini t’i respektoni në mënyrë të përsosur, kërkoni faljen e tij! Shpresoni në mbështetjen e tij të dashur! (Psalmi 86:5) Prandaj, me ndihmën e Jehovait dhe Birit të tij, mund të jeni në lartësinë e normave të Perëndisë dhe të fitoni miratimin e tij.—Proverbat 12:2.