Studime mbi Shkrimet e frymëzuara dhe informacione në lidhje me to
Studimi numër 1—Një vizitë në Tokën e Premtuar
Rajonet e vendit, veçoritë fizike, malet e luginat, lumenjtë e liqenet, klima, toka dhe shumëllojshmëria e bimëve.
1. (a) Pse është më se i përshtatshëm emri «Toka e Premtuar»? (b) Çfarë të ardhme të lavdishme mund të mbajmë ndër mend, teksa shqyrtojmë gjeografinë e vendit?
KUFIJTË e Tokës së Premtuar në lashtësi i caktoi Perëndia Jehova. (Dal. 23:31; Num. 34:1-12; Jos. 1:4) Për shumë shekuj kjo zonë u quajt nga disa Palestinë, emër që vjen nga fjala latine Palaestina dhe nga fjala greke Palaistíne. Kjo fjalë e fundit rrjedh nga termi hebraik Pelésheth. Në Shkrimet Hebraike fjala Pelésheth është përkthyer «Filistia» dhe i referohet vetëm territorit të filistinëve, të cilët ishin armiq të popullit të Perëndisë. (Dal. 15:14) Por, meqë Jehovai ia premtoi këtë vend Abrahamit besnik dhe pasardhësve të tij, emri «Toka e Premtuar» ose ‘toka e premtimit’ është më se i përshtatshëm. (Zan. 15:18; Ligj. 9:27, 28; Hebr. 11:9) Ky vend dallohet për gjeografinë e tij të larmishme dhe në këtë zonë të vogël përfshihen shumë veçori dhe ekstreme të cilat gjenden kudo në tokë. Nëse Jehovai mundi t’u jepte si trashëgimi dëshmitarëve të tij të lashtësisë një tokë të tillë të premtimit me tërë shumëllojshmërinë e saj të bukur, atëherë patjetër ai mund t’u japë adhuruesve të tij të kushtuar një parajsë të lavdishme në botën e re, e cila do t’u sjellë kënaqësi atyre dhe do të shtrihet në mbarë tokën, me male, lugina, lumenj dhe liqene. Le t’u kushtojmë vëmendje të madhe veçorive gjeografike të Tokës së Premtuar, teksa e vizitojmë në një udhëtim imagjinar.a
SHTRIRJA E VENDIT
2. Në cilën pjesë të Tokës së Premtuar u vendosën judenjtë dhe po ashtu në cilin territor tjetër?
2 Sipas kufijve që përcaktoi Perëndia, siç thuhet te Numrat 34:1-12, toka që iu premtua Izraelit duhej të ishte një rrip i ngushtë territori. Duhej të ishte rreth 480 kilometra nga veriu në jug dhe rreth 56 kilometra e gjerë. Vetëm me sundimin e mbretërve David dhe Solomon e tërë zona e premtuar u pushtua ushtarakisht, dhe popujt e shumtë që u nënshtruan u vunë nën kontroll. Megjithatë, pjesa ku u vendosën në të vërtetë judenjtë përshkruhet në përgjithësi si zona që shtrihej nga Dani deri në Beer-Shebë, dhe kjo ishte një largësi prej 240 kilometrash nga veriu në jug. (1 Mbret. 4:25) Gjerësia nga mali i Karmelit e deri në detin e Galilesë është rreth 51 kilometra dhe në jug, ku vija bregdetare e Mesdheut lakohet gradualisht në jugperëndim, gjerësia është mbi 80 kilometra nga Gaza deri në Detin e Vdekur. Kjo zonë e banuar, në perëndim të lumit Jordan, kishte një sipërfaqe prej vetëm 15.000 kilometrash katrorë. Sidoqoftë, izraelitët banonin edhe në lindje të Jordanit (zonë që nuk përfshihej në kufijtë fillestarë të premtuar), dhe kështu krejt territori i banuar ishte më pak se 26.000 kilometra katrorë.
RAJONET NATYRORE
3. Duke përdorur hartën «Rajonet natyrore të Tokës së Premtuar», si edhe paragrafin përkatës, trego shkurtimisht zonat që përfshihen në ndarjet natyrore vijuese të vendit: (a) rrafshinat në perëndim të Jordanit, (b) rajonet malore në perëndim të Jordanit dhe (c) malet dhe rrafshnaltat në lindje të Jordanit.
3 Vizita jonë në Tokën e Premtuar do të na çojë përmes ndarjeve natyrore vijuese të vendit. Skema e mëposhtme përbën legjendën e hartës vijuese në të cilën tregohen kufijtë e përafërt të zonës që po trajtojmë.
Rajonet gjeografike
A. Bregu i Detit të Madh.—Jos. 15:12.
B. Rrafshinat në perëndim të Jordanit
1. Rrafshina e Asherit.—Gjyk. 5:17.
2. Rripi bregdetar i Dorit.—Jos. 12:23.
3. Rrafshina bregdetare e Sharonit.—1 Kron. 27:29; Këng. 2:1.
4. Rrafshina e Filistisë.—Zan. 21:32; Dal. 13:17.
5. Pjesa qendrore e luginës Lindje-Perëndim
a. Lugina e Megidos (Esdraeloni).—2 Kron. 35:22.
b. Ultësira e Jezreelit.—Gjyk. 6:33.
C. Rajonet malore në perëndim të Jordanit
1. Kodrat e Galilesë.—Jos. 20:7; Isa. 9:1.
2. Kodrat e Karmelit.—1 Mbret. 18:19, 20, 42.
3. Kodrat e Samarisë.—Jer. 31:5; Amo. 3:9.
4. Shefelahu.—Jos. 11:2; Gjyk. 1:9.
5. Zona kodrinore e Judës.—Jos. 11:21.
6. Shkretëtira e Judës (Jeshimoni).—Gjyk. 1:16; 1 Sam. 23:19.
7. Negebi.—Zan. 12:9; Num. 21:1.
8. Shkretëtira e Paranit.—Zan. 21:21; Num. 13:1-3.
Ç. Arabahu i madh (Lugina e Riftit).—2 Sam. 2:29; Jer. 52:7.
1. Baseni Hula
2. Rajoni përreth Detit të Galilesë.—Mat. 14:34; Gjoni 6:1.
3. Krahina e luginës së Jordanit (Gori)—1 Mbret. 7:46; 2 Kron. 4:17; Luka 3:3.
4. Deti i Kripur (Deti i Vdekur, Deti i Arabahut).—Num. 34:3; Ligj. 4:49; Jos. 3:16.
5. Arabahu (jugu i Detit të Kripur).—Ligj. 2:8.
D. Malet dhe rrafshnaltat në lindje të Jordanit.—Jos. 13:9, 16, 17, 21; 20:8.
1. Vendi i Bashanit.—1 Kron. 5:11; Psal. 68:15.
2. Vendi i Galaadit.—Jos. 22:9.
3. Vendi i Amonit dhe i Moabit.—Jos. 13:25; 1 Kron. 19:2; Ligj. 1:5.
4. Pllaja malore e Edomit.—Num. 21:4; Gjyk. 11:18.
DH. Malet e Libanit.—Jos. 13:5.
A. BREGU I DETIT TË MADH
4. Cilat janë veçoritë e bregdetit dhe cila është klima e tij?
4 Duke e filluar vizitën tonë nga perëndimi, shohim së pari bregun që shtrihet përgjatë Mesdheut të bukur ngjyrë blu. Për shkak të shtrirjeve të mëdha me duna rëre, i vetmi port natyror i mirë poshtë malit të Karmelit është në Jopë, por në veri të Karmelit ka disa porte të mira natyrore. Fenikasit, që jetonin në vend përgjatë kësaj pjese të bregut, u bënë detarë të famshëm. Temperatura mesatare vjetore përgjatë bregut me diell është e këndshme, 19o C, por vera është shumë e nxehtë dhe gjatë ditës temperatura mesatare në Gazë është rreth 34o.
B-1 RRAFSHINA E ASHERIT
5, 6. Përshkruaj shkurtimisht (a) rrafshinën e Asherit, (b) rripin bregdetar të Dorit.
5 Kjo rrafshinë bregdetare shtrihet në veri të malit të Karmelit për rreth 40 kilometra. Gjerësia e saj më e madhe është rreth 13 kilometra dhe bën pjesë në vendin që iu caktua fisit të Asherit. (Jos. 19:24-30) Ajo ishte një rrip pjellor i rrafshët dhe jepte prodhime të mira. Prej saj sigurohej ushqimi për tryezën mbretërore të Solomonit.—Zan. 49:20; 1 Mbret. 4:7, 16.
B-2 RRIPI BREGDETAR I DORIT
6 Ky rrip toke kufizohet me vargmalin e Karmelit për rreth 32 kilometra. Është i gjerë vetëm 4 kilometra. Faktikisht është një rrip bregdetar toke që gjendet midis Karmelit dhe Mesdheut. Në pjesën jugore të tij gjendet qyteti-port i Dorit dhe në jug të këtij nisin dunat e rërës. Kodrat që ndodhen prapa Dorit prodhonin ushqim të zgjedhur për gostitë e Solomonit. Një nga bijat e Solomonit u martua me nëpunësin që ishte nga kjo krahinë.—1 Mbret. 4:7, 11.
B-3 RRAFSHINA BREGDETARE E SHARONIT
7. (a) Për çfarë përmendet Sharoni në një profeci dhe pse? (b) Çfarë bëhej në këtë rajon në kohët e hebrenjve të lashtë?
7 Për shkak të bukurisë së famshme të luleve është e përshtatshme që Sharoni të përmendet në vegimin profetik të Isaisë në lidhje me vendin e ripërtërirë të Izraelit. (Isa. 35:2) Ky është një vend pjellor i ujitur mirë. Është një rrafshinë me gjerësi nga 16 deri në 19 kilometra, e cila shtrihet për rreth 64 kilometra në jug të rripit bregdetar të Dorit. Në kohët e hebrenjve të lashtë në pjesën veriore të Sharonit kishte pyje lisi. Atje kullotnin shumë kope pasi ishte korrur gruri. Në kohën e mbretit David tufat mbretërore të kafshëve mbaheshin në Sharon. (1 Kron. 27:29) Sot në këtë zonë gjenden pemishte të mëdha me agrume.
B-4 RRAFSHINA E FILISTISË
8. Ku ndodhet rrafshina e Filistisë dhe cilat janë veçoritë e saj?
8 Kjo pjesë e vendit ndodhet në jug të Sharonit dhe shtrihet rreth 80 kilometra përgjatë bregut dhe rreth 24 kilometra në brendësi. (1 Mbret. 4:21) Dunat e rërës përgjatë vijës bregdetare depërtojnë në brendësi të vendit, madje disa herë deri në 6 kilometra. Kjo është një rrafshinë e valëzuar, e ngjashme me një stepë, e cila ngjitet nga 30 metra deri në 200 metra prapa Gazës në jug. Dheu i saj është i pasur, por nuk bie shi me bollëk, prandaj ekziston gjithnjë rreziku i thatësirave.
B-5 PJESA QENDRORE E LUGINËS LINDJE-PERËNDIM
9. (a) Cilat janë dy pjesët që përbëjnë pjesën qendrore të luginës Lindje-Perëndim dhe cila ishte dobia praktike e kësaj lugine? (b) Duke përdorur diagramet «Prerje tërthore të Tokës së Premtuar», përshkruaj topografinë e përgjithshme të kësaj zone.
9 Pjesa qendrore e luginës Lindje-Perëndim në të vërtetë përbëhet nga dy pjesë: lugina e Megidos ose Esdraeloni në perëndim dhe ultësira e Jezreelit në lindje. (2 Kron. 35:22; Gjyk. 6:33) E tërë kjo luginë qendrore bënte të mundur një udhëtim të lehtë përmes vendit nga Lugina e Riftit e Jordanit deri në bregun mesdhetar, dhe u bë një rrugë e rëndësishme tregtare. Lugina e Megidos i kullon ujërat në përroin e Kishonit, i cili rrjedh përmes një hapësire të ngushtë midis malit të Karmelit dhe kodrave të Galilesë, kalon në rrafshinën e Asherit dhe më pas derdhet në Mesdhe. Kjo rrjedhë uji e vogël pothuajse thahet gjatë muajve të verës, por në muajt e tjerë fryhet dhe bëhet një përrua.—Gjyk. 5:21.
10. (a) Përshkruaj ultësirën e Jezreelit. (b) Me cilat ngjarje biblike ka lidhje kjo zonë?
10 Ultësira e Jezreelit i kullon ujërat në juglindje, në Jordan. Kjo luginë e ngushtë, ultësira e Jezreelit, është e gjerë rreth 3,2 kilometra dhe shtrihet për pothuajse 19 kilometra. Në fillim lartësia e saj është mbi 90 metra, por më pas zbret dalëngadalë deri në 120 metra nën nivelin e detit pranë Beth-Sheanit. E tërë pjesa qendrore e luginës Lindje-Perëndim është shumë pjellore dhe pjesa e Jezreelit është një nga pjesët më prodhimtare të krejt vendit. Fjala Jezreel do të thotë «Perëndia do të mbjellë farë». (Hoz. 2:22) Në Shkrime thuhet se kjo krahinë është e pëlqyeshme dhe e bukur. (Zan. 49:15) Edhe Megidoja, edhe Jezreeli ishin zona strategjike në betejat që bëri Izraeli kundër kombeve përreth dhe pikërisht këtu luftuan Baraku, Gideoni, mbreti Saul dhe Jehu.—Gjyk. 5:19-21; 7:12; 1 Sam. 29:1; 31:1, 7; 2 Mbret. 9:27.
C-1 KODRAT E GALILESË
11, 12. (a) Ç’rol pati Galilea në shërbimin e Jezuit dhe cilët ishin nga kjo krahinë? (b) Bëj dallimin midis Galilesë së Poshtme dhe Galilesë së Sipërme.
11 Në pjesën jugore të kodrave të Galilesë (dhe përreth detit të Galilesë) Jezui kreu pjesën më të madhe të veprës së tij për të dëshmuar për emrin e Jehovait dhe për Mbretërinë. (Mat. 4:15-17; Mar. 3:7) Pjesa më e madhe e ithtarëve të Jezuit, përfshirë 11 apostujt besnikë, ishin nga Galilea. (Vep. 2:7) Në këtë krahinë, të quajtur disa herë Galilea e Poshtme, vendi është vërtet i këndshëm dhe kodrat nuk janë më të larta se 600 metra. Nga vjeshta në pranverë nuk mungojnë reshjet në këtë vend të bukur, prandaj ai nuk është rajon i shkretë. Në pranverë çdo faqe kodre vishet me lule dhe fundi i luginave është plot me grurë. Në rrafshinat e vogla toka është pjellore, ndërsa kodrat janë më se të përshtatshme për rritjen e ullinjve dhe të vreshtave. Qytetet e famshme biblike në këtë zonë janë Nazareti, Kana dhe Naini. (Mat. 2:22, 23; Gjoni 2:1; Luka 7:11) Jezui mori shumë informacione nga kjo zonë për të bërë ilustrime.—Mat. 6:25-32; 9:37, 38.
12 Në pjesën veriore ose në Galilenë e Sipërme kodrat ngrihen deri në 1.100 metra, duke u bërë në fakt këmbët e maleve të Libanit. Galilea e Sipërme është e izoluar dhe e rreh era, si dhe bien shira të dendura. Në kohët biblike shpatet perëndimore ishin të mbuluara me pyje të dendura. Ky rajon iu caktua fisit të Neftalit.—Jos. 20:7.
C-2 KODRAT E KARMELIT
13. (a) Çfarë është faktikisht Karmeli? (b) Përse përmendet në Bibël?
13 Kreshta e malit të Karmelit ngrihet madhërishëm mbi detin Mesdhe. Faktikisht Karmeli është një varg kodrinor rreth 48 kilometra i gjatë me një lartësi deri në 545 metra mbi nivelin e detit. Ai shtrihet nga kodrat e Samarisë deri në Mesdhe dhe kepi i tij, i cili formon kreshtën kryesore në skajin veriperëndimor, ka një pamje dhe bukuri të paharrueshme. (Këng. 7:5) Emri Karmel do të thotë «pemishte» dhe i përshtatet vërtet këtij kepi pjellor të veshur me vreshta, pemë frutore dhe ullinj, që janë me famë. Në Isainë 35:2 ai përdoret si simbol i lavdisë së frytshme të vendit të ripërtërirë të Izraelit: «[Ai] do të ketë . . . shkëlqimin e Karmelit.» Në këtë vend Elija sfidoi priftërinjtë e Baalit dhe ‘ra zjarri i Jehovait’ për të provuar se Ai është Më i Larti, e pikërisht nga maja e Karmelit, Elija tërhoqi vëmendjen te një re e vogël që u bë një rrebesh i madh, duke i dhënë kështu fund thatësirës në Izrael, me anë të një mrekullie.—1 Mbret. 18:17-46.
C-3 KODRAT E SAMARISË
14. Cilat fise u vendosën në kodrat e Samarisë dhe për cilat produkte bujqësore është e përshtatshme kjo zonë?
14 Pjesa jugore e këtij rajoni është zona më kodrinore dhe ngrihet mbi lartësinë 900 metra në lindje. (1 Sam. 1:1) Në këtë rajon reshjet janë më të shumta dhe më të sigurta se në Judë, në jug. Në të u vendosën pasardhësit e Efraimit, birit të vogël të Jozefit. Pjesa veriore e këtij rajoni, e cila iu caktua gjysmës së fisit të Manaseut, birit të madh të Jozefit, përfshin funde luginash dhe rrafshina të vogla të rrethuara nga kodrat. Toka kodrinore nuk është dhe aq pjellore, por ka vreshta dhe ullishte falë tarracave të mëdha në faqet më të ulëta kodrinore. (Jer. 31:5) Megjithatë fundet më të mëdha të luginave janë të shkëlqyera për rritjen e grurit dhe për bujqësinë në përgjithësi. Në kohët biblike në këtë rajon kishte shumë qytete të shpërndara. Gjatë kohës së mbretërisë veriore, nga pjesa e Manaseut ishin tri kryeqytetet vijuese—Sikemi, Tirzahu dhe Samaria—dhe i tërë rajoni u quajt Samaria, si kryeqyteti.—1 Mbret. 12:25; 15:33; 16:24.
15. (a) Si u përmbush në rajonin e Samarisë bekimi i Moisiut për Jozefin? (b) Si u bekua më tej ky vend në kohën e Jezuit?
15 Bekimi i Moisiut për Jozefin u përmbush vërtet mbi këtë vend. «Për Jozefin tha: ‘Vendi i tij qoftë përherë i bekuar nga Jehovai me gjërat e zgjedhura të qiellit, me vesë, . . . me frytet e zgjedhura që sjell dielli, me prodhimin e zgjedhur të muajve hënorë, me frytet më të zgjedhura të maleve të lindjes, me gjërat e zgjedhura të kodrave të përjetshme’.» (Ligj. 33:13-15) Po, ky ishte një vend i këndshëm. Malet e tij ishin me pyje të dendura, luginat ishin pjellore dhe ai u mbush me qytete të begata e të populluara. (1 Mbret. 12:25; 2 Kron. 15:8) Në kohët e mëvonshme në vendin e Samarisë predikoi Jezui dhe dishepujt e shumë njerëz nga kjo zonë përkrahën krishterimin.—Gjoni 4:4-10; Vep. 1:8; 8:1, 14.
C-4 SHEFELAHU
16. (a) Çfarë e karakterizon Shefelahun? (b) Ç’rëndësi kishte kjo krahinë në kohët biblike?
16 Edhe pse emri Shefelah ka kuptimin «ultësirë», faktikisht kjo është një zonë kodrinore që arrin lartësinë rreth 450 metra në pjesën jugore dhe përshkohet nga lugina të shpeshta me drejtim nga lindja në perëndim. (2 Kron. 26:10) Ajo ngrihet menjëherë në lindje të rrafshinës bregdetare të Filistisë dhe duhet konsideruar ultësirë vetëm në krahasim me kodrat më të larta të Judës që ndodhen më tej në lindje. (Jos. 12:8) Në kodrat e saj, që mbuloheshin nga fiqtë e Egjiptit, tani ka vreshta dhe ullishte. (1 Mbret. 10:27) Në këtë zonë kishte shumë qytete. Në historinë biblike ajo shërbente si zonë asnjanëse midis Izraelit dhe filistinëve ose për këdo ushtri pushtuese që përpiqej të hynte në Judë nga ana e rrafshinës bregdetare.—2 Mbret. 12:17; Abd. 19.
C-5 ZONA KODRINORE E JUDËS
17. (a) Sa pjellore ishte zona kodrinore e Judës në kohët biblike dhe si është sot? (b) Për çfarë konsiderohej Juda një vend i mirë?
17 Kjo është një zonë e lartë shkëmbore rreth 80 kilometra e gjatë dhe më pak se 32 kilometra e gjerë, me vende të ngritura që arrijnë lartësinë nga 600 deri në 1.000 metra mbi nivelin e detit. Në kohët biblike zonën e mbulonin drurët dhe sidomos në anën perëndimore kodrat dhe luginat ishin plot me ara me grurë, me ullishte dhe me vreshta. Kjo ishte një krahinë që prodhonte shumë grurë, vaj dhe verë të mirë për Izraelin. Veçanërisht zona përreth Jerusalemit është shpyllëzuar shumë që në kohët biblike dhe për pasojë duket e zhveshur në krahasim me atë që ishte dikur. Gjatë dimrit disa herë bie dëborë në vendet më të larta, në qendër, siç është Betlehemi. Në kohët e lashta Juda konsiderohej një vend i mirë për qytete dhe fortesa, e në kohë të vështira njerëzit mund të iknin në këto male për t’u strehuar.—2 Kron. 27:4.
18. (a) Kur u bë Jerusalemi kryeqyteti i Izraelit dhe i Judës? (b) Cilat janë disa veçori interesante të qytetit?
18 Një rol shumë të rëndësishëm në historinë e Judës dhe të Izraelit ka pasur Jerusalemi, i quajtur edhe Sioni, sipas emrit të fortesës së tij. (Psal. 48:1, 2) Në fillim ai ishte qyteti kananit i Jebusit, i cili ndodhej në një vend të lartë mbi pikën e bashkimit të luginës së Hinomit me luginën e Kidronit. Pasi Davidi e pushtoi dhe e bëri kryeqytet, ky u shtri në veriperëndim dhe së fundi përfshiu edhe luginën e Tiropeonit. Me kalimin e kohës lugina e Hinomit u quajt Gehena. Meqë atje judenjtë bënin flijime idhujtare, vendi u shpall i papastër dhe u bë për hedhjen e plehrave dhe të kufomave të kriminelëve të poshtër. (2 Mbret. 23:10; Jer. 7:31-33) Kështu zjarri i ndezur aty u bë simbol i asgjësimit të plotë. (Mat. 10:28; Mar. 9:47, 48) Jerusalemi merrte vetëm një sasi të kufizuar uji nga pellgu i Siloamit, në perëndim të luginës së Kidronit, dhe Hezekia e mbrojti këtë pellg duke ndërtuar një mur të jashtëm që ta bënte pjesë të qytetit.—Isa. 22:11; 2 Kron. 32:2-5.
C-6 SHKRETËTIRA E JUDËS (JESHIMONI)
19. (a) Pse emri Jeshimon është i përshtatshëm? (b) Cilat ngjarje biblike ndodhën në këtë rajon?
19 Fjala Jeshimon është emri biblik për shkretëtirën e Judës. Ajo ka kuptimin «shkretëtirë». (1 Sam. 23:19) Sa emër përshkrues dhe i përshtatshëm që është ky! Shkretëtira përbëhet nga shpatet e thyera të kodrave gëlqerore e të zhveshura të Judës, që ndodhen në anën lindore dhe që zbresin më shumë se 900 metra në 24 kilometra, ndërsa i afrohen Detit të Vdekur, ku ndodhet një mur me shkëmbinj të thepisur. Në Jeshimon nuk ka qytete dhe vendi nuk është shumë i populluar. Në këtë shkretëtirë të Judës u arratis Davidi nga mbreti Saul, midis kësaj shkretëtire dhe Jordanit predikoi Gjon Pagëzori dhe në këtë rajon qëndroi vetëm Jezui kur agjëroi për 40 ditë.b—1 Sam. 23:14; Mat. 3:1; Luka 4:1.
C-7 NEGEBI
20. Përshkruaj Negebin.
20 Në jug të kodrave të Judës gjendet Negebi, ku banuan për shumë vjet patriarkët Abraham dhe Isak. (Zan. 13:1-3; 24:62) Bibla e quan gjithashtu pjesën jugore të kësaj zone ‘shkretëtira e Zinit’. (Jos. 15:1) Negebi gjysmë i shkretë shtrihet nga krahina e Beer-Shebës në veri deri në Kadesh-Barnea në jug. (Zan. 21:31; Num. 13:1-3, 26; 32:8) Nga kodrat e Judës terreni zbret duke formuar një sërë kreshtash me drejtim nga lindja në perëndim të cilat formojnë një pengesë natyrore që e vështirëson lëvizjen ose mësymjen nga jugu. Më tej, nga kodrat në lindje të Negebit terreni zbret dhe bëhet një rrafshinë e shkretë në perëndim, përgjatë bregut të detit. Gjatë verës vendi është i zhveshur si shkretëtirë, përveçse pranë disa luginave të përrenjve. Megjithatë, mund të gjendet ujë duke hapur puse. (Zan. 21:30, 31) Shteti i sotëm i Izraelit po i ujit dhe po i zhvillon disa vise të Negebit. «Lumi i Egjiptit» shënonte kufirin jugperëndimor të Negebit e ishte edhe pjesë e kufirit jugor të Tokës së Premtuar.—Zan. 15:18.
C-8 SHKRETËTIRA E PARANIT
21. Ku ndodhet Parani dhe ç’rol pati në historinë biblike?
21 Në jug të Negebit ndodhet shkretëtira e Paranit, e cila shkrihet me shkretëtirën e Zinit. Kur u larguan nga Sinai, izraelitët kaluan përmes kësaj shkretëtire gjatë udhës për në Tokën e Premtuar dhe nga Parani Moisiu dërgoi 12 vëzhguesit.—Num. 12:16–13:3.
Ç. ARABAHU I MADH (LUGINA E RIFTIT)
22. Duke përdorur hartën në faqen 272 dhe diagramet në faqen 273, si edhe këtë paragraf, përshkruaj shkurtimisht veçoritë kryesore të Arabahut (Luginës së Riftit) dhe lidhjet e tyre me territorin rrethues.
22 Një nga formacionet më të pazakonta gjeologjike të tokës është Lugina e madhe e Riftit. Në Bibël pjesa që e përshkon Tokën e Premtuar nga veriu në jug quhet «Arabah». (Jos. 18:18) Te 2 Samuelit 2:29 kjo çarje e kores së tokës përshkruhet si një grykë. Në veri të saj është mali i Hermonit. (Jos. 12:1) Nga këmbët e Hermonit, Lugina e Riftit zbret menjëherë në drejtim të jugut deri në rreth 800 metra nën nivelin e detit në fund të Detit të Vdekur. Nga skaji jugor i Detit të Vdekur Arabahu vazhdon dhe ngrihet më shumë se 200 metra mbi nivelin e detit diku mes Detit të Vdekur dhe gjirit të Akabës. Më pas zbret menjëherë dhe përfundon në ujërat e vakëta të degëzimit lindor të Detit të Kuq. Diagramet shoqëruese të prerjeve tërthore tregojnë lidhjen e Luginës së Riftit me territorin rrethues.
Ç-1 BASENI HULA
23. Për çfarë njihej rajoni i Hulës në kohët biblike?
23 Duke filluar rrëzë malit të Hermonit, Lugina e Riftit zbret menjëherë më shumë se 490 metra deri në rajonin e Hulës, që është pothuajse në nivelin e detit. Kjo krahinë është e ujitur mirë dhe me një gjelbërim të bukur, madje edhe gjatë muajve të nxehtë të verës. Në këtë zonë danitët u vendosën me banim në qytetin e tyre të Danit, i cili shërbeu si qendër e adhurimit idhujtar që nga koha e gjykatësve e deri në kohën e mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit. (Gjyk. 18:29-31; 2 Mbret. 10:29) Në Cezarenë e Filipit, një qytet pranë vendndodhjes së Danit të lashtë, Jezui u vërtetoi dishepujve se ishte Krishti, e shumë mendojnë se pranë malit të Hermonit, gjashtë ditë më pas, ndodhi shpërfytyrimi. Nga Hula, Lugina e Riftit zbret në detin e Galilesë, i cili gjendet rreth 210 metra nën nivelin e detit.—Mat. 16:13-20; 17:1-9.
Ç-2 RAJONI PËRRETH DETIT TË GALILESË
24. (a) Me cilat emra të tjerë njihet në Bibël deti i Galilesë? (b) Si ishin rrethinat e tij në ditët e Jezuit?
24 Deti i Galilesë dhe rrethinat e tij janë të këndshme.c Interesi për këtë rajon shtohet, për shkak të ngjarjeve të shumta që ndodhën këtu gjatë shërbimit të Jezuit. (Mat. 4:23) Deti quhet edhe liqeni i Genesaretit ose i Kineretit dhe deti i Tiberiadës. (Luka 5:1; Jos. 13:27; Gjoni 21:1) Ai në fakt është një liqen në formë zemre rreth 21 kilometra i gjatë dhe 11 kilometra i gjerë në pikën e tij më të zgjeruar dhe përbën një rezervuar të rëndësishëm uji për mbarë vendin. Pothuajse në çdo anë kufizohet nga kodrat. Sipërfaqja e liqenit është rreth 210 metra nën nivelin e detit, dhe kjo bën që të ketë dimër të ngrohtë e të këndshëm dhe verë të nxehtë e shumë të gjatë. Në ditët e Jezuit ai ishte qendra e industrisë shumë të zhvilluar të peshkimit dhe në breg të liqenit ose pranë bregut ndodheshin qytetet e lulëzuara të Korazinit, Betsaidës, Kapernaumit dhe Tiberiadës. Qetësia e liqenit mund të prishet menjëherë nga stuhitë. (Luka 8:23) Në veriperëndim të liqenit ndodhet rrafshina e vogël e Genesaretit, me formë trekëndore. Toka është pjellore dhe prodhon pothuajse çdo lloj produkti që njihej në Tokën e Premtuar. Në pranverë shpatet plot ngjyra ndizen nga një shkëlqim të cilit nuk ia kalon asnjë vend tjetër në Izrael.d
Ç-3 KRAHINA E LUGINËS SË JORDANIT
(GORI)
25. Cilat janë veçoritë kryesore të luginës së Jordanit?
25 Kjo luginë që zbret në formë gryke quhet edhe «Arabah». (Ligj. 3:17) Arabët e sotëm e quajnë Gori, që do të thotë «gropë». Lugina fillon në detin e Galilesë dhe përgjithësisht është e gjerë—rreth 19 kilometra në disa vende. Vetë lumi Jordan ndodhet 46 metra nën rrafshinën e luginës dhe gjarpëron për 320 kilometra për të përshkuar largësinë prej 105 kilometrash deri në Detin e Vdekur.e Para se të derdhet në Detin e Vdekur, ai rrjedh me të shpejtë sipër dhe poshtë 27 pragjeve të rrëpirëta dhe zbret deri në 180 metra. Në brigjet e pjesës së poshtme të Jordanit ndodhet një shkurrnajë që ka edhe pemë, kryesisht bruka, landra dhe shelgje, dhe në kohët biblike midis tyre rrinin në pritë luanët me këlyshët e tyre. Kjo shkurrnajë njihet me emrin Zor dhe përmbytet pjesërisht gjatë pranverës. (Jer. 49:19) Në dy anët e këtij rripi të ngushtë e si xhungël ngrihet Katara, një territor i ngushtë dhe i zhveshur me rrafshina të vogla dhe shpate të dhëmbëzuara që përfundojnë sipër te rrafshinat e Gorit. Rrafshinat në pjesën veriore të Gorit ose Arabahut janë shumë të kultivuara. Edhe në pjesën jugore, drejt Detit të Vdekur, në pllajën e Arabahut, e cila sot është shumë e thatë, thuhet se dikur prodhoheshin lloje të shumta hurmash arabie, si edhe shumë fruta të tjera tropikale. Jerikoja ishte dhe vazhdon të jetë qyteti më i famshëm në luginën e Jordanit.—Jos. 6:2, 20; Mar. 10:46.
Ç-4 DETI I KRIPUR (DETI I VDEKUR)
26. (a) Cilat janë disa fakte të jashtëzakonshme për Detin e Vdekur? (b) Çfarë dëshmie të jashtëzakonshme jep ky rajon për gjykimet e Jehovait?
26 Ky është një nga pellgjet ujore më të jashtëzakonshme në tokë. Quhet në mënyrë të përshtatshme i vdekur sepse në det nuk jeton asnjë lloj peshku dhe në bregun e tij ka pak bimësi. Në Bibël ai quhet Deti i Kripur ose deti i Arabahut, meqë ndodhet në Luginën e Riftit të Arabahut. (Zan. 14:3; Jos. 12:3) Deti është rreth 75 kilometra i gjatë nga veriu në jug dhe 15 kilometra i gjerë. Sipërfaqja e tij është rreth 400 metra nën sipërfaqen e detit Mesdhe, dhe kështu përbën vendin më të ulët në tokë. Në anën veriore thellësia e tij është rreth 400 metra. Nga çdo anë deti kufizohet nga kodra të zhveshura dhe shkëmbinj të thepisur. Megjithëse Jordani sjell ujë të freskët, deti nuk ka ndonjë pikë shkarkimi, përveçse nëpërmjet avullimit, i cili është po kaq i shpejtë sa edhe sasia që derdhet në det. Uji, i cili është si i ngecur në grackë, përmban rreth 25 për qind lëndë të ngurtë të tretur, kryesisht kripë, dhe është helmues për peshqit e u shkakton dhembje syve të njerëzve. Vizitorët që vijnë në pjesën më të madhe të zonës përreth Detit të Vdekur shpesh i pushton ndjenja e shkretisë dhe e shkatërrimit. Është një vend pa jetë. Megjithëse dikur i tërë rajoni ishte ‘i ujitur mirë si kopshti i Jehovait’, tani zona përreth Detit të Vdekur është kryesisht «një vend i shkretë» dhe ka mbetur i tillë për afër 4.000 vjet, si dëshmi e jashtëzakonshme e gjykimeve të pandryshueshme të Jehovait që u ekzekutuan atje kundër Sodomës dhe Gomorrës.—Zan. 13:10; 19:27-29; Sof. 2:9.
Ç-5 ARABAHU (JUGU I DETIT TË KRIPUR)
27. Nga ç’lloj territori përbëhet Arabahu jugor dhe nën kontrollin e kujt ishte në kohët e lashta?
27 Kjo pjesë e fundit e Luginës së Riftit shtrihet drejt jugut për rreth 160 kilometra. Ky rajon është thuajse i shkretë. Reshjet janë të rralla dhe dielli ndriçon fort pa mëshirë. Në Bibël edhe kjo zonë quhet ‘Arabah’. (Ligj. 2:8) Nga mesi i saj ajo arrin pikën më të lartë më shumë se 200 metra mbi nivelin e detit dhe më pas zbret përsëri drejt jugut në gjirin e Akabës, degëzimi lindor i Detit të Kuq. Në këtë zonë, në portin e Ezion-Geberit, Solomoni ndërtoi një flotë anijesh. (1 Mbret. 9:26) Për pjesën më të madhe të periudhës së mbretërve të Judës, kjo zonë e Arabahut ishte nën kontrollin e mbretërisë së Edomit.
D. MALET DHE RRAFSHNALTAT NË LINDJE TË JORDANIT
28. Ç’vlerë kishin vendet e Bashanit dhe të Galaadit nga ana bujqësore dhe si u përfshinë këto rajone në historinë biblike?
28 ‘Ana e Jordanit që bie nga lindja’ ngrihet menjëherë nga Lugina e Riftit dhe formon një sërë rrafshnaltash. (Jos. 18:7; 13:9-12; 20:8) Në veri është vendi i Bashanit (D-1), i cili, bashkë me gjysmën e Galaadit, iu dha fisit të Manaseut. (Jos. 13:29-31) Ky ishte një vend për të rritur gjedhët, një vend për bujqit, një pllajë pjellore me lartësi mesatare rreth 600 metra mbi nivelin e detit. (Psal. 22:12; Ezek. 39:18; Isa. 2:13; Zak. 11:2) Në ditët e Jezuit nga kjo zonë eksportohej shumë grurë dhe sot ajo jep prodhime të bollshme bujqësore. Më tej, në jug, shtrihet vendi i Galaadit (D-2), gjysma e poshtme e të cilit iu caktua fisit të Gadit. (Jos. 13:24, 25) Ky vend, i cili është një rajon malor që arrin lartësinë 1.000 metra dhe laget nga shira të bollshme në dimër e nga vesa e dendur në verë, ishte i mirë edhe për blegtorinë dhe njihej sidomos për balsamin e tij. Sot njihet për rrushin e cilësisë së lartë. (Num. 32:1; Zan. 37:25; Jer. 46:11) Në vendin e Galaadit u arratis Davidi për të shpëtuar nga Absalomi dhe në pjesën perëndimore Jezui predikoi në ‘viset e Dekapolit’.—2 Sam. 17:26-29; Mar. 7:31.
29. Cilat vende shtrihen në jug të anës lindore të Jordanit dhe për çfarë njiheshin ato?
29 ‘Vendi i bijve të Amonit’ (D-3) ndodhet ngjitur në jug të Galadit dhe gjysma e tij iu dha fisit të Gadit. (Jos. 13:24, 25; Gjyk. 11:12-28) Është një rrafshnaltë e valëzuar shumë e përshtatur për kullotjen e deleve. (Ezek. 25:5) Ende më në jug është ‘vendi i Moabit’. (Ligj. 1:5) Moabitët ishin barinj të mëdhenj dhe, edhe sot e kësaj dite, rritja e dhenve është veprimtaria kryesore e kësaj zone. (2 Mbret. 3:4) Më pas, në juglindje të Detit të Vdekur, mbërrijmë në pllajën malore të Edomit (D-4). Rrënojat e fortesave të saj të mëdha tregtare, të tilla si Petra, kanë mbetur deri në ditët e sotme.—Zan. 36:19-21; Abd. 1-4.
30. Me çfarë kufizohen rrafshnaltat në lindje?
30 Në lindje të këtyre kodrave dhe rrafshnaltave shtrihet shkretëtira e paanë shkëmbore që faktikisht pengonte udhëtimet e drejtpërdrejta nga Toka e Premtuar në Mesopotami dhe kështu rrugët e karvanëve kalonin tërthorazi shumë kilometra drejt veriut. Në jug kjo shkretëtirë bashkohet me dunat e rërës të Shkretëtirës së madhe Arabe.
DH. MALET E LIBANIT
31. (a) Nga se përbëhen malet e Libanit? (b) Cilat veçori të Libanit kanë mbetur nga kohët biblike?
31 Mbi tërë peizazhin e Tokës së Premtuar ngrihen malet e Libanit. Në të vërtetë ka dy vargmale që janë paralel me njëri-tjetrin. Kodrat rrëzë vargmalit të Libanit vazhdojnë faktikisht në Galilenë e Sipërme. Në shumë vende këto kodra shtrihen deri në bregdet. Maja më e lartë e këtij vargmali është rreth 3.000 metra mbi nivelin e detit. Maja më e lartë në vargmalin ngjitur të Amanës është mali i bukur i Hermonit, 2.814 metra mbi nivelin e detit. Bora e tij kur shkrihet përbën burimin kryesor të ujit për lumin Jordan dhe të vesës gjatë periudhës së thatë të pranverës së vonshme. (Psal. 133:3) Malet e Libanit njiheshin veçanërisht për kedrat e tyre gjigantë, dru i cili u përdor shumë për ndërtimin e tempullit të Solomonit. (1 Mbret. 5:6-10) Sot kanë mbetur vetëm pak pyllishta me kedra, por në shpatet e poshtme ka vreshta, ullishte dhe pemë frutore, pikërisht si në kohët biblike.—Hoz. 14:5-7.
32. Si e përshkroi me të drejtë Moisiu Tokën e Premtuar?
32 Ndërsa përfundojmë kështu vizitën tonë në Tokën e Premtuar nga Jehovai, të futur midis shkretëtirës së pakalueshme në lindje dhe Detit të Madh, mund të përfytyrojmë lavdinë me të cilën vishej ajo në ditët e Izraelit. Vërtet, ai ishte ‘një vend shumë-shumë i mirë ku rridhte qumësht dhe mjaltë’. (Num. 14:7, 8; 13:23) Moisiu tha për të: «Jehovai, Perëndia yt, po të çon në një vend të mirë, në një vend me lugina përrenjsh me ujë, me kroje e ujëra të thella që rrjedhin nëpër luginën e gjerë dhe nëpër rajonin malor; në një vend me grurë, elb, hardhi, fiq dhe shegë; në një vend ku ka mjaltë dhe ullinj plot vaj; në një vend ku nuk do ta hash bukën me kursim, ku nuk do të të mungojë asgjë; në një vend ku gurët janë hekur dhe nga malet nxirret bakër. Si të kesh ngrënë e të jesh ngopur, beko Jehovain, Perëndinë tënd, për vendin e mirë që të dha.» (Ligj. 8:7-10) Të gjithë ata që e duan Jehovain, le ta falënderojnë po kështu atë i cili ka si qëllim ta bëjë krejt tokën një parajsë të lavdishme sipas modelit të Tokës së tij të Premtuar në lashtësi.—Psal. 104:10-24.
[Shënimet]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 332, 333, anglisht; ‘Të shohim vendin e mirë’, faqet 12, 13.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 335, anglisht; Kulla e Rojës, 15 gusht 1996, faqja 6.
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 336, anglisht; ‘Të shohim vendin e mirë’, faqja 28.
d Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 737-740, anglisht; Kulla e Rojës, 1 mars 1994, faqja 24.
e Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 334, anglisht.
[Harta në faqen 272]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
RAJONET NATYRORE të TOKËS së PREMTUAR
(dhe territori ngjitur me to)
MI 0 10 20 30 40 50 60
KM 0 20 40 60 80
(Për prerjet tërthore X—X, XH—XH, Y—Y, Z—Z dhe ZH—ZH, shih faqen vijuese)
LEGJENDA
DETI MESDHE
A Bregu i Detit të Madh
Jopë
B-1 Rrafshina e Asherit
B-2 Rripi bregdetar i Dorit
Dor
B-3 Rrafshina bregdetare e Sharonit
B-4 Rrafshina e Filistisë
Ashdod
Ashkelon
Ekron
Gath
Gazë
B-5 Pjesa qendrore e luginës Lindje-Perëndim (rrafshina e
Megidos, ultësira e Jezreelit)
Beth-Shean
C-1 Kodrat e Galilesë
Kanë
Nain
Nazaret
Tir
C-2 Kodrat e Karmelit
C-3 Kodrat e Samarisë
Bethel
Jeriko
Samari
Tirzah
Sikem
C-4 Shefelahu
Lakish
C-5 Zona kodrinore e Judës
Betlehem
Gebë
Hebron
Jerusalem
C-6 Shkretëtira e Judës (Jeshimoni)
C-7 Negebi
Beer-Shebë
Kadesh-Barnea
Lumi i Egjiptit
C-8 Shkretëtira e Paranit
Ç-1 Baseni Hula
Dan
Cezarea e Filipit
Ç-2 Rajoni përreth Detit të Galilesë
Betsaidë
Kapernaum
Korazin
Deti i Galilesë
Tiberiadë
Ç-3 Krahina e luginës së Jordanit (Gori)
Lumi Jordan
Ç-4 Deti i Kripur (i Vdekur) (deti i Arabahut)
Deti i Kripur
Ç-5 Arabahu (jugu i Detit të Kripur)
Ezion-Geber
Deti i Kuq
D-1 Vendi i Bashanit
Damask
Edrei
D-2 Vendi i Galaadit
Rabah
Ramot-Galaad
L.p. të Jabokut
D-3 Vendi i Amonit dhe i Moabit
Heshbon
Kir-Hareset
Medebë
L.p. të Arnonit
L.p. të Zeredit
D-4 Pllaja malore e Edomit
Petra
DH Malet e Libanit
Sidon
M. e Libanit
M. i Hermonit
[Hartat në faqen 273]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
PRERJE TËRTHORE TË TOKËS SË PREMTUAR
(Për vendndodhjen, shih hartën në faqen ngjitur)
Shkalla e lartësisë mbi nivelin e detit është rreth 10 herë më e madhe se ajo e distancave horizontale
Prerje perëndim-lindje përmes Efraimit (X—X)
Deti Mesdhe
B-3 Rrafshina bregdetare e Sharonit
C-3 Kodrat e Samarisë
Ç-3 Arabahu ose lugina e Jordanit (Gori)
Katara
Zori
D-2 Vendi i Galaadit
MI 0 5 10
KM 0 8 16
Numrat majtas janë në METRA Numrat djathtas janë në KËMBË
+900 +3.000
+600 +2.000
+300 +1.000
0 (Niveli i detit) 0
−300 −1.000
−600 −2.000
Prerje perëndim-lindje përmes Judës (XH—XH)
Deti Mesdhe
B-4 Dunat e rërës
Rrafshina e Filistisë
C-4 Shefelahu
C-5 Zona kodrinore e Judës
Jerusalem
C-6 Shkretëtira e Judës
Ç-4 Lugina e Riftit
D-3 Vendi i Amonit dhe i Moabit
MI 0 5 10
KM 0 8 16
Numrat majtas janë në METRA Numrat djathtas janë në KËMBË
+900 +3.000
+600 +2.000
+300 +1.000
0 (Niveli i detit) 0
−300 −1.000
−600 −2.000
Prerje perëndim-lindje përmes Judës (Y—Y)
Deti Mesdhe
B-4 Dunat e rërës
Rrafshina e Filistisë
C-4 Shefelahu
C-5 Zona kodrinore e Judës
C-6 Shkretëtira e Judës
Ç-4 Lugina e Riftit
Deti i Kripur
D-3 Vendi i Amonit dhe i Moabit
MI 0 5 10
KM 0 8 16
Numrat majtas janë në METRA Numrat djathtas janë në KËMBË
+900 +3,000
+600 +2,000
+300 +1,000
0 (Niveli i detit) 0
−300 −1,000
−600 −2,000
−900 −3,000
Prerje jug-veri përmes maleve në perëndim të Jordanit (Z—Z)
C-7 Negebi
C-5 Zona kodrinore e Judës
C-3 Kodrat e Samarisë
B-5 Ultësira e Jezreelit
C-1 Kodrat e Galilesë
DH
MI 0 5 10 20
KM 0 8 16 32
Numrat majtas janë në METRA Numrat djathtas janë në KËMBË
+900 +3,000
+600 +2,000
+300 +1,000
0 (Niveli i detit) 0
Prerje jug-veri përmes Arabahut ose Luginës së Riftit (ZH—ZH)
Ç-5
Ç-4 Deti i Kripur
Ç-3 Arabahu ose lugina e Jordanit (Gori)
Ç-2 Deti i Galilesë
Ç-1 Baseni Hula
DH
MI 0 5 10 20
KM 0 8 16 32
Numrat majtas janë në METRA Numrat djathtas janë në KËMBË
+900 +3,000
+600 +2,000
+300 +1,000
0 (Niveli i detit) 0
−300 −1,000
−600 −2,000
−900 −3,000