Studime mbi Shkrimet e frymëzuara dhe informacione në lidhje me to
Studimi numër 2—Koha dhe Shkrimet e Shenjta
Një përshkrim i ndarjeve kohore që janë përdorur në Bibël, i kalendarëve më të përdorshëm, i datave kyçe për Biblën dhe i pikave interesante për rrjedhën e kohës.
1, 2. Çfarë shkroi Solomoni për kohën dhe meqë koha ikën shpejt, çfarë duhet të bëjmë me të?
NJERIU është thellësisht i vetëdijshëm që koha ikën. Në çdo tiktak të orës, ai bën një hap tjetër përpara në korridorin e kohës. Tregohet vërtet i mençur nëse e përdor siç duhet kohën e tij. Siç shkroi mbreti Solomon: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, ka një kohë për çdo punë nën qiej: një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur; një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që ishte mbjellë; një kohë për të vrarë dhe një kohë për të shëruar; një kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar; një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur.» (Ekl. 3:1-4) Sa shpejt ikën koha! Intervali 70-vjeçar i një jete normale është një kohë tepër e shkurtër që një individ të marrë tërë atë bollëk njohurie që ekziston dhe të gëzojë gjithë gjërat e tjera të mira që Jehovai ka siguruar në tokë për njeriun. «Ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet. Ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre, që njerëzit të mos e zbulojnë kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë.»—Ekl. 3:11; Psal. 90:10.
2 Jehovai jeton përjetë. Engjëjt e qiellit, përfshirë edhe Satanai rebel, janë plotësisht të vetëdijshëm për kalimin e kohës. (Dan. 10:13; Zbul. 12:12) Për njerëzit është shkruar: «Të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara.» (Ekl. 9:11) Sa i lumtur është ai njeri që gjithmonë përfshin Perëndinë në mendimet e tij dhe që e mirëpret ‘ushqimin në kohën e duhur’ që siguron Perëndia!—Mat. 24:45.
3. Çfarë kanë të përbashkët koha dhe hapësira?
3 Koha ecën vetëm në një drejtim. Edhe pse koha është universale, asnjë njeri nuk mund të thotë se çfarë është ajo. Është e pakuptueshme si hapësira. Askush nuk mund të shpjegojë se ku nisi rrjedha e kohës ose ku po shkon ajo. Këto gjëra i përkasin njohurisë së pakufishme të Jehovait, i cili përshkruhet se është Perëndi «mot e jetë».—Psal. 90:2.
4. Çfarë mund të thuhet për rrjedhjen e kohës?
4 Nga ana tjetër, koha ka disa veçori që mund të kuptohen. Shpejtësia me të cilën duket sikur rrjedh koha, mund të matet. Përveç kësaj, koha ecën vetëm në një drejtim. Ashtu si lëvizja e automjeteve në një rrugë me një drejtim, koha ecën pa ndalim vetëm në një drejtim—përpara, vetëm përpara. Cilado qoftë shpejtësia e lëvizjes së saj përpara, koha nuk mund të kthehet kurrë prapa. Ne jetojmë në një të tashme të përkohshme. Por kjo e tashme është në lëvizje dhe rrjedh vazhdimisht drejt së kaluarës. Ajo nuk ndalet.
5. Pse mund të thuhet se e kaluara ka shkuar, mirë a keq?
5 E kaluara. E kaluara ka shkuar dhe nuk mund të përsëritet kurrë. Çdo përpjekje për t’u kthyer në të kaluarën është po aq e pamundur sa të përpiqemi ta bëjmë ujin e një ujëvare të kthehet mbrapsht ose një shigjetë të fluturojë mbrapsht drejt harkut nga u lëshua. Gabimet tona kanë lënë gjurmën e tyre në rrjedhën e kohës, një gjurmë që vetëm Jehovai mund ta fshijë. (Isa. 43:25) Në mënyrë të ngjashme, veprat e mira që ka bërë një njeri në të kaluarën kanë lënë gjurmë dhe «do të kthehen tek ai» me bekimin e Jehovait. (Prov. 12:14; 13:22) Mirë ose keq, e kaluara ka shkuar. Nuk mund ta kemi më fare nën kontroll. Për të ligjtë është shkruar: «Ata do të thahen shpejt si bari, dhe do të vyshken si bari i njomë.»—Psal. 37:2.
6. Si ndryshon e ardhmja nga e kaluara dhe pse duhet të interesohemi në mënyrë të veçantë për të?
6 E ardhmja. E ardhmja është ndryshe. Ajo rrjedh gjithnjë drejt nesh. Me ndihmën e Fjalës së Perëndisë mund të dallojmë pengesat që përvijohen para nesh dhe të përgatitemi t’i përballojmë ato. Mund të grumbullojmë «thesare në qiell». (Mat. 6:20) Këto thesare nuk do t’i marrë tutje rrjedha e kohës. Do të mbeten me ne dhe do të vazhdojnë të jenë në një të ardhme të përjetshme plot bekime. Është në interesin tonë ta përdorim me mençuri kohën, pasi ajo ndikon te kjo e ardhme.—Efes. 5:15, 16.
7. Cilët tregues të kohës ka siguruar Jehovai për njeriun?
7 Tregues të kohës. Orët e sotme janë tregues të kohës. Ato shërbejnë si vizore për të matur kohën. Në mënyrë të ngjashme Jehovai, Krijuesi, ka vënë në lëvizje tregues gjigantë të kohës—tokën që vërtitet rreth boshtit të vet, hënën që rrotullohet rreth tokës dhe diellin—kështu që njeriu, nga pozicioni i tij në tokë, mund të informohet saktë për kohën. «Perëndia vazhdoi të thoshte: ‘Le të dalin ndriçues në hapësirën e qiejve, që të bëjnë një ndarje mes ditës dhe natës. Ata do të shërbejnë si shenja, si dhe për të dalluar stinët, ditët dhe vitet.’» (Zan. 1:14) Kështu, këta trupa qiellorë, si një tërësi objektesh me veprime të sinkronizuara, lëvizin sipas cikleve të tyre të përsosura, duke matur në mënyrë të pafund e të pagabueshme ecjen e kohës në një drejtim të vetëm.
8. Në cilat kuptime përdoret fjala «ditë» në Bibël?
8 Dita. Fjala «ditë» në Bibël përdoret në disa kuptime, pikërisht siç ka kuptime të ndryshme edhe në ditët e sotme. Kur toka bën një rrotullim të plotë rreth boshtit të vet, kjo përbën një ditë 24-orëshe. Në këtë kuptim një ditë përbëhet nga periudha me dritë dhe periudha me errësirë, gjithsej 24 orë. (Gjoni 20:19) Megjithatë, edhe periudha me dritë, që mesatarisht është 12 orë, quhet ditë. «Perëndia nisi ta quante dritën Ditë, kurse errësirën e quajti Natë.» (Zan. 1:5) Nga kjo zë fill edhe termi «natë», periudha me mesatarisht 12 orë errësirë. (Dal. 10:13) Një kuptim tjetër është në rastin kur fjala «ditë(t)» i referohet një periudhe kohe kur ka jetuar një njeri i shquar. Për shembull, Isaia e pa vegimin e tij «në ditët e Uziahut, Jotamit, Akazit dhe Hezekisë» (Isa. 1:1), dhe ditët e Noesë e të Lotit përmenden si ditë profetike. (Luka 17:26-30) Një shembull tjetër i përdorimit të gjerë ose të figurshëm të fjalës «ditë» është kur Pjetri thotë se «për Jehovain një ditë është si një mijë vjet». (2 Pjet. 3:8) Në tregimin e Zanafillës një ditë krijimi është periudhë kohe edhe më e gjatë—mijëvjeçarë. (Zan. 2:2, 3; Dal. 20:11) Konteksti biblik tregon kuptimin në të cilin përdoret fjala «ditë».
9. (a) Ku e ka origjinën ndarja e ditës në 24 orë prej 60 minutash secila? (b) Cilët tregues të kohës përmenden në Shkrimet Hebraike?
9 Ora. Ndarja e ditës në 24 orë e ka zanafillën në Egjipt. Ndarja e sotme e orës në 60 minuta e ka origjinën te matematikanët babilonas dhe ishte një sistem matjeje i bazuar në numrin 60. Në Shkrimet Hebraike nuk përmendet ndarja në orë.a Në vend që të ndahej dita në orë specifike, në Shkrimet Hebraike përdoren si tregues të kohës terma të tillë si: ‘mëngjes’, «mesditë», ‘mesi i ditës’ dhe ‘mbrëmje’. (Zan. 24:11; 43:16; Ligj. 28:29; 1 Mbret. 18:26) Nata ndahej në tri periudha që quheshin ‘ndërresa të natës’ (Psal. 63:6), dy prej të cilave përmenden në mënyrë specifike në Bibël: «ndërresa e mesnatës» (Gjyk. 7:19) dhe ‘ndërresa e mëngjesit’.—Dal. 14:24; 1 Sam. 11:11.
10. Si i numëronin judenjtë orët në kohën e Jezuit dhe si na ndihmon kjo të përcaktojmë kohën kur vdiq Jezui?
10 Gjithsesi, në Shkrimet e Krishtere Greke përmendet shpesh fjala «orë». (Gjoni 12:23; Mat. 20:2-6) Orët numëroheshin duke filluar nga lindja e diellit ose rreth orës 6 të mëngjesit. Në Bibël përmendet fraza «ora e tretë», që do të ishte ora 9. «Ora e gjashtë» përmendet si koha kur Jerusalemin e mbuloi errësira ndërkohë që Jezui ishte në shtyllë. Kjo do të përkonte me orën 12 të drekës. Në Bibël thuhet se Jezui dha frymë në shtyllën e torturës «rreth orës së nëntë» ose rreth orës 15.00.—Mar. 15:25; Luka 23:44; Mat. 27:45, 46.b
11. Kur filloi të përdorej «java» si masë kohe?
11 Java. Njeriu filloi t’i numëronte ditët në cikle me shtatë të tilla që në kohët e hershme. Duke bërë kështu, ai ndoqi shembullin e Krijuesit të tij, i cili i kurorëzoi gjashtë ditët e tij krijuese me një periudhë të shtatë të quajtur po ashtu ditë. Noeja i numëronte ditët në cikle me shtatë të tilla. Në hebraisht termi «javë» fjalë për fjalë i referohet një njësie ose periudhe të shtatëfishtë.—Zan. 2:2, 3; 8:10, 12; 29:27.
12. Çfarë është muaji hënor dhe si ndryshon nga muajt e sotëm?
12 Muajt hënorë. Në Bibël flitet për ‘muajt hënorë’. (Dal. 2:2; Ligj. 21:13; 33:14; Ezd. 6:15) Muajt e sotëm nuk janë muaj hënorë, sepse nuk përcaktohen me anë të hënës. Ato janë thjesht 12 ndarje arbitrare të vitit diellor. Muaji hënor përcaktohet nga hëna e re. Ka katër faza të hënës, të cilat së bashku përbëjnë një cikël hënor që është mesatarisht 29 ditë, 12 orë dhe 44 minuta. Mjafton vetëm të shohim formën e hënës për të thënë me përafërsi ditën e muajit hënor.
13. Si u regjistrua Përmbytja në mënyrë të saktë për sa i përket kohës?
13 Në vend që të përdorte fiks muajt hënorë, duket se Noeja i ka regjistruar ngjarjet sipas muajve me nga 30 ditë secili. Nga ditari që mbajti Noeja në arkë, kuptojmë se ujërat e Përmbytjes vazhduan ta mbulonin tokën për pesë muaj ose «njëqind e pesëdhjetë ditë». Pas 12 muajsh e 10 ditësh toka ishte tharë dhe pasagjerët e arkës mundën të dilnin jashtë saj. Pra, ato ngjarje që bënë epokë u regjistruan në mënyrë të saktë për sa i përket kohës.—Zan. 7:11, 24; 8:3, 4, 14-19.
14. (a) Si i caktoi Jehovai stinët? (b) Për sa kohë do të vazhdojnë stinët?
14 Stinët. Kur përgatiti tokën si vend banimi, me mençuri dhe dashuri Jehovai caktoi stinët. (Zan. 1:14) Këto formohen ngaqë Toka është e prirur ose e pjerrët në një kënd 23,5 ° ndaj rrafshit të saj të rrotullimit rreth Diellit. Kjo sjell si rezultat që hemisfera jugore dhe, gjashtë muaj më vonë, hemisfera veriore, të jenë të pjerrëta ndaj Diellit, dhe kështu formohen stinët sipas radhës së tyre. Ky ndërrim i stinëve krijon larmi dhe kontraste, si edhe rregullon periudhat e mbjelljes dhe të korrjes. Fjala e Perëndisë na siguron se ky ndërrim i stinëve gjatë vitit do të vazhdojë përgjithnjë. «Sa të jetë toka, nuk do të pushojnë kurrë mbjellja dhe korrja, të ftohtët e të nxehtët, vera e dimri, dita e nata.»—Zan. 8:22.
15, 16. (a) Si mund të ndahet stina me reshje në Tokën e Premtuar? (b) Përshkruaj stinët me reshje dhe lidhjet e këtyre stinëve me veprimtaritë bujqësore.
15 Në Tokën e Premtuar, në përgjithësi viti mund të ndahet në stinën me reshje dhe në stinën e thatë. Nga mesi i prillit deri në mes të tetorit bien shumë pak reshje. Stina me reshje mund të ndahet në: shiun e hershëm ose ‘të vjeshtës’ (tetor-nëntor); shirat e bollshme të dimrit me mot më të ftohtë (dhjetor-shkurt) dhe shiu i vonshëm ose ‘i pranverës’ (mars-prill). (Ligj. 11:14; Joe. 2:23) Këto ndarje janë të përafërta, pasi stinët mund të zgjaten për shkak të ndryshimeve të klimës në pjesë të ndryshme të vendit. Shiu i hershëm e zbut tokën e thatë, prandaj periudha tetor-nëntor përbën kohën e «lërimit» dhe të ‘mbjelljes’. (Dal. 34:21; Lev. 26:5) Gjatë shirave të bollshme të dimrit nga dhjetori në shkurt, reshjet e dëborës nuk janë të pazakonta dhe në janar e në shkurt, në vende më të larta, temperatura mund të zbresë nën pikën e ngrirjes. Në Bibël thuhet se Benajahu, një nga burrat e fuqishëm të Davidit, vrau një luan «një ditë që binte borë».—2 Sam. 23:20.
16 Muajt mars dhe prill (përafërsisht muajt hebraikë nisan dhe ijar) janë muajt e «shiut të pranverës». (Zak. 10:1) Ky është shiu i vonshëm, i cili nevojitet për ta fryrë grurin e mbjellë në vjeshtë, që të ketë një korrje të bollshme. (Hoz. 6:3; Jak. 5:7) Kjo është edhe stina e korrjes së hershme dhe Perëndia e urdhëroi Izraelin që më 16 nisan t’i paraqiste Atij nga prodhimi i korrjes së parë. (Lev. 23:10; Rutha 1:22) Kjo është një periudhë e bukur dhe e këndshme. «Në tokë kanë dalë lulet, koha e krasitjes së rrushit ka ardhur dhe në vendin tonë është dëgjuar zëri i turtujve. Fiku u ka dhënë një ngjyrë të pjekur fiqve të tij të hershëm. Hardhitë janë në lulëzim, kanë lëshuar aromën e tyre.»—Këng. 2:12, 13.
17. (a) Si ushqehen të mbjellat gjatë stinës së thatë? (b) Shih tabelën «Viti izraelit» dhe ndaje vitin sipas stinëve, siç tregohet në paragrafët 15-17. (c) Kur fillonte korrja e grurit dhe mbledhja e tërë frutave dhe cilat festa përkonin me këto raste?
17 Nga mesi i prillit nis stina e thatë, por pothuajse gjatë gjithë kësaj periudhe dhe sidomos në rrafshinat bregdetare e në shpatet perëndimore të maleve, vesa e bollshme ushqen të mbjellat e verës. (Ligj. 33:28) Gjatë majit korret gruri dhe në fund të këtij muaji kremtohej festa e Javëve (Dita e Pesëdhjetë). (Lev. 23:15-21) Më pas, ndërsa koha bëhet më e ngrohtë dhe dheu bëhet më i thatë, piqet dhe mblidhet rrushi, pastaj fruta të tjera të verës, si ullinj, hurma arabie dhe fiq. (2 Sam. 16:1) Me përfundimin e stinës së thatë dhe me fillimin e reshjeve të hershme, tërë prodhimet e tokës janë vjelur, dhe pikërisht në atë kohë (nga fillimi i tetorit) mbahej festa e Kasolleve ose e Tabernakujve.—Dal. 23:16; Lev. 23:39-43.
18. (a) Pse është i përshtatshëm kuptimi i fjalës hebraike për «vit»? (b) Çfarë është viti diellor?
18 Viti. Studimi ynë për kohën në Bibël na çon tani te fjala «vit». Kjo përmendet që në fillim të historisë së njeriut. (Zan. 1:14) Fjala hebraike shanáh, që do të thotë «vit», vjen nga një rrënjë që do të thotë «përsërit; bëj përsëri» dhe përcjell idenë e një cikli kohe. Kjo ishte e përshtatshme, meqë çdo vit përsëritej cikli i stinëve. Një vit tokësor i referohet kohës që i duhet Tokës të bëjë një rrotullim ose udhëtim të plotë rreth Diellit. Më i saktë është viti diellor, i cili është periudha kohore nga njëri ekuinoks pranveror në tjetrin. Mesatarisht ai është 365 ditë 5 orë 48 minuta 46 sekonda ose rreth 365 1/4 ditë.
19. (a) Si llogariteshin vitet e lashta biblike? (b) Cilin «vit të shenjtë» dekretoi më vonë Jehovai?
19 Vitet biblike. Sipas llogaritjeve të hershme biblike, viti llogaritej nga vjeshta në vjeshtë. Kjo ishte veçanërisht e përshtatshme për jetën bujqësore, pasi viti fillonte me lërimin dhe mbjelljen në pjesën e parë të muajit të sotëm tetor dhe përfundonte me mbledhjen e të vjelave. Noeja e llogariste vitin duke filluar nga vjeshta. Sipas regjistrimit të tij Përmbytja filloi «muajin e dytë», i cili do të përkonte me gjysmën e dytë të tetorit dhe gjysmën e parë të nëntorit. (Zan. 7:11; shtojca 7B) Edhe sot e kësaj dite shumë njerëz në botë e fillojnë vitin e ri në vjeshtë. Në kohën e daljes nga Egjipti, në vitin 1513 p.e.s., Jehovai dekretoi që abibi (nisani) do të bëhej «muaji i parë» për judenjtë, kështu tani ata kishin një vit të shenjtë, që shtrihej nga pranvera në pranverë. (Dal. 12:2) Megjithatë, judenjtë e sotëm kanë një vit shekullar ose civil, i cili fillon në vjeshtë dhe muaji i parë është tishri.
20. Si përshtatej viti hënor që të përkonte me vitin diellor dhe çfarë janë vitet hënore-diellore?
20 Viti hënor-diellor. Deri në kohën e Krishtit shumica e kombeve përdornin vitet hënore për të llogaritur kohën, duke përdorur mënyra të ndryshme për ta përshtatur vitin hënor në mënyrë që të përkonte pak a shumë me vitin diellor. Viti i zakonshëm hënor prej 12 muajsh përbëhet nga 354 ditë dhe muajt përbëhen nga 29 ose 30 ditë, në varësi se kur del çdo herë hëna e re. Pra, viti hënor është rreth 11 1/4 ditë më i shkurtër se viti diellor prej 365 1/4 ditësh. Hebrenjtë përdornin vitin hënor. Në Bibël nuk shpjegohet se si e përshtatnin këtë vit që të përkonte me vitin diellor dhe me stinët, por kur ishte e nevojshme, ata duhet të kenë shtuar muaj shtesë ose të ndërfutur. Sistemi i muajve të ndërfutur u rregullua më vonë në shekullin e pestë p.e.s. në atë që njihet si cikli Meton. Ky lejonte që muaji i ndërfutur të shtohej shtatë herë në 19 vjet dhe në kalendarin judaik ai shtohej pas muajit të 12-të të adarit e quhej veadar ose «adari i dytë». Meqë në këtë mënyrë kalendari hënor përshtatet sipas diellit, vitet, të cilat përbëhen nga 12 ose 13 muaj, njihen si vite hënore-diellore.
21. (a) Çfarë është kalendari julian? (b) Pse kalendari gregorian është më i saktë?
21 Kalendari julian dhe gregorian. Kalendari është një sistem që përcakton fillimin, kohëzgjatjen dhe ndarjet e vitit dhe i sistemon këto ndarje në mënyrë të rregullt. Kalendari julian u vu në zbatim nga Jul Cezari në vitin 46 p.e.s., që t’i jepte popullit romak një kalendar të bazuar te viti diellor, në vend se te viti hënor. Kalendari julian përbëhet nga 365 ditë në vit, vetëm se çdo katër vjet (në vitin e brishtë) shtohet një ditë, e kështu ky vit përbëhet nga 366 ditë. Por me kalimin e kohës u zbulua që viti kalendarik julian është faktikisht pak më i gjatë se 11 minuta se viti diellor. Nga shekulli i 16-të i e.s., ishte grumbulluar një ndryshim prej 10 ditësh të plota. Prandaj, në vitin 1582 papa Gregori XIII vuri në zbatim një ndryshim të vogël, duke krijuar atë që tani njihet si kalendari gregorian. Me anë të një dekreti papnor vitit 1582 iu hoqën 10 ditë, kështu që dita pas 4 tetorit u bë 15 tetori. Sipas kalendarit gregorian, shekujt që nuk plotpjesëtohen me 400 nuk duhen konsideruar vite të brishta. Për shembull, ndryshe nga viti 2000, viti 1900 nuk u konsiderua vit i brishtë, sepse numri 1.900 nuk plotpjesëtohet me 400. Kalendari gregorian është në përdorim të përgjithshëm në pjesën më të madhe të botës.
22, 23. Sa i gjatë është një vit profetik?
22 «Viti» profetik. Në profecitë biblike fjala «vit» shpesh përdoret në një kuptim të veçantë si i barasvlefshëm me 12 muaj, secili me 30 ditë, që bëjnë gjithsej 360 ditë. Vër re se ç’thotë një ekspert kur komenton për Ezekielin 4:5, 6: «Duhet të supozojmë se Ezekieli njihte vitin e përbërë nga 360 ditë. Ky nuk është as viti diellor, as viti hënor. Është një vit ‘mesatar’ në të cilin çdo muaj ka 30 ditë.»c
23 Një vit profetik është quajtur edhe një «kohë», dhe një studim i Zbulesës 11:2, 3 e 12:6, 14 tregon se si një «kohë» konsiderohet e përbërë nga 360 ditë. Në profeci disa herë një vit përshkruhet në mënyrë simbolike edhe nga një «ditë».—Ezek. 4:5, 6.
24. Si e fillonin numërimin shumë popuj të lashtë?
24 Nuk ka vit zero. Popujt e lashtë, përfshirë edhe grekët e ditur, romakët dhe judenjtë, nuk e kishin konceptin e zeros. Për ta gjithçka fillonte duke numëruar nga njëshi. A e mësove shifrën zero, kur studiove numrat romakë në shkollë (I, II, III, IV, V, X, etj.)? Jo, sepse romakët nuk e kishin numrin zero. Meqë romakët nuk përdornin numrin zero, era jonë nuk filloi me vitin zero, por me vitin 1 të e.s. Nga kjo rrodhi sistemi i numrave rreshtorë, si: i pari (i 1-ri), i dyti (i 2-ti), i treti (i 3-ti), i dhjeti (i 10-ti) dhe i njëqindti (i 100-ti). Në matematikën e sotme njeriu e koncepton çdo gjë si të nisur nga asgjë ose nga zero. Zeron mund ta kenë shpikur hinduistët.
25. Si ndryshojnë numrat rreshtorë nga ata themelorë?
25 Kështu, kurdoherë që përdoren numrat rreshtorë, duhet të zbresim një për të gjetur numrin e plotë. Për shembull, kur flasim për një datë të shekullit të 20-të të e.s., a do të thotë kjo se kanë kaluar 20 shekuj të plotë? Jo, ajo do të thotë 19 shekuj të plotë plus disa vite. Për të shprehur numrat e plotë, në Bibël dhe në matematikën e sotme përdoren numrat themelorë, të tillë si: 1, 2, 3, 10 dhe 100. Këta quhen edhe «numra të plotë».
26. Si do të llogaritje (a) se sa vite kanë kaluar nga 1 tetori 607 p.e.s. deri më 1 tetor 1914 të e.s.? (b) datën 2.520 vjet pas 1 tetorit 607 p.e.s.?
26 Tani, meqë era jonë nuk filloi me vitin zero, por me vitin 1 të e.s. dhe kalendari i viteve para erës sonë nuk i llogariste vitet duke u nisur nga një vit zero, por fillonte nga viti 1 p.e.s., shifra e përdorur për vitin e çfarëdo date është në të vërtetë një numër rreshtor. Domethënë, viti 2007 i e.s. në të vërtetë përfaqëson 2006 vite të plota që prej fillimit të erës sonë dhe data 1 korrik 2007 përfaqëson 2006 vite plus gjysmë viti që prej fillimit të erës sonë. I njëjti parim zbatohet edhe për datat para erës sonë. Kështu për të llogaritur se sa vite kaluan nga data 1 tetor 607 p.e.s. deri më 1 tetor 1914 të e.s., mbledhim 606 vite (plus tre muajt e fundit të vitit të mëparshëm) me 1.913 (plus nëntë muajt e parë të vitit vijues) dhe rezultati është 2.519 vjet (plus 12 muaj) ose 2.520 vjet. Ose, nëse do që të llogaritësh se cila datë do të ishte 2.520 vjet pas 1 tetorit 607 p.e.s, kujto se 607 është numër rreshtor—faktikisht përfaqëson 606 vite të plota—dhe meqë nuk po llogaritim nga data 31 dhjetor 607 p.e.s., por nga data 1 tetor 607 p.e.s., duhet t’i shtojmë numrit 606 tre muajt e fundit të vitit 607 p.e.s. Tani zbresim 606 1/4 nga 2.520 vjetët. Mbetja është 1.913 3/4. Kjo do të thotë se 2.520 vjet pas datës 1 tetor 607 p.e.s, na çojnë 1.913 3/4 vjet në erën tonë—1.913 vite të plota na çojnë në fillim të vitit 1914 dhe më tej tre të katërtat e një viti na çojnë në datën 1 tetor 1914 të e.s.d
27. Çfarë janë datat kyçe dhe pse janë me vlerë të madhe?
27 Datat kyçe. Kronologjia e besueshme biblike bazohet në disa data kyçe. Një datë kyçe është një datë kalendarike në histori që ka një bazë të fortë për t’u pranuar si e vërtetë dhe që përkon me një ngjarje specifike të dokumentuar në Bibël. Më pas ajo mund të përdoret si pikënisje nga e cila mund të përcaktohen me siguri datat e një sërë ngjarjesh biblike. Pasi është përcaktuar kjo datë kyçe, llogaritjet para ose pas kësaj date bëhen duke u bazuar në regjistrimet e sakta të Biblës, të tilla, si jetëgjatësia e njerëzve ose kohëzgjatja e mbretërimit të mbretërve. Pra, duke u nisur nga një pikë e përcaktuar mund të përdorim vetë kronologjinë e brendshme e të besueshme të Biblës për të datuar shumë ngjarje biblike.
28. Cila datë kyçe ekziston për Shkrimet Hebraike?
28 Datë kyçe për Shkrimet Hebraike. Një ngjarje shumë e njohur në historinë biblike dhe botërore është mposhtja e qytetit të Babilonisë nga medët dhe persët e udhëhequr nga Kiri. Kjo është shkruar në Bibël te Danieli 5:30. Burime të ndryshme historike (përfshirë Diodorin, Afrikanin, Eusebin, Ptolemeun dhe pllakat babilonase) mbështetin vitin 539 p.e.s. si vitin e mposhtjes së Babilonisë nga Kiri. Në kronikën e Nabonidit jepet muaji dhe dita e rënies së qytetit (viti mungon). Kronologët botërorë kanë përcaktuar si datë të rënies së Babilonisë 11 tetorin e vitit 539 p.e.s., sipas kalendarit julian, ose 5 tetorin sipas kalendarit gregorian.e
29. Kur doli dekreti i Kirit dhe çfarë mundësie krijoi ai?
29 Pas mposhtjes së Babilonisë dhe gjatë vitit të tij të parë si sundimtar i Babilonisë së pushtuar, Kiri nxori dekretin e tij të famshëm që i lejonte judenjtë të ktheheshin në Jerusalem. Duke pasur parasysh dokumentimin biblik, dekreti doli ndoshta nga fundi i vitit 538 p.e.s. ose nga pranvera e vitit 537 p.e.s. Kjo do t’u kishte dhënë mundësi të mjaftueshme judenjve që të riktheheshin në vendin e tyre dhe të shkonin në Jerusalem për të ripërtërirë adhurimin e Jehovait në ‘muajin e shtatë’ tishër ose rreth datës 1 tetor 537 p.e.s.—Ezd. 1:1-4; 3:1-6.f
30. Si përcaktohet se viti 29 i erës sonë është një datë kyçe për Shkrimet e Krishtere Greke?
30 Datë kyçe për Shkrimet e Krishtere Greke. Për të përcaktuar një datë kyçe për Shkrimet e Krishtere Greke na ndihmon data kur Tiberi Cezar u ngjit në fron në vend të perandorit August. Augusti vdiq më 17 gusht të vitit 14 të e.s. (sipas kalendarit gregorian); Tiberi u emërua perandor nga senati romak më 15 shtator të vitit 14 të e.s. Te Luka 3:1, 3 thuhet se Gjon Pagëzori e filloi shërbimin e tij në vitin e 15-të të mbretërimit të Tiberit. Nëse vitet do të numëroheshin nga vdekja e Augustit, viti i 15-të do të shtrihej nga gushti i vitit 28 të e.s. në gushtin e vitit 29 të e.s. Po të numëroheshin nga koha kur Tiberi u emërua perandor nga senati, viti do të shtrihej nga shtatori i vitit 28 të e.s. në shtator të vitit 29 të e.s. Shumë shpejt pas kësaj Jezui, i cili ishte rreth gjashtë muaj më i vogël se Gjon Pagëzori, u pagëzua kur ishte «rreth tridhjetë vjeç». (Luka 3:2, 21-23; 1:34-38) Kjo përputhet me profecinë që gjendet te Danieli 9:25 se do të kalonin 69 «javë» (javë profetike me nga 7 vjet secila, që kështu bëjnë gjithsej 483 vjet) nga «dalja e fjalës për të restauruar dhe për të rindërtuar Jerusalemin» dhe murin e tij, e deri te shfaqja e Mesisë. (Dan. 9:24, shënimi te Bibla me referime, anglisht) Ajo ‘fjalë’ u autorizua nga Artakserksi (Dorëgjati) në vitin 455 p.e.s. dhe u vu në zbatim nga Nehemia në Jerusalem në pjesën e fundit të atij viti. Dhe 483 vjet më pas, në pjesën e fundit të vitit 29 të e.s., kur Jezuin e pagëzoi Gjoni, ai u miros nga fryma e shenjtë e Perëndisë, duke u bërë kështu Mesia ose i Mirosuri. Fakti që Jezui u pagëzua dhe e nisi shërbimin në pjesën e fundit të vitit përputhet edhe me profecinë se ai do të vritej «në mes të javës» (ose pas tri vjet e gjysmë). (Dan. 9:27) Meqë ai vdiq në pranverë, shërbimi i tij prej tre vjet e gjysmë duhet të ketë filluar nga vjeshta e vitit 29 të e.s.g Është interesante që këto dy linja dëshmish tregojnë gjithashtu se Jezui lindi në vjeshtën e vitit 2 p.e.s., pasi te Luka 3:23 tregohet se Jezui ishte rreth 30 vjeç kur nisi veprën e tij.h
31. (a) Pse duket sikur ndryshon shpejtësia se si ecën koha? (b) Çfarë përparësie kanë si rrjedhim të rinjtë?
31 Si ecën koha më shpejt? Një proverb i vjetër thotë: «Po i ndenje ujit mbi kokë, nuk zien kurrë.» Është e vërtetë se kur e vëzhgojmë kohën, kur jemi të vetëdijshëm për të dhe kur presim të ndodhë diçka, atëherë duket sikur koha lëviz gjithnjë e më ngadalë. Por, nëse kemi shumë gjëra për të bërë, nëse na intereson dhe jemi të zhytur pas diçkaje që po bëjmë, atëherë duket vërtet sikur «koha fluturon». Për më tepër, për të rriturit koha duket sikur kalon shumë më shpejt sesa për fëmijët. Pse është kështu? Për një fëmijë njëvjeçar, një vit tjetër jetë do të thotë 100 për qind më shumë përvojë në jetë. Për një 50-vjeçar, një vit tjetër jetë do të thotë vetëm 2 për qind më shumë. Një fëmije një vit i duket një kohë shumë, shumë e gjatë. Një i rritur, në qoftë se është i zënë me punë dhe është mirë me shëndet, vëren se vitet duket sikur fluturojnë gjithnjë e më shpejt. Ai i kupton më thellë fjalët e Solomonit: «S’ka asgjë të re nën diell.» Nga ana tjetër, të rinjtë kanë ende përpara vitet e formimit të tyre që duket sikur kalojnë më ngadalë. Në vend që ‘të rropaten pas erës’ bashkë me këtë botë materialiste, ata mund t’i përdorin këto vite në mënyrë dobiprurëse duke grumbulluar përvojë me bollëk në lidhje me gjërat frymore. Janë me vend fjalët vijuese të Solomonit: «Kujtoje pra tani, Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë sate, para se të vijnë ditët e kobshme ose para se të kenë ardhur vitet, kur do të thuash: ‘Nuk gjej asnjë kënaqësi në to.’»—Ekl. 1:9, 14; 12:1.
32. Si mund të arrijnë njerëzit ta kuptojnë më plotësisht pikëpamjen e Jehovait për kohën?
32 Koha kur njerëzit do të jetojnë përgjithmonë. Sidoqoftë, na presin ditë të gëzueshme që nuk do të jenë aspak të kobshme. Ata që e duan drejtësinë, ‘ditët e të cilëve janë në dorën e Jehovait’, mund të shpresojnë për jetën e përhershme nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë. (Psal. 31:14-16; Mat. 25:34, 46) Nën sundimin e Mbretërisë nuk do të ketë më vdekje. (Zbul. 21:4) Do të jenë zhdukur plogështia, sëmundjet, mërzia dhe ndjenja e kotësisë. Do të ketë punë interesante dhe tërheqëse për të bërë, punë e cila do t’i kërkojë njeriut të përdorë aftësitë e tij të përsosura dhe do t’i sjellë shumë kënaqësi për rezultatet e arritura. Vitet do të duket sikur kalojnë gjithnjë e më shpejt dhe mendjet e mprehta të njerëzve mirënjohës do të mbushen vazhdimisht me kujtime të ngjarjeve të bukura. Ndërsa mijëvjeçarët do të kalojnë, njerëzit në tokë pa dyshim do ta kuptojnë më plotësisht pikëpamjen e Jehovait për kohën: «Një mijë vjet në sytë e tu s’janë veç si e djeshmja që ka kaluar.»—Psal. 90:4.
33. Çfarë bekimi ka urdhëruar Jehovai në lidhje me kohën?
33 Duke e parë rrjedhën e kohës nga këndvështrimi i sotëm njerëzor dhe duke pasur parasysh premtimin e Perëndisë për një botë të re e të drejtë, sa të gëzueshme duken bekimet e asaj dite: «Sepse Jehovai urdhëroi që atje të jetë bekimi i tij dhe jeta në përjetësi.»—Psal. 133:3.
[Shënimet]
a Fjala «orë» del në disa përkthime të Biblës te Danieli 3:6, 15; 4:19, 33; 5:5, dhe vjen nga gjuha aramaike, megjithatë, sipas fjalorit Concordance, Hebrew and Chaldee Dictionary të Strongut, kuptimi i kësaj fjale është «një vështrim, d.m.th., një çast». Ajo është përkthyer «çast» në Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re dhe në përkthime të tjera në shqip.
b Shih shënimet për këto shkrime.
c Biblical Calendars, 1961, nga J. Van Goudoever, faqja 75.
d Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 458, anglisht.
e Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 453, 454, 458; vëll. 2, faqja 459, anglisht.
f Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 568, anglisht.
g Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 899-902, anglisht.
h Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 56-58, anglisht.
[Tabela në faqen 281]
VITI IZRAELIT
Emri i muajit Nisan (Abib)
Përkon me Mars - prill
Viti i shenjtë Muaji i 1-rë
Viti shekullar Muaji i 7-të
Referime Dal. 13:4; Neh. 2:1
Festa 14 nisan Pashka
15-21 nisan Festa e Kuleçve të Ndormë
16 nisan Paraqitja e Fryteve të Para
Emri i muajit Ijar (Ziv)
Përkon me Prill - maj
Viti i shenjtë Muaji i 2-të
Viti shekullar Muaji i 8-të
Referime 1 Mbret. 6:1
Emri i muajit Sivan
Përkon me Maj - qershor
Viti i shenjtë Muaji i 3-të
Viti shekullar Muaji i 9-të
Referime Est. 8:9
Festa 6 sivan Festa e Javëve (festa e Ditës
së Pesëdhjetë)
Emri i muajit Tamuz
Përkon me Qershor - korrik
Viti i shenjtë Muaji i 4-të
Viti shekullar Muaji i 10-të
Referime Jer. 52:6
Emri i muajit Ab
Përkon me Korrik - gusht
Viti i shenjtë Muaji i 5-të
Viti shekullar Muaji i 11-të
Referime Ezd. 7:8
Emri i muajit Elul
Përkon me Gusht - shtator
Viti i shenjtë Muaji i 6-të
Viti shekullar Muaji i 12-të
Referime Neh. 6:15
Emri i muajit Tishër (Ethanim)
Përkon me Shtator - tetor
Viti i shenjtë Muaji i 7-të
Viti shekullar Muaji i 1-rë
Referime 1 Mbret. 8:2
Festa 1 tishër Dita e Buçimës së Trumbetave
10 tishër Dita e Shlyerjes
15-21 tishër Festa e Kasolleve
22 tishër Asamble solemne
Emri i muajit Heshvan (Bul)
Përkon me Tetor - nëntor
Viti i shenjtë Muaji i 8-të
Viti shekullar Muaji i 2-të
Referime 1 Mbret. 6:38
Emri i muajit Hislev
Përkon me Nëntor - dhjetor
Viti i shenjtë Muaji i 9-të
Viti shekullar Muaji i 3-të
Referime Neh. 1:1
Emri i muajit Tebeth
Përkon me Dhjetor - janar
Viti i shenjtë Muaji i 10-të
Viti shekullar Muaji i 4-t
Referime Est. 2:16
Emri i muajit Shebat
Përkon me Janar - shkurt
Viti i shenjtë Muaji i 11-të
Viti shekullar Muaji i 5-të
Referime Zak. 1:7
Emri i muajit Adar
Përkon me Shkurt - mars
Viti i shenjtë Muaji i 12-të
Viti shekullar Muaji i 6-të
Referime Est. 3:7
Emri i muajit Veadar
Përkon me (muaj i ndërfutur)
Viti i shenjtë Muaji i 13-të