Libri biblik numër 66—Zbulesa
Shkrimtari: Apostulli Gjon
Vendi ku u shkrua: Patmos
Shkrimi përfundoi: rr. 96 të e.s.
1. (a) Për çfarë janë në një mendje shërbëtorët e Perëndisë në lidhje me simbolet e Zbulesës? (b) Pse Zbulesa renditet me të drejtë e fundit në Bibël?
A KANË për qëllim të na tmerrojnë simbolet e Zbulesës? Aspak. Përmbushja e profecisë mund të tmerrojë të ligjtë, kurse shërbëtorët besnikë të Perëndisë janë në një mendje me fjalët e frymëzuara që tha engjëlli në fillim dhe në fund të këtij libri: «Lum ai që i lexon me zë dhe ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie!» «Lum kush zbaton fjalët e profecisë së kësaj rrotulle!» (Zbul. 1:3; 22:7) Megjithëse Gjoni e shkroi këtë libër para katër librave të tjerë të frymëzuar të tij, me të drejtë Zbulesa renditet e fundit në përmbledhjen e 66 librave të frymëzuar që përbëjnë Biblën, sepse Zbulesa si libër shpalos para lexuesit të ardhmen me anë të një vegimi gjithëpërfshirës, i cili paraqit qëllimin e Perëndisë për njerëzimin dhe si plotësohet në mënyrë të lavdishme tema madhështore e Biblës: shenjtërimi i emrit të Jehovait dhe shfajësimi i sovranitetit të tij nëpërmjet Mbretërisë së drejtuar nga Krishti, Fara e Premtuar.
2. Si iu dha Zbulesa Gjonit dhe pse është më se i përshtatshëm ky titull për librin?
2 Sipas vargut që i ka dhënë edhe titullin këtij libri, kjo është ‘zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën ia dha Perëndia. . . . Jezui dërgoi engjëllin e tij dhe, nëpërmjet tij, ia paraqiti atë me anë të shenjave skllavit të vet, Gjonit’. Pra, Gjoni ishte thjesht shkrimtari, jo burimi i informacionit. Gjoni nuk është zbuluesi dhe as libri nuk është zbulesë e Gjonit. (1:1) Zbulesa që i dha Perëndia këtij skllavi në lidhje me qëllimet e tij të mrekullueshme për të ardhmen, e bën titullin e këtij libri më se të përshtatshëm, pasi në greqisht ky libër titullohet Apokálipsis (Apokalipsi) që do të thotë «zbuloj».
3. Kush është shkrimtari me emrin Gjon që përmendet në librin e Zbulesës dhe si e mbështetin këtë mendim historianët e lashtë?
3 Kush është Gjoni që përmendet si shkrimtari i Zbulesës në kapitullin e saj të parë? Për të na thuhet se ishte skllav i Jezu Krishtit, vëlla dhe pjesëmarrës në shtrëngime, i mërguar në ishullin e Patmosit. Duket qartë se ai ishte mjaft i njohur për lexuesit e tij të drejtpërdrejtë, të cilët s’kishin nevojë për të dhëna të tjera për ta identifikuar. Duhet të jetë apostulli Gjon. Këtë përfundim e mbështetin edhe shumica e historianëve të lashtë. Thuhet se, sipas Papiasit, një autori të pjesës së parë të shekullit të dytë të e.s., libri kishte origjinë apostolike. Justin Martiri, i shekullit të dytë, shkruan: «Te ne një burrë me emrin Gjon, një nga apostujt e Krishtit, profetizoi nëpërmjet një zbulese që iu dha.»a Ireneu thotë qartë se shkrimtari i këtij libri ishte apostulli Gjon, e po njësoj bëjnë edhe Klementi i Aleksandrisë dhe Tertuliani, që shkruan në fund të shekullit të dytë dhe në fillim të shekullit të tretë. Origjeni, një studiues biblik i njohur i shekullit të tretë, ka thënë: «E kam fjalën për atë që u përkul në kraharorin e Jezuit, për Gjonin, i cili na la një Ungjill, . . . dhe, gjithashtu, shkroi Apokalipsin.»b
4. (a) Si shpjegohet ndryshimi në stil mes Zbulesës dhe shkrimeve të tjera të Gjonit? (b) Ç’gjë tregon se Zbulesa është pjesë autentike e Shkrimeve të frymëzuara?
4 Është e vërtetë që shkrimet e tjera të Gjonit e vënë theksin shumë te dashuria, por kjo s’do të thotë se ai nuk mund të shkruante një libër kaq të fuqishëm e dinamik sa Zbulesa. Ai dhe vëllai i tij Jakovi u mbushën plot indinjatë kundër samaritanëve të një qyteti, sa donin që mbi ta të zbriste zjarr nga qielli. Prandaj, u mbiquajtën «Boanerges» ose «Bij të bubullimës». (Mar. 3:17; Luka 9:54) Ky ndryshim në stil nuk duhet të krijojë asnjë vështirësi, nëse mbajmë parasysh se edhe tema e Zbulesës është e ndryshme. Ato që pa Gjoni në këto vegime ishin krejt ndryshe nga çdo gjë që kishte parë ai deri në atë kohë. Harmonia e jashtëzakonshme e librit me pjesën tjetër të Shkrimeve profetike tregon në mënyrë të pakundërshtueshme se është një pjesë autentike e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë.
5. Kur e shkroi Gjoni Zbulesën dhe në ç’rrethana?
5 Sipas dëshmive më të hershme, Gjoni e shkroi Zbulesën rreth vitit 96 të e.s., afërsisht 26 vjet pas shkatërrimit të Jerusalemit dhe aty nga fundi i mbretërimit të perandorit Domician. Këtë e vërteton edhe Ireneu kur thotë për Apokalipsin: «Ai u dha jo shumë kohë më parë, pothuaj në kohën tonë, aty nga fundi i mbretërimit të Domicianit.»c Me këtë dëshmi pajtohet edhe Eusebi me Jeronimin. Domiciani ishte vëllai i Titit, prijësit të ushtrive romake që shkatërruan Jerusalemin. Ai u bë perandor pas vdekjes së Titit, 15 vjet para se të shkruhej libri i Zbulesës. Pretendonte që ta adhuronin si perëndi dhe mori titullin Dominus et Deus noster (që do të thotë «Zotëria dhe Perëndia ynë»).d Adhurimi i perandorit nuk u krijonte probleme atyre që adhuronin perëndi të rreme, kurse të krishterët e parë nuk mund të përfshiheshin, dhe në fakt nuk pranuan ta përlyenin besimin e tyre në këtë pikë. Kështu, nga fundi i sundimit të Domicianit (81-96 të e.s.), të krishterëve iu desh të përballonin përndjekje të ashpra. Mendohet se Gjonin e syrgjynosi në Patmos Domiciani. Pasi e vranë në vitin 96 të e.s., Domicianit ia zuri vendin Nerva, një perandor më tolerant, i cili me sa duket i dha lirinë Gjonit. Vegimet që dokumentoi, Gjoni i pa gjatë këtij burgimi në Patmos.
6. Si duhet ta shohim librin e Zbulesës dhe si mund të ndahet ai?
6 Duhet të kuptojmë se ato që pa Gjoni dhe fjalët që duhej t’u shkruante kongregacioneve, nuk ishin veç një varg vegimesh pa lidhje, të shkruara ashtu kuturu. Jo, tërë libri i Zbulesës, nga fillimi në fund, na jep një tablo koherente të gjërave që do të vijnë, duke kaluar nga një vegim në tjetrin, derisa në fund zbulohen plotësisht qëllimet e Mbretërisë së Perëndisë. Prandaj, librin e Zbulesës duhet ta shohim si një të tërë, të formuar nga pjesë që lidhen në mënyrë të harmonishme, që na çojnë nga koha e Gjonit në të ardhmen. Pas hyrjes, (Zbul. 1:1-9), libri mund të ndahet në 16 vegime: (1) 1:10–3:22; (2) 4:1–5:14; (3) 6:1-17; (4) 7:1-17; (5) 8:1–9:21; (6) 10:1–11:19; (7) 12:1-17; (8) 13:1-18; (9) 14:1-20; (10) 15:1–16:21; (11) 17:1-18; (12) 18:1–19:10; (13) 19:11-21; (14) 20:1-10; (15) 20:11–21:8; (16) 21:9–22:5. Këto vegime ndiqen nga një përfundim nxitës, ku elementët kryesorë në kanalin e komunikimit—Jehovai, Jezui, engjëlli dhe Gjoni—bëjnë vërejtjet e fundit.—22:6-21.
PËRMBAJTJA E ZBULESËS
7. Çfarë thotë Gjoni për origjinën e Zbulesës dhe në cilat gjëra thotë se është pjesëmarrës bashkë me pjesëtarët e shtatë kongregacioneve?
7 Hyrja (1:1-9). Gjoni shpjegon cili është Burimi hyjnor dhe pjesa engjëllore e kanalit përmes të cilit jepet zbulesa, dhe vazhdon duke iu drejtuar pjesëtarëve të shtatë kongregacioneve në krahinën e Azisë. Jezu Krishti i ka bërë «një mbretëri, priftërinj për Perëndinë dhe Atin», Jehovain, Perëndinë e Plotfuqishëm. Gjoni u kujton se, duke qenë i syrgjynosur në Patmos, është pjesëmarrës bashkë me ta «në shtrëngime, në mbretëri dhe në qëndrueshmëri si ithtar i Jezuit».—1:6, 9.
8. (a) Çfarë i thuhet Gjonit të bëjë? (b) Kë sheh mes shtatë shandanëve dhe çfarë shpjegon Ai?
8 Mesazhet për shtatë kongregacionet (1:10–3:22). Në fillim të vegimit të parë, Gjoni nën frymëzim gjendet në ditën e Zotërisë. Një zë i fortë si ai i trumbetës i thotë të shkruajë në një rrotull atë që sheh dhe t’ua dërgojë shtatë kongregacioneve: Efesit, Smirnës, Pergamit, Tiatirës, Sardës, Filadelfias dhe Laodicesë. Kur kthehet andej nga i vjen zëri, Gjoni sheh mes shtatë shandanëve «dikë që ngjante si bir njeriu» dhe që kishte shtatë yje në dorën e djathtë. Ai thotë se është «i Pari dhe i Fundit», Ai që ishte i vdekur, por tani rron në jetë të jetëve dhe ka çelësat e vdekjes dhe të Hadesit. Pra, ai është Jezu Krishti i ringjallur, i cili shpjegon: «Shtatë yjet përfaqësojnë engjëjt e shtatë kongregacioneve, kurse shtatë shandanët përfaqësojnë shtatë kongregacionet.»—1:13, 17, 20.
9. Ç’lavdërime e këshilla u jepen kongregacioneve të Efesit, Smirnës, Pergamit dhe Tiatirës?
9 Gjonit i thuhet t’i shkruajë engjëllit të kongregacionit të Efesit, që—pavarësisht nga mundi, qëndrueshmëria dhe vendosmëria për të mos i toleruar njerëzit e këqij—e ka lënë dashurinë e fillimit dhe duhet të pendohet e të bëjë veprat e mëparshme. Kongregacionit në Smirnë i thuhet se pavarësisht se ka shtrëngim dhe është i varfër, në fakt është i pasur dhe s’duhet të ketë frikë: «Tregohu i besueshëm deri në vdekje, dhe unë do të të jap kurorën e jetës.» Kongregacioni i Pergamit, që banon «atje ku është froni i Satanait», vazhdon ta mbajë fort emrin e Krishtit, por ka në gjirin e vet apostatë të cilët duhet të pendohen, përndryshe Krishti do t’i luftojë me shpatën e gjatë të gojës së tij. Kongregacioni në Tiatirë ka ‘dashuri, besim, shërbim dhe qëndrueshmëri’, por toleron «gruan Jezebelë». Megjithatë, besnikët që do të qëndrojnë të patundur, do të marrin «autoritet mbi kombet».—2:10, 13, 19, 20, 26.
10. Ç’mesazhe u dërgohen kongregacioneve në Sardë, Filadelfia dhe Laodice?
10 Kongregacioni në Sardë ka namin sikur është i gjallë, por është i vdekur, sepse nuk i ka kryer plotësisht veprat e tij para Perëndisë. Megjithatë, atyre që dalin fitimtarë, nuk do t’u fshihet emri nga libri i jetës. Kongregacioni në Filadelfia e ka ruajtur fjalën e Krishtit, ndaj ai premton se do ta ruajë kongregacionin «në orën e sprovës që do të vijë mbi mbarë tokën e banuar». Atë që del fitimtar, Krishti do ta bëjë një shtyllë në tempullin e Perëndisë së tij. Krishti thotë: «Do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim, emrin e qytetit të Perëndisë tim—Jerusalemi i ri, . . . —dhe emrin tim të ri.» Pasi tregon se është «fillimi i krijimit të Perëndisë», Krishti i thotë kongregacionit të Laodicesë se nuk është as i ngrohtë, as i ftohtë dhe ai do ta vjellë nga goja. Megjithëse mburren se janë të pasur, pjesëtarët e atij kongregacioni në të vërtetë janë të varfër, të verbër e lakuriq. Kanë nevojë për rroba të bardha dhe për balsam për sytë që të shohin. Krishti do të hyjë e do të darkojë me këdo që i hap derën. Atë që do të dalë fitimtar, Krishti do ta lejojë të ulet me të në fronin e tij, sikurse ai është ulur me Atin e vet në fronin e Tij.—3:10, 12, 14.
11. Cili vegim i mrekullueshëm i tërheq vëmendjen Gjonit?
11 Vegimi i shenjtërisë dhe lavdisë së Jehovait (4:1–5:14). Vegimi i dytë na çon para fronit qiellor plot shkëlqim të Jehovait. Kjo skenë ka një bukuri verbuese, si shkëlqimi i gurëve të çmuar. Rreth fronit rrinë ulur 24 pleq që mbajnë mbi kokë kurora. Katër krijesa të gjalla shpallin se Jehovai është i shenjtë. Atë e adhurojnë sepse, si Krijuesi i të gjitha gjërave, është i denjë ‘të marrë lavdinë, nderimin dhe fuqinë’.—4:11.
12. Kush është i vetmi që është i denjë të hapë rrotullën me shtatë vula?
12 ‘Ai që rri ulur në fron’ mban në dorë një rrotull me shtatë vula. Por, kush është i denjë të hapë rrotullën? I denjë është vetëm «Luani që është nga fisi i Judës, rrënja e Davidit»! Pikërisht ky, që është edhe «Qengji që u ther», e merr rrotullën nga dora e Jehovait.—5:1, 5, 12.
13. Cili vegim i përbërë shoqëron hapjen e gjashtë vulave të para?
13 Qengji hap gjashtë vula të rrotullës (6:1–7:17). Tani fillon vegimi i tretë. Qengji nis të hapë vulat. Në fillim, një kalorës mbi një kalë të bardhë del «fitimtar për të plotësuar fitoren e tij». Më pas, kalorësi i një kali me ngjyrë të kuqe zjarr heq paqen nga toka, dhe një tjetër mbi një kalë të zi racionon drithin. Mbi një kalë të zbehtë rrinte Vdekja, dhe Hadesi e ndiqte nga afër. Hapet vula e pestë, dhe ‘ata që ishin therur për shkak të fjalës së Perëndisë’, shihen duke thirrur që të merret hak për gjakun e tyre. (6:2, 9) Kur hapet vula e gjashtë, bie një tërmet i madh, dielli dhe hëna errësohen, të fuqishmit e tokës u thonë maleve të bien mbi ta e t’i fshehin nga Jehovai dhe nga zemërimi i Qengjit.
14. Çfarë shihet më pas në lidhje me skllevërit e Perëndisë dhe me një shumicë të madhe, të cilën askush s’e numëron dot?
14 Më pas, fillon vegimi i katërt. Shihen katër engjëj që mbajnë katër erërat e tokës derisa të vulosen në ballë skllevërit e Perëndisë. Numri i atyre që vulosen është 144.000. Pas kësaj, Gjoni sheh një shumicë të madhe nga të gjitha kombet, të cilën askush s’e numëron dot. Ajo qëndron përpara Perëndisë dhe përpara Qengjit, ia atribuon shpëtimin atyre dhe shërben ditë e natë në tempullin e Perëndisë. Vetë Qengji «do t’i kullotë dhe do t’i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës».—7:17.
15. Çfarë ndodh pasi hapet vula e shtatë?
15 Hapet vula e shtatë (8:1–12:17). Në qiell ka pllakosur heshtja. Më pas, shtatë engjëjve u jepen shtatë trumbeta. Gjashtë kumbimet e para të trumbetave përbëjnë vegimin e pestë.
16. (a) Me çfarë shoqërohet kumbimi njëra pas tjetrës i pesë trumbetave të para dhe cili është i pari nga tre mjerimet? (b) Çfarë lajmëron trumbeta e gjashtë?
16 Ndërsa tri trumbetat e para bien njëra pas tjetrës, toka, deti, lumenjtë dhe burimet e ujërave goditen nga gjëma të njëpasnjëshme. Kur bie trumbeta e katërt, një e treta e diellit, e hënës dhe e yjeve errësohet. Kur bie e pesta, një yll nga qielli lëshon një plagë karkalecash që vërsulen mbi «ata njerëz që nuk e kanë vulën e Perëndisë në ballë». Ky është «mjerimi i parë», dhe pas tij vijnë edhe dy mjerime të tjera. Trumbeta e gjashtë lajmëron zgjidhjen e katër engjëjve që dalin për të vrarë. «Dy dhjetë mijëra herë dhjetëra mijë» kalorës sjellin gjëma e masakra të tjera, por prapëseprapë njerëzit nuk pendohen për veprat e tyre të këqija.—9:4, 12, 16.
17. Cilat ngjarje lajmërojnë se mjerimi i dytë kaloi?
17 Vegimi i gjashtë fillon me një engjëll tjetër të fuqishëm që zbret nga qielli dhe shpall se «në ditët kur engjëlli i shtatë të lëshojë tingullin, . . . sekreti i shenjtë i Perëndisë, ashtu siç ua shpalli lajmin e mirë skllevërve të tij», do të plotësohet. Gjonit i jepet një rrotull e vogël të cilën ai duhet ta hajë. Në gojë ajo është «e ëmbël si mjaltë», por kur e kapërdin, i hidhëron barkun. (10:7, 9) Dy dëshmitarë profetizojnë për 1.260 ditë të veshur me copë thesi. Më pas, ata i vret «bisha që ngjitet nga humnera», dhe kufomat e tyre lihen për tri ditë e gjysmë «në udhën e gjerë të qytetit të madh». Ata që banojnë në tokë gëzojnë për vdekjen e tyre, por gëzimi u kthehet në frikë kur Perëndia i ringjall. Në atë orë bie një tërmet i madh. «Mjerimi i dytë kaloi.»—11:7, 8, 14.
18. Ç’lajmërim i rëndësishëm bëhet kur bie trumbeta e shtatë dhe për çfarë ka ardhur koha e caktuar?
18 Më pas, i bie trumbetës engjëlli i shtatë. Në qiell ushtojnë zëra që lajmërojnë: «Mbretëria e botës u bë mbretëria e Zotërisë tonë dhe e Krishtit të tij.» «Njëzet e katër pleqtë» adhurojnë Perëndinë dhe e falënderojnë, por kombet zemërohen. Ka ardhur koha e caktuar nga Perëndia që të gjykohen të vdekurit, të shpërblehen të shenjtët dhe ‘të rrënohen ata që rrënojnë tokën’. Shenjtërorja e tempullit të Perëndisë hapet, dhe atje duket arka e besëlidhjes së tij.—11:15, 16, 18.
19. Ç’shenjë duket në qiell? Cila luftë shihet në qiell dhe si përfundon?
19 Fill pas njoftimit për themelimin e Mbretërisë, vegimi i shtatë tregon ‘një shenjë të madhe’ në qiell. Është një grua që lind «një fëmijë, një djalë, i cili do të sundojë mbi të gjitha kombet me një shkop të hekurt». «Një dragua i madh me ngjyrë të kuqe zjarr» rri gati që të gllabërojë fëmijën, por ai rrëmbehet për te froni i Perëndisë. Mikaeli lufton kundër dragoit dhe e hedh poshtë në tokë ‘gjarprin e hershëm, që quhet Djall dhe Satana’. ‘Mjerë toka!’ Dragoi përndjek gruan dhe shkon të luftojë me mbetjen e farës së saj.—12:1, 3, 5, 9, 12; 8:13.
20. Cilat janë dy bishat që shfaqen më pas në vegim dhe si ndikojnë te njerëzit në tokë?
20 Bisha që del nga deti (13:1-18). Vegimi i tetë tregon një bishë me shtatë koka e dhjetë brirë, që del nga deti. Ajo e merr fuqinë nga dragoi. Njëra nga kokat e bishës është si e therur për vdekje, por shërohet dhe mbarë toka e admiron bishën. Ajo blasfemon kundër Perëndisë dhe lufton me të shenjtët. Por më pas, Gjoni sheh një bishë tjetër që del nga toka. Ajo ka dy brirë si brirë qengji, mirëpo nis të flasë si dragua. Ajo i mashtron banorët e tokës dhe u thotë t’i bëjnë një shëmbëlltyrë bishës së parë. Të gjithë detyrohen ta adhurojnë këtë shëmbëlltyrë, përndryshe do të vriten. Askush s’mund të blejë ose të shesë nëse s’ka damkën ose numrin e bishës. Numri i saj është 666.
21. Çfarë sheh Gjoni në malin e Sionit, çfarë lajmërojnë e shpallin engjëjt dhe si hiqet hardhia e tokës?
21 ‘Lajmi i mirë i përhershëm’ dhe mesazhet që lidhen me të (14:1-20). Në vegimin e nëntë, krejt ndryshe nga ai i mëparshmi, Gjoni sheh Qengjin në malin e Sionit, dhe bashkë me të janë 144.000 që kanë në ballë emrin e Qengjit dhe të Atit. «Ata këndojnë një si këngë të re para fronit», pasi «janë blerë nga gjiri i njerëzimit si fryte të para për Perëndinë dhe për Qengjin». Në mes të qiellit shfaqet një engjëll tjetër, që sjell ‘një lajm të mirë të përhershëm, që t’ua shpallë si sihariq’ të gjitha kombeve. Ai thotë: «Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi.» Një engjëll tjetër lajmëron: «Ra Babilonia e Madhe!» Një tjetër akoma, engjëlli i tretë, shpall se ata që adhurojnë bishën dhe shëmbëlltyrën e saj, do të pinë zemërimin e furishëm të Perëndisë. Dikush «që i ngjante një biri njeriu» i vë draprin tokës. Veç tij, tokës i vë draprin edhe një engjëll dhe pret hardhinë e tokës, të cilën e hedh në «shtypësen e madhe të zemërimit të Perëndisë». Rrushi shtypet jashtë qytetit, dhe nga shtypësja del gjak, sa arrin frerët e kuajve «deri në një largësi prej një mijë e gjashtëqind stadësh», (rreth 296 kilometra).—14:3, 4, 6-8, 14, 19, 20.
22. (a) Cilët shihen duke i dhënë lavdi Jehovait dhe pse? (b) Ku derdhen shtatë kupat e zemërimit të Perëndisë dhe cilat zhvillime që tronditin botën vijnë më pas?
22 Engjëjt me shtatë plagët e fundit (15:1–16:21). Vegimi i dhjetë fillon me një tjetër vështrim të oborrit qiellor. Ata që fitojnë mbi bishën, i japin lavdi Jehovait, ‘Mbretit të përjetësisë’, për veprat e tij të mëdha e të mrekullueshme. Shtatë engjëj dalin nga shenjtërorja në qiell dhe u jepen shtatë kupa ari plot me zemërimin e Perëndisë. Gjashtë të parat derdhen mbi tokë, mbi det, mbi lumenjtë e burimet e ujërave, si edhe mbi diellin, mbi fronin e bishës dhe mbi lumin Eufrat, të cilit iu thanë ujërat që të përgatitej udha për «mbretërit nga lindja e diellit». Shprehjet demonike mbledhin ‘mbretërit e mbarë tokës së banuar për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’, në Harmagedon. Kupa e shtatë derdhet në ajër dhe, teksa ndodhin dukuri të tmerrshme natyrore, qyteti i madh ndahet në tri pjesë, qytetet e kombeve shemben dhe Babilonia merr ‘kupën me verën e zemërimit të furishëm të Perëndisë’.—15:3; 16:12, 14, 19.
23. (a) Si ekzekutohet gjykimi i Perëndisë mbi Babiloninë e Madhe? (b) Cilat janë lajmërimet dhe vajtimi që shoqëron rënien e saj, dhe ç’lëvdim i gëzueshëm ushton në tërë qiellin?
23 Gjykimi i Perëndisë mbi Babiloninë; martesa e Qengjit (17:1–19:10). Më pas fillon vegimi i 11-të, i cili tregon për gjykimin e Perëndisë mbi ‘Babiloninë e Madhe, nënën e prostitutave’, me të cilën «u kurvëruan mbretërit e tokës». E dehur me gjakun e të shenjtëve, ajo rri ulur mbi një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur që kishte shtatë koka e dhjetë brirë. Kjo bishë «ishte, por nuk është, e megjithatë është gati të ngjitet nga humnera». Brirët e saj luftojnë me Qengjin, por meqenëse është «Zotëri i zotërinjve dhe Mbret i mbretërve», ai i mund. Dhjetë brirët i kthehen prostitutës dhe e gllabërojnë, e në fillim të vegimit të 12-të, një engjëll tjetër që ndriçon tokën me lavdinë e tij, shpall: «Ra! Ra Babilonia e Madhe!» Populli i Perëndisë urdhërohet të dalë prej saj, përndryshe do të marrë nga plagët e saj. Mbretërit dhe të fuqishmit e tjerë në tokë qajnë për të e thonë: «Mjerë, mjerë qyteti i madh, Babilonia, qyteti i fortë, sepse në një orë të vetme erdhi gjykimi yt!» Pasuritë e saj të mëdha shkatërrohen. Babilonia flaket tej po aq vrullshëm, sa një gur i madh mulliri që hidhet në det, dhe s’ka për t’u gjendur më kurrë. Më në fund i është marrë haku gjakut të të shenjtëve të Perëndisë! Qielli ushton katër herë nga thirrja: «Lëvdoni Jah!» Po, të lëvdojmë Jah, sepse ka ekzekutuar gjykimin mbi prostitutën e madhe! Të lëvdojmë Jah, sepse Jehovai ka nisur të mbretërojë! Të gëzojmë e të ngazëllojmë, sepse «erdhi martesa e Qengjit dhe nusja është gati»!—17:2, 5, 8, 14; 18:2, 10; 19:1, 3, 4, 6, 7.
24. (a) Pse lufta e Qengjit është vendimtare? (b) Çfarë ndodh gjatë një mijë vjetëve dhe ç’ngjet në fund të tyre?
24 Qengji lufton me drejtësi (19:11–20:10). Në vegimin e 13-të, ‘Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve’ u prin ushtrive qiellore në luftën e drejtë. Mbretërit dhe njerëzit e fortë kthehen në kërma për zogjtë e qiellit, kurse bisha me profetin e rremë hidhen të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur. (19:16) Kur fillon vegimi i 14-të, shihet një engjëll «që zbriste nga qielli me çelësin e humnerës dhe me një zinxhir të madh në dorë». ‘Dragoi, gjarpri i hershëm, i cili është Djalli dhe Satanai’ kapet dhe lidhet për një mijë vjet. Ata që kanë pjesë në ringjalljen e parë bëhen ‘priftërinj të Perëndisë e të Krishtit, dhe mbretërojnë me të për një mijë vjet’. Më pas, Satanai do të zgjidhet e do të dalë për të mashtruar kombet e tokës, por do të hidhet në liqenin e zjarrit bashkë me ata që i shkojnë pas.—20:1, 2, 6.
25. Cili vegim drithërues e ka radhën dhe cilët do t’i trashëgojnë gjërat që shihen në të?
25 Dita e gjykimit dhe lavdia e Jerusalemit të Ri (20:11–22:5). Më pas e ka radhën vegimi i 15-të, një vegim drithërues. Të vdekur, të mëdhenj e të vegjël gjykohen para fronit të bardhë madhështor të Perëndisë. Vdekja dhe Hadesi hidhen në liqenin e zjarrit, që «do të thotë vdekja e dytë», e bashkë me ta hidhet edhe kush nuk gjendet i shkruar në librin e jetës. Jerusalemi i Ri zbret nga qielli, tenda e Perëndisë është me njerëzit dhe ai fshin çdo lot nga sytë e tyre. S’ka më vdekje, vajtime, klithma e dhembje! Perëndia ‘po bën çdo gjë të re’ dhe ai e përforcon edhe një herë premtimin e tij me fjalët: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.» Këto gjëra do t’i trashëgojnë ata që fitojnë, kurse burracakët, ata pa besim, imoralët dhe ata që merren me spiritizëm e idhujtari, nuk do t’i gëzojnë.—20:14; 21:1, 5.
26. (a) Si përshkruhet Jerusalemi i Ri? (b) Ç’gjëra jetësore shihen në qytet dhe nga vjen drita e tij?
26 Në vegimin e 16-të dhe të fundit, Gjonit i tregohet ‘gruaja e Qengjit’, Jerusalemi i Ri, me 12 porta dhe 12 gurë themeli që mbajnë emrat e 12 apostujve. Qyteti është në formë katrore dhe shkëlqimi i tij madhështor paraqitet nga diaspri, ari dhe perlat që gjenden në të. Jehovai dhe Qengji janë tempulli dhe drita e këtij qyteti. Në të mund të hyjnë vetëm ata që janë shkruar në rrotullën e jetës të Qengjit. (21:9) Nga froni rrjedh një lumë i kulluar me ujin e jetës, i cili zbret nëpër udhën e gjerë të qytetit. Në të dy anët e lumit janë pemët e jetës, që japin fryt muaj për muaj dhe kanë gjethe që sjellin shërim. Froni i Perëndisë dhe i Qengjit do të jetë në këtë qytet, dhe skllevërit e Perëndisë do ta shohin fytyrën e Tij. «Perëndia Jehova do të hedhë dritë mbi ta, dhe ata do të mbretërojnë në jetë të jetëve.»—22:5.
27. (a) Ç’siguri i jepet Gjonit në lidhje me profecinë? (b) Cila është ftesa dhe paralajmërimi i ngutshëm që mbyll Zbulesën?
27 Përfundimi (22:6-21). Jepet siguria: «Këto fjalë janë të besueshme e të vërteta.» Vërtet, lum kush i zbaton fjalët e kësaj profecie! Si dëgjoi e pa këto gjëra, Gjoni përkulet që të adhurojë engjëllin, por ai i kujton të adhurojë vetëm Perëndinë. Fjalët e profecisë nuk duhen vulosur, «sepse koha e caktuar është afër». Lum ata që arrijnë të hyjnë në qytet, sepse jashtë janë të fëlliqurit dhe «kushdo që e pëlqen gënjeshtrën e shkon pas saj». Jezui thotë se ai vetë ua dërgoi këtë dëshmi kongregacioneve nëpërmjet engjëllit të tij, dhe se ai është «rrënja dhe pasardhës i Davidit, si dhe ylli i shndritshëm i mëngjesit». «Fryma dhe nusja vazhdojnë të thonë: ‘Eja!’ Dhe kushdo që dëgjon, le të thotë: ‘Eja!’ Kush ka etje, le të vijë. Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.» Askush të mos shtojë ose të heqë ndonjë gjë nga fjalët e kësaj profecie, përndryshe pjesa e tij do të hiqet, ‘nuk do të lejohet të hajë nga pemët e jetës dhe të hyjë në qytetin e shenjtë’.—22:6, 10, 15-17, 19.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
28. Cilët shembuj na ndihmojnë të kuptojmë se Zbulesa mbyll tregimin e nisur në pjesën e parë të Biblës?
28 Libri i Zbulesës është vërtet një përfundim i shkëlqyer për përmbledhjen e frymëzuar prej 66 librash të Biblës! Nuk mungon asgjë. Nuk ka mbetur asgjë e pazgjidhur. Tani shohim qartë si fillimin, edhe finalen e madhe. Pjesa e fundit e Biblës mbyll tregimin e nisur në pjesën e parë. Ashtu si Zanafilla 1:1 përshkroi krijimin e qiejve dhe të tokës nga Perëndia, Zbulesa 21:1-4 përshkruan një qiell të ri e një tokë të re, si dhe bekimet e papara që do të gëzojnë njerëzit, siç është profetizuar edhe tek Isaia 65:17, 18; 66:22 dhe 2 Pjetrit 3:13. Ashtu si njeriut të parë iu tha se kishte për të vdekur nëse nuk bindej, Perëndia garanton se «nuk do të ketë më vdekje» për ata që binden. (Zan. 2:17; Zbul. 21:4) Kur Gjarpri u shfaq për herë të parë si ai që mashtron njerëzit, Perëndia paratha se atij do t’i shtypej koka, dhe Zbulesa shpjegon se si gjarpri i hershëm, që është Djalli dhe Satanai, në fund flaket në shkatërrim. (Zan. 3:1-5, 15; Zbul. 20:10) Megjithëse njeriu i pabindur u largua nga pema e jetës në Eden, libri i Zbulesës na tregon se njerëzit e bindur do të përfitojnë nga pemët simbolike të jetës që janë «për shërimin e kombeve». (Zan. 3:22-24; Zbul. 22:2) Njësoj si nga Edeni dilte një lumë që ujiste kopshtin, një lumë simbolik që jep jetë dhe e mbështet atë, na paraqitet duke rrjedhur nga froni i Perëndisë. E gjithë kjo përkon me vegimin e mëparshëm të Ezekielit dhe veç kësaj, na kujton fjalët e Jezuit për ‘burimin e ujit që gufon për të dhënë jetë të përhershme’. (Zan. 2:10; Zbul. 22:1, 2; Ezek. 47:1-12; Gjoni 4:13, 14) Ndryshe nga burri dhe gruaja e parë që u dëbuan larg Perëndisë, fitimtarët besnikë do të shohin fytyrën e tij. (Zan. 3:24; Zbul. 22:4) Është vërtet e dobishme të shqyrtojmë vegimet mahnitëse të Zbulesës!
29. (a) Si i lidh mes tyre Zbulesa profecitë për Babiloninë? (b) Ç’paralele vihen re mes vegimeve të Danielit dhe të Zbulesës në lidhje me Mbretërinë dhe me bishat?
29 Gjithashtu, është me vend të shohim edhe si lidhen mes tyre profecitë për Babiloninë e ligë. Isaia kishte parathënë rënien e perandorisë babilonase shumë kohë para se të ndodhte dhe kishte thënë: «Ra! Ra Babilonia!» (Isa. 21:9) Edhe Jeremia profetizoi kundër Babilonisë. (Jer. 51:6-12) Nga ana tjetër, Zbulesa flet me simbole për ‘Babiloninë e Madhe, nënën e prostitutave dhe të gjërave të neveritshme të tokës’. Edhe ajo ka për të rënë, pasi Gjoni e sheh këtë në vegim dhe thotë: «Ra! Ra Babilonia e Madhe!» (Zbul. 17:5; 18:2) A të kujtohet vegimi i Danielit për një mbretëri të vendosur nga Perëndia, që do të thërrmojë mbretëritë e tjera dhe vetë do të qëndrojë «përgjithmonë»? Vër re si lidhet kjo me shpalljen qiellore që lexojmë në librin e Zbulesës: «Mbretëria e botës u bë mbretëria e Zotërisë tonë dhe e Krishtit të tij, dhe Ai do të mbretërojë në jetë të jetëve.» (Dan. 2:44; Zbul. 11:15) Ashtu si vegimi i Danielit përshkruante ‘dikë si një bir njeriu, që vinte me retë e qiellit për të marrë sundimin, lavdinë dhe mbretërinë që do të zgjatin përgjithmonë’, Zbulesa saktëson se Jezu Krishti është «Sundimtari i mbretërve të tokës» që «vjen me retë», dhe thotë se «do ta shohë çdo sy». (Dan. 7:13, 14; Zbul. 1:5, 7) Gjithashtu, vihen re disa paralele edhe mes bishave që gjejmë në vegimet e Danielit me bishat e Zbulesës. (Dan. 7:1-8; Zbul. 13:1-3; 17:12) Pa dyshim, Zbulesa na siguron një fushë të gjerë studimi për të forcuar besimin.
30. (a) Ç’tablo të plotë na jep Zbulesa për shenjtërimin e emrit të Jehovait nëpërmjet Mbretërisë? (b) Si theksohet shenjtëria dhe cilët prek ky aspekt?
30 Zbulesa na siguron një vegim vërtet të mrekullueshëm e shumëfaqësh për Mbretërinë e Perëndisë! Ajo qartëson në mënyrë të shkëlqyer çfarë kanë thënë për Mbretërinë profetët e lashtë, Jezui dhe dishepujt e tij. Ajo na jep plotësimin e tablosë së shenjtërimit të emrit të Jehovait nëpërmjet Mbretërisë: «I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Perëndia Jehova, i Plotfuqishmi.» Ai është i denjë ‘të marrë lavdinë, nderimin dhe fuqinë’. Pikërisht ai ‘merr pushtetin e tij të madh dhe fillon të mbretërojë’ nëpërmjet Krishtit. Zelli i madh i këtij Biri mbretëror, ‘Mbretit të mbretërve dhe Zotërisë së zotërinjve’, tregohet kur ai godet kombet dhe i shtyp «në shtypësen e rrushit të zemërimit të furishëm të Perëndisë së Plotfuqishëm». Ndërsa tema madhështore e Biblës për shfajësimin e Jehovait shkon drejt pikës së saj kulmore, theksohet se gjithkush dhe gjithçka që merr pjesë në qëllimet e Mbretërisë së tij, duhet të jetë i shenjtë. Qengji, Jezu Krishti, që «ka çelësin e Davidit», përshkruhet si i shenjtë e po kështu edhe engjëjt në qiell. Për ata që kanë pjesë në ringjalljen e parë, thuhet se janë ‘të lumtur dhe të shenjtë’ dhe theksohet se «asgjë që nuk është e shenjtë, askush që merret me ndonjë gjë të neveritshme» nuk do të hyjë kurrsesi në «qytetin e shenjtë, Jerusalemin». Kështu, ata që janë blerë me gjakun e Qengjit për të qenë «një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë», inkurajohen fuqishëm të qëndrojnë të shenjtë para Jehovait. Edhe ‘shumica e madhe’ duhet ‘t’i lajë petkat e gjata e t’i zbardhë në gjakun e Qengjit’, që të mund të bëjë shërbim të shenjtë.—Zbul. 4:8, 11; 11:17; 19:15, 16; 3:7; 14:10; 20:6; 21:2, 10, 27; 22:19; 5:9, 10; 7:9, 14, 15.
31. Cilat aspekte të Mbretërisë sjell në vëmendjen tonë vetëm libri i Zbulesës?
31 Vegimi i kësaj Mbretërie madhështore dhe të shenjtë të Perëndisë na mbetet i skalitur në mendje, ndërsa vërejmë disa aspekte që i sjell në qendër të vëmendjes sonë vetëm libri i Zbulesës. Ajo na paraqit vegimin e plotë të trashëgimtarëve të Mbretërisë në malin e Sionit bashkë me Qengjin, duke kënduar një këngë të re që vetëm ata dinë ta këndojnë. Vetëm Zbulesa na tregon se numri i atyre që janë blerë nga toka për të hyrë në Mbretëri është 144.000 dhe se ata janë vulosur nga 12 fiset simbolike të Izraelit frymor. Vetëm Zbulesa na tregon se këta ‘priftërinj dhe mbretër’ që marrin pjesë në ringjalljen e parë bashkë me Krishtin, do të mbretërojnë me të «për një mijë vjet». Vetëm Zbulesa na jep një pamje të plotë të ‘qytetit të shenjtë, Jerusalemit të Ri’, dhe na tregon lavdinë rrëzëllyese të tij, Jehovain dhe Qengjin si tempullin e tij, 12 portat dhe gurët e themelit të tij dhe ata që do të mbretërojnë atje përgjithmonë nëpërmjet dritës së përjetshme që hedh Jehovai mbi ta.—14:1, 3; 7:4-8; 20:6; 21:2, 10-14, 22; 22:5.
32. (a) Si i përmbledh të gjitha ato që ishin thënë për Farën e Mbretërisë vegimi i ‘qiellit të ri’ dhe ‘qytetit të shenjtë, Jerusalemit të Ri’? (b) Ç’bekime do t’u sjellë Mbretëria njerëzve në tokë?
32 Është e vërtetë se ky vegim për ‘qiellin e ri’ dhe për «qytetin e shenjtë, Jerusalemin e Ri» përmbledh të gjitha ato që kishin parathënë Shkrimet që në lashtësi për Farën e Mbretërisë. Abrahami priste një farë nëpërmjet së cilës ‘të gjitha kombet e tokës do të arrinin të merrnin bekime’ dhe «qytetin që ka themele të vërteta, ndërtuesi dhe bërësi i të cilit është Perëndia». Në vegimin e Zbulesës, ky qytet që sjell bekime, identifikohet qartë si ‘qielli i ri’, një qeveri e re, Mbretëria e Perëndisë, e përbërë nga Jerusalemi i Ri (nusja e Krishtit) dhe Dhëndri. Së bashku do të formojnë një qeveri të drejtë që do të drejtojë tërë tokën. Jehovai u premton besnikëve se do të jenë «populli i tij» e do të jetojnë të lumtur, pa mëkat dhe pa vdekje, njësoj si para rebelimit në Eden. Për ta përforcuar këtë, Zbulesa thotë dy herë se Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre».—Zan. 12:3; 22:15-18; Hebr. 11:10; Zbul. 7:17; 21:1-4.
33. (a) Ç’tablo të mrekullueshme na paraqit Zbulesa në lidhje me përmbushjen e qëllimeve hyjnore? (b) Si është provuar se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm», dhe pse themi se tani është koha ta studiosh Fjalën e Perëndisë dhe t’i bindesh?
33 A s’është ky një përfundim madhështor i Shkrimeve të frymëzuara? Sa të mrekullueshme janë «ato që do të ndodhin së shpejti»! (Zbul. 1:1) Emri i Jehovait, ‘Perëndisë së shprehjeve të frymëzuara të profetëve’, shenjtërohet. (22:6) Aty shihet si përmbushen profecitë e 16 shekujve dhe si shpërblehen veprat e besimit të kryera gjatë mijëra vjetëve. «Gjarpri i hershëm» vdes, ushtritë e tij shkatërrohen dhe ligësia nuk ekziston më. (12:9) Mbretëria e Perëndisë qeveris si ‘qiell i ri’ në lavdi të Tij. Para njerëzimit shpaloset një përjetësi e lavdishme me bekimet e një toke të rimëkëmbur, të mbushur e të nënshtruar në përputhje me qëllimin e Jehovait që tregohet në kapitullin e parë të Biblës. (Zan. 1:28) Vërtet, është provuar se i gjithë Shkrimi është «i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi». Me anë të tij, Jehovai po i drejton njerëzit me besim, të cilët janë krejtësisht të zotët e plotësisht të pajisur, që t’ia arrijnë kësaj dite të mrekullueshme. Ndaj, tani është koha t’i studiosh Shkrimet për të forcuar besimin. Bindju urdhrave që gjen në to, që të marrësh bekimin e Perëndisë. Ndiqi ndërsa ecën në udhën e drejtë që të çon në jetën e përhershme. Në këtë mënyrë, edhe ti mund të thuash me bindje të plotë fjalët me të cilat mbyllet libri i fundit i Biblës: «Amin! Eja, o Zotëri Jezu!»—2 Tim. 3:16; Zbul. 22:20.
34. Si mund të kemi gëzim të papërshkrueshëm tani dhe pse?
34 Ç’gëzim të papërshkrueshëm mund të ndiejmë tani, duke brohoritur për ‘mbretërinë e Zotërisë tonë dhe të Krishtit të tij’, Farës, ndërkohë që ajo sjell shenjtërimin e përhershëm të emrit të pashoq të ‘Perëndisë Jehova, të Plotfuqishmit’!—Zbul. 11:15, 17.
[Shënimet]
a «Dialog me Trifonin, një jude», (kap. LXXI), botuar në The Ante-Nicene Fathers, vëll. I, faqja 240.
b Histori kishtare, nga Eusebi, vëll. VI, kap. xxv, par. 9, 10.
c «Kundër herezive», (vëll. V, kap. xxx), botuar në The Ante-Nicene Fathers, vëll. I, faqet 559, 560.
d Jetët e Cezarëve (Domiciani, par. XIII, 2).