Të ndjekim Krishtin duke u sjellë me dinjitet
1. Si lidhet tema e kongresit të sivjetshëm me sjelljen tonë me dinjitet?
1 Bibla e përshkruan Sovranin Universal, Jehovain, si të veshur me lavdi ose dinjitet. (Psal. 104:1) Jezui foli e veproi gjithnjë në një mënyrë që nderonte Atin e tij dhe masat e Atit. (Gjoni 17:4) Secili prej nesh ka mundësi të imitojë Jezuin dhe t’i sjellë lavdi Jehovait gjatë Kongresit Krahinor të ardhshëm me temë «Ndiqni Krishtin!».
2. Si e nderon Jehovain parapërgatitja jonë për të qenë të pranishëm në të gjitha sesionet?
2 Adhurim dinjitoz: Mund ta nderojmë Jehovain duke marrë masa për të qenë të pranishëm në këtë gosti frymore që ai ka përgatitur për ne. A keni folur me punëdhënësin dhe a i keni rregulluar punët që të jeni të pranishëm në kongres të tria ditët, duke përfshirë edhe të premten? A keni planifikuar të arrini mjaft kohë përpara që të zini vend dhe të merrni pjesë në këngën dhe lutjen hapëse? A keni planifikuar që drekën ta hani bashkë me vëllezërit në vendin ku mbahet kongresi? Në fillim të çdo sesioni, kur drejtuesi të na ftojë me dashamirësi të zëmë vendet para se të fillojë muzika, duhet t’i lëmë menjëherë bisedat dhe të ulemi për fillimin e programit.
3. Si i jep dinjitet adhurimit tonë ndjekja me vëmendje e programit?
3 Edhe ndjekja e programit me vëmendje nderon Atin tonë qiellor. Pasi vëzhgoi një kongres krahinor në qytetin e tij, një gazetar shkroi se njerëzve do t’u bënte përshtypje «sjellja shembullore e të pranishmëve, që dëgjojnë me qetësi e respekt dhe shfaqin një etje të dukshme për gjërat frymore». Gjithashtu, ai komentoi për «numrin e jashtëzakonshëm të fëmijëve . . . , të cilët çuditërisht sillen të gjithë mirë ose janë të përqendruar të gjejnë vargjet në Bibël». Gjatë programit nuk është koha për biseda të panevojshme, për të shkruar mesazhe me celular, për të ngrënë ose për t’u endur korridoreve. Fëmijët duhet të ulen pranë prindërve, që ata t’i ndihmojnë të nxjerrin dobi nga programi. (Ligj. 31:12; Prov. 29:15) Këto përpjekje tregojnë respekt për të tjerët dhe mirënjohje për ushqimin e rëndësishëm frymor që na është vënë përpara.
4. Pse duhet të kemi një paraqitje të jashtme dinjitoze kur jemi në kongres?
4 Paraqitje e jashtme dinjitoze: Shumë kanë shprehur vlerësim për përkujtuesit që morën në kongresin krahinor të vjetshëm gjatë fjalimit «Të sillemi gjithnjë me dinjitet si adhurues të Jehovait», i cili theksoi se shërbëtorët e Perëndisë duhet të përpiqen të tregojnë dinjitet të krishterë në mënyrën si vishen e rregullohen. Edhe sivjet duhet t’i kushtojmë vëmendje serioze kësaj çështjeje. Paraqitja jonë e jashtme pasqyron ndjenjat tona për Jehovain dhe për privilegjin që jemi Dëshmitarë të tij. Gjithmonë duhet të vishemi si ata «që pohojnë se nderojnë thellë Perëndinë».—1 Tim. 2:9, 10.
5. Si mund të kemi një paraqitje të jashtme dinjitoze gjatë kohës së lirë në qytetin ku mbahet kongresi?
5 A duhet të kemi paraqitje dinjitoze vetëm gjatë programit? Të mos harrojmë se shumë do t’i vërejnë distinktivët tanë kur të jemi në qytetin ku mbahet kongresi. Nga paraqitja e jashtme duhet të spikatim si të ndryshëm nga të tjerët. Prandaj, edhe gjatë kohës së lirë, si për shembull kur dalim për të ngrënë pas programit, duhet të vishemi si u ka hije shërbëtorëve të Perëndisë që kanë vajtur në atë qytet për të qenë të pranishëm në një kongres të krishterë dhe s’duhet të veshim xhinse, pantallona të shkurtra ose bluza sportive. Kjo do të jetë një dëshmi e mirë për njerëzit që na rrethojnë. Jehovai kënaqet kur paraqitja jonë e jashtme pasqyron se jemi shërbëtorë të tij.
6. Ç’rezultate të mira kemi kur tregojmë dinjitet të krishterë?
6 Rezultate të kënaqshme: Sjellja jonë me dinjitet gjatë kongreseve krijon mundësi që të japim dëshmi joformale dhe njerëzit që na vëzhgojnë mbeten me përshtypje të mira. Në fund të një kongresi, një nëpunës vërejti: «Nuk kemi parë kurrë njerëz kaq të sjellshëm. Jeni ashtu si pret Perëndia që të jemi ne.» Sjellja me dinjitet tregon respekt dhe dashuri për njëri-tjetrin dhe i jep lavdi Jehovait. (1 Pjet. 2:12) Ajo tregon se kemi frikë nga Perëndia dhe jemi mirënjohës për privilegjin që arsimohemi nga Ati ynë. (Hebr. 12:28) Le të përpiqemi të tregojmë dinjitet ndërsa presim kongresin krahinor për këtë vit me temë «Ndiqni Krishtin!».
[Kutia në faqen 5]
Përkujtues për Kongresin Krahinor
◼ Oraret: Në të tria ditët, programi do të fillojë në orën 9.20. Dyert do të hapen në orën 8.00. Kur të fillojnë të dëgjohen në sfond meloditë e Mbretërisë, të gjithë duhet të zëmë vend, me qëllim që programi të fillojë në mënyrë sa më dinjitoze. Të premten dhe të shtunën programi do të mbarojë në orën 17.05, kurse të dielën në orën 16.10.
◼ Parkimi: Në të gjitha vendet e kongresit ku sigurohet një vend parkimi, ata që gjejnë vend mund t’i parkojnë makinat pa asnjë detyrim. Si identifikim për parkimin do të shërbejnë distinktivët e kongresit. Vetëm ata që kanë një librezë invaliditeti të aprovuar nga shteti mund të parkojnë në vendet e rezervuara për invalidët. Meqë zakonisht vendet e parkimit janë të kufizuara, mundohuni të shfrytëzoni të gjitha vendet që ka një makinë.
◼ Vendet për t’u ulur: Mund të rezervoni vende vetëm për ata që udhëtojnë me ju ose për ata që jetojnë me ju në të njëjtën shtëpi.
◼ Dreka: Ju lutemi ta merrni drekën me vete, në mënyrë që të mos largoheni nga vendi ku mbahet kongresi gjatë pushimit të drekës. Nëse është e nevojshme, mund të merrni një çantë-frigorifer të vogël, që mund ta mbani poshtë karriges suaj. Çantat e mëdha familjare që përdoren për piknikë, enët prej qelqi dhe pijet alkoolike nuk lejohen në vendin e kongresit.
◼ Kontributet: Organizimi i një kongresi krahinor kërkon shpenzime të konsiderueshme. Mund ta tregojmë vlerësimin tonë duke dhënë kontribute vullnetare për veprën mbarëbotërore në Sallën e Mbretërisë ose në kongres. Çeqet duhet të bëhen të pagueshme për «Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri».
◼ Aksidentet dhe urgjencat: Shërbimet e urgjencës janë ankuar që marrin shumë telefonata me celular për vogëlsira. Nëse në vendin e kongresit ka një rast urgjence, ju lutemi të thërritni përcjellësin më të afërt, i cili do të njoftojë menjëherë repartin e ndihmës së shpejtë, në mënyrë që personeli i specializuar i këtij reparti të përcaktojë se sa e rëndë është gjendja dhe të japë ndihmën e duhur. Nëse është e nevojshme do të thirret urgjenca.
◼ Regjistrimi: Aparatet regjistruese të çdo lloji nuk duhet të lidhen me sistemin elektrik ose akustik të kongresit dhe mund të përdoren vetëm në një mënyrë që nuk i shqetëson të tjerët.
◼ Formularët «Ju lutemi, ndiqni interesin»: Për të dhënë informacion për ndonjë që tregon interes kur japim dëshmi joformale gjatë kongresit, duhet të përdoret formulari Ju lutemi, ndiqni interesin (S-43). Lajmëtarët duhet të marrin me vete një ose dy formularë të tillë. Këto mund t’i gjeni edhe te Reparti i Literaturës në kongres. Formularët e plotësuar mund të çohen në Repartin e Literaturës ose mund t’ia jepni sekretarit të kongregacionit tuaj kur të ktheheni nga kongresi.—Shih Shërbimi ynë i Mbretërisë shkurt 2005, f. 6.
◼ Restorantet: Në shumë vende është zakon që të lihet bakshish 15 deri në 20 për qind të shumës, por kjo është në varësi të shërbimit.
◼ Hotelet: (1) Ju lutemi të mos rezervoni më shumë dhoma sesa ju nevojiten dhe të mos mbani më shumë njerëz në dhomë nga sa lejohet. (2) Nëse duhet ta anuloni rezervimin, njoftoni hotelin pa humbur kohë. (3) Mos gatuani në dhomat ku nuk lejohet gatimi. (4) Nëse është zakon, lini bakshish për pastruesen e dhomës çdo ditë. (5) Sigurisht që, si të krishterë nuk duhet të abuzojmë me asnjë nga ushqimet e mëngjesit që janë falas, kafenë ose akullin, pasi ato janë në dispozicion të klientëve kur janë në hotel. (6) Shfaqni gjithnjë frytin e frymës me personelin e hotelit. (7) Tarifa që tregohet në listën e strehimeve të rekomanduara është vlera e plotë e çmimit për çdo ditë, duke përjashtuar taksën. Nëse në llogarinë tuaj futen shpenzime shtesë për ndonjë gjë që nuk e keni kërkuar ose nuk e keni përdorur, mos pranoni t’i paguani dhe njoftoni Repartin e Strehimit të kongresit sa më shpejt që të jetë e mundur. (8) Nëse lind ndonjë problem me dhomën e hotelit, sigurohuni të njoftoni Repartin e Strehimit gjatë kohës që jeni në kongres.