Përpjekje e zellshme në të gjithë botën për të lajmëruar Kongresin Krahinor «Ndiqni Krishtin!»
Lajmëtarët do të ofrojnë përsëri një ftesë të veçantë
1 Vitin që kaloi, fushata mbarëbotërore për të lajmëruar Kongresin Krahinor «Çlirimi është afër!», pati një ndikim të fuqishëm tek të interesuarit. Ata që e pranuan ftesën e veçantë dhe erdhën, shijuan për herë të parë një gosti të pasur frymore me Dëshmitarët e Jehovait. (Isa. 65:13) Provuan kënaqësinë që ndien kur shoqërohesh me vëllazërinë tonë të krishterë, një vëllazëri e ngrohtë dhe e bashkuar. (Psal. 133:1) Për të ndihmuar sa më shumë që të marrin pjesë në Kongresin Krahinor «Ndiqni Krishtin!», do të ofrojmë përsëri një ftesë të veçantë në mbarë botën.
2 Rezultatet e vitit të kaluar: Raportet që morëm nga e gjithë bota, dëshmojnë se lajmërimi për Kongresin Krahinor me temë «Çlirimi është afër!» solli rezultate të shkëlqyera. Në shumë vende, u fol mirë për ne. Për shembull, në një qytet, një gazetë botoi një artikull me gjashtë kolona ku shprehej për fushatën: «Për t’i lajmëruar të gjithë para kongresit, Dëshmitarët kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme në tërë zonën, duke punuar më gjatë, duke përshkuar distanca më të gjata dhe duke folur më shkurt.» Shpërndarja e bashkërenduar e ftesës ngjalli interesin e medias në një tjetër qytet dhe i nxiti ta trajtonin këtë ngjarje në mënyrë të hollësishme. Të paktën tri gazeta folën mirë për aktivitetin tonë para kongresit. Një gazetar shkroi disa artikuj të zgjeruar që zinin më shumë se dy faqe në numrin e së dielës në një gazetë. Ai paraqiti me hollësi bindjet tona, vëllazërinë tonë, shpërndarjen e ftesës dhe kongresin. Kur një lajmëtare ofroi ftesën në një derë, e zonja e shtëpisë e ndërpreu me fjalët: «Po, sapo e lexova në gazetë!» Një tjetër tha tërë entuziazëm: «Sa lexova për ju, dhe ja ku ia behët në derë! Ftesa ime është kjo?» Pastaj shtoi: «Kjo që po bëjnë Dëshmitarët e Jehovait është shumë e lavdërueshme.»
3 Shumë të interesuar erdhën në vendet ku mbaheshin kongreset me ftesën në dorë. Disa udhëtuan nga qytete të largëta për të ndjekur disa sesione. Përpjekjet tona të zellshme për të ftuar të tjerët çuan në rritjen e numrit të të pranishmëve; për shembull, në një vend ky kongres pati 27 për qind më shumë të pranishëm se vitin e mëparshëm.
4 Mbulimi i territorit: Mund të filloni ta shpërndani ftesën tri javë para datës së fillimit të kongresit ku jeni caktuar. Duhet bërë çmos për të mbuluar gjithë territorin e kongregacionit. Gjatë javës së fundit para kongresit, lajmëtarët e kongregacioneve që kanë shumë territor, mund t’ua lënë ftesën atyre që nuk janë në shtëpi në një vend që nuk bie në sy. Kongregacionet duhet të përpiqen të shpërndajnë të gjithë sasinë e ftesave që u janë caktuar dhe të mbulojnë sa më shumë territor që të jetë e mundur. Tepricën e ftesave mund ta përdorin pionierët e kongregacionit.
5 Çfarë të themi?: Mund të thoni: «Në të gjithë botën po përpiqemi të shpërndajmë këtë ftesë për një ngjarje të rëndësishme që kemi përpara. Kjo është për ju. Brenda ftesës do të gjeni hollësi të tjera.» Prezantimet e shkurtra do të na lejojnë të shpërndajmë sa më shumë ftesa. Pa dyshim, nëse i zoti i shtëpisë ka pyetje, mos ngurroni t’u përgjigjeni. Aty ku tregohet interes, mbani shënim dhe kthehuni te personi sa më shpejt që të jetë e mundur.
6 Sa e rëndësishme është të përpiqemi të ndjekim Krishtin! (Gjoni 3:36) Kongresi krahinor që kemi përpara do t’i ndihmojë të gjithë ata që do të jenë të pranishëm të bëjnë pikërisht këtë. Mund të presim me siguri që do të jepet përsëri një dëshmi e madhe nga kjo përpjekje e zellshme për të lajmëruar Kongresin Krahinor me temë «Ndiqni Krishtin!» Prandaj, fto me zell sa më shumë njerëz që ta ndjekin. Jehovai i bekoftë jashtëzakonisht përpjekjet tuaja individuale për të marrë pjesë në këtë fushatë që do të bëhet në të gjithë botën!