Si mund të të ndihmojnë engjëjt?
FJALA e Perëndisë e vërteton ekzistencën e engjëjve. Ajo na tregon se ka miliona krijesa të tilla frymore. Shërbëtori i Perëndisë Jehova, Danieli, pati një vizion të gjërave qiellore, për të cilat shkroi: «Kishte një mijë mijëra që vazhdonin t’i shërbenin [Perëndisë] dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë që vazhdonin të qëndronin mu përpara tij.»—Danieli 7:10, BR.
Vëre se pohimi i Danielit na thotë më shumë sesa thjesht që ka shumë engjëj. Ai tregon edhe se engjëjt i shërbejnë Perëndisë. Ata janë shërbëtorët e tij. Në harmoni me këtë, psalmisti këndoi: «Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij. Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij.»—Psalmi 103:20, 21.
Bibla shpjegon edhe se engjëjt nuk e filluan jetën e tyre si njerëz në tokë. Madje Jehovai i krijoi engjëjt në qiell përpara se të krijonte tokën. Kur Perëndia ‘hodhi themelet e tokës, tërë bijtë engjëllorë të Perëndisë lëshuan britma gëzimi’.—Jobi 38:4-7.
Engjëjt janë krijesa frymore: të padukshme, të fuqishme dhe inteligjente. Në Bibël, kur flitet për një krijesë frymore, fjala hebraike malakhʹ dhe termi grek agʹgelos janë përkthyer «engjëll». Këto fjalë shfaqen afërsisht 400 herë në Bibël. Që të dyja kanë të njëjtin kuptim, domethënë «lajmëtar».
Takime me engjëjt
Engjëjt janë me siguri lajmëtarë. Ndoshta e di mirë tregimin biblik për kohën kur engjëlli Gabriel iu shfaq Marisë. Ai i tha asaj se megjithëse qe e virgjër, do të lindte një djalë që do të quhej Jezu. (Luka 1:26-33) Edhe disa barinjve që ishin në fushë iu shfaq një engjëll. Ai i njoftoi: «Sot ju lindi një Shpëtimtar, që është Krishti, Zotëria.» (Luka 2:8-11, BR) Në mënyrë të ngjashme, engjëjt i dhanë mesazhe Agarit, Abrahamit, Lotit, Jakobit, Moisiut, Gideonit, Jezuit dhe personazheve të tjerë të Biblës.—Zanafilla 16:7-12; 18:1-5, 10; 19:1-3; 32:24-30; Eksodi 3:1, 2; Gjyqtarët 6:11-22; Luka 22:39-43; Hebrenjve 13:2.
Vlen të vërehet se të gjitha këto mesazhe të dhëna nga engjëjt ishin në harmoni me realizimin e qëllimeve të Perëndisë dhe jo medoemos me qëllimet e njerëzve të përfshira në to. Engjëjt u paraqitën si përfaqësues të Perëndisë, sipas vullnetit të tij dhe programit të tij. Nuk ishin njerëzit ata që i thirrën.
A duhet t’u drejtohemi engjëjve për ndihmë?
A duhet t’u drejtohemi engjëjve kur jemi në hall? Nëse po, do të donim të dinim emrin e një engjëlli që është më se i aftë për të na ndihmuar. Për këtë, disa libra që dalin në treg renditin emrat e supozuar të shumë engjëjve, si edhe rangun, titujt dhe detyrat e tyre. Një libër rendit atë që quhet «dhjetëshja më e mirë qiellore», «engjëjt më të njohur në botën perëndimore». Bashkë me listën jepet edhe këshilla të mbyllësh sytë, të përsëritësh disa herë me ngadalë emrin e engjëllit, të marrësh frymë thellë, ta nxjerrësh me ngadalë frymën dhe të «përgatitesh për një kontakt të mundshëm me ta».
Në kontrast me këtë, Bibla na jep vetëm emrat e dy engjëjve besimplotë të Perëndisë: Mikaelit dhe Gabrielit. (Danieli 12:1; Luka 1:26) Ka mundësi që arsyeja për të cilën janë dhënë këta emra ishte që të tregohet se çdo engjëll është një person unik frymor që ka një emër dhe jo thjesht një energji apo forcë abstrakte.
Vlen të vërehet se disa engjëj refuzuan t’ua zbulonin emrat e tyre njerëzve. Kur Jakobi i kërkoi një engjëlli t’ia zbulonte emrin e tij, ai refuzoi ta bënte. (Zanafilla 32:29) Kur iu kërkua të identifikohej, një engjëll që iu drejtua Josiut i tha vetëm se ishte «princi i ushtrisë së Jehovait». (Josiu 5:14, BR) Kur prindërit e Samsonit e pyetën një engjëll se si e kishte emrin, ai tha: «Pse vallë kërkon të mësosh emrin tim? Ai është i mrekullueshëm.» (Gjyqtarët 13:17, 18) Duke mos na dhënë listën e emrave të engjëjve, Bibla na ruan që të mos u japim engjëjve një nderim dhe adhurim të pavend. Gjithashtu, siç do ta shohim, Bibla nuk na udhëzon t’i thërrasim engjëjt.
T’i drejtohemi Perëndisë
Bibla na tregon gjithçka që ka nevojë të dimë në lidhje me çështje të ndryshme të sferës frymore. Apostulli Pavël shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim . . . që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.» (2. Timoteut 3:16, 17) Nëse Perëndia dëshironte që ne të dinim emrat e shumë engjëjve, do të na i kishte zbuluar ata në Fjalën e tij, Biblën. Gjithashtu, nëse Perëndia do të dëshironte të na udhëzonte se si të viheshim në kontakt me engjëjt dhe të flitnim me ta në lutje, këtë informacion do të na e kishte dhënë në Shkrimet.
Por në të kundërt, Jezu Krishti mësoi: «Kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi . . . Ju, pra, lutuni kështu: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.’» (Mateu 6:6, 9) Pikëpamja biblike është kjo: Ne nuk duhet t’u drejtohemi apo t’u lutemi engjëjve, por duhet t’i drejtohemi në lutje Krijuesit të engjëjve, vetë Perëndisë. Emri i tij nuk është një mister dhe për ta zbuluar atë s’ka nevojë për ndonjë vegimtar. Megjithëse janë bërë përpjekje për ta fshehur emrin hyjnor, në Bibël ai shfaqet mbi 7.000 herë. Për shembull, duke iu referuar Atit qiellor, psalmisti këndoi: «Ti, emri i të cilit është Jehova, vetëm ti je Më i Larti mbi gjithë tokën.»—Psalmi 83:18, BR.
Jehovai nuk është kurrë tepër i zënë për të na dëgjuar, nëse i drejtohemi siç duhet në lutje. Bibla jep këtë siguri: «Për sa i përket Jehovait, sytë e tij enden nëpër të gjithë tokën, për të treguar forcën e tij në dobi të atyre, zemra e të cilëve është e plotë ndaj tij.»—2. Kronikave 16:9, BR.
Engjëjt dhe standardet morale
Në kundërshtim me atë që paraqitet shpesh nga mjetet e informacionit publik, engjëjt nuk i gjykojnë njerëzit. Kjo është e drejtë, sepse engjëjt nuk janë të autorizuar t’i gjykojnë qeniet njerëzore. Jehovai është «Gjykatësi i të gjithëve», ndonëse «gjithë gjyqin ia dha Birit», Jezu Krishtit. (Hebrenjve 12:23; Gjoni 5:22) Megjithatë, do të ishte gabim të mendohej se engjëjt nuk duan t’ia dinë se si e jetojmë ne jetën tonë. Jezui tha: «Do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet.»—Luka 15:10.
Por engjëjt nuk janë thjesht soditës. Në të kaluarën, ata kanë shërbyer si ekzekutues, duke zbatuar gjykimet e Jehovait. Për shembull, Perëndia i përdori engjëjt kundër egjiptianëve të lashtë. Sipas Psalmit 78:49, «ai dërgoi mbi ta zemërimin e tij të zjarrtë, tërbimin, denoncimin dhe angështinë, delegacionet e engjëjve që sollën katastrofën». (BR) Ngjashëm, Bibla thotë se brenda një nate, një engjëll i vetëm shkatërroi 185.000 ushtarë asirianë.—2. Mbretërve 19:35.
Ngjashëm, në të ardhmen, engjëjt do të shkatërrojnë ata që duke refuzuar t’u përmbahen standardeve të drejta të Perëndisë, kërcënojnë mirëqenien e të tjerëve. Jezui do të vijë «me engjëjt e tij të fuqishëm në një zjarr flakërues, kur të sjellë hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë».—2. Thesalonikasve 1:7, 8, BR.
Kështu, Shkrimet tregojnë se engjëjt besimplotë të Perëndisë bëjnë gjithmonë vullnetin e tij, duke zbatuar udhëzimet e tij dhe duke mbështetur standardet e tij të drejta. Qartë, nëse duam që engjëjt e Perëndisë të na ndihmojnë, duhet të dimë se cili është vullneti i Perëndisë dhe të përpiqemi me të gjitha forcat ta bëjmë atë.
Engjëjt mbrojtës
A kujdesen engjëjt për njerëzit dhe a i mbrojnë ata? Apostulli Pavël pyeti: «A nuk janë ata të gjithë [engjëjt] frymëra shërbenjës, që dërgohen për të shërbyer për të mirën e atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin?» (Hebrenjve 1:14) Qartë, përgjigjja për pyetjen e Pavlit është po.
Për shkak të refuzimit për t’u përkulur përpara një shëmbëlltyre prej ari të ngritur nga mbreti babilonas Nabukodonosori, tre hebrenjtë, Shadrak, Meshak dhe Abedneg, u flakën në një furrë të tejnxehur. Megjithatë, zjarri nuk i preku fare ata shërbëtorë besimplotë të Perëndisë. Kur mbreti shikoi në brendësi të furrës, pa «katër burra të shëndetshëm» dhe tha se «pamja e të katërtit i ngjante një biri të perëndive». (Danieli 3:25, BR) Disa vjet më vonë, për shkak të besimit të tij të plotë, Danieli e pa veten në një gropë luanësh. Edhe ai shpëtoi pa asnjë dëm dhe deklaroi: «Perëndia im dërgoi engjëllin e tij dhe mbylli gojën e luanëve.»—Danieli 6:22, BR.
Me formimin e kongregacionit të parë të ithtarëve të Krishtit në shekullin e parë të e.s., engjëjt u shfaqën përsëri, duke i çliruar apostujt nga burgu. (Veprat 5:17-24; 12:6-12) Edhe kur jeta e Pavlit u vu në rrezik në det, një engjëll e siguroi se ai do të arrinte shëndoshë e mirë në Romë.—Veprat 27:13-24.
Shërbëtorët e sotëm të Perëndisë Jehova janë plotësisht të bindur se forcat engjëllore të padukshme të Perëndisë janë reale dhe se janë të gjendje të dalin në mbrojtje, ashtu siç bënë për Eliseun dhe shërbëtorin e tij. (2. Mbretërve 6:15-17) Vërtet, «engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron».—Psalmi 34:7; 91:11.
Mesazhi që mbajnë engjëjt
Megjithëse engjëjt interesohen për mirëqenien e atyre që i shërbejnë Perëndisë Jehova, ata kujdesen edhe që njerëzit të mësojnë për Perëndinë dhe qëllimet e tij. Apostulli Gjon shkroi: «Pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe kishte lajmin e mirë të përhershëm, që t’ua shpallte si sihariq atyre që banojnë mbi tokë dhe çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli, duke thënë me zë të lartë: ‘Druani Perëndinë dhe jepini lavdi.’»—Zbulesa 14:6, 7, BR.
A dëshiron ta dish se për çfarë flet ky «lajm i mirë i përhershëm»? Nëse po, pyet Dëshmitarët e Jehovait. Ata do të të flasin me kënaqësi për të.
[Figurat në faqen 7]
Një engjëll në mes të qiellit po shpall lajmin e mirë të përhershëm. A dëshiron të mësosh diçka rreth tij?