Dari: Një mbret me ndjenjë drejtësie
NË LIDHJE me projektet e ndërtimit që ndërmori ai, dikur një mbret i famshëm u mburr: «Në mbyllje të Babilonisë bëra një mbyllje prej muri të fortë në anën lindore. Gërrmova një hendek të thellë . . . me bitum dhe tulla ndërtova një mur të fuqishëm, i cili, ashtu si një mal, nuk mund të lëvizej.» Po, mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori, ishte angazhuar në një program të madh ndërtimi dhe kishte punuar shumë për të fortifikuar kryeqytetin e perandorisë së tij. Por qyteti i Babilonisë nuk doli aq i pathyeshëm sa e kishte menduar ai.
Ajo që e provoi këtë fakt ndodhi më 5 tetor të vitit 539 p.e.s. I shoqëruar nga ushtria e Medisë, sundimtari pers Kiri II pushtoi Babiloninë dhe ekzekutoi sundimtarin e saj kaldeas, Belshazarin. Kush do të bëhej tani sundimtari i parë i këtij qyteti të sapopushtuar? Profeti i Perëndisë, Danieli, i cili kur ra qyteti ndodhej brenda tij, shkroi: «Vetë Dari, medi, mori mbretërinë, kur ishte rreth gjashtëdhjetë e dy vjeç.»—Danieli 5:30, 31, BR.
Kush ishte Dari? Ç’lloj sundimtari tregoi se ishte? Si e trajtoi profetin Daniel, i cili prej më shumë se 70 vjetësh ndodhej i mërguar në Babiloni?
MBRET ME TË DHËNA TË PAKTA HISTORIKE
Informacioni historik për medin Dar është i paktë. Medët nuk lanë pothuajse asnjë dokument të shkruar. Për më tepër, qindra mijë pllakat kuneiforme të nxjerra në Lindjen e Mesme paraqesin një histori të copëzuar, me shumë boshllëqe. Shkrimet e tjera të lashta jofetare që kanë mbijetuar, janë të pakta në numër dhe nga ngjarjet që përfshinin Darin i ndajnë një a më shumë shekuj.
Megjithatë, dëshmitë japin idenë se pasi mori Ekbatanën, kryeqytetin e Medisë, sundimtari pers Kiri II, mundi të fitonte besnikërinë e medëve. Pas kësaj, medët dhe persët luftuan të bashkuar nën udhëheqjen e tij. Për sa i përket marrëdhënies së tyre, autori Robert Kolins, në librin e tij Medët dhe persët vëren: «Në periudhë paqeje, medët ishin në pozita të barabarta me persët. Ata emëroheshin shpeshherë në pozita të larta në qeverinë qytetare dhe zinin poste udhëheqjeje në ushtrinë perse. Të huajt u referoheshin medëve dhe persëve pa bërë dallim mes të pushtuarve dhe pushtuesve.» Kështu, Media u shkri në një me Persinë për të formuar Perandorinë Medio-Perse.—Danieli 5:28; 8:3, 4, 20.
Sigurisht që medët luajtën një rol të madh në pushtimin e Babilonisë. Shkrimet e paraqesin «Darin, birin e Asuerit të farës së medëve» si mbretin e parë të Perandorisë Medo-Perse i cili duhej të sundonte mbi Babiloninë. (Danieli 9:1, BR) Pushteti i tij mbretëror përfshinte autoritetin për të vendosur statute «sipas ligjit të medëve dhe të persëve, i cili nuk anulohet». (Danieli 6:8, BR) Ajo që thotë Bibla për Darin na jep edhe njëfarë ideje për personalitetin e tij, si dhe një arsye bindëse për mungesën e informacionit jofetar në lidhje me të.
DANIELI FAVORIZOHET
Pak kohë pasi mori në dorë pushtetin në Babiloni, Dari vendosi «njëqind e njëzetë satrapë, të cilët duhej të ishin mbi të gjithë mbretërinë,—thotë Bibla,—dhe mbi ta tre zyrtarë të lartë, një prej të cilëve ishte Danieli». (Danieli 6:1, 2, BR) Por, pozita e lartë e Danielit ishte shumë e papëlqyeshme për zyrtarët e tjerë. Pa dyshim që integriteti i tij ishte i prirur ta pengonte korrupsionin, gjë që kishte të ngjarë të shkaktonte inat. Te zyrtarët e lartë duhet të ketë ndikuar edhe zilia, sepse mbreti e kishte favorizuar Danielin dhe kishte ndër mend ta bënte kryeministër.
Me shpresën për t’i dhënë fund kësaj situate, dy zyrtarët dhe satrapët kurdisën një grackë ligjore. Ata shkuan përpara mbretit dhe i paraqitën për nënshkrim një dekret, sipas të cilit për 30 ditë nuk lejohej t’i bëhej «kërkesë një perëndie a njeriu» përveçse Darit. Ata propozuan që cilido shkelës i këtij dekreti të flakej në gropën e luanëve. Ata e bënë Darin të besonte se një dekret i tillë do të përkrahej nga të gjithë zyrtarët e rangjeve qeveritare dhe atij iu duk se ky propozim ishte shprehje e besnikërisë së tyre ndaj mbretit.—Danieli 6:1-3, 6-8.
Dari nënshkroi dekretin dhe shpejt u gjend ballë për ballë me pasojat e tij. Danieli u bë shkelësi i parë i dekretit, sepse vazhdoi t’i lutej Perëndisë Jehova. (Krahaso Veprat 5:29.) Danieli besimplotë u flak në gropën e luanëve, megjithëse mbreti u përpoq sinqerisht për të gjetur një mënyrë që t’i shmangej statutit të pandryshueshëm. Dari shprehu sigurinë e tij se Perëndia i Danielit kishte fuqinë për ta ruajtur gjallë profetin.—Danieli 6:9-17.
Pas një nate të pagjumë agjërimi, Dari nxitoi për te gropa e luanëve. Sa u gëzua kur e pa gjallë dhe të padëmtuar Danielin! Si për të shpaguar drejtësinë, mbreti urdhëroi që akuzuesit e Danielit dhe familjet e tyre të flakeshin menjëherë në gropën e luanëve. Ai nxori edhe një urdhër që ‘në çdo zotërim të mbretërisë së tij, njerëzit duhej të dridheshin dhe të druheshin përpara Perëndisë së Danielit’.—Danieli 6:18-27.
Qartë, Dari e respektoi Perëndinë dhe fenë e Danielit dhe qe i zellshëm për të ndrequr të gabuarën. Por megjithatë, ndëshkimi i akuzuesve të Danielit mund të ketë ngjallur armiqësinë e zyrtarëve të tjerë. Për më tepër, shpallja e Darit, duke urdhëruar që të gjithë në mbretëri ‘të dridheshin përpara Perëndisë së Danielit’, duhet të ketë shkaktuar një inat të thellë mes klerit të fuqishëm babilonas. Përderisa skribët ishin me siguri të ndikuar nga këta faktorë, s’do të ishte e çuditshme që dokumentet jofetare të ndryshoheshin, për të eliminuar informacionet në lidhje me Darin. Megjithatë, tregimi i shkurtër në librin e Danielit e paraqet Darin si një sundimtar me ndjenjë paanshmërie dhe drejtësie.