QËNDRONI VIGJILENTË!
Fundi i krimeve të urrejtjes—Çfarë thotë Bibla?
Mjerisht, dhuna e nxitur nga urrejtja është shumë e zakonshme sot. Njerëzit bëhen shënjestër e sulmeve thjesht për shkak të racës, fesë, etnisë, gjinisë ose arsyeve të tjera të ngjashme. Akte të tilla përhapin frikë nëpër komunitete dhe lënë vraga të thella e të paharrueshme fizike dhe emocionale te shumë veta. Madje disave u marrin edhe jetën.
Bibla kishte parathënë se në kohën tonë shumë njerëz do të ishin «të egër, pa dashuri për mirësinë» dhe «pa përzemërsi të natyrshme». (2 Timoteut 3:1-5) Ndaj lind pyetja, a do të marrin fund ndonjëherë krimet e urrejtjes? Çfarë thotë Bibla?
Si do të marrin fund krimet e urrejtjes
Bibla na siguron se Perëndia e ka fuqinë t’u japë fund mizorive dhe se do ta bëjë këtë.
«Të ligjtë do të shfarosen. . . . Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do t’u kënaqet shpirti me paqen e pafund.» (Psalmi 37:9-11) Zoti nuk do t’i lejojë njerëzit e dhunshëm të vazhdojnë t’i dëmtojnë të tjerët.
«[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më vdekje. Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje.» (Zbulesa 21:4) Ai do të zhbëjë pasojat e çdo dëmi fizik, mendor dhe emocional që kanë vuajtur njerëzit.
Do të ketë ringjallje. (Veprat 24:15) Perëndia do të rikthejë në jetë miliona njerëz, duke përfshirë edhe ata që u është prerë jeta në mes nga krimet e urrejtjes.
Si na ndihmon Bibla që sot
Përveçse na jep shpresë për të ardhmen, Bibla na ndihmon edhe si ta përballojmë urrejtjen kaq të përhapur sot. Të ftojmë të shohësh përgjigjen e Biblës për këto pyetje të rëndësishme:
Çfarë mund të bëjmë që tani për të mposhtur urrejtjen që çon në dhunë? Shih çfarë thotë Bibla në revistën Kulla e Rojës me titull: «Fundi i rrethit vicioz të urrejtjes.»
Pse i lejon Perëndia tërë këto vuajtje? Dëgjo shpjegimin e qartë dhe të bazuar në Bibël në videon Pse i lejon Perëndia vuajtjet?