SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Përmirësime në fushën e shtypjes për të ndihmuar «njerëz të çdo lloji»
1 TETOR 2025
Perëndia Jehova dëshiron që «njerëz të çdo lloji . . . të fitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën». (1 Timoteut 2:3, 4) Mirëpo, vëllezërit e motrat tona, si edhe njerëzit që takojmë, flasin qindra gjuhë. Çdo vit, shtypim afro 2 miliardë botime në këto gjuhë. Çfarë masash kemi marrë për të prodhuar literaturë të bazuar në Bibël në kaq shumë gjuhë e njëkohësisht për t’i përdorur me mençuri fondet e dhuruara?
Më pak shtypshkronja, pajisje më të mira
Gjatë viteve 80, i shtypnim revistat tona në mbi 40 vende. Që nga ajo kohë, e kemi riorganizuar gradualisht punën e shtypjes dhe aktualisht shtypim në vetëm 9 vende. Mirëpo, gjatë së njëjtës periudhë është rritur 6-fish edhe numri i gjuhëve në të cilat prodhojmë rregullisht literaturë. Atëherë si ia dalim të shtypim në më shumë gjuhë por me më pak shtypshkronja? Një rol të rëndësishëm kanë luajtur pajisjet më të mira.
Modele më të reja shtypshkronjash na japin mundësi të shtypim më shumë literaturë në një kohë më të shkurtër. Shtypshkronjat që përdornim më parë, kërkonin goxha kohë për përgatitjen e makinerisë për një projekt të ri, pra për një botim tjetër ose për të njëjtin botim në një gjuhë tjetër. Kurse tani, falë pajisjeve më të mira, përgatitja e makinerisë për një projekt të ri mund të bëhet 4 herë më shpejt. Kështu mund të realizojmë më shumë projekte në më pak kohë, madje të shtypim sasi të vogla botimesh edhe për gjuhë që fliten nga pak njerëz. Kuptohet, për secilin projekt kërkohen pllaka tipografike të reja. Kohët e fundit, gjatë një periudhe 12-mujore, kemi shpenzuar gati 2 milionë dollarë vetëm për pllakat tipografike.a Prandaj, për projekte shumë të vogla, përdorim shtypshkronja dixhitale, të cilat nuk kanë nevojë për pllaka tipografike. Këto shtypshkronja, përfshirë ato që përdorin teknologjinë lazer, prodhojnë sasi të vogla literature me kosto relativisht të ulët dhe me pak firo.
Vëllezërit ndryshojnë pllakat ndërmjet projekteve të shtypjes
Gjatë 3 viteve të fundit, në mbarë botën kemi shpenzuar më shumë se 10 milionë dollarë për të përmirësuar pajisjet tona për shtypjen dhe lidhjen e botimeve. Vër re si po i përdorim disa nga këto pajisje për të prodhuar Bibla. Në të kaluarën, vëllezërit duhej të bënin edhe mbi 40 procese të tjera për një Bibël pasi shtypej, për shembull të qepnin, të pritnin letrat dhe pastaj buzët e botimit, të lëmonin dhe të praronin. Ndërmjet secilit proces, shpesh u duhej t’i lëviznin Biblat dhe t’i vendosnin stivë manualisht. Sot vëllezërit bëjnë vetëm 10 procese, sepse shumë nga proceset i realizojnë makineritë e reja. Gjithashtu ka pajisje të posaçme për të lëvizur Biblat nga një proces në tjetrin. Në këtë mënyrë kemi reduktuar punën manuale për prodhimin e Biblës me mbi 55 për qind. Në degën e Japonisë, departamenti i libralidhjes prodhonte 2.000 Bibla çdo 8 orë. Tani, për të njëjtën kohë, prodhon rreth 35.000 Bibla.
Barkodet përdoren për të gjetur, për të mbledhur dhe për të ndarë çdo pjesë të Biblës
Më pak stok, më shumë kursim
Përmirësimet e lartpërmendura na kanë ndihmuar të kursejmë fondet e dhuruara. Për shembull, tani që mund të shtypim sasi më të vogla dhe të ndryshojmë projektet më shpesh, kemi reduktuar sasinë e literaturës që mbajmë stok në çdo shtypshkronjë. Geri, që shërben në degën e Shteteve të Bashkuara, pranon: «Në fillim, nuk dukej shumë e mençur të prodhoje më shpesh dhe sasi më të vogla literature. Dukej ide më e mirë të prodhoje sasi më të mëdha dhe më rrallë.» Por, më pas shton: «Vitin e parë kur filluam të shtypnim sasi më të vogla literature më shpesh, na u desh të paguanim 60.000 dollarë më shumë për pllakat tipografike dhe për shkak të firove të letrës. Nga ana tjetër, atë vit kursyem mbi 1,5 milion dollarë për kostot që duhej të shpenzonim për të magazinuar letrën dhe librat e shtypur.» Këto kursime tani i përdorim për projekte të tjera të rëndësishme, si ndërtimi i Sallave të Mbretërisë dhe ndihmat në raste katastrofash.
Gjithashtu, më pak stok krijon hapësirë nëpër zyrat tona të degëve. Këto degë mund ta përdorin hapësirën e krijuar për nevojat e tjera të Bethelit. Veç kësaj, ngaqë shtypim në më pak vende, shpesh arrijmë të reduktojmë madhësinë e projekteve të reja të ndërtimit. Për shembull, puna e shtypjes që kryhej në degën e Britanisë u transferua në degën e Evropës Qendrore dhe në shtypshkronja të tjera në vitin 2018. Falë kësaj u kursyen miliona dollarë për ndërtimin e degës së re në Çelmsford, Angli.
«Nuk më harrove!»
Ç’është më e rëndësishme, si rezultat i metodave më të thjeshta të shtypjes, më shumë njerëz po afrohen me Jehovain. Tani arrijmë të shtypim në më tepër gjuhë, edhe në rastet kur nevojiten vetëm disa qindra botime. Për shembull, gjuhën valisiane e flasin vetëm rreth 35.000 veta që jetojnë në Kaledoninë e Re dhe në ishujt Valis e Futuna. Ama, në gusht të 2024-s, publikuam botimin e plotë të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në këtë gjuhë. Selafina, një lajmëtare që flet gjuhën valisiane, tregon: «Më parë lexoja disa terma që nuk i kuptoja në Biblën në frëngjisht. Prandaj, kur morëm Biblën në gjuhën valisiane, nuk i mbajta dot lotët. U luta: ‘O Jehova, nuk më harrove! Ti je vërtet një Perëndi i paanshëm.’»
Botimi i plotë i Përkthimit Bota e Re disponohet në gjuhën valisiane
Edhe pse janë më pak se 500.000 njerëz që flasin gjuhën sanga në Republikën Demokratike të Kongos, në këtë gjuhë ka dalë i plotë libri Gëzoje jetën përgjithmonë. Zhozueja, që bën pjesë në kongregacionin e gjuhës sanga, thotë: «Më parë lodhesha shumë për t’u shpjeguar ose për t’u përkthyer disa fjalë dhe shprehje studentëve të Biblës. Dhe prapë kishte raste kur studentët nuk e kuptonin çfarë thoshte libri. Ishte një lehtësim i paparë kur libri doli në gjuhën sanga. Tani studentët e mi i kuptojnë mësimet e librit dhe nuk më duhet më të jap shpjegime të gjata.»
Gjatë një studimi të Biblës në Honduras, me librin Gëzoje jetën përgjithmonë në gjuhën garifune, që e flasin rreth 120.000 veta
Ne botojmë dhe shpërndajmë botime të bazuara në Bibël për më shumë njerëz dhe në më shumë gjuhë se kurrë më parë. Për këtë na kanë ndihmuar dhurimet tuaja, përfshirë ato që bëhen në donate.jw.org. Faleminderit për bujarinë tuaj!
a Të gjitha shumat në dollarë, që janë përmendur në artikull, i referohen dollarit amerikan.