SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Iniciativa ekologjike në dobi të vëllezërve dhe planetit
1 PRILL 2025
Si Dëshmitarë të Jehovait, e dimë se së shpejti Perëndia Jehova do të ndërhyjë për ta shpëtuar planetin nga dëmi që i ka shkaktuar njeriu. (Zbulesa 11:18) Gjithsesi, që sot bëjmë gjithçka kemi në dorë për t’u kujdesur për planetin. Për shembull, kemi ndërmarrë shumë iniciativa ekologjike për godinat tona.
Iniciativat ekologjike, ose të gjelbërta, kanë si synim të pakësojnë ndikimin negativ te mjedisi. Por konkretisht, çfarë iniciativash ekologjike kemi ndërmarrë? Dhe si na ka ndihmuar kjo t’i përdorim me mençuri fondet e dhuruara?
Një zgjidhje freskuese për një Sallë Asamblesh
Në fillim, Salla e Asambleve në Matola, Mozambik, u ndërtua si një sallë e hapur nga të gjitha anët dhe me një çati të thjeshtë prej llamarine. Mirëpo, çatia e thithte shumë nxehtësinë e diellit dhe shkaktonte në auditor një nxehtësi që të merrte frymën. Një vëlla vendës tregon: «Bëheshim qull në djersë nga vapa. Në fund të programit, vëllezërit dilnin me vrap jashtë për të marrë pak ajër dhe për t’u freskuar.» Si mund t’u siguronim vëllezërve një ambient më të rehatshëm për të mësuar?
Zgjodhëm një opsion ekologjik: instaluam ventilatorë që vihen në lëvizje nga era, si edhe izolim termik. Izolimi redukton sasinë e nxehtësisë së diellit që përçohet brenda godinës, ndërsa ventilatorët mundësojnë qarkullimin e vazhdueshëm të ajrit. Ventilatorët nuk kanë nevojë për energji elektrike, por shfrytëzojnë erën dhe qarkullimin natyror të ajrit për të thithur nxehtësinë e akumuluar në auditor. Çdo ventilator kushton rreth 50 dollarë.a
Ventilatorët që vihen në lëvizje nga era në Sallën e Mbretërisë në Matola
Kjo zgjidhje e ka përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në Sallën e Asambleve. Meqë nuk ka më ajër të ndenjur, në ndërtesë nuk grumbullohet lagështi dhe myk si më parë. Veç kësaj, ka më pak dyoksid karboni dhe më shumë oksigjen. Si rezultat, të pranishmit janë më të përqendruar dhe më rehat. Vëllai i përmendur më sipër thotë: «Tani nuk turremi më jashtë sapo mbaron programi, por qëndrojmë brenda gjatë pushimit të drekës duke biseduar me motrat dhe vëllezërit. Poshtë çatisë së re, na duket sikur jemi poshtë hijes së një peme të madhe.»
Tani vëllezërit e motrat i shijojnë edhe më shumë asambletë dhe kongreset
Marrim energji nga një burim natyror i pashtershëm
Në shumë nga godinat tona përreth botës, kemi instaluar sisteme fotovoltaike (PV), të cilat përfshijnë panele diellore që konvertojnë në energji elektrike dritën e diellit—një burim energjie i pashtershëm. Si rezultat, jemi më të pavarur nga energjia elektrike që prodhohet nga lëndët djegëse fosile. Sistemet PV e ndotin më pak ambientin dhe na ndihmojnë të kursejmë fondet e dhuruara.
Në vitin 2023, instaluam sistemin PV në zyrën e degës në Slloveni. Ai plotëson 30 për qind të nevojave për energji të ndërtesës. Nëse në një moment të caktuar sistemi gjeneron më shumë energji sesa i nevojitet, sasia e tepërt e energjisë mund t’i kalojë rrjetit energjitik të bashkisë së zonës. Sistemi PV kushtoi 360.000 dollarë. Mirëpo, meqë tani dega paguan më pak për energjinë elektrike, sistemi do t’i nxjerrë paratë e veta për 4 vjet.
Dega e Sllovenisë
Më 2024, instaluam panelet PV dhe një bateri të madhe në zyrën e degës në Sri Lankë. Ky sistem kushtoi rreth 3 milionë dollarë dhe mbulon 70 për qind të nevojave energjitike të degës. Kursimet do të mbulojnë koston e paneleve brenda 3 vjetësh. Në të njëjtin vit, instaluam një sistem PV edhe në zyrën e degës në Holandë. Sistemi kushtoi 1,1 milion dollarë dhe siguron 35 për qind të energjisë për degën. Ky sistem do t’i nxjerrë paratë e veta për 9 vjet.
Dega e Holandës
Kemi instaluar sisteme PV edhe në disa zyra rajonale përkthimi (ZRP) në Meksikë. Të marrim rastin e ZRP-së për gjuhën tarahumara (qendrore) që ndodhet në Çiuaua. Gjatë dimrit, temperaturat mund të shkojnë nën 0 gradë celsius, ndërsa gjatë verës arrijnë edhe mbi 40 gradë celsius. Por, ngaqë energjia elektrike kushton shumë, vëllezërit përpiqeshin të mos i përdornin sistemet e ngrohjes dhe të ftohjes. Xhonatani, një vëlla që punon në ZRP, thotë: «Përdornim batanije dhe rroba të trasha gjatë dimrit, kurse gjatë verës, hapnim dritaret.»
Në vitin 2024, në këtë ZRP instaluam një sistem PV. Sistemi kushtoi 21.480 dollarë, por kursimet do ta shlyejnë koston brenda 5 vjetësh. Tani vëllezërit mund t’i përdorin më shpesh sistemet e ngrohjes dhe të ftohjes. Xhonatani shprehet: «E shijojmë më shumë caktimin tonë dhe jemi më produktivë. Gjithashtu, ndihemi mirë kur dimë se të ardhurat e organizatës sonë po përdoren në mënyrë të efektshme dhe pa ndotur mjedisin.»
Skuadra e përkthimit për gjuhën tarahumara (qendrore) tani punon në kushte më të rehatshme
Grumbullojmë ujin e shiut
Në Afrikë, disa Salla Mbretërie nuk kanë afër burime me ujë të rrjedhshëm e të përshtatshëm për konsum. Prandaj vëllezërve u duhet të mbushin ujë e ta mbajnë për kilometra të tërë deri në Sallën e Mbretërisë. Në salla të tjera, vëllezërit e blejnë ujin që shpërndahet me anë të autobotëve, por kjo është e kushtueshme dhe dëmton mjedisin.
Për t’u siguruar ujë vëllezërve, kemi vendosur depozita të mëdha dhe ulluqe në çatitë e shumë Sallave të Mbretërisë anembanë Afrikës. Para se të instalojmë këtë sistem, studiojmë motin dhe klimën në një zonë të caktuar, për të projektuar sistemin më të efektshëm për atë sallë. Vendosja e tij në Sallën e Mbretërisë mund të kushtojë nga 600 dollarë deri në 3.000 dollarë. Gjithsesi, sistemi i ul ndjeshëm shpenzimet për funksionimin e një Salle Mbretërie, sepse vëllezërve nuk u duhet ta paguajnë më ujin.
Një depozitë uji në një Sallë Mbretërie në Put’hadixhabë, Afrika e Jugut
Sistemi për grumbullimin e ujit të shiut, u ka sjellë shumë dobi vëllezërve. Noemia, një motër nga Mozambiku, thotë: «Më parë shkonim shumë larg për të mbushur ujë. Kur mbërrinim në sallë ishim të lodhur e të sfilitur. Përveç kësaj, ngaqë uji ishte i paktë, e kishim të vështirë të mbanim higjienë të mirë. Tani, të gjithë kemi ujë për të larë duart. Nuk ndihemi më të lodhur kur shkojmë në Sallën e Mbretërisë dhe e shijojmë mbledhjen. Faleminderit shumë!»
Një motër me djalin e saj në Afrikën e Jugut duke përdorur rezervat me ujë shiu
Si i mbulojmë shpenzimet për këto iniciativa ekologjike? Nëpërmjet dhurimeve për veprën mbarëbotërore, shumica e të cilave bëhet me anë të metodave të ndryshme në donate.jw.org. Faleminderit shumë për kontributet tuaja bujare!
a Të gjitha shumat në dollarë që janë përmendur në artikull, i referohen dollarit amerikan.