SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Botimet e shtypura në epokën e digjitalizimit
1 PRILL 2026
Kur dëshiron të lexosh Biblën ose një nga botimet tona, çfarë përdor? Shumë nga ne nuk marrin më në dorë një libër ose revistë, por lexojnë nga smartfoni ose tableti. Me shumë mundësi, edhe këtë artikull po e lexon në një pajisje elektronike. Jemi mjaft mirënjohës që botimet tona disponohen në aplikacionin JW Library dhe në sitin jw.org.
Pse tani i publikojmë online shumicën e botimeve tona? Shumë Dëshmitarë preferojnë formate digjitale, sepse e kanë më kollaj dhe se përmbajnë veçori që botimet fizike nuk i disponojnë. Dhe, pavarësisht se vazhdojmë të shpërndajmë literaturë gjatë shërbimit, qëllimi ynë kryesor tani është të nisim biseda me njerëzit.
Për këtë arsye, shtypim 60 për qind më pak botime se 10 vjet më parë. Në vitin 2015, para se aplikacioni JW Library të përdorej gjerësisht për të shkarkuar botime, shumë nga shtypshkronjat tona operonin me 2 turne—pra 16 orë në ditë—e madje disa planifikonin të punonin me 3 turne për të plotësuar kërkesat për botime. Sot, shumë nga shtypshkronjat tona punojnë vetëm me një turn.
Ne nuk jemi e vetmja organizatë që po shtypim më pak. Disa studime të pavarura kanë vënë re se vitet e fundit shtypen më pak gazeta, revista e të tjera si këto. Në një botë që po orientohet gjithnjë e më shumë drejt botimeve digjitale, a kemi ende nevojë të shtypim? Po. Le të shohim pse vazhdojmë të shtypim literaturë dhe si e bëjnë të mundur këtë dhurimet tuaja.
Motrat në Malavi përdorin broshurën Gëzoje jetën përgjithmonë në format të shtypur, për të drejtuar një studim të Biblës
Pse kemi akoma nevojë për botime të shtypura?
Disa nga motrat dhe vëllezërit tanë kanë ende nevojë për botime të shtypura. Mendoni pak për shembujt vijues:
«Unë përdor botime të shtypura, sepse nuk kam alternativë tjetër. S’kam mundësi të blej një pajisje elektronike, por edhe po të kisha, në zonën tonë ndërpritet shpesh energjia elektrike, prandaj është e vështirë t’i karikosh pajisjet. Pra, për mua nuk është fare praktike të përdor botime digjitale.»—Odeta, Mozambik.
«Nuk ma mban xhepi të blej një pajisje elektronike, por edhe sikur të ma mbante xhepi, pajisjet që nuk kushtojnë shumë, prishen shpejt dhe kanë nevojë për riparime të shpeshta. Nuk do të kisha mundësi të lexoja botimet derisa pajisja të riparohej.»—Linlei, Malavi.
«Ngaqë nuk kemi shumë pará, unë dhe 2 vajzat e mia përdorim të njëjtin celular. Gjatë mbledhjes, e bëjmë me radhë, njëra nga ne përdor celularin, dy të tjerat botimet e shtypura.»—Sinina, Mikronezi.
Kurse disa vëllezër e motra e kanë mundësinë të përdorin botimet digjitale, por preferojnë formatin e shtypur. Ja disa arsye:
«Shpesh përdor botime digjitale, por kur përgatitem për mbledhje, preferoj botimet e shtypura. Kënaqem shumë kur i lexoj botimet në letër dhe kur i mbaj në duar. Më pëlqen të nënvizoj pikat kryesore dhe të mbaj shënime në hapësirat anash tekstit. Mund ta bëj këtë edhe në pajisjen digjitale, por ka ndikim më të thellë në mendjen dhe në zemrën time kur i shkruaj në letër.»—Marsia, Brazil.
«E kam më të lehtë të lexoj botimet e shtypura, sepse nuk më lodhen sytë si me botimet digjitale. Gjithashtu nuk ia them shumë nga teknologjia. E kam të vështirë të mbaj shënime, të shkarkoj materiale dhe të gjej informacionet që dua.»—Selina, Mozambik.
«E përdor kompjuterin dhe celularin gjatë gjithë ditës. Prandaj, kur dua të kaloj kohë cilësore me Jehovain, preferoj të shkëputem nga pajisjet dhe të përdor botimet e shtypura. Më japin mundësi të lexoj me qetësi dhe pa u shpërqendruar nga njoftimet.»—Gijami, Kanada.
«Është e vështirë të shkëmbesh informacionet e kontaktit dhe t’i dërgosh një botim digjital dikujt që e takon për herë të parë në shërbim. Zakonisht është më e lehtë t’i lësh një botim të shtypur. Veç kësaj, ne predikojmë edhe në zona të rrezikshme, ku përpiqemi t’i përdorim sa më pak pajisjet elektronike.»—Një mbikëqyrës qarkor në Amerikën e Jugut.
Shumë preferojnë botime të shtypura kur përgatiten për mbledhje
Çfarë po bëjmë për të ndihmuar vëllezërit që kanë nevojë ose që preferojnë të përdorin botime të shtypura?
Plotësojmë nevojën për botime të shtypura
Në 9 degë përreth botës, shtypshkronjat tona vazhdojnë të shtypin literaturë. Gjatë vitit të shërbimit 2025, kemi shtypur më shumë se 1,5 miliard botime, ndër to mbi 3 milionë Bibla, mbi 18 milionë libra dhe mbi 941 milionë fletushka dhe ftesa. Kemi shpenzuar më shumë se 35 milionë dollarëa për shtypjen e këtyre botimeve. Veç kësaj, 3 vitet e fundit kemi shpenzuar rreth 10 milionë dollarë për të përmirësuar pajisjet e shtypjes dhe të libralidhjes.
Që t’i shfrytëzojmë me mençuri fondet e dhuruara, shtypim vetëm botimet që vëllezërit do t’i përdorin. Siç e përmendëm edhe më lart, ndonëse vazhdojmë të shpërndajmë literaturë, qëllimi ynë kryesor është të fillojmë biseda me njerëzit. Prandaj gjatë dekadës së fundit, kemi pakësuar numrin e revistave Zgjohuni! që shtypim për çdo lajmëtar, nga 86 në 11 kopje në vit. Dhe meqë mjaft Dëshmitarë i përdorin shpesh kartëvizitat, tani botojmë gati 3 herë më shumë kartëvizita se në vitin 2020.
«Perëndia kujdeset vërtet për të gjithë»
Vëllezërit dhe motrat janë mirënjohës që vazhdojmë të shtypim botime. Rikardo në Brazil thotë: «Ndihem krenar që jam pjesë e një organizate kaq të dashur, e cila e vë në dispozicion ushqimin besimforcues për këdo, edhe për ata që nuk mund t’i përdorin botimet në format digjital. Kjo i jep mundësi ‘kujtdo që ka etje’ dhe ‘kujtdo që dëshiron’, të mësojë të vërtetat jetëshpëtuese.» (Zbulesa 22:17) Bernardi në Tahiti thotë: «Jam shumë mirënjohës për botimet e shtypura. Ato janë provë e dashurisë, e mençurisë dhe e arsyetueshmërisë së organizatës së Jehovait, e cila sigurohet që të gjithë—të rinj a të moshuar, të pasur a të varfër—të kenë mundësi të mësojnë për lajmin e mirë të Mbretërisë. Është e qartë se Perëndia merakoset për çdo individ.»
Andreja nga Brazili e kupton se dhurimet e saj ndihmojnë në shtypjen e botimeve. Ajo thotë: «Organizata jonë përdor të ardhurat, kohën, talentet dhe energjitë për të shtypur botime për ata që nuk kanë akses në formatet digjitale. Kjo më bind se Perëndia kujdeset vërtet për të gjithë. Edhe sikur dhurimet e mia të përdoreshin vetëm për të shtypur literaturë, prapë do t’i jepja me gjithë zemër.»
I vlerësojmë jashtë mase të gjitha dhurimet tuaja, edhe ato që bëni nëpërmjet donate.jw.org. Falë tyre mund të vazhdojmë të shtypim literaturë për ata që kanë nevojë ose që i preferojnë më shumë se botimet digjitale.
a Të gjitha shumat në dollarë, që janë përmendur në artikull, i referohen dollarit amerikan.