JETËSHKRIM
E kam lejuar Jehovain të më modelojë
S’KAM për ta harruar kurrë ditën e parë të punës në Departamentin e Libralidhjes në Bethelin e Bruklinit, Nju-Jork, SHBA. Me të hyrë në fabrikë, shtanga nga zhurma e fortë e makinerive që punonin pa pushim. Ajri ishte plot me pluhur letre dhe të shponte hundët era e vajit.
Nga gjithë gjërat që më tërhoqën vëmendjen, më shumë mbresa më lanë njerëzit. Pashë plot motra e vëllezër të rinj që bënin punë në dukje monotone. Ata nuk binin në sy, por prapë ishin të lumtur e të kënaqur. Shembulli i tyre më mësoi se ç’do të thotë t’i shërbesh me përulësi Perëndisë.
Gjatë viteve, Jehovai më ka rafinuar që të bëhem adhurues më i mirë në sytë e tij. Por fillimisht po ju tregoj pak për përpjekjet e mia që të gjeja të vërtetën kur isha budist.
NË KËRKIM TË PERËNDISË QË FËMIJË
Linda dhe u rrita në Çikago të Ilinoisit, SHBA, dhe jam më i madhi nga katër fëmijët. Prindërit kishin emigruar nga Japonia në Çikago në kërkim të «ëndrrës amerikane». Ata donin që ne fëmijët të arsimoheshim në shkollat më të mira dhe të ishim të suksesshëm në jetë.
Prindërit ishin budistë të devotshëm. Mami ishte rritur në një shtëpi pranë një tempulli budist. Babanë dhe dy vëllezërit i kishte murgj budistë. Ndaj, budizmi luajti një rol të rëndësishëm në fëmijërinë time. Sapo kthehesha nga shkolla, digjja temjan dhe i ofroja oriz e ujë idhullit budist që mbanim në shtëpi. Të dielave shkonim në një tempull budist ku i këndonim lutje një idhulli të ngjashëm—vetëm se ky ishte më i madh dhe i larë me flori.
Kujtoj se kur isha rreth shtatë vjeç, shikoja idhullin tonë dhe mendoja: «Ç’do të ndodhë me mua pasi të vdes?» Nga feja budiste kisha mësuar se shpirti jeton diku tjetër pas vdekjes. Befas kuptova se një ditë jeta ime do të merrte fund. Edhe nëse shpirti im jetonte, nuk do ta gëzoja më jetën si njeri. U trishtova pa masë. Papritur u ndjeva krejt i pashpresë.
Kur isha afro 15 vjeç, ritet budiste filluan të më dukeshin pa pikë kuptimi. E ndieja që më mungonte diçka në jetë. (Mat. 5:3) Thellë-thellë e dija se ekzistonte një Perëndi i gjallë e i plotfuqishëm dhe doja ta njihja. Mendova se mund t’i gjeja në Bibël përgjigjet për pyetjet e mia. Kështu bleva një Bibël të përdorur King James Version në vendin më të pazakontë—në një festë budiste!
Me Uillson Bashun, i cili më mësoi të vërtetën
Kur isha 17 vjeç, m’u afrua një vëlla që quhet Uillson Bashu, ndërsa kisha nxjerrë shëtitje qenin. Ai më pyeti: «A e di çfarë premton Zoti për të ardhmen?» Ajo pyetje i çeli udhën një diskutimi të thellë nga Bibla. Uillsoni më lexoi Zbulesën 17:1 dhe më pyeti: «Çfarë janë këto ‘shumë ujëra’ mbi të cilat rri ulur prostituta?» As që e kisha haberin. Ai më tregoi vargun 15, ku thuhet se ujërat përfaqësojnë njerëz. Më bëri shumë përshtypje që Dëshmitarët e Jehovait lënë që Bibla të shpjegojë veten. Para se të ndaheshim, Uillsoni më dha librin E vërteta që të çon në jetën e përjetshme. Ai libër i vogël blu më ndryshoi rrjedhën e jetës.
Dhjetë ditë më vonë ndoqa mbledhjen e parë në Sallën e Mbretërisë. S’kam për ta harruar kurrë sa ngrohtë më pritën atje. Që nga ajo ditë, s’i kam lënë mbledhjet. Pas kësaj, fillova të studioja Biblën me Uillsonin. Më pëlqente aq shumë ajo që po mësoja, sa kishte raste kur studimi zgjaste tetë orë rresht. Prindërit u alarmuan dhe më kundërshtonin me forcë. Por sa më shumë studioja, aq më shumë bindesha se kjo ishte e vërteta. Në vitin 1983 u pagëzova.
LË UNIVERSITETIN PËR TË SHËRBYER SI PIONIER
Kur u pagëzova, po studioja për mjekësi në një universitet prestigjoz. Prindërit ishin bërë copë që të ndiqja atë shkollë. Mund t’i vazhdoja studimet, por doja t’i jepja Jehovait më të mirën dhe t’i shërbeja në kohë të plotë.
Babai më kishte paralajmëruar: «Po e le shkollën, do të të përzë nga shtëpia.» Isha i trishtuar dhe i dyzuar. I doja prindërit dhe s’ma bënte zemra t’i zhgënjeja. Ndaj në mbrëmje vonë, dilja shpesh në oborrin e shkollës dhe lutesha nën qiellin plot yje: «Jehova, të lutem, më ndihmo të marr vendimin e duhur.» Kur e ndava mendjen më në fund që ta lija universitetin, babai më nxori nga shtëpia. Mora në telefon Uillsonin, i tregova ç’kishte ndodhur dhe ai më ftoi me përzemërsi të rrija me të. I futa të gjitha plaçkat në një çantë dhe mora autobusin për në shtëpinë e Uillsonit. Kujtoj që më pushtoi befas një paqe e papërshkrueshme. E dija se kisha marrë vendimin e duhur.
Ndihesha si një zog i çliruar nga kafazi. Tani isha i lirë të jepesha plotësisht pas shërbimit. Kështu në vitin 1984 fillova të shërbeja si pionier.
Jehovai më mësoi shumë cilësi me vlerë gjatë viteve që shërbeva si pionier i rregullt, e një prej tyre ishte këmbëngulja. Për shembull, një ditë dukej se kisha çdo arsye për të mos dalë në shërbim. Isha i shkurajuar, ngaqë nuk kisha gjetur takim për shërbim atë pasdite. Gjithsesi dola dhe, pasi kisha predikuar nja dy orë, vendosa të provoja derën e fundit. Ndihesha i lodhur e i vetmuar dhe dukej se do niste shiu. Thashë me vete: «A ta lë fare?» Kur po ngjitja shkallët për në katin e tretë, më doli para një i ri filipinas. Mendova: «Ee, ky s’duket se ka interes.» Sa gabim e kisha! Fillova studim me atë të ri dhe, më vonë, ai u bë vëllai ynë.
MËSIME TË VYERA NË BETHELIN E BRUKLINIT
Pasi jetova dy vjet me Uillsonin, në vitin 1985 më ftuan në Bethelin e Bruklinit. Siç e përmenda në fillim, më caktuan në Departamentin e Libralidhjes. Një ditë ndërsa po punoja në makinerinë e stampimit, prisha pa dashje qindra kapakë librash. Vëllezërit më kërkuan t’i tregoja mbikëqyrësit ç’kishte ndodhur. Shkova dhe i shpjegova gjithë arsyet pse e kisha bërë atë gabim, por nuk thashë diçka të rëndësishme. Me përzemërsi, mbikëqyrësi më kujtoi: «Është gjithmonë mirë të kërkosh falje.» Në atë moment e kuptova sa e rëndësishme është t’i pranoj gabimet e mia dhe të them «më fal».
Duke i bërë vizitën një grupi në Departamentin e Libralidhjes në Bruklin
Mësova si t’u shërbeja më mirë të tjerëve edhe duke vëzhguar shembullin e të moshuarve besnikë në familjen Bethel. Një herë gjatë drekës, kishim në tavolinë vëllanë Milton Henshel, një anëtar i Trupit Udhëheqës. Atë ditë në sallën e ngrënies nuk kishe ku të hidhje mollën, dhe kamerierëve s’u zinin këmbët dhé ndërsa shpërndanin ushqimin. Ne vëllezërit e rinj në tavolinë po ankoheshim nëpër dhëmbë për shërbimin e ngadaltë. Kurse vëlla Hensheli, pa bërë zë fare, u ngrit dhe nisi të shërbente bashkë me kamerierët kanat me ujë dhe pjatat me bukë e gjalpë. Ai veprim i përulur m’u skalit përgjithmonë në mendje. Më kujtoi mënyrën si u kishte shërbyer Jezui apostujve.—Gjoni 13:3-5.
«TI DUHET TË MËSOSH JAPONISHT!»
Me Miçiko Odën dhe burrin e saj
Më 1987, bëra një udhëtim në Japoni dhe u mahnita nga zelli dhe përulësia e lajmëtarëve vendës. Doja t’i ndihmoja në veprën e predikimit, por problemi ishte që nuk dija japonisht. Një motër në Bethel, Miçiko Oda, më pa drejt e në sy dhe më tha: «Ti duhet të mësosh japonisht!» Dhe ashtu bëra. S’ma merrte mendja sa shumë do të ma ndryshonin jetën ato fjalë.
Disa muaj më vonë, u transferova në një kongregacion të gjuhës japoneze në Nju-Jork. Mësimi i japonishtes u hapi derën mundësive të reja për t’i shërbyer Perëndisë Jehova. Në vitin 1989, ndoqa kongresin tim të parë në gjuhën japoneze, në Los-Anxhelos, Kaliforni. Atje më ngelën sytë te Mivako Onami, një pioniere që luante një pjesë në dramë.
U martova me Mivakon në 1992-shin, dhe patëm privilegjin që të shërbenim si çift në Bethelin e Bruklinit. Mivakoja është shumë e vëmendshme, e dhembshur dhe gjithnjë e gjindshme. Shembulli i saj më ka ndihmuar të jem më i përzemërt me të tjerët. Ajo është një dhuratë nga Jehovai—një burim i pashtershëm lumturie dhe inkurajimi për mua.
Në ditën e dasmës
NË DEGËN E JAPONISË, PASTAJ NË FUSHË
Pas ca kohësh, prindërit e Mivakos që jetonin në Japoni, patën probleme të rënda shëndetësore. Vëllezërit u treguan shumë mirëkuptues dhe na lejuan të transferoheshim në degën e Japonisë, që të ishim pranë prindërve dhe të kujdeseshim për ta. U transferuam atje në vitin 1999.
Familja Bethel në Japoni na priti krahëhapur, dhe dalëngadalë u përshtatëm me shtëpinë tonë të re. Motrat dhe vëllezërit japonezë kanë cilësi të bukura, si bujaria dhe mikpritja e jashtëzakonshme. Ndërsa imitoja cilësitë e tyre, personaliteti im u rafinua më tej. Kur bëhet fjalë për punën ata janë seriozë dhe të fokusuar. Gjithashtu bashkëpunojnë mirë në grup. Në kulturën japoneze është mjaft e rëndësishme të bashkëpunosh në harmoni për të mirën e të gjithëve, në vend që të punosh i vetëm për arritje personale. Shembulli i tyre i shkëlqyer më nxiti të bashkëpunoja përulësisht me të tjerët dhe të kuptoja se kontributi im i vogël ndihmon në realizimin e qëllimit të madh të Jehovait.
Megjithatë, për shkak të ndryshimeve kulturore, kishte raste që nuk e kuptoja pse gjërat bëheshin në një mënyrë të caktuar. M’u desh të mësoja durimin dhe të mos reagoja në mënyrë të ekzagjeruar. Me kalimin e kohës, ndryshova qëndrim dhe kuptova se Jehovai mund të bekojë çdo vendim, për sa kohë i nënshtrohemi drejtimit që na jep përmes organizatës. Tekefundit, puna jonë ka sukses vetëm falë Jehovait.
Stërvitjen që kam marrë në Bethel e krahasoj shpesh me stërvitjen që mori profeti Moisi. Gjatë 40 vjetëve si bari, Jehovai e ndihmoi që të zhvillonte butësinë. Ashtu si Moisiu, kisha marrë goxha arsimim. Si pasojë, isha bërë krenar dhe mbështetesha tepër te vetja. Por Betheli më mësoi të isha i përulur dhe të mbështetesha te Perëndia. Jehovai e rafinoi me durim Moisiun, e po njësoj ka bërë edhe me mua gjatë gjithë këtyre viteve.
Duke punuar në degën e Japonisë
Për rreth 24 vjet u kujdesëm për prindërit e Mivakos derisa u ndanë nga jeta. Telefonatat, momentet e ankthshme dhe udhëtimet për në spital s’kishin të numëruar. Vjehrra ime, Masakoja, u përkeqësua aq shumë, sa mezi ngrihej në këmbë. S’e kishte të lehtë të ndiqte mbledhjet e të dilte në shërbim. Madje në javët e fundit të jetës, Masakos iu desh të përdorte karrige me rrota. Por, mes gjithë vështirësive, dashuria për Jehovain nuk iu venit kurrë. Sa herë fliste për të vërtetën, rrezatonte nga gëzimi. Shembulli i Masakos ka qenë burim frymëzimi për mua, ngaqë në çdo rrethanë i shërbente Perëndisë dhe gjente kënaqësi e lumturi.
Në shërbim me Mivakon në Okinavë
Në vitin 2024 përjetuam një ndryshim drastik në jetë. Pasi kishim shërbyer mbi 30 vjet në Bethel, u caktuam në fushë. Tani shërbejmë si pionierë specialë në ishullin e Okinavës dhe kemi privilegjin t’u japim dëshmi familjeve që jetojnë në bazën ushtarake këtu pranë. Falë stërvitjes fantastike që kishim marrë në Bethel, e patëm shumë më të lehtë të përshtateshim me caktimin e ri. Bëjmë çmos të mbajmë një program të mirë dhe ta përdorim sa më mirë kohën duke u fokusuar te shërbimi dhe duke punuar pa u lodhur. Jehovai është treguar shumë i dashur dhe na ka bekuar me studentë të Biblës që janë bërë si familje për ne. Po mësojmë çdo ditë e më shumë sa e rëndësishme është t’i duam njerëzit. Bashkë me Mivakon e falënderojmë përditë Jehovain për këtë caktim të bukur.
I VENDOSUR QË JEHOVAI TË MË MODELOJË MË TEJ
Familjarët e mi, edhe pse nuk janë më kundërshtarë, ende nuk e kanë përqafuar të vërtetën. Gjithsesi, Jezui premtoi se kush lë familjen për t’u bërë dishepull i tij, do të bekohet 100-fish me bashkëbesimtarë që do t’i bëhen si familje. (Mar. 10:29, 30) E kam provuar vetë sa e vërtetë është kjo. As nuk mund t’i numëroj të gjitha familjet anekënd botës që më kanë treguar dashuri dhe janë kujdesur për mua si të isha pjesë e tyre.
E kam akoma librin E vërteta, që më dha Uillsoni. Ai libër blu më kujton sa zemërmirë u tregua Jehovai që më lejoi ta gjeja. (1 Kron. 28:9) Jam i vendosur të vazhdoj të modelohem nga ai dhe t’i ndihmoj të tjerët të mësojnë të vërtetën që çon në jetën e përhershme.