Ndreqe shpejt dëmin!
A TË ka lënduar një vëlla a motër aq shumë, sa tani miqësia juaj është krisur? Që të ndreqësh dëmin dhe të mbeteni miq, duhet të veprosh shpejt dhe me motivin e duhur.a
Ta ilustrojmë: kur thyhet një kockë, kërkohet ndërhyrja e një mjeku që të fashitet dhembja. Ama nëse nuk merren masa të menjëhershme, dhembja do të vazhdojë. Dhe ç’është më e keqja, ka rrezik që kocka të mos shkojë në vend dhe të mos funksionojë kurrë siç duhet.
Ashtu si një kockë e thyer, edhe një marrëdhënie e dëmtuar me një bashkëbesimtar duhet ndrequr shpejt. Në të kundërt, dhembja do të zgjatë dhe mëria mund të shtohet aq shumë, sa ta humbasësh mikun tënd. Jezui tha: «Rregulloji shpejt punët.» (Mat. 5:25) Prandaj fol me përzemërsi, por hapur me mikun tënd. Pse mund të jetë e vështirë kjo? Të shohim dy arsye.
Së pari, mbase e ke më të lehtë ta anashkalosh problemin pa e zgjidhur, sepse mund të kesh siklet të flasësh për të.b Për shembull, Evodia dhe Sintikia, dy motra të krishtere, duket se nuk po e zgjidhnin dot një mosmarrëveshje mes tyre. Ka shumë të ngjarë që problemi të ketë zgjatur goxha, përderisa e mori vesh edhe apostulli Pavël, i cili ndodhej goxha larg, në Romë. Ai i nxiti të bënin gjithë sa ishte e nevojshme që të rivendosnin unitetin. (Filip. 4:2) Falë përulësisë, komunikimit të mirë dhe faljes me gjithë zemër, miqësia e tyre mund të lulëzonte sërish.
Së dyti, ndoshta pret që tjetri të pranojë se ka faj. Por është më e rëndësishme të ruash miqësinë, jo të gjesh fajtorin. Mjeku në ilustrimin e mësipërm ka më shumë merak të ngjitë kockën sesa të zhbirojë si u thye. Po njësoj, kur të flasësh me mikun tënd mos u përqendro te kush e ka fajin për marrëdhënien e dëmtuar. Përkundrazi kujto sa e vyer është miqësia juaj dhe fokusohu tek ajo që duhet të bësh për të gëzuar sërish një miqësi të mirë.
Pse të mos flasësh që sot me motrën ose vëllanë, me synimin që të mbyllësh çdo të çarë në miqësinë tuaj? Bëj çmos që ‘perëndimi i diellit të mos të gjejë ende të inatosur’. (Efes. 4:26) Nëse vepron shpejt për ta ndrequr dëmin, do të ruash unitetin dhe paqen.—Efes. 4:1-3.
a Nëse jemi lënduar për diçka jo shumë serioze, duhet të flasim privatisht me personin tjetër dhe ta falim bujarisht. (Mat. 5:23, 24) Nëse problemi është serioz, mund të nevojitet ndihma e pleqve. (Mat. 18:17) Megjithatë, e kërkojmë ndihmën e tyre vetëm pasi kemi ndjekur hapat që përshkruhen te Mateu 18:15, 16.
b Nëse një bashkëbesimtar na ka lënduar, por jo aq sa të jetë dëmtuar miqësia, mund të zgjedhim ta hedhim pas krahëve atë që ndodhi.—Prov. 26:20.