BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 korrik f. 20-25
  • Ndihmoji të tjerët të njohin Jehovain

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ndihmoji të tjerët të njohin Jehovain
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • NDIHMOJE STUDENTIN QË TA NJOHË MIRË JEHOVAIN
  • MËSOJI Ç’LLOJ PERSONI ËSHTË JEHOVAI
  • NDIHMOJE TA PËRDORË NJOHURINË PËR JEHOVAIN
  • BEKIME PËR ATA QË E NJOHIN MIRË JEHOVAIN
  • Ndihmoje studentin të vendosë t’i shërbejë Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Ndihmoji studentët të bëhen dishepuj të pagëzuar
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2021 (Për studim)
  • Si t’i ndihmojmë studentët të përparojnë drejt pagëzimit—Pjesa 2
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2020 (Për studim)
  • Si t’i ndihmojmë studentët të përparojnë drejt pagëzimit—Pjesa 1
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2020 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 korrik f. 20-25

28 SHTATOR–4 TETOR 2026

KËNGA 79 Ndihmoji të jenë të pathyeshëm

Ndihmoji të tjerët të njohin Jehovain

«Që të gëzojnë jetën e përhershme, duhet të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë.»—GJONI 17:3.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si t’i ndihmosh studentët e tu të Biblës të njohin Jehovain, cilësitë e tij dhe çfarë i pëlqen e çfarë jo.

1. Si ndihesh kur sheh një student të Biblës që përparon?

SI NDIHESH kur një student i Biblës ndjek për herë të parë mbledhjet, fillon të komentojë, u flet të tjerëve për besimin e tij dhe pastaj vendos t’i kushtojë jetën Perëndisë Jehova? Natyrisht që të bëhet zemra mal! Patjetër, merita për përparimin që bën studenti ynë i takon Jehovait. Ja pse e lëvdojmë Jehovain kur shohim si e ndihmon të lidhë miqësi të ngushtë me Të.—1 Kor. 3:5-9; 3 Gjon. 3, 4.

2. Cili është vullneti i Jehovait për studentët e Biblës? (1 Timoteut 2:3, 4)

2 Vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën». (Lexo 1 Timoteut 2:3, 4.) Jehovai dëshiron që njerëzit të njohin Atë dhe qëllimet e tij sa më plotësisht. (Jer. 9:24) Kjo kërkon të marrin njohuri të saktë. Në gjuhën origjinale, fjala që përkthehet «njohuri e saktë» nuk lidhet me mësimin e një sërë faktesh. Sipas një studiuesi të Biblës, është ajo njohuri që «i ndryshon rrënjësisht jetën një personi». Kur një student e njeh mirë Jehovain, nxitet të ndryshojë mënyrën si jeton. Si rezultat, i çelet perspektiva e ‘jetës së përhershme’.—Gjoni 17:3.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Jehovai na ka dhënë privilegjin t’i ndihmojmë të tjerët që ta njohin. Në këtë artikull do të shqyrtojmë këto pyetje: pse ka nevojë një student i Biblës ta njohë mirë Jehovain? Si mund t’i mësojmë ç’lloj Personi është Jehovai? Dhe si ta ndihmojmë të përdorë njohurinë për Jehovain në jetën e tij?

NDIHMOJE STUDENTIN QË TA NJOHË MIRË JEHOVAIN

4. Sipas Markut 12:30, cili është synimi ynë kryesor kur drejtojmë një studim të Biblës?

4 Jezui tha se urdhërimi më i madh është të duam Jehovain me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë. (Lexo Markun 12:30.) Mirëpo që të zhvillojë këtë dashuri, një student duhet ta njohë Jehovain. Ne duam që studenti t’ia kushtojë jetën Jehovait ngaqë e do, jo thjesht se i pëlqen miqësia me ne, disa mësime të Biblës ose organizata jonë. Ja pse synimi ynë kryesor kur drejtojmë një studim, është ta ndihmojmë studentin ta njohë dhe ta dojë Jehovain.

5. Për çfarë do ta motivojë dashuria për Jehovain studentin tënd?

5 Dashuria dhe bindja janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Nëse studenti e njeh dhe zhvillon dashuri për Jehovain, do të motivohet t’i bindet. Jezui tha: «Që bota ta dijë se unë e dua Atin, po bëj ashtu si Ati më ka urdhëruar.» (Gjoni 14:31) Po njësoj, dashuria për Jehovain është forca më e madhe motivuese që një student t’i bindet dhe t’i qëndrojë besnik atij.—1 Gjon. 5:3.

6. Çfarë përfshin të njohësh Jehovain, dhe si do ta ndihmojë kjo një student të Biblës? Ilustrojeni.

6 Studentët e Biblës që e njohin mirë Jehovain, ka më tepër të ngjarë të marrin vendime të mençura. Ama, kjo njohuri nuk duhet të jetë vetëm teorike. Ta ilustrojmë: një pilot nuk mëson të drejtojë një avion vetëm duke studiuar rregullat e fluturimit ose duke kaluar një provim me shkrim. Ai duhet të bëjë edhe shumë orë fluturimi. Me kalimin e kohës, piloti mëson ta drejtojë avionin në kushte të ndryshme moti dhe të marrë vendime të mira gjatë pilotimit. Po njësoj, një student do ta njohë Jehovain jo vetëm nëpërmjet studimit, por edhe kur të shohë rezultatin e vendimeve që merr në harmoni me parimet e Biblës. Ndërsa thellon njohurinë për Jehovain dhe vëren si e ndihmon Ati i tij, studenti do të jetë i përgatitur që të marrë vendime të mençura në çdo situatë.

7. Si e ndihmoi Jozefin njohuria për Jehovain që të merrte një vendim të mirë?

7 Jozefi e njihte mirë Jehovain, dhe kjo e ndihmoi kur gruaja e Potifarit u përpoq ta joshte. Pa dyshim, Jozefi e kishte dëgjuar që fëmijë historinë e Adamit dhe Evës, si edhe të Abrahamit e Sarës. (Zan. 2:24; 20:3, 6) Nga ato histori, ai kishte dalluar pikëpamjen e Jehovait për martesën dhe për dhuratën e marrëdhënieve seksuale. Jozefi e njihte aq mirë Jehovain, sa i refuzoi prerazi propozimet imorale të gruas së Potifarit dhe i tha: «Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të kryej këtë mëkat kundër Perëndisë tim?» (Zan. 39:7-9) Ai e dinte ç’ishte e mirë dhe e keqe në sytë e Jehovait. Jozefi e kuptonte çfarë do ta lëndonte Perëndinë e tij. Ja pse mori vendimin e duhur. Nëse i ndihmojmë studentët e Biblës ta njohin mirë Jehovain dhe standardet e tij, edhe ata do të marrin vendime që e kënaqin.

MËSOJI Ç’LLOJ PERSONI ËSHTË JEHOVAI

8. Si mund të përdorësh librin Gëzoje jetën përgjithmonë që ta ndihmosh studentin të njohë Jehovain?

8 Si mund t’i mësosh një studenti se çfarë Personi është Jehovai? Jehovai e ndihmoi Jobin ta njihte më mirë duke i bërë pyetje—dhe jo pak, por mbi 50! (Jobi 38:1–41:34) Edhe ne mund të përdorim pyetje gjatë studimit. Pyetjet në librin Gëzoje jetën përgjithmonë janë bërë enkas që studenti të njohë çdo herë e më mirë personalitetin e Jehovait. (Shih kutinë «Pyetje që na ndihmojnë t’i mësojmë studentët».) Ndaj, përdori këto pyetje që ta ndihmosh studentin tënd ta njohë më nga afër Jehovain.

Një motër dëgjon studenten e saj teksa i përgjigjet një pyetjeje në mësimin 17 të librit «Gëzoje jetën përgjithmonë».

Pyetje që na ndihmojnë t’i mësojmë studentët

Libri Gëzoje jetën përgjithmonë përmban shumë pyetje që i ndihmojnë studentët ta njohin gjithnjë e më mirë Jehovain. Ja disa prej tyre:

  • «Si ndihet Jehovai kur sheh ata që predikojnë lajmin e mirë?» (Mësimi 21)

  • «Nga sa ke mësuar, pse je i sigurt se Jehovai dhe Jezui do të veprojnë me drejtësi [në Armagedon]?» (Mësimi 33)

  • «Si ndihet Jehovai kur tregohesh i mençur dhe i bindur? Pse?» (Mësimi 34)

  • «Sipas teje, si do të ndihej Jehovai po të martohemi me dikë që nuk e do atë?» (Mësimi 42)

  • «Sa bujar është Jehovai kur fal?» (Mësimi 56)

  • «Si e tregon Jehovai se është i arsyeshëm, i mëshirshëm dhe i dashur me mënyrën si vepron me mëkatarët?» (Mësimi 57)

9-10. (a) Çfarë do t’i ndihmojë studentët të përfitojnë sa më shumë nga leximi personal i Biblës? (Jakovi 5:11) (b) Jepni një shembull si nxjerr në pah një histori e Biblës se çfarë i pëlqen Jehovait dhe çfarë jo.

9 Që në mësimet e para të kursit të Biblës, ne i nxitim studentët ta lexojnë çdo ditë Biblën.a Por si t’i ndihmojmë që të përfitojnë sa më shumë nga ky lexim? Mund t’u sugjerojmë që sa herë lexojnë një pjesë nga Bibla, të mendojnë pse e ka përfshirë Jehovai në Fjalën e tij dhe çfarë cilësish të tij dalin në pah. Pikërisht këtë bëri dishepulli Jakov me historinë e Jobit. Ai dalloi jo vetëm qëndrueshmërinë e Jobit, por edhe cilësi të Jehovait—dhembshurinë dhe mëshirën e Tij.—Lexo Jakovin 5:11.

10 Duam që studentët të dallojnë nga çdo histori e Biblës se çfarë i pëlqen e çfarë nuk i pëlqen Jehovait. Për shembull, mbase studenti sheh tabelën «Fillo të lexosh Biblën» te libri Gëzoje jetën përgjithmonë dhe na thotë se ka zgjedhur të lexojë historinë e Danielit në gropën e luanëve. Mund ta nxitim të mendojë për pyetje, si: «Pse e shpëtoi Jehovai Danielin? Si e dalloj nga kjo histori se çfarë e bën të lumtur Jehovain?» (Dan. 6:10, 22) Gjithashtu mund të pyesë veten: «Çfarë fundi patën njerëzit që e akuzuan Danielin? Si më tregon kjo histori se çfarë nuk i pëlqen Jehovait?» (Dan. 6:4, 5, 24) Në fund ai mund të mendojë edhe për cilësi të tjera të Jehovait që dalin në pah nga ky tregim.—Dan. 6:26, 27.

11. Si mund ta ndihmojmë studentin ta shohë studimin e Biblës si dhuratë nga Jehovai?

11 Jemi të lumtur kur studenti provon në jetën e tij vlerën e pashoqe të studimit të Biblës. Megjithatë duam ta ndihmojmë të kuptojë se Burimi i asaj që mëson, është Jehovai, Mësuesi i Madh. (Isa. 30:20, 21) Studenti mund të na falënderojë për gjërat që i mësojmë e madje të na lavdërojë si mësues të zotë. Megjithëse shprehjet e sinqerta të mirënjohjes nuk janë të gabuara, bëjmë çmos që Jehovai të marrë gjithë lavdinë dhe falënderimet.

NDIHMOJE TA PËRDORË NJOHURINË PËR JEHOVAIN

12-13. Si e ndihmon njohuria për Jehovain një student kur e ka të vështirë të kuptojë një histori nga Bibla? (Shih edhe figurën.)

12 Që të nxjerrim plotësisht dobi nga njohuria e saktë, duhet ta përdorim atë që dimë. Por si mund ta ndihmosh studentin ta bëjë këtë? Së pari, kur studenti e ka të vështirë të kuptojë një histori nga Bibla, mësoje të sjellë ndër mend atë që di tashmë për Jehovain. Për shembull, mbase ai po lexon për gjykimet e Jehovait dhe vret mendjen pse Perëndia i ekzekutoi disa njerëz, ndërsa të tjerë i la gjallë. Si ta ndihmosh të arsyetojë për këtë çështje?

13 Mund ta nxitësh studentin të bluajë në mendje atë që ka mësuar për Jehovain. Për shembull, sa e çmuar është jeta për Jehovain? (2 Pjet. 3:9) Çfarë sakrifice të madhe ka bërë Perëndia për të na shpëtuar ndonëse jemi mëkatarë? (Efes. 2:4, 5) A i ndëshkon Jehovai ata që nuk e meritojnë? Nga ana tjetër, a i lë pa ndëshkuar ata që e kanë hak? (Eks. 34:6, 7) Ndonjëherë historitë e Biblës nuk japin detaje që na ndihmojmë të kuptojmë pse Jehovai veproi në një mënyrë të caktuar. Megjithatë, nuk kemi nevojë të dimë çdo detaj. Ne e njohim Perëndinë tonë dhe s’kemi pikë dyshimi se ai vepron përherë me drejtësi.

Kolazh: e njëjta motër duke rishikuar me studenten gjërat që ka mësuar. 1. Jehovai i ulur në fronin e tij qiellor. 2. Adami po mendon të hajë frytin e ndaluar që i jep Eva. 3. Një thembër godet kokën e një gjarpri. 4. Arka e Noesë lundron në sipërfaqen e ujërave gjatë Përmbytjes. 5. Moisiu ndan Detin e Kuq. 6. Shtëpia e Rahabës nuk prishet ndërsa muret e Jerikosë rrafshohen. 7. Ebed-Meleku nxjerr Jereminë nga sterna. 8. Jezuin e kanë varur në shtyllë.

Mësoje studentin të sjellë ndër mend atë që di për Jehovain kur e ka të vështirë të kuptojë një ngjarje nga Bibla (Shih paragrafët 12-13)


14. Si mund ta ndihmosh studentin kur ai nuk shkon mirë me dikë në kongregacion?

14 Të shqyrtojmë një mënyrë të dytë si mund ta përdorë një student i Biblës atë që di për Jehovain. Ta zëmë se studenti po ndjek mbledhjet, mirëpo nuk shkon mirë me një bashkëbesimtar. Mbase vëllai a motra ka bërë diçka që e ka lënduar. Në këtë rast, nxite studentin të mendojë si i sheh Jehovai bashkëbesimtarët. Për shembull, çfarë sakrifice ka bërë për t’u treguar sa i do? (Gjoni 3:16) Sa e rëndësishme është për Jehovain të jemi në unitet? (Psal. 133:1) Si ndihet ai kur bëjmë çmos të ruajmë unitetin? (2 Kor. 13:11) Ndihmoje studentin të kuptojë se Jehovai është i lumtur kur i mbajmë sytë te cilësitë e mira të njëri-tjetrit, jo te të metat.

15-16. (a) Si mund ta imitojë një student i Biblës Jezuin kur duhet të marrë një vendim të rëndësishëm? (Gjoni 8:29) (b) Si e ndihmoi Mariana studenten e saj që të merrte një vendim të mençur? (Shih edhe figurën.)

15 Së treti, mund ta ndihmosh studentin ta përdorë njohurinë për Jehovain që të marrë vendime të mira. Për shembull, mund t’i tregosh mësimin 35 «Si të marrim vendime të mençura?» në librin Gëzoje jetën përgjithmonë. Po nëse studenti është lutur dhe ka bërë kërkime, por sërish e ka të vështirë të marrë një vendim? Mbase nuk është i sigurt cilat nga parimet e shumta të Biblës zbatohen në situatën e tij. Atëherë mund t’i sugjerosh të mendojë për shembullin e Jezuit. Si i merrte Jezui vendimet? Ai tha: «Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë [Atit tim].» (Lexo Gjonin 8:29.) Ndaj, inkurajoje studentin të pyesë veten: «Nga kërkimet që kam bërë dhe nga ajo që kam mësuar tashmë për Jehovain, cili vendim do ta kënaqte?» Çdo vendim që e kënaq Jehovain, është një vendim i mirë.

16 Një grua në Kili që po studionte Biblën, u gjend përballë një vendimi shumë të rëndësishëm. Familja i bënte presion që të pranonte një punë me rrogë të mirë, por që e pengonte për mbledhjet. Mësuesja e saj e Biblës, Mariana, tregon: «E nxita të mendonte si do të ndihej Jehovai për vendimin e saj; do të kënaqej apo do të mërzitej? Gjithashtu e inkurajova që t’i lutej specifikisht Jehovait për situatën e saj dhe të dallonte përgjigjen e tij. Ajo e refuzoi ofertën e punës dhe shpejt gjeti një punë tjetër që nuk e pengonte për mbledhjet.» Në vend se t’i tregonte studentes çfarë të bënte, Mariana e ndihmoi të mendonte thellë për atë që dinte tashmë për Jehovain. Si rezultat, studentja forcoi miqësinë jo vetëm me Marianën, por edhe me Jehovain. Mariana thotë: «Ajo mësoi se Jehovai kujdeset për ne kur vendosim adhurimin e tij në vend të parë.»

Një studente e Biblës refuzon me respekt një ofertë pune, ndërsa menaxheri i zgjat kontratën dhe një stilolaps.

Ndihmoje studentin të marrë vendime që e kënaqin Jehovain (Shih paragrafët 15-16)b


BEKIME PËR ATA QË E NJOHIN MIRË JEHOVAIN

17. Cila është njohuria më e rëndësishme që duhet të marrin studentët?

17 Kursi ynë për studimin e Biblës përmban shumë mësime të rëndësishme. Studentët mësojnë të vërteta bazë të Biblës, si gjendja e të vdekurve, shpërblesa dhe Mbretëria. Gjithashtu mësojnë si janë të organizuar Dëshmitarët e Jehovait—për shembull, çfarë ndodh në mbledhjet tona, çfarë pune bëjnë pleqtë dhe cili është roli i Trupit Udhëheqës. Mirëpo, s’duam të mjaftohemi vetëm me kaq. Ç’është më e rëndësishmja, dëshirojmë që studentët të njohin mirë Jehovain.

18. Çfarë bekimesh i presin të gjithë ata që e njohin Jehovain?

18 Ç’privilegj të pashoq kemi t’i ndihmojmë të tjerët të njohin Jehovain! Ata që e njohin dhe e adhurojnë Perëndinë, mund të shijojnë jetën më të lumtur sot për sot. (Psal. 25:12-15) E në të ardhmen, të gjithë ata që ‘fitojnë njohuri për të Vërtetin’, pra për Jehovain, do të gëzojnë jetën e përhershme. (1 Gjon. 5:20) Por nuk mbaron këtu. Bibla tregon se Jehovai «e njeh si të vetin» këdo që përpiqet ta njohë dhe të zhvillojë dashuri për Të. (1 Kor. 8:3) Perëndia i Plotfuqishëm na kushton vëmendje dhe na konsideron miqtë e tij. Sa bekim i jashtëzakonshëm që të njohim të vetmin Perëndi të vërtetë!

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Pse një student ka nevojë ta njohë mirë Jehovain?

  • Si mund t’i mësojmë studentit çfarë personi është Jehovai?

  • Si mund ta ndihmojmë studentin ta përdorë atë që di për Jehovain?

KËNGA 84 Përherë i gatshëm

a Synimi në mësimin 5 të librit Gëzoje jetën përgjithmonë është: «Fillo ta lexosh rregullisht Biblën, duke përdorur tabelën ‘Fillo të lexosh Biblën’.»

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Inskenim ku tregohet studentja e Marianës teksa refuzon një ofertë pune.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo