31 GUSHT–6 SHTATOR 2026
KËNGA 89 Bindju Jehovait dhe gjej lumturi
Kushtoji vëmendje mënyrës si dëgjon
«Kushtoni vëmendje si dëgjoni.»—LUKA 8:18.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Pse duhet të vazhdojmë të dëgjojmë me vëmendje gjatë mbledhjeve e programeve të tjera teokratike dhe si ta bëjmë këtë.
1-2. (a) Si e ushqen Jehovai popullin e tij sot? (Psalmi 23:1, 2, 5) (b) Çfarë do të shqyrtojmë në lidhje me mbledhjet?
SOT Jehovai na ka shtruar një banket me ushqim besimforcues. Pa dyshim që ndihemi edhe ne si Davidi, i cili këndoi: «Jehovai është Bariu im, ndaj s’do të më mungojë asgjë.»—Lexo Psalmin 23:1, 2, 5.
2 Një mënyrë si na ushqen Jehovai sot është përmes mbledhjeve të kongregacionit. Në to shqyrtohen shpesh informacione që i njohim mirë. Edhe nëse jemi «të rrënjosur në të vërtetën», kemi nevojë për përkujtues. (2 Pjet. 1:12) Megjithatë, a e ke të vështirë të dëgjosh me vëmendje nëse një temë po trajtohet për të disatën herë? Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë. Do të shohim pse kemi nevojë të dëgjojmë me kujdes në mbledhje. Do të diskutojmë edhe ç’mund të bëjnë oratorët që dëgjuesit të përqendrohen më kollaj. Gjithashtu do të ndalemi te disa sugjerime si të jemi dëgjues më të mirë. Por si fillim, t’i përgjigjemi pyetjes: kush na flet në mbledhje?
MOS HARRO SE PO TË FLET JEHOVAI
3. Si na flet Jehovai, dhe si e përdorin me mjeshtëri Biblën shërbëtorët e tij?
3 Jehovai na flet nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës. (2 Tim. 3:16, 17) Duke e ditur këtë, Jezui e përdorte me aq mjeshtëri Fjalën e Perëndisë, sa dëgjuesit thoshin të habitur: «Si ka mundësi që ky njeri ka kaq shumë njohuri për Shkrimet kur nuk ka studiuar në shkolla?!» (Gjoni 7:15) Njerëzve të përulur u gufonte zemra nga gëzimi kur dëgjonin Jezuin teksa shpjegonte Fjalën e Perëndisë. Edhe të krishterët e shekullit të parë, si apostulli Pavël dhe Apoli, i përdornin shpesh Shkrimet kur arsyetonin me të tjerët. (Vep. 17:2, 3; 18:24, 28) Si Dëshmitarë të Jehovait, e dimë se artikujt, programet në JW Broadcasting®, skemat e fjalimeve dhe videot tona bazohen në Bibël. Shumë vetave që vijnë për herë të parë në mbledhje, u bën përshtypjeve kur shohin sa shumë e përdorim Biblën. Ata që mbajnë pjesë në mbledhje, e bazojnë krejtësisht mësimdhënien e tyre në Fjalën e Perëndisë jo vetëm duke lexuar prej saj, por edhe duke u shpjeguar dëgjuesve si ta zbatojnë.—Luka 24:32.
4. Çfarë kuptimi ka fjala «dëgjo» në gjuhën origjinale?
4 Në gjuhën origjinale, fjala e përkthyer «dëgjo», shpesh ka kuptimin të bindesh. Prandaj, kur Jehovai na flet përmes Fjalës së tij në mbledhje dhe kur kuptojmë çfarë pret nga ne dhe pse, e kemi më kollaj t’i bindemi. Jemi të sigurt se Jehovai kënaqet kur e dëgjojmë dhe e zbatojmë atë që na mëson.—Prov. 27:11.
PSE DUHET TË DËGJOJMË ME KUJDES NË MBLEDHJE
5. Për çfarë na motivon dashuria për Jehovain? (Gjoni 4:23, 24; 1 Gjon. 5:3)
5 Dëgjojmë në mbledhje sepse e duam Jehovain. (Mat. 22:37) Sa më shumë e njohim Jehovain, aq më shumë e duam. E kjo dashuri na motivon ta dëgjojmë, t’i bindemi dhe ta adhurojmë siç na ka treguar në Fjalën e tij.—Lexo Gjonin 4:23, 24; 1 Gjonit 5:3.
6. Si na mëson Jehovai në mbledhje që t’i ndihmojmë të tjerët?
6 Dëgjojmë në mbledhje sepse i duam njerëzit. (Mat. 22:39) Në mbledhje Jehovai na mëson si të ndihmojmë bashkëbesimtarët dhe të tjerët që nuk e njohin ende. Për shembull, broshura Duaji njerëzit—Bëj dishepuj na ka ndihmuar të zhvillojmë cilësi që na vlejnë në shërbim. A e ke të vështirë të fillosh biseda të natyrshme me njerëzit? Nëse po, ji tërë sy e veshë ndërsa vëllezërit e motrat demonstrojnë gjatë mbledhjes së mesjavës si mund të bëhet kjo.
7. Pse është jetësore të vazhdojmë t’ia vëmë veshin Jehovait?
7 Dëgjojmë në mbledhje sepse e duam jetën. Ashtu siç u tha adhuruesve të tij në të kaluarën, Jehovai na nxit edhe ne t’i bindemi Fjalës së Tij, që të kemi një jetë të lumtur e të pafund. (Ligj. 32:44-47) Kur dëgjojmë me kujdes në mbledhje, marrim inkurajimin e nevojshëm që të vazhdojmë ta presim me qëndrueshmëri botën e re. (Rom. 8:25) Sot është jetësore t’ia vëmë veshin Jehovait, sepse jetojmë në ditët e fundit dhe duhet të mos e ulim ritmin në shërbim të tij.—Mat. 24:42-44; Zbul. 1:3.
SI T’I NDIHMOSH TË TJERËT QË TË DËGJOJNË ME VËMENDJE NË MBLEDHJE
8. Pse vëllezërit që mësojnë nga podiumi duhet të vazhdojnë t’i përmirësojnë aftësitë oratorike?
8 Vëllezërit që mësojnë nga podiumi, veçanërisht ata që mbajnë fjalime publike, duhet të vazhdojnë t’i përmirësojnë aftësitë oratorike. Një fjalim i përgatitur me kujdes, i bazuar Bibël, ka jashtëzakonisht fuqi t’i tërheqë njerëzit drejt së vërtetës dhe t’i ndihmojë vëllezërit e motrat të qëndrojnë në të vërtetën. Prandaj, mos harro se pjesa jote mund t’i ndihmojë të tjerët shumë më tepër nga ç’ta merr mendja. Nëse ke privilegjin të bësh fjalime, mendo si t’i zbatosh sugjerimet e mëposhtme. Ndonëse këto sugjerime janë në veçanti për vëllezërit që mbajnë fjalime publike, në parim mund të zbatohen për çdo caktim që mbahet në podium.—2 Tim. 4:2; Tit. 1:9.
9. Pse është e rëndësishme që një fjalim të kuptohet kollaj?
9 Ndiq një rrjedhë logjike. Si orator, dëshiron që dëgjuesit e tu ta kuptojnë kollaj atë që po thua. Nëse materiali është tepër i komplikuar, auditori mund të shpërqendrohet. Ndaj, si mund të përgatitësh një fjalim të qartë? Ja disa hapa: (1) Në hyrje, përpiqu të tregosh cilat janë pikat kryesore. (2) Trajtoji këto pika një nga një dhe bëj një pauzë para se të tregosh qartë cila është pika tjetër kryesore. (3) Rishikoji shkurtimisht pikat kryesore në mbyllje të fjalimit.
10. Pse është e rëndësishme ta duam atë që u mësojmë të tjerëve?
10 Duaje atë që po u mëson të tjerëve. Nëse i do mësimet që u përcjell të tjerëve, do të flasësh me entuziazëm. (Prov. 2:4, 5; Vep. 4:20) Kur mediton për shkrimet dhe për materialin që të është caktuar, të hyjnë më kollaj në zemër pikat që do të trajtosh. Një vëlla nga Shtetet e Bashkuara, tani në të 70-at, shprehet kështu për një fjalim që dëgjoi kur ishte adoleshent: «Më kujtohet si sot nxitja e oratorit që të bluanim në mendje atë që lexonim nga Fjala e Perëndisë. Vëllai foli plot bindje dhe shpjegoi qartë si mund ta bënim këtë. Ai fjalim shënoi një pikë kthese në jetën time; më ndihmoi jo vetëm të nxirrja më shumë dobi nga leximi i Biblës, por edhe të lidhesha më ngushtë me Jehovain.»
11. Pse është mirë të japësh sugjerime praktike dhe specifike gjatë fjalimeve? (1 Timoteut 4:13-16)
11 Mendo çfarë u nevojitet dëgjuesve dhe ofro sugjerime praktike. Në vend që të flasësh në përgjithësi, përdor Shkrimet që të japësh inkurajim dhe sugjerime specifike. Për shembull, apostulli Pavël i dha Timoteut një sërë sugjerimesh specifike se si ta mbante të fortë miqësinë me Jehovain gjatë caktimit në Efes. (Lexo 1 Timoteut 4:13-16.) Mendo për çfarë kanë nevojë dëgjuesit e tu dhe ndihmoji të kuptojnë si ta zbatojnë informacionin në jetën e përditshme.
12. Pse duhet të flasim natyrshëm kur mbajmë një fjalim?
12 Përsërite fjalimin me zë, që të flasësh sa më natyrshëm. Në vend që ta shkruash fjalimin fjalë për fjalë dhe ta lexosh, përpiqu të flasësh natyrshëm, që auditori të përqendrohet dhe ta kuptojë lehtë informacionin. Broshura Kushtoju leximit dhe mësimdhënies thotë: «Fol në një mënyrë të natyrshme e të sinqertë, që pasqyron si ndihesh për temën dhe për dëgjuesit e tu.» Nëse flet nga zemra, fjalimi do të jetë më i gjallë, më interesant dhe më motivues.
13. Pse duhet t’u kërkosh këshilla oratorëve me përvojë kur përgatit një fjalim? (Shih edhe figurën.)
13 Kërko këshilla nga një orator me përvojë. Si ta bësh këtë? Para fjalimit mund t’i tregosh oratorit me përvojë shënimet e tua dhe më pas t’i përfshish idetë e tij në fjalim. Veç kësaj, mund t’i kërkosh të të dëgjojë ndërsa e thua fjalimin, që të të japë disa sugjerime si të bëhesh mësues më i mirë. (Prov. 1:5) Të gjithë kemi dobësi që nuk i vëmë re te vetja dhe mbase nuk e dallojmë nëse dëgjuesit e kanë të lehtë ta kuptojnë ose ta zbatojnë atë që po themi. Kemi dëshirë të jemi oratorë e mësues më të mirë, që t’i ndihmojmë të tjerët të nxjerrin dobi nga xhevahiret e Fjalës së Perëndisë.a
Kërkoji një oratori me përvojë të të ndihmojë të bëhesh mësues më i mirë (Shih paragrafin 13)
SI TË BËHEMI DËGJUES MË TË MIRË
14. Si duhet të ndihemi për përkujtuesit e Perëndisë? (Psalmi 119:24, 111, 167)
14 Bëhemi dëgjues më të mirë kur thellojmë çmueshmërinë për përkujtuesit e Jehovait. Kemi nevojë për përkujtuesit e Perëndisë, që të mos na vënë poshtë sfidat e këtyre ‘kohëve kritike, të vështira për t’u përballuar’. (2 Tim. 3:1) Ndaj, edhe nëse e kemi dëgjuar sa e sa herë diçka, të përpiqemi të ushqejmë të njëjtin vlerësim që kishte shkrimtari i Psalmit 119 për përkujtuesit e Perëndisë.—Lexo Psalmin 119:24, 111, 167.
15. Si ta mbajmë të gjallë çmueshmërinë për ushqimin besimforcues që marrim në mbledhje?
15 Duhet të mbajmë një pikëpamje pozitive për ushqimin besimforcues, njësoj siç duhej të bënin edhe izraelitët për manën që u siguroi Jehovai në shkretëtirë. (Eks. 16:15, 31) Në fillim, izraelitët ishin të kënaqur me manën. Vinte nga Jehovai, ishte e shijshme dhe i mbante në jetë. Por, me kalimin e kohës, disave u erdhi në majë të hundës mana që e hanin përditë. (Num. 21:5) Mësimi për ne? Nuk duhet t’i konsiderojmë kurrë mësimet që i kemi dëgjuar shpesh në mbledhje si diçka të zakonshme ose si përsëritje të panevojshme. Përkundrazi, të mos harrojmë se Burimi i ushqimit besimforcues është Jehovai. Të mbajmë ndër mend se ky ushqim është përgatitur me merak nga organizata e Jehovait. Duhet t’i kujtojmë vetes edhe se, falë mençurisë që fitojmë prej tij, mund të gëzojmë jetën përgjithmonë.—Prov. 3:13, 16-18; Gjoni 17:3.
16. Çfarë i ndihmon disa që i shërbejnë Jehovait prej kohësh që të vazhdojnë të dëgjojnë me vëmendje në mbledhje? (Shih edhe kutinë «Sugjerime si të jesh dëgjues më i mirë».)
16 Bëhemi dëgjues më të mirë kur zbatojmë sugjerimet praktike. Ja çfarë i ka ndihmuar disa që i shërbejnë Jehovait prej kohësh që të vazhdojnë të dëgjojnë me vëmendje në mbledhje. Ashli, një motër që i shërben Jehovait prej më shumë se 30 vjetësh, thotë: «Përgatitja është sekreti për të dëgjuar me vëmendje. Nëse s’jam e përgatitur, e kam të vështirë të komentoj dhe mendja më hallakatet.» Jozhefi, që i shërben Jehovait prej 52 vjetësh, thotë: «I dëgjoj me qejf edhe temat goxha të njohura, sepse kur materiali paraqitet nga këndvështrime të ndryshme, zbuloj gjithmonë gjëra të reja.» Pastaj shton: «Nëse një vëlla nuk shkëlqen si orator, përqendrohem te mesazhi që po përcjell nga Fjala e Perëndisë, jo te mënyra si po flet.»
17. Çfarë mund të të ndihmojë të dëgjosh me vëmendje në mbledhje? (Shih edhe figurën.)
17 A mund të provosh ndonjë nga sugjerimet e mëposhtme që të dëgjosh me vëmendje? (1) Mos ha rëndë para mbledhjes, që të mos jesh përgjumësh. (2) Shko herët dhe gjej një vend para se të nisë programi. (3) Mbaji pa zë pajisjet elektronike dhe mos lejo të të shpërqendrojnë gjatë mbledhjes. (4) Mendo që më parë për materialin që do të trajtohet. (5) Përqendrohu tek oratori. (6) Mbaj shënime të shkurtra ose bëj vizatime të thjeshta për pikat kyçe. (7) Kushtoju vëmendje shkrimeve kryesore dhe si lidhen me njëra-tjetrën. (8) Pyet veten: «Si mund ta përdor këtë pikë për të ndihmuar dikë në kongregacion ose në territor?» (9) Para asambleve dhe kongreseve, lër kohë të mendosh për temën e ditës, titujt e fjalimeve dhe shkrimet kryesore të çdo fjalimi. (10) Përgatit zemrën duke u ulur në qetësi dhe duke i kushtuar vëmendje muzikës ose videove muzikore në fillim të programit.
Vazhdo t’u kushtosh vëmendje përkujtuesve të Perëndisë, duke mos lejuar të të shpërqendrojnë pajisjet elektronike (Shih paragrafin 17)
VAZHDO T’I KUSHTOSH VËMENDJE JEHOVAIT
18. Pse duhet të vazhdojmë të dëgjojmë me vëmendje në mbledhje?
18 Duhet të vazhdojmë të dëgjojmë me vëmendje në mbledhje, se kështu e lejojmë Jehovain të na udhëheqë në «shtigjet e drejtësisë». (Psal. 23:3; 31:3) Kemi nevojë për këshilla nga Jehovai, që të mos jemi si një anije që devijon nga kursi për shkak të erës. Ndaj ‘kushto vëmendje si dëgjon’ dhe zbatoje atë që dëgjon në mbledhje. (Luka 8:18) Ata që ia vënë veshin Jehovait do të jenë të lumtur tani dhe do të gëzojnë jetën përgjithmonë në të ardhmen.—Psal. 119:2, 14.
KËNGA 87 Eja, gjej për shpirtin freski!
a Për sugjerime të tjera si të bëhesh orator dhe mësues më i mirë, shih broshurën Kushtoju leximit dhe mësimdhënies dhe librin Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik.