JETËSHKRIM
Gati 70 vjet në shërbim të Jehovait në Kubë
LINDA më 1947 në Kubë, një ishull mahnitës në Karaibe. Kuba ndodhet aty ku takohen ujërat e ngrohta të Detit të Karaibeve dhe të Oqeanit Atlantik. Pas meje, lindën dy motrat e mia të vogla. Jetonim të pestë në fshatin Esmeraldë.
Kujtoj që jeta në fshatin tonë të vogël ishte e paqtë. Jetonim pranë hallave, xhaxhallarëve dhe gjyshërve. Kishim mjaft për të ngrënë dhe bënim një jetë të lumtur.
Kur isha diku te pesë vjeç, prindërit nisën të studionin Biblën me Uolltën Xhonsin. Ai ishte një ungjillëzues i zellshëm dhe bënte rreth 10 orë më këmbë për të ardhur në fshatin tonë. Sa herë që vinte, shumë nga ne mblidheshim te shtëpia e gjyshërve dhe flisnim për Biblën me orë të tëra. Prindërve, xhaxha Pedros dhe hallë Elës u pëlqente shumë ajo që po mësonin. S’kaloi shumë dhe u pagëzuan si Dëshmitarë të Jehovait. Hallë Ela është thuajse 100 vjeçe dhe vazhdon të shërbejë si pioniere në Kubë.
Asokohe Dëshmitarët e Jehovait në Kubë mund ta adhuronin lirisht Perëndinë. Na njihnin të gjithë ngaqë predikonim shtëpi më shtëpi me çantat plot literaturë të çmuar, të bazuar në Bibël. Sa shumë kemi ecur në ato vite! E kujtoj me nostalgji fëmijërinë kur i shërbenim Jehovait në «kohë të favorshme». Por te pragu ishin «kohë të vështira».—2 Tim. 4:2.
KOHË TË VËSHTIRA
Kur isha rreth 5 vjeç, babai dhe xhaxhai shkuan në një pjesë tjetër të ishullit, që të ndiqnin një asamble. Mjerisht, gjatë atij udhëtimi të dy i zunë ethet e tifos nga uji i ndotur. Më kujtohet që kur u kthyen, xhaxhait i ranë flokët, por gjithsesi mbijetoi. Kurse im atë humbi jetën. Ishte vetëm 32 vjeç.
Pas vdekjes së babait, mamaja vendosi që të shkonim për të jetuar me dajën në fshatin Lombijo. Prandaj na u desh të ndaheshim nga të afërmit e tjerë dhe nga gjyshërit, me të cilët ishim shumë të lidhur. Gjithsesi, vazhduam ta adhuronim Jehovain si familje.
Më 26 gusht 1957, kur isha 10 vjeç, u pagëzova në një liqen artificial afër Lombijos. Nuk e kisha idenë se, pa kaluar as 2 vjet, jeta e Dëshmitarëve të Jehovait në Kubë do të ndryshonte në mënyrë drastike. Në vitin 1959, qeveria u përmbys, dhe pushtetin e morën komunistët.
Tani ishim nën një qeveri që e vinte theksin te shërbimi ushtarak. Kjo ia vështirësoi jetën popullit të Jehovait, i cili njihet kudo për asnjanësinë në çështjet politike dhe ushtarake. Si pasojë, e humbëm dalëngadalë lirinë e adhurimit që shijonim prej vitesh. Në fund, qeveria i ndaloi aktivitetet tona dhe burgosi qindra vëllezër besnikë. Disa i rrihnin shpesh dhe u jepnin fare pak për të ngrënë. Dhe me raste, u jepnin ushqim që përmbante gjak, të cilin Bibla e ndalon.
Megjithatë, këto sfida nuk na penguan të mblidheshim bashkë që të adhuronim Jehovain. (Hebr. 10:25) Madje mbanim edhe asamble në ferma ose në vende të tjera të pazakonta anekënd vendit. Më kujtohet një rast kur një vëlla ofroi stallën ku mbante delet që ta përdornim si sallë asamblesh. Nuk arritëm ta pastronim më përpara dhe as të nxirrnim delet. Gjithsesi e mbajtëm asamblenë me dele të mirëfillta dhe të figurshme bashkë!—Mik. 2:12.
Ishim shumë mirënjohës për punën e palodhur të vëllezërve që të na siguronin ushqim besimforcues në atë kohë. Për shembull, programet e asambleve regjistroheshin paraprakisht në kaseta dhe shpërndaheshin në të gjithë vendin. Ndonjëherë caktoheshin vetëm dy vëllezër që të përgatitnin, të mbanin dhe të regjistronin të gjitha fjalimet e programit. Meqë vëllezërit i regjistronin kasetat fshehurazi, me raste dëgjonim në sfond gjela që këndonin dhe zhurma të tjera qesharake. Nëse vendi i asamblesë nuk kishte energji elektrike, një vëlla pedalonte një biçikletë të lidhur me një gjenerator, që të prodhohej energjia e nevojshme. Kështu mund të vinim kasetën dhe të dëgjonim programin. Mbase nuk kishim kushtet ideale ose gjithë literaturën që kishin bashkëbesimtarët në vende të tjera, por s’na mungoi kurrë ushqimi besimforcues. E pa dyshim kënaqeshim teksa i shërbenim bashkë Jehovait.—Neh. 8:10.
PIONIER, BASHKËSHORT DHE PRIND
Kur mbusha 18 vjeç, fillova të shërbeja si pionier i rregullt në qytezën e Floridës. Rreth një vit më vonë, më emëruan pionier special në qytetin e Kamaguejit, kryeqyteti i provincës. Aty takova Emilinë, një motër të bukur nga Santiago-de-Kuba. Filluam të njiheshim dhe u martuam brenda një viti.
(Majtas) Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë për pleqtë—Kamaguej, Kubë, 1966
(Djathtas) Në ditën e dasmës, 1967
Fillova të punoja me orar të plotë në një nga fabrikat e shumta shtetërore të sheqerit. Unë dhe Emilia nuk mund të shërbenim më si pionierë, por prapë donim t’u kushtonim sa më shumë kohë aktiviteteve teokratike. E rregullova që të punoja nga ora 3 deri në 11 të mëngjesit. Nuk është se më pëlqente të zgjohesha aq herët, por ai turn më lejonte të isha i rregullt në shërbim dhe të ndiqja të gjitha mbledhjet me Emilinë.
Në vitin 1969 na lindi djali i parë, Gustavo. Në atë kohë, vëllezërit më kërkuan të shërbeja në kohë të plotë si mbikëqyrës qarkor. Në Kubë atëherë kishte shumë mbikëqyrës qarkorë me fëmijë. Dhe aty nisi një nga kapitujt më të lumtur, por edhe më të ngarkuar të jetës sonë. Bashkë me Emilinë ishim thellësisht mirënjohës që kishim mundësinë t’u shërbenim vëllezërve dhe motrave në këtë mënyrë. Gjatë kohës që shërbenim në qark, na lindi Obedi, Abneri dhe pas ca vitesh, vajza jonë, Maeli.
Kur mendoj për vitet që kemi shërbyer në veprën qarkore, më gëzon zemra që Jehovai e ka bekuar kaq shumë popullin e tij në Kubë. Dhe pa dyshim ka bekuar edhe përpjekjet tona si prindër që të rrënjosnim në zemrat e fëmijëve dashurinë për Të. Tani më lejoni t’ju tregoj si ka qenë jeta për mua dhe Emilinë në veprën qarkore.
VEPRA QARKORE GJATË NDALIMIT
Ngaqë vepra u ndalua, në vitet 60 dhe 70 gjërat u vështirësuan goxha. Sallat e Mbretërisë u mbyllën. Misionarët i dëbuan nga vendi. Shumë vëllezër të rinj i arrestuan dhe i futën në burg. Dhe zyra e degës në Havanë u mbyll.
Në veprën qarkore, vitet 90
Për shkak të ndalimit, i vizitonim kongregacionet vetëm në fundjavë. Te çdo kongregacion shkonim dy fundjavë rresht. Nuk merrnim shumë gjëra me vete dhe shpesh udhëtonim me biçikletë, se ishte mënyra më e mirë për të mos rënë në sy. Sigurisht për vizitën tonë nuk bëhej njoftim në mbledhje. Duhej të linim përshtypjen sikur po shkonim te të afërmit. Dhe kjo ishte kollaj fare. Në fakt, te vëllezërit ndiheshim rehat si në familje, aq sa ndonjëherë gati harronim që kishim shkuar për vizitën e qarkut. (Mar. 10:29, 30) Gjithsesi, duhej të ishim të matur. Nuk ishin të pakta rastet kur policia na ndiqte dhe na merrte në pyetje. Edhe vëllezërit që na kishin mirëpritur rrezikonin të arrestoheshin po të zbuloheshim.—Rom. 16:4.
Gjatë asaj periudhe, na la mbresa bujaria që tregonin vëllezërit e motrat, edhe pse ishin ngushtë nga ana materiale. Mushkonjat në disa zona ia kalonin numrit të banorëve, por vëllezërit na jepnin të vetmen rrjetë mushkonjash që kishin, që ne të flinim sa më rehat. Të tjerë nuk hezitonin të na hapnin dyert e shtëpisë, ndonëse s’kishin shumë për të ngrënë. Meqë e dinim këtë, ndonjëherë merrnim ushqim me vete që ta ndanim me ta.
Nuk i merrnim dot me vete gjithë fëmijët kur vizitonim kongregacionet. Prandaj udhëtonim vetëm me një prej tyre, kurse të tjerët rrinin në shtëpi me mamanë dhe motrën time. Ç’është e vërteta, ishte mbrojtje të udhëtoje me një foshnjë. Ndonjëherë na kontrollonte policia. Por literaturën e mbanim fshehur te çanta me pelena të papastra, një vend që ata nuk e kontrollonin kurrë.
E vlerësoj shumë Emilinë që kujdesej pa u lodhur për fëmijët dhe njëkohësisht më mbështeste mua ndërsa shërbenim në kohë të plotë. Ndërkohë unë punoja në fabrikë dhe shërbeja si mbikëqyrës qarkor. Si ia dilja? Ndonjëherë punoja dy turne, një ose dy herë në javë, që ta kisha fundjavën të lirë. Mirëpo, më pas më caktuan përgjegjës grupi dhe duhej të punoja shtatë ditë në javë. S’e refuzoja dot atë orar. Gjithsesi, pashë se kur kujdesesha që grupi im të kishte mjaftueshëm punë në fundjavë, mund t’i vizitoja i qetë kongregacionet. Me sa di, shefat nuk e vunë re kurrë që nuk shkoja në punë në fundjavë.
RUAJ GËZIMIN NË KOHË NDRYSHIMESH
Kongresi i parë pas ndalimit, viti 1994
Një ditë në vitin 1994, vëllezërit që merrnin drejtimin në Kubë ftuan të gjithë mbikëqyrësit udhëtues—80 gjithsej—në një mbledhje speciale në Havanë. Ç’gëzim ishte të takonim më në fund njëri-tjetrin pas gjithë atyre viteve! Në atë mbledhje, u diskutuan në fillim disa ndryshime organizative. Pastaj u bë një njoftim shokues. Vëllezërit na thanë se po planifikonin që t’ua jepnin emrat tanë autoriteteve. Po pse do ta bënin këtë?
Ata na shpjeguan se ishin takuar me autoritetet qeveritare, me synimin që të përmirësonin marrëdhënien mes qeverisë dhe Dëshmitarëve të Jehovait. Autoritetet kishin kërkuar një listë me tërë emrat e mbikëqyrësve qarkorë. Të gjithë ramë dakord që t’i jepnim emrat. Nga ai moment, diskutimet me autoritetet sollën rezultate të mira.
Me kalimin e kohës, patëm mundësi të mblidheshim dhe të predikonim lirisht, edhe pse nuk e kishim akoma statusin ligjor si një fe. Më vonë, morëm vesh se autoritetet i dinin tashmë emrat e disa mbikëqyrësve udhëtues, por donin që t’i konfirmonim të dhënat e tyre.
Në shtator të 1994-s, na u dha leja që të hapnim përsëri zyrën e degës. Madje mund të përdornim të njëjtën godinë që ishte mbyllur 20 vite më parë.
Pastaj, më 1996, unë dhe Emilia morëm një telefonatë. Vëllezërit na ftuan të shërbenim në Bethel. Pas habisë së fillimit, u thashë vëllezërve se kisha edhe dy fëmijë për të rritur, dhe kjo kishte përparësi për mua. Me shumë dashuri, vëllezërit e morën parasysh situatën time, dhe na thanë se gjithsesi donin që të shërbenim në Bethel. E pranuam ftesën dhe filluam të bënim plane që të transferoheshim si familje në Havanë.
(Majtas) Emilia në Departamentin e Rrobaqepësisë në degën e Kubës, fillimi i viteve 2000
(Djathtas) Kushtimi i Sallës së Asambleve, 2012
Të jem i sinqertë, në fillim nuk më pëlqente shërbimi në Bethel. Kisha kaluar aq shumë vjet në veprën udhëtuese, sa mendjen dhe zemrën i kisha te shërbimi në fushë. Prandaj e kisha goxha të vështirë të rrija ulur në një zyrë. Mirëpo, bethelitë të tjerë dhe veçanërisht gruaja ime, Emilia, më ndihmuan t’i shihja gjërat me sy tjetër. Me kohë, e rifitova gëzimin dhe sot shërbej i lumtur në Bethel.
(Majtas) Diplomimi i Shkollës Biblike për Çiftet e Krishtere, 2013
(Djathtas) Komiteti i Degës në Kubë, 2013
Në një asamble qarkore me vajzën dhe burrin e saj
Unë dhe Emilia nuk jemi më të rinj. Megjithatë, e kemi zemrën plot kur mendojmë për gjithë vëllezërit e motrat që kemi pasur privilegjin të njohim e të shërbejmë ndër vite. Lumturohemi sidomos kur shohim fëmijët tanë, si edhe nipërit e mbesat, tek i shërbejnë Jehovait. Ndihemi njësoj si apostulli i moshuar Gjon, që tha: «Më bëhet zemra mal kur dëgjoj që fëmijët e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.»—3 Gjon. 4.
Tani që kemi shërbyer në Bethel për thuajse 30 vjet, bashkë me Emilinë bëjmë maksimumin që të përmbushim caktimet tona, pavarësisht nga lufta e përditshme me kancerin dhe nga mosha e thyer. Gjatë viteve në shërbim të Jehovait kemi pasur disa vështirësi, por gëzojmë pa masë që i kemi shërbyer «Perëndisë së lumtur» për gati 70 vjet këtu në ishullin e Kubës!—1 Tim. 1:11; Psal. 97:1.