24-30 GUSHT 2026
KËNGA 65 Përparo!
Nxirr dobi nga grupi i shërbimit
«Me gjithë zemër do ta përlëvdoj Jehovain në kongregacion, mes të drejtëve të mbledhur bashkë.»—PSAL. 111:1.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si nxjerrim dobi kur jemi pjesë e një grupi shërbimi.
1-2. Si ndihen shumë veta për grupin e shërbimit?
A TË kujtohet dita kur u miratove si lajmëtar i lajmit të mirë? Atë ditë të lumtur, u bëre pjesë e një grupi tejet të madh adhuruesish që lëvdojnë emrin e Jehovait. (Psal. 148:1, 2, 12, 13) Njëkohësisht u bëre pjesë e një grupi më të vogël, ndoshta vetëm me pak vëllezër e motra, pra e një grupi shërbimi. Grupet e shërbimit luajnë një rol kyç për të na ndihmuar të përmbushim caktimin që na dha Jezui: të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë «në gjithë tokën e banuar».—Mat. 24:14.
2 Si ndihesh që je pjesë e një grupi shërbimi? Një motër që quhet Uendia thotë: «Grupi i shërbimit më ka ndihmuar sa s’thuhet. Jam bërë lajmëtare dhe mësuese më e zonja, kam vënë e kam arritur synime teokratike dhe kam zënë miq të mrekullueshëm—të gjitha falë kësaj mase të dashur.» Një vëlla që quhet Riç shton: «E shoh si privilegj të jashtëzakonshëm të jem mbikëqyrës i një grupi shërbimi. Disa lajmëtarë e ndihmojnë dikë të përparojë drejt pagëzimit. Kurse unë si mbikëqyrës grupi kam mundësi unike që ta ndihmoj të forcojë miqësinë me Jehovain në vitet në vazhdim.» Një motër që quhet Dina thotë: «Të jesh pjesë e një grupi shërbimi është fantastike! Grupin tim e kam si familje.»
3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Në këtë artikull, fillimisht do të flasim për rolin që ka mbikëqyrësi i grupit dhe ndihmësi i tij dhe se si kujdesen për vëllezërit e motrat në grupin e tyre. Pastaj do të shqyrtojmë si mund ta mbështetë secili prej nesh grupin e shërbimit. Dhe në fund do të shohim si mund të nxjerrim dobi nga kjo masë e dashur.
MBIKËQYRËSI I GRUPIT DHE NDIHMËSI I TIJ
4. (a) Çfarë bën mbikëqyrësi i një grupi shërbimi? (b) Cilat sugjerime mund ta ndihmojnë një mbikëqyrës grupi që të kujdeset për grupin e tij? (Shih kutinë «Sugjerime për mbikëqyrësin e grupit».)
4 Mbikëqyrësi i grupit të shërbimit është një plakb i caktuar nga trupi i pleqve për të ndihmuar një grup lajmëtarësh që të forcojnë miqësinë me Jehovain dhe të bëhen më të aftë në shërbim. Si e bën këtë? Së pari, interesohet sinqerisht për çdo vëlla e motër të grupit të tij. (Prov. 27:23) Si plak i vëmendshëm dhe i dhembshur, ai komunikon rregullisht me ta. Kështu mund t’u japë zemër nga Shkrimet, t’i mbështetë emocionalisht dhe t’i ndihmojë në mënyra praktike. (Prov. 12:25; Isa. 32:2; Jak. 2:15-17) Së dyti, ndihmon çdo lajmëtar të përfshihet plotësisht në shërbim. Ai lë shembullin duke marrë pjesë me zell në veprën e predikimit, sidomos në fundjavë. Gjithashtu del me secilin nga lajmëtarët që ta inkurajojë dhe ta stërvitë. Në rastet e rralla që nuk mund të dalë në shërbim, ai sigurohet që për grupin të kujdeset ndihmësi i tij ose një lajmëtar tjetër i kualifikuar. Së treti, ndihmon vëllezërit e pagëzuar të kualifikohen për më shumë përgjegjësi. (1 Tim. 3:1) Ai i lavdëron për punën ose për cilësitë e mira, u jep këshilla nga Shkrimet dhe i stërvit rregullisht që të kualifikohen si shërbëtorë kongregacioni dhe si pleq. Meqë mbikëqyrësi i grupit ka një rol me peshë, trupi i pleqve zgjedh për këtë caktim pleqtë më të kualifikuar.
5. Çfarë sfidash hasin disa mbikëqyrës grupi?
5 Një mbikëqyrës grupi mund të hasë sfida ndërsa kujdeset për grupin e tij. Për shembull, Jorgu që është mbikëqyrës grupi në Gjermani, ashtu si shumë pleq të tjerë, ka disa caktime në kongregacion. Ai thotë: «Nuk është kollaj t’i ekuilibrosh të gjitha përgjegjësitë. Prandaj është sfidë që të arrij synimin për të komunikuar me secilin pjesëtar të grupit.» Abeli, një plak 70-vjeçar nga Uganda, thotë: «Në kongregacion kemi fare pak pleq dhe shërbëtorë kongregacioni, prandaj grupet e shërbimit janë goxha të mëdha. Rrjedhimisht, e kam të vështirë të inkurajoj dhe të dal në shërbim me çdo lajmëtar aq shpesh sa do të doja.» Kurse Obedi, një plak nga Surinami, pranon: «Kam shumë qejf të stërvit të tjerët. Ama stërvitja kërkon kohë dhe energji, dhe rezultatet mund të mos vërehen menjëherë. Ja pse stërvitja është shpesh gjëja e parë që lihet pas dore.» Çfarë mund t’i ndihmojë pleqtë që hasin këto sfida ose sfida të ngjashme?
6. Pse mbikëqyrësit e grupeve e kanë më kollaj të kujdesen për grupet kur janë të vogla?
6 Nëse është e mundur, grupet e shërbimit duhet të jenë relativisht të vogla, që mbikëqyrësi i grupit ta njohë mirë secilin pjesëtar dhe ta ndihmojë të qëndrojë afër Jehovait. Po në rast se në kongregacion ka pak pleq? Nëse trupi i pleqve formon grupe të mëdha, mbikëqyrësi i grupit do ta ketë mjaft të vështirë të përmbushë gjithë aspektet e rolit të tij. Për këtë arsye mund të caktojnë përkohësisht një shërbëtor kongregacioni që të kujdeset për një grup. Kur grupet janë relativisht të vogla, mbikëqyrësit e kanë më kollaj të përmbushin përgjegjësinë e tyre kryesore—të kujdesen për vëllezërit e motrat.
7. Në kongregacione me pak pleq, si mund të sigurohen mbikëqyrësit e grupeve që secilit pjesëtar t’i tregohet kujdesi i duhur? (1 Pjetrit 5:2) (Shih edhe figurën.)
7 Nëse shërben si mbikëqyrës grupi në një kongregacion me pak pleq, jepi përparësi stërvitjes së ndihmësit tënd, që ta kesh krah ndërsa kujdesesh për kopenë e Perëndisë. (Lexo 1 Pjetrit 5:2.) Delegoji disa punë. Për shembull, herë pas here caktoje të drejtojë mbledhjen e shërbimit dhe të organizojë grupin për predikim. Lutuni bashkë dhe bisedoni si mund t’i ndihmoni vëllezërit e motrat të aftësohen në shërbim e ta mbajnë të fortë miqësinë me Jehovain. Merre me vete rregullisht ndihmësin tënd në vizita baritore, jepi sugjerime e lavdëroje para dhe pas vizitave. Me kohë, edhe ai mund të kualifikohet që të shërbejë si mbikëqyrës grupi. (2 Tim. 2:2) Veç kësaj, mund t’u kërkosh të krishterëve të pjekur në grupin tënd që të stërvitin të tjerët. Pionierët dhe lajmëtarët me përvojë mund të dalin në shërbim me lajmëtarët e rinj dhe me më pak përvojë. Mund t’i ndihmojnë të nisin biseda, të ushqejnë interesin ose të drejtojnë studime të Biblës. Tani, le të shqyrtojmë tri gjëra që mund të bëjë secili prej nesh në mënyrë që grupi i shërbimit të ketë sukses.
Një plak mund të stërvitë një shërbëtor kongregacioni në grupin e tij të shërbimit, për shembull duke i kërkuar të drejtojë një mbledhje shërbimi (Shih paragrafin 7)
NDIHMO QË GRUPI YT I SHËRBIMIT TË KETË SUKSES
8. Ç’mund të bëjmë që grupi ynë i shërbimit të ketë sukses? (Romakëve 1:12)
8 Ji i pranishëm. Kur pjesëtarët e grupit dalin në shërbim bashkë, ‘inkurajohen nga besimi i njëri-tjetrit’. (Lexo Romakëve 1:12.) Veç kësaj, predikimi me grupin ndihmon që vëllezërit e motrat të kenë më pak siklet kur flasin me njerëzit dhe të ndihen më të mbrojtur në disa zona. Po nëse puna të pengon shpesh që të dalësh në shërbim me grupin? A mund t’i kërkosh punëdhënësit të ta ndryshojë orarin e punës? Mund të surprizohesh nga përgjigjja e tij. (Neh. 2:4-6) E nëse shëndeti i dobët ose mosha e thyer ta bëjnë të vështirë të jesh i pranishëm fizikisht në mbledhjet e grupit, pse të mos flasësh me mbikëqyrësin e grupit? Ai mund të marrë masa që të lidhesh me videokonferencë dhe të japësh dëshmi me letra ose me telefon. Po nëse je i ri dhe me shëndet të mirë, por prapë e ke të vështirë të dalësh rregullisht në shërbim? Pse të mos lësh çdo javë takim për shërbim me dikë nga grupi i yt? Mund të jetë e nevojshme të shqyrtosh sërish çfarë ka përparësi për ty ose si ta menaxhosh më mirë kohën. (Rom. 12:11; Kolos. 4:5) Ji i sigurt se do t’ia vlejë çdo përpjekje. Lutju për ndihmë Jehovait. Ai mund të të japë ‘si dëshirën, edhe fuqinë që të veprosh’.—Filip. 2:13.
9. Ç’mund të bëjmë që në grupin tonë të ketë një atmosferë të ngrohtë e të dashur? (Romakëve 12:13)
9 Ji mikpritës. Kur ndjekim «udhën e mikpritjes», bëjmë pjesën tonë që në grupin e shërbimit të ketë një atmosferë të ngrohtë e të dashur. (Lexo Romakëve 12:13.) A mund të hapim dyert e shtëpisë që të mbahen mbledhjet e shërbimit për grupin? Në disa kongregacione, grupet e shërbimit tregojnë mikpritje duke e ftuar me radhë oratorin që vjen në fundjavë. Në javën e caktuar, grupi mund të mblidhet që të hanë diçka bashkë dhe të inkurajojnë njëri-tjetrin, pavarësisht nëse oratori vjen ose jo. Një pioniere speciale që e ka emrin Sara thotë: «Stresohem kur ftoj njerëz në shtëpi, ndaj bëj gjëra të thjeshta. Dëshira që të njoh të tjerët e tejkalon merakun që të shtroj një tavolinë perfekte.» Kur hapim dyert e zemrës dhe ndihmojmë që të gjithë në grup të ndihen si në familje, afrohemi më shumë me Jehovain dhe me njëri-tjetrin.—Neh. 8:10; Vep. 20:35.
10. Çfarë mund të bëjmë nëse duam të përmirësojmë një aspekt të shërbimit? (Proverbat 1:5; 27:17) (Shih edhe figurën.)
10 Merr iniciativën. Sa më të zotë të jemi në predikim dhe në mësimdhënie, aq më shumë do ta shijojmë shërbimin me grupin. A ke dëshirë të përmirësosh ndonjë aspekt të shërbimit? Atëherë, pse të mos marrësh iniciativën dhe t’i kërkosh ndihmë dikujt nga grupi? (Lexo Proverbat 1:5; 27:17.) Fol me mbikëqyrësin e grupit për synimin tënd. Ai do të bëjë çmos që të të ndihmojë. Mund t’i kërkosh ndihmë edhe një pionieri ose një lajmëtari me përvojë. Pikërisht këtë bëri një motër që quhet Hedhër. Ndonëse e ndrojtur, ajo thotë: «I kërkova një pioniereje të më ndihmonte kur bëja rivizitat. Ajo u tregua shumë e dashur dhe dilte rregullisht me mua në shërbim. Madje më ndihmoi të filloja studim me një grua që e rivizitoja. Bëra shumë mirë që i kërkova ndihmë, sepse tani e shijoj prapë shërbimin.» Është e qartë se kemi plot gjëra në dorë që grupi ynë të ketë sukses.
Kur grupi i shërbimit është i vogël, kemi më shumë mundësi t’i njohim të tjerët dhe të dalim me ta në shërbim (Shih paragrafin 10)
SI TË NDIHMON GRUPI YT I SHËRBIMIT
11-12. Si na ndihmon grupi i shërbimit të lidhemi më ngushtë me Jehovain? Jepni një shembull.
11 Lidhesh më ngushtë me Jehovain. Secili prej nesh nxjerr mjaft dobi kur është pjesë e një grupi shërbimi. Për shembull, mbikëqyrësi i grupit inkurajon në kohën e duhur ata që Jehovai i ka veçanërisht për zemër, si vejushat, jetimët dhe të moshuarit. (1 Sel. 2:8; Jak. 1:27) Gjithashtu, mund të mësojmë nga njëri-tjetri që të bëhemi lajmëtarë e mësues më të aftë. Vëllezërit shembullorë të pagëzuar stërviten që të marrin mbi supe më shumë përgjegjësi në kongregacion.—1 Tim. 3:10.
12 Le të shohim se si ka nxjerrë dobi nga grupi i shërbimit Uendi, që u përmend më lart. Ajo tregon: «Babi na kundërvihej për të vërtetën, prandaj mami shpesh nuk mund të dilte në shërbim më grupin e saj në fundjavë. Ama unë mund të dilja, dhe nuk e lija të më ikte rasti. Një pioniere më e madhe në moshë, më mbajti afër dhe më ndihmoi të zhvilloja aftësi që më kanë vlejtur qoftë në shërbim, qoftë në kongregacion. Më kujtohen disa raste kur mbikëqyrësi i grupit më dha me përzemërsi këshilla nga Shkrimet që më ndihmojnë sot e kësaj dite.»
13. Si të ndihmon grupi i shërbimit të kesh miq të ngushtë që të bëhen krah? (Shih edhe figurën.)
13 Forcon miqësitë e mira. Lidhemi më ngushtë me motrat dhe vëllezërit në grupin tonë kur punojmë «krah për krah» në shërbim. (Filip. 1:27) Veç kësaj, ata që janë të ndrojtur ose të cilëve u duken mbytëse turmat e mëdha, e kanë më të lehtë të lidhin miqësi të ngushta në grupe të vogla. (2 Kor. 6:13) Këta miq mund të na bëhen krah në kohë të vështira, si në rastet kur jemi të sëmurë, të dëshpëruar ose kur vuajmë nga humbja e një njeriu të dashur. (1 Sel. 5:14) Pa dyshim, në të ardhmen do të kemi gjithnjë e më shumë nevojë për miq të mirë. (Mat. 24:21) Mbase problemet tona nuk do të zhduken, por mund t’i përballojmë më kollaj, ngaqë kemi përkrah miq të ngushtë që na duan dhe na mbështetin.—Prov. 17:17.
Dy motra nga i njëjti grup dalin bashkë në shërbim (Shih paragrafin 13)
14. Si na ndihmon grupi i shërbimit në kohë katastrofash dhe urgjencash?
14 Merr ndihmë praktike. Nëpërmjet grupit të shërbimit, marrim ndihmë në kohën e duhur gjatë epidemive, katastrofave natyrore, urgjencave mjekësore, përndjekjeve dhe krizave ekonomike. Në raste të tilla, mbikëqyrësit e grupeve janë gati të na vijnë në ndihmë. Kur ndodhin katastrofa, ata kontaktojnë çdo familje në grupin e tyre që të dinë nëse u mungon diçka e nevojshme, si për shembull kujdes mjekësor, ushqim, ujë, strehim ose veshje. Pas kësaj, merren masa që t’u sigurohet ndihmë sipas nevojës. Gjithashtu, mbikëqyrësit njoftojnë Komitetin e Shërbimit të Kongregacionit se kujt i duhet më tepër ndihmë në grupin e tyre, dhe bëhet një plan për t’u siguruar ç’u nevojitet. Sa na ndihmon dhe na lehtëson grupi i shërbimit kur jemi në hall!
15. Çfarë i bashkon të gjithë shërbëtorët besnikë të Jehovait?
15 Siç thamë, familja e Jehovait është jashtëzakonisht e madhe. Pjesa qiellore përbëhet nga qindra milionë, e mbase miliarda, engjëj besnikë. Dhe pjesa tokësore ka mbi 9 milionë shërbëtorë besnikë, radhët e të cilëve shtohen dita-ditës. (Zak. 8:23; Zbul. 5:11) Të gjithë adhuruesit e Jehovait janë të bashkuar teksa përhapin anekënd lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Zbul. 14:6, 7) Le të nxjerrim sa më shumë dobi nga grupi i shërbimit—kjo dhuratë e Jehovait që na ndihmon ta lëvdojmë me gjithë zemër.—Psal. 111:1.
KËNGA 61 Dëshmitarë, marshoni!
a Disa emra janë ndryshuar.
b Kur është e nevojshme, këtë rol mund ta përmbushë një shërbëtor kongregacioni i kualifikuar, derisa këtë caktim të mund ta kryejë një plak. Një shërbëtor kongregacioni që përmbush këtë përgjegjësi, quhet shërbëtor grupi, pasi nuk shërben si mbikëqyrës në kongregacion. Ai e kryen këtë përgjegjësi nën drejtimin e pleqve.