BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 shkurt f. 14-19
  • Vazhdo të përparosh drejt pagëzimit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Vazhdo të përparosh drejt pagëzimit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PSE HEZITOJNË DISA
  • PSE DUHET TA MBAJMË GJITHNJË NË MEND FUNDIN
  • DOBITË QË DO TË KESH PO TË VEPROSH TANI
  • Të kuptojmë domethënien e pagëzimit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • A je gati t’ia kushtosh jetën Jehovait?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • ‘Ndiq vazhdimisht’ Jezuin pas pagëzimit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Pagëzohu pa vonesë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 shkurt f. 14-19

20-26 PRILL 2026

KËNGA 49 Do t’ia gëzoj zemrën Jehovait

Vazhdo të përparosh drejt pagëzimit

«Tani është koha veçanërisht e favorshme!»—2 KOR. 6:2.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Tani është koha të lidhim miqësi të ngushtë me Jehovain dhe të pagëzohemi.

1. (a) Cilat janë disa dobi që sjell pagëzimi? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

A IA ke kushtuar jetën Jehovait dhe je pagëzuar në simbol të këtij kushtimi? Nëse po, kjo do të thotë se i ke drejtuar Perëndisë një kërkesë për ndërgjegje të pastër. (1 Pjet. 3:21) Kështu ke lënë një shembull të bukur, si për të rinjtë në moshë, edhe për ata që po shoqërohen nga pak kohë me kongregacionin. Vërtet, ke marrë një vendim të shkëlqyer! Po nëse nuk je pagëzuar akoma? S’ka dyshim se e do Jehovain dhe dëshiron ta kënaqësh. E kupton se pagëzimi është një hap thelbësor që të të falen mëkatet dhe që të fitosh miratimin e Jehovait. (Vep. 2:38-40) Megjithatë, sërish ngurron. Çfarë mund të të ndihmojë? Në këtë artikull, do të shqyrtojmë (1) pse disa hezitojnë të pagëzohen (2) pse është e mençur ta mbajmë gjithnjë në mend fundin dhe (3) si do të nxjerrësh dobi nëse vazhdon të përparosh pa vonesë drejt pagëzimit.

PSE HEZITOJNË DISA

2. Pse disa hezitojnë të pagëzohen?

2 Disa ngurrojnë të pagëzohen, sepse kanë frikë. Për shembull, edhe pse duan t’i shërbejnë Jehovait, kanë frikë se nuk do t’ia dalin dot kurrë ta kënaqin. Nëse ndihesh kështu, shqyrto vargje nga Bibla që të bindin se Jehovai nuk pret përsosmëri dhe se është i kënaqur me adhurimin tënd kur ti i jep më të mirën. (Psal. 103:13, 14; Kolos. 3:23) Nëse i trembesh kundërshtimit, kërkoji Jehovait të të japë të njëjtën siguri që kishte psalmisti, i cili shkroi: «Jehovai është me mua, ndaj nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?!»—Psal. 118:6.

3. Ç’gjë tjetër mund t’i pengojë disa të pagëzohen? (Shih edhe figurën.)

3 Disa që e duan Jehovain e shtyjnë për më vonë pagëzimin, ngaqë mendojnë se nuk kanë mjaft njohuri. Por në të vërtetë, sa njohuri duhet të kesh që ta hedhësh këtë hap? Le të shohim një shembull nga Shkrimet. Pas tërmetit që tronditi burgun ku po mbaheshin apostulli Pavël dhe Sila, ata i dhanë dëshmi rojës së burgut dhe familjes së tij. Ka të ngjarë që roja bashkë me familjen ta kenë kuptuar se kishte ndodhur një mrekulli. Veç kësaj, atë natë mësuan shumë gjëra të rëndësishme për Jehovain dhe për Jezuin. Aq mjaftoi që ‘të pagëzoheshin menjëherë’. (Vep. 16:25-33) Nëse e njeh Jehovain, e do me gjithë zemër, ke njohuri bazë për mësimet e Biblës, je penduar për mëkatet e tua dhe je i vendosur të jetosh vazhdimisht në përputhje me standardet e tij, atëherë je gati të pagëzohesh.—Mar. 12:30.

Pavli dhe Sila i japin dëshmi rojës së burgut dhe familjes së tij natën. Të gjithë dëgjojnë me vëmendje.

Pavli dhe Sila i dhanë dëshmi rojës së burgut dhe familjes së tij, e si rezultat ata ‘u pagëzuan menjëherë’ (Shih paragrafin 3)


4. Ku përqendrohen disa që ngurrojnë të pagëzohen? (Shih edhe figurën.)

4 Disa duan ta kënaqin Perëndinë, ama përqendrohen tepër te kostoja që do të ketë një veprim i tillë. Sigurisht, është e mençur të llogaritim koston e çdo vendimi në jetë. (Luka 14:27-30) Megjithatë, disa shqetësohen së tepërmi për sakrificat që do t’u duhet të bëjnë për t’i shërbyer Perëndisë. Kandesa, e cila u rrit në të vërtetën, tregon si u ndie kur i ofruan një studim të Biblës në moshë të rritur. Ajo thotë: «E kuptoja çfarë duhej të bëja që t’i pëlqeja Jehovait, por ngurroja sepse më pëlqente jeta që kisha në botë. E dija se nuk do ta kisha kollaj të ndryshoja mënyrën e jetesës.» Të tjerë kanë hall se nuk do t’i bëjnë dot gjithë gjërat që kërkon Jehovai nga adhuruesit e pagëzuar. Janë në merak se mos bëjnë ndonjë mëkat të rëndë pas pagëzimit dhe hiqen nga kongregacioni. Ç’mund të bësh nëse ndonjë nga këto arsye po të frenon të pagëzohesh?

Një motër po drejton një studim të Biblës me një vajzë. Teksa motra flet, vajza po përfytyron veten në një klub nate duke pirë alkool dhe duke kërcyer me miqtë e saj.

Disa që duan ta kënaqin Perëndinë merakosen për sakrificat që do t’u duhet të bëjnë për t’i shërbyer atij (Shih paragrafin 4)


5. Ku duhet të përqendrohemi kur shqyrtojmë vendimin për t’u pagëzuar? (Mateu 13:44-46)

5 Kur duam të blejmë diçka, nuk shohim vetëm çmimin, por edhe vlerën e saj. Nëse vlera është më e madhe sesa shuma që do të harxhojmë, ka të ngjarë që do ta blinim menjëherë. Po njësoj, kur shqyrtojmë vendimin për t’u pagëzuar, nuk duhet të bluajmë në mendje vetëm sa do të na kushtojnë ndryshimet që duhet të bëjmë, por edhe vlerën e pashoqe të miqësisë me Jehovain. Jezui bëri dy ilustrime që nxjerrin në pah këtë mësim. (Lexo Mateun 13:44-46.) Në secilin ilustrim, një burrë shiti me gëzim gjithçka që kishte, që të blinte diçka tepër të çmuar që kishte gjetur. Edhe ti ke gjetur diçka me vlerë të shkëlqyer—të vërtetën për Mbretërinë. Në qoftë se je në mëdyshje nëse ia vlejnë përpjekjet për të jetuar në harmoni me të vërtetën, mendo me kujdes për ilustrimet e Jezuit. Mund të pyesësh veten: «A jam vërtet i bindur për vlerën e asaj që kam gjetur? A e çmoj si thesar miqësinë me Jehovain, shpresën që më ka dhënë dhe familjen e dashur të besimit?» Në varësi të përgjigjeve, mund të kuptosh nëse ke nevojë të thellosh çmueshmërinë për të vërtetën ose të dallosh çfarë po të pengon t’i zbatosh gjërat që ke mësuar.

6. Si mund të zhvillojmë një qëndrim të mirë të zemrës?

6 Në ilustrimin për mbjellësin, Jezui tha se qëndrimi i zemrës do t’i pengonte disa njerëz të përparonin në të vërtetën. Megjithatë, foli edhe për ata që e dëgjojnë mesazhin për Mbretërinë «me zemër të mirë e të sinqertë» dhe e zbatojnë atë që mësojnë. (Luka 8:5-15) Nëse zemra jote është në udhëkryq, mos u dorëzo! Falë ndihmës së Perëndisë, mund të fitosh «një zemër të re», që i bindet drejtimit të tij. Lutju Jehovait që të ta zbutë tokën e zemrës, në mënyrë që e vërteta për Mbretërinë të lulëzojë.—Ezek. 18:31; 36:26.

7-8. Çfarë i pengon disa të rinj të përparojnë drejt pagëzimit? (Shih edhe figurën.)

7 Disa të rinj që e duan Jehovain, nuk përparojnë drejt pagëzimit për shkak të ndikimit të të tjerëve. Për shembull, disa mësues në shkolla mund t’i këshillojnë studentët të jenë mendjehapur për normat morale, madje edhe për ato që bien ndesh me normat e Jehovait. Mirëpo ndjekja e këshillave të tilla mund të sjellë pasoja të rënda. (Psal. 1:1, 2; Prov. 7:1-5) Mund ta shmangësh këtë rrezik duke ndjekur shembullin e psalmistit, që i tha Jehovait: «Kam më shumë gjykim të thellë se tërë mësuesit e mi, ngaqë bluaj në mendje përkujtuesit e tu.»—Psal. 119:99.

8 Ndonjëherë ndodh që prindërit Dëshmitarë i pengojnë fëmijët të pagëzohen. Ata përqendrohen tepër tek arsimimi dhe te karriera e fëmijëve ose nuk i ndihmojnë të vendosin synime që do t’i afrojnë me Jehovain. A mendon se prindërit e tu mund të bëjnë diçka më tepër që të përparosh drejt pagëzimit? Nëse po, pse të mos flasësh me ta? Mosha s’ka pse të jetë pengesë që të bëhesh mik i Jehovait.—Prov. 20:11.

Një adoleshent duke treguar mësimin 23 të librit «Gëzoje jetën përgjithmonë» ndërsa flet me prindërit.

Pse të mos flasësh me prindërit për pagëzimin? (Shih paragrafin 8)


9. Pse mund ta shtyjnë pagëzimin disa?

9 Disa që kualifikohen për t’u pagëzuar, mund ta shtyjnë për më vonë këtë hap, për shkak të ndikimit të bashkëmoshatarëve. Ndoshta presin që edhe dikush tjetër ta marrë këtë hap. Për shembull, mund të duan të pagëzohen në të njëjtën ditë me një mik ose me dikë që kanë për zemër. Natyrisht, s’ka asgjë të gabuar të pagëzohesh në një ditë me një njeri të dashur. Mirëpo, a është kjo një arsye e vlefshme për ta shtyrë pagëzimin? Mos harro se kushtimi ndaj Perëndisë është një premtim personal. Pagëzimi yt nuk duhet të varet nga ajo që bëjnë të tjerët.—Rom. 14:12.

PSE DUHET TA MBAJMË GJITHNJË NË MEND FUNDIN

10. Cila është një arsye tjetër pse disa mund ta shtyjnë pagëzimin?

10 Përveç arsyeve që përmendëm deri tani, disa mund ta shtyjnë për më vonë pagëzimin, ngaqë mendojnë se ka plot kohë derisa të vijë fundi. A është i mençur ky arsyetim? Jezui i paralajmëroi dishepujt: «Rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në një orë që s’e mendoni.»—Luka 12:40.

11. Çfarë nxitemi të bëjmë ndërsa e njohim më mirë Jehovain, dhe pse? (Psalmi 119:60)

11 Motivi pse ia kushtojmë jetën Jehovait duhet të jetë dashuria. Sa më shumë e njohim Perëndinë tonë të dashur, aq më shumë nxitemi që t’i duam urdhërimet e tij dhe t’i zbatojmë pa vonesë. (Lexo Psalmin 119:60.) Dishepulli Jakov theksoi një arsye tjetër thelbësore pse duhet t’i bindemi menjëherë Jehovait: asnjë nuk e di ç’do të sjellë e nesërmja. Çdo ditë mund të jetë mundësia e fundit ‘për të bërë të mirën’. Ja pse duhet ta bëjmë tani atë që na kërkon Jehovai.—Jak. 4:13-17.

12. Ç’mund të mësojmë nga ilustrimi i Jezuit për vreshtin?

12 Megjithatë disa mund të mendojnë se s’ka shumë rëndësi nëse pagëzohen tani ose më vonë. Ndoshta kanë parasysh ilustrimin e Jezuit për vreshtin dhe arsyetojnë: «A nuk tha Jezui se disa punuan vetëm një orë, e megjithatë morën të njëjtën pagë me ata që kishin punuar gjithë ditën?» Po, është e vërtetë. Ama, të shohim pse nuk e filluan më herët punën. Këta punëtorë thanë: «Ngaqë s’na mori njeri në punë.» Pra, ata që punuan vetëm një orë, nuk i kishin bërë bisht punës—thjesht nuk i kishte marrë njeri në punë. Por sapo i thirri dikush, shkuan menjëherë. (Mat. 20:1-16) Sot Jezui po na fton të bëhemi dishepuj të tij dhe të marrim pjesë në veprën e predikimit. Le t’i përgjigjemi pa vonesë kësaj ftese!

13. Çfarë mund të mësojmë nga gruaja e Lotit?

13 Ata që e shtyjnë për më vonë përparimin në të vërtetën, mund të zbulojnë se nuk është kollaj të bësh ndryshime në minutën e fundit për të kënaqur Jehovain. Jezui e dinte këtë, ndaj i paralajmëroi dishepujt: «Kujtoni gruan e Lotit!» (Luka 17:31-35) Ajo ishte e vetëdijshme se Perëndia do ta shkatërronte shumë shpejt Sodomën dhe Gomorrën, por me sa duket nuk shkëputej dot nga gjërat që kishte lënë pas. (Zan. 19:23-26) Gjithashtu, historia e saj na kujton se dera drejt shpëtimit nuk do të ngelet hapur përgjithmonë. Ajo do të mbyllet dhe do të kyçet një herë e mirë në kohën që ka caktuar Perëndia.—Luka 13:24, 25.

14. Si duhet të ndikojë te ti përmbushja e profecive të Biblës në lidhje me fundin?

14 Dita-ditës shohim ngjarje botërore që po përmbushin profecitë e Biblës. Edhe nëse nuk je prekur ende drejtpërdrejt nga ndonjë prej tyre, kur sheh çfarë ndodh nga njëri vend në tjetrin, duhet të të shtohet ndjenja e urgjencës që të përparosh drejt pagëzimit. Mendo çfarë u tha apostulli Pjetër disa të krishterëve. Ai i nxiti ‘të qëndronin vigjilentë’ ose «syçelë» sepse «fundi i të gjitha gjërave [ishte] afruar». (1 Pjet. 4:7; shën.) Me sa duket kur foli për «fundin», Pjetri e kishte fjalën për fundin e sistemit judaik. Të krishterët të cilëve u shkroi Pjetri jetonin larg Jerusalemit, ndaj nuk do të prekeshin drejtpërdrejt nga shkatërrimi i qytetit. (1 Pjet. 1:1) Ama, përmbushja e asaj profecie, do t’u shtonte sigurinë se të gjitha premtimet e tjera të Jehovait do të bëheshin realitet. Në mënyrë të ngjashme, teksa sheh përmbushjen e profecive që tregojnë se fundi është afër, do të nxitesh të bësh gjithë sa është e nevojshme që të pagëzohesh.

15. Si mund të jemi gati për ditën e Jehovait? (2 Pjetrit 3:10-13)

15 Pjetri shpjegoi në letrën e dytë të frymëzuar si mund të jemi gati për ‘ditën e Jehovait’, pra për fundin e këtij sistemi. Për të krishterët e shekullit të parë, ajo ditë ishte goxha larg; prapëseprapë, Pjetri u tha ‘ta mbanin gjithnjë në mend’ ose ‘ta dëshironin me zjarr’. (Lexo 2 Pjetrit 3:10-13; shën.) Mund ta mbajmë gjithnjë në mend ditën e Jehovait duke mos harruar se ajo po vjen me të shpejtë. Gjithashtu bëjmë çmos të jemi gati, duke qenë ‘të shenjtë në gjithë sjelljen tonë dhe të përkushtuar ndaj Perëndisë në çdo gjë që bëjmë’. Vetëm mendo sa i gëzon zemra Jehovait, ndërsa vëren se je i përkushtuar ndaj tij në çdo gjë që bën. E natyrisht do të jetë edhe më i lumtur kur t’i kushtosh jetën dhe të pagëzohesh.

DOBITË QË DO TË KESH PO TË VEPROSH TANI

16. Kur është koha më e mirë për të përparuar drejt pagëzimit? (2 Korintasve 6:1, 2) (Shih edhe figurat.)

16 Koha më e mirë për të përparuar drejt pagëzimit është tani. (Lexo 2 Korintasve 6:1, 2.) Eunuku etiopas që takoi Filipi e kuptoi se duhej të vepronte menjëherë. Pasi e kuptoi lajmin e mirë dhe pa një vend ku mund të pagëzohej, ai nuk mendoi: «Duhet të mësoj pak më shumë për lajmin e mirë. Tekefundit, rrugës do të ketë ndonjë vend tjetër me ujë.» Përkundrazi, e pyeti Filipin: «Çfarë më pengon të pagëzohem?!» (Vep. 8:26, 27, 35-39) Sa shembull i shkëlqyer! Pasi u pagëzua, eunuku «vazhdoi udhën i gëzuar».

Kolazh: 1. Filipi është gati të pagëzojë eunukun etiopas në një vend me ujë. 2. Studentja e Biblës dhe motra nga figura e mëparshme flasin plot entuziazëm me dy pleq në Sallën e Mbretërisë.

Shembulli i eunukut etiopas mund të të mësojë diçka me vlerë: koha më e mirë për të përparuar drejt pagëzimit është tani! (Shih paragrafin 16)a


17. Për çfarë mund të jemi të sigurt?

17 Nëse po ngurron të pagëzohesh, ji i sigurt se Jehovai dëshiron të të ndihmojë të bëhesh mik i ngushtë me të. (Rom. 2:4) Falë tij, mund të kapërcesh çdo frikë, merak apo ndikim nga të tjerët që mbase po të pengon të përparosh. Pasi të jesh pagëzuar, do të ndiesh gëzimin e madh që vjen kur i shërben Jehovait me ndërgjegje të pastër dhe ka shumë të ngjarë që të mos të hyjnë më në sy ‘gjërat që ke lënë pas’. (Filip. 3:8, 13) Atëherë do të kesh arsye të presësh me zjarr gjërat ‘që ke përpara’ pra, përmbushjen e premtimeve të Jehovait për këdo që i kushton jetën dhe pagëzohet.—Vep. 3:19.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Pse mund të hezitojnë disa që të pagëzohen?

  • Pse nuk është e mençur ta shtysh për më vonë pagëzimin?

  • Kur është koha më e mirë për të përparuar drejt pagëzimit?

KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi

a PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ashtu si eunuku etiopas i tha Filipit se donte të pagëzohej, një student i Biblës flet me pleqtë për dëshirën që ka të pagëzohet.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo