27 PRILL-3 MAJ 2026
KËNGA 99 Miliona vëllezër
A je i përgatitur për sfidat pas pagëzimit?
«Qëndrofshin hapat e mi në shtigjet e tua.»—PSAL. 17:5.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si mund të përgatiten të sapopagëzuarit për sfidat që mund të hasin.
1-2. Si mund të përgatitemi për sfidat që mund të hasim pas pagëzimit? Jepni një shembull.
E DIMË se në botën e Satanait na presin vështirësi. Jezui ishte realist dhe i paralajmëroi dishepujt me këto fjalë: «Natyrisht që gurë pengese do të ketë.» (Mat. 18:7) Me këtë në mendje, duhet të përgatitemi për sfidat që do të hasim, ku mund të përfshihen edhe mosmarrëveshjet me bashkëbesimtarët.
2 Të mendojmë për këtë shembull: si populli i Jehovait, nxitemi që të përgatitemi në rast se ndodhin katastrofa natyrore. Si e bëjmë këtë? Fillimisht duhet të dimë se nga cilat katastrofa mund të preket vendi ku jetojmë. Kjo është tejet e rëndësishme nëse jemi të rinj në zonë. Pasi kemi kuptuar çfarë katastrofash janë të zakonshme, duhet të bëjmë një plan si ta përballojmë secilën prej tyre. (Prov. 21:5) Po njësoj, është mirë të dimë cilat sfida mund të hasim pas pagëzimit dhe të përgatitemi që tani. Kështu nëse ndodhin, do t’i përballojmë më mirë dhe nuk do të lejojmë të na dëmtojnë miqësinë me Jehovain. (Psal. 17:5) Prandaj, le të shohim tre sfida të mundshme dhe si mund të përgatitemi për secilën.a
KUR TË OFENDON NJË VËLLA OSE MOTËR
3. Çfarë sfide mund të hasim në kongregacion?
3 A të kujtohet si u ndjeve herën e parë që ndoqe një mbledhje dhe vure re dashurinë mes popullit të Jehovait? Ka të ngjarë që kjo dashuri të bindi se kishe gjetur të vërtetën. (Gjoni 13:35; Kolos. 3:12) Kështu u ndie edhe Bianka.b Megjithatë, pas pagëzimit i ndodhi diçka që s’ia kishte marrë mendja. Bianka thotë: «Një motër u soll ashpër me mua. Gjithashtu vura re se e kishte zakon të fliste negativisht për të tjerët. Kjo më tronditi, sepse kisha mësuar që Dëshmitarët e Jehovait përpiqen fort të jenë paqësorë dhe të dashur.» Natyrisht, vëllezërit e motrat bëjnë çmos t’i shfaqin sa më plotësisht cilësitë e krishtere, ama nuk janë të përsosur. (Efes. 4:23, 24; 1 Gjon. 1:8) Ndaj herët a vonë, dikush do të të lëndojë me ndonjë fjalë ose ndonjë veprim. (Jak. 3:8) Mjerisht, kjo është bërë shkak që disa ta lënë të vërtetën.
4. Si mund të përgatitemi që tani për rastet kur mund të na ofendojë një bashkëbesimtar? (Efesianëve 4:32)
4 Si mund të përgatitesh që tani në rast se të lëndon a të ofendon një vëlla ose motër? Bëje zakon të zbatosh këshillën që gjendet tek Efesianëve 4:32. (Lexoje.) Nëse përpiqesh vazhdimisht të jesh zemërmirë dhe i dhembshur, me siguri do të shmangësh konflikte të panevojshme. Vër si synim t’i falësh bujarisht të tjerët kur bëjnë gabime. Ç’mund të të ndihmojë ta bësh këtë? Mendo sa shpesh i kërkon ti falje Jehovait dhe sa bujarisht të fal ai. (Mat. 6:12) Kur bluan në mendje plot mirënjohje bujarinë e Jehovait në këtë aspekt, do ta kesh më kollaj t’i falësh të tjerët.
5. Cili parim nga Bibla mund të na ndihmojë kur na ofendon dikush? (Proverbat 19:11) (Shih edhe figurat.)
5 Lexo Proverbat 19:11. Bibla thotë se kur na lëndojnë, gjykimi i thellëc mund të na e ngadalësojë zemërimin. Ky parim e ka ndihmuar Rinën, që është pagëzuar nga pak vite. Ajo shprehet: «Kur shoh vëllezër e motra që sillen në një mënyrë që më duket lënduese ose ofenduese, kujtoj menjëherë Proverbat 19:11. Mendoj për rrethanat e tyre dhe për atë që kanë kaluar në jetë, si edhe përpiqem të kuptoj pse mund të kenë vepruar ashtu. Gjithashtu i ftoj të dalim bashkë në shërbim. Kjo më ndihmon t’i njoh më mirë.» Sa këshillë e mençur! Mund të fillosh t’i njohësh që tani vëllezërit dhe motrat. Sa më mirë t’i kuptosh, aq më të lehtë do ta kesh t’i falësh nëse bëjnë diçka që të lëndon.
Nëse ke një mosmarrëveshje me një vëlla ose motër, ftoje të dilni bashkë në shërbim (Shih paragrafin 5)
6. Çfarë mund të na ndihmojë të lidhim miqësi të mira në kongregacion?
6 Çfarë mund të bësh që të lidhësh miqësi të mira në kongregacion? Ndërsa i njeh më mirë bashkëbesimtarët, fokusohu te cilësitë e tyre të mira. (Krahaso Proverbat 10:12; Rom. 12:10; Filip. 2:2, 3) Vër re si e ndihmoi kjo Markun, një vëlla të sapopagëzuar. Ndërsa kalonte më tepër kohë me vëllezërit e motrat, Markut filluan t’i binin në sy pikat e tyre të dobëta. Çfarë e ndihmoi që të mos i lëkundej besimi? Ai thotë: «Kuptova se po përqendrohesha te gabime fare të vogla, të cilat ishin hiçgjë në krahasim me të këqijat që bëjnë shumë njerëz në botë. Kështu vendosa të mos e mbaja mendjen te dobësitë e bashkëbesimtarëve, por te cilësitë e tyre të bukura.» Nëse edhe ti përqendrohesh te cilësitë e mira të vëllezërve e motrave, do të lidhesh më ngushtë me ta.
KUR NDIEN NOSTALGJI PËR GJËRAT QË KE LËNË PAS
7. Pse mund të fillojmë të ndiejmë mall për gjërat që lamë pas?
7 Kur përqafove të vërtetën, sigurisht u ndjeve i lehtësuar që nuk ishe më pjesë e botës së ligë të Satanait. Ndoshta mendon: «E si mund të ndiesh nostalgji për këtë botë?!» Mirëpo kur je në mes të një sprove të rëndë, mund të fillosh të kujtosh —e madje të ndiesh mall—për disa nga gjërat që le kur fillove t’i shërbeje Jehovait. (Krahaso Numrat 11:4-6.) Për shembull, disa mund të kenë hequr dorë nga një karrierë prestigjoze, por që u merrte shumë kohë. Të tjerë mund të kenë pasur miq të ngushtë, të cilët vendosën t’i shkëputnin lidhjet, për shkak të studimit të Biblës. Ndërsa të tjerë kanë lënë ndonjë ves që, megjithëse i papastër, u sillte njëfarë kënaqësie. Sa e trishtë do të ishte nëse një adhurues i Jehovait do të lejonte diçka nga e kaluara ta largojë nga Ai! Ç’mund të bësh tani që të mos u kthehesh kurrë gjërave që le pas, pavarësisht nga çfarë të sjell jeta?
8. Çfarë mësojmë nga shembulli i Abrahamit dhe Sarës?
8 Në Bibël gjejmë plot shembuj të adhuruesve besnikë që mund të kishin ndier mall për gjërat që lanë pas. Për shembull, Abrahami dhe Sara iu bindën urdhrit të Jehovait dhe lanë pas qytetin e fortifikuar të Urit për të jetuar në tenda. (Hebr. 11:8, 9) Natyrisht, me raste, mund ta kenë kujtuar jetën e rehatshme që bënin në Ur. Ama, «sikur ata ta kishin mbajtur mendjen» atje ose të kishin ndier nostalgji për të kaluarën, mund të ishin tunduar t’i ktheheshin asaj jete. Në vend të kësaj, i mbajtën sytë tek e ardhmja.—Hebr. 11:15, 16.
9. Si i shihte Pavli gjërat që kishte lënë pas? (Filipianëve 3:7, 8, 13)
9 Apostulli Pavël ndryshoi kursin e jetës për t’i shërbyer Jehovait. Para se të bëhej i krishterë, ai kishte mësuar Ligjin nga Gamalieli, një mësues tejet i vlerësuar. (Vep. 22:3) Pavli po ngjiste shkallët e karrierës drejt një pozite të rëndësishme në judaizëm. (Gal. 1:13, 14) Megjithatë, kur pranoi lajmin e mirë, la gjithçka pas. A i shkoi jeta vaj pasi u bë i krishterë? Aspak. Pavlin e rrahën, e burgosën dhe e urryen bashkëkombësit e vet. (2 Kor. 11:23-26) Nëse do të përqendrohej vetëm te sprovat dhe do ta krahasonte jetën si i krishterë me jetën e mëparshme, Pavli mund të dilte në përfundimin se kishte marrë vendimin e gabuar. Mirëpo, ai i mbajti sytë te privilegji i jashtëzakonshëm që gëzonte tashmë si dishepull i Krishtit Jezu dhe tek e ardhmja e lavdishme që e priste. Pavli ishte plotësisht i bindur se këto bekime ia kalonin çdo sakrifice.—Lexo Filipianëve 3:7, 8, 13.
10. Për çfarë duhet të mendojmë rregullisht? (Marku 10:29, 30) (Shih edhe figurat.)
10 Çfarë mësojmë nga Pavli? Nëse fillon të mendosh për gjërat që le pas për t’i kushtuar jetën Jehovait, kujto edhe pse hoqe dorë prej tyre. (Ekl. 7:10) Krahaso gjërat që ke lënë me gjithë bekimet që ta kanë pasuruar jetën si adhurues i Jehovait. Tani gëzon një miqësi të ngushtë me Sovranin e universit. (Prov. 3:32) Ke një familje me vëllezër e motra që të duan shumë. (Lexo Markun 10:29, 30.) Dhe të pret një e ardhme e mrekullueshme. (Isa. 65:21-23) Nëse mendon rregullisht për bekimet që ke ngaqë i shërben Jehovait, ka më pak të ngjarë të të mungojnë gjërat që le pas.
Në vend se të kujtosh me nostalgji gjërat që ke lënë pas, shijo shërbimin e çmuar që të ka besuar Perëndia (Shih paragrafin 10)e
11. Çfarë mësojmë nga shembulli i Rozës?
11 Një motër që quhet Roza u pagëzua kur ishte në të 50-at. Të shohim çfarë e ndihmoi që të mos dëshironte t’u kthehej gjërave që kishte lënë pas. Ajo tregon: «Në fillim më mungonin Krishtlindjet, ngaqë ishin raste të gëzueshme kur mblidheshim si familje. Më pëlqente shumë t’u bëja dhurata njerëzve të dashur. Kënaqesha kur fëmijët mblidheshin rreth pemës dhe shihja si u rrezatonin fytyrat, ndërsa hapnin dhuratat.» Çfarë e ka ndihmuar Rozën? Ajo shprehet: «Kam gjetur një mënyrë për t’i zëvendësuar Krishtlindjet. Çdo vit zgjedh një ditë që t’i ftoj familjarët të rrimë bashkë, t’u jap dhurata dhe t’u them pse i çmoj.» Mirëpo, Roza hasi edhe një sfidë tjetër. Ajo thotë: «Kur njoha të vërtetën, miqtë që kisha, i shkëputën lidhjet me mua. Me raste më merrte malli për ta dhe ndihesha e vetmuar.»d Çfarë e ndihmoi? Roza filloi të linte takim me motra të ndryshme për të dalë në shërbim. Ajo thotë: «Falë shërbimit, kam lidhur plot miqësi të reja me motra që i dua dhe i çmoj.» Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i saj? Ndoshta të mungon diçka që të sillte kënaqësi para se të njihje Jehovain, por fare mirë mund ta zëvendësosh me gjëra më të mira, që të bëjnë vërtet të lumtur. (Filip. 4:8, 9) Mos harro kurrë: ajo që fiton me Jehovain është ku e ku më e madhe se ajo që ke humbur për Të!
KUR TË TJERËT LARGOHEN NGA JEHOVAI
12. Çfarë sfide mund të jetë veçanërisht e vështirë për t’u përballuar në kongregacion?
12 Kur u bëre Dëshmitar, ka të ngjarë të jesh ndier i lehtësuar që dole nga një botë e ligë dhe hyre në një oazë me njerëz që mësojnë të vërtetën dhe përpiqen të bëjnë atë që është e drejtë. (Isa. 65:14) Megjithatë, me raste mbase dëgjon se një bashkëbesimtar ka bërë një mëkat të rëndë. E nëse nuk pendohet, mund të hiqet nga kongregacioni. (1 Kor. 5:13) Të shohim si ndikoi një situatë e tillë te një motër që quhet Samanta. Ajo thotë: «Pak pasi isha pagëzuar, një plak bëri një mëkat të rëndë dhe u hoq nga kongregacioni. Gati-gati e lashë të vërtetën, ngaqë nuk arrija ta besoja se një plak mund të mëkatonte kundër Jehovait dhe të lëndonte kongregacionin.» Sigurisht, duhet të kemi gjithmonë besim se vëllezërit dhe motrat e duan Jehovain dhe dëshirojnë t’i qëndrojnë besnikë. (1 Kor. 13:4, 7) Prapëseprapë, të themi atë që është, çdo vit disa hiqen nga kongregacioni. Kjo mund të jetë veçanërisht e vështirë nëse dikush që e ke për zemër ose që e respekton shumë, zgjedh një rrugë të gabuar.
13. Si mund të përgatitemi që tani që të mos të na lëkundet besimi nëse një njeri i dashur largohet nga Jehovai?
13 Si mund të përgatitesh që tani që të mos të të lëkundet besimi nëse një njeri i dashur largohet nga Jehovai? Vazhdo të forcosh miqësinë me Jehovain. (Jak. 4:8) Mos lejo që marrëdhënia jote me Perëndinë të varet nga besnikëria e dikujt tjetër. Për shembull, ndonëse mund ta adhurojmë shpesh Jehovain si familje ose si kongregacion, duhet të kemi edhe një program personal për t’u lutur dhe për të lexuar Biblën.—Psal. 1:2; 62:8.
14. Çfarë mësojmë nga shembulli i apostullit Pjetër? (Gjoni 6:66-68)
14 Mund të nxjerrim një mësim edhe nga mënyra si veproi apostulli Pjetër kur shumë dishepuj nuk e ndoqën më Jezuin. Megjithëse edhe ai mund të jetë befasuar nga fjalët e Jezuit, të shohim si u shpreh te Gjoni 6:66-68. (Lexoje.) Në vend se të përqendrohej tek ajo që bënin të tjerët, Pjetri u fokusua te të vërtetat që i kishte mësuar Jezui. Kjo e ndihmoi ta mbante të fortë besimin. Edhe sot, veprimet e të tjerëve nuk ia ndryshojnë vlerën të vërtetave që ke gjetur me ndihmën e organizatës së Jehovait. Kapu fort pas këtyre të vërtetave! Samanta, e përmendur më parë, thotë: «I kujtoj vetes se veprimet e gabuara të një individi nuk përfaqësojnë gjithë kongregacionin ose organizatën; Jehovai vazhdon të jetë Perëndi i mrekullueshëm, pavarësisht se si sillen njerëzit.»
15. Çfarë mëson nga eksperienca e Emilisë?
15 Të mendojmë për rastin e Emilisë. Vetëm një javë pasi ishte pagëzuar, mamaja e saj braktisi familjen dhe u hoq nga kongregacioni. Emilia thotë: «S’ma kishte marrë mendja kurrë se do të ndodhte diçka e tillë. Kjo ka qenë sfida më e vështirë e jetës sime, dhe më merr shumë malli për mamin.» Çfarë e ka ndihmuar Emilinë? Ajo shprehet: «Nuk jam vetëm. Babi, por edhe të tjerë në kongregacion që i kam si familje, më janë gjendur shumë pranë. Nuk ka njeri pa sprova. Ja pse është e rëndësishme t’u qëndrojmë afër dhe t’u japim zemër vëllezërve e motrave.» (1 Pjet. 5:9) S’ka pse të presësh një sprovë që të forcosh lidhjet me vëllezërit dhe motrat. Përpiqu t’i njohësh më mirë që tani. Kështu nëse në të ardhmen has një problem serioz, ka më pak të ngjarë të ndihesh vetëm.
16. Çfarë s’duhet të harrojmë? (Shih edhe figurën.)
16 Mos harro edhe se Jehovai disiplinon ata që ka për zemër. (Hebr. 12:6) Ai dëshiron që të gjithë ata që janë hequr nga kongregacioni të kthehen. (2 Pjet. 3:9) Ndaj, nëse një njeri i afërt për ty hiqet nga kongregacioni, ji i sigurt se pleqtë do të përpiqen me mish e me shpirt ta ndihmojnë të kthehet te Jehovai.—2 Tim. 2:24, 25.
Nëse një mik ose i afërm hiqet nga kongregacioni, ji i sigurt se pleqtë duan ta ndihmojnë të kthehet te Jehovai (Shih paragrafin 16)f
17. Për çfarë mund të jemi të sigurt?
17 Kemi shqyrtuar vetëm pak nga sfidat që mund të hasësh pas pagëzimit. Disa mund të të duken si male të pakapërcyeshme, por s’ka pse të kesh frikë. Ka plot gjëra që mund të bësh për t’u përgatitur. Mos harro kurrë se Perëndia Jehova do të jetë gjithnjë krah teje! Ai të ka ndihmuar dhe dëshiron të të ndihmojë në përjetësi. (1 Pjet. 5:10) Jehovai do të të japë përherë forcën e nevojshme për të qëndruar besnik në çdo lloj sfide. Ndërsa vazhdon të pranosh ndihmën e tij, s’ka sfidë që mund të të largojë nga Jehovai!—Psal. 119:165; Rom. 8:38, 39.
KËNGA 154 Dashuria nuk shuhet kurrë
a Megjithëse ky artikull u drejtohet kryesisht Dëshmitarëve të sapopagëzuar, të gjithë mund të nxjerrim dobi nga këto mësime.
b Emrat janë ndryshuar.
c Gjykimi i thellë përfshin aftësinë për të parë përtej asaj që duket. Kjo cilësi mund të na ndihmojë të kuptojmë pse dikush foli ose veproi në një mënyrë të caktuar.
d Të gjithë ne—dhe jo vetëm ata që drejtojnë studime —duhet të bëjmë pjesën tonë që studentët e Biblës dhe të sapopagëzuarit të ndihen të mirëpritur në kongregacion. Shih paragrafët 15 dhe 16 tek artikulli me titull «T’i ndihmojmë së bashku studentët të përparojnë drejt pagëzimit» në Kullën e Rojës të marsit 2021.
e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ndërsa është në shërbim, një motër sheh një skuadër vajzash që po luajnë futboll dhe kujton kohën kur ishte sportiste. Më vonë, ajo i jep dëshmi një sportisteje, që mbase e ka pasur në skuadër.
f PËRSHKRIMI I FIGURËS: Dy pleq shkojnë të takojnë një burrë që është hequr nga kongregacioni për ta inkurajuar të kthehet te Jehovai.