16-22 MARS 2026
KËNGA 20 Dhe Birin tënd të shtrenjtë
Pse kemi nevojë për shpërblesën
«Kush do të më çlirojë nga ky trup që i nënshtrohet kësaj vdekjeje?»—ROM. 7:24.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si i hap rrugën shpërblesa faljes së mëkateve, çlirimit nga gjendja mëkatare dhe pajtimit me Perëndinë.
1-2. Nga çfarë kemi nevojë të çlirohemi, dhe pse? (Romakëve 7:22-24) (Shih edhe figurën.)
IMAGJINO një njeri që ka ngecur nën rrënojat e një ndërtese. Megjithëse është gjallë, ai nuk mund të dalë vetë prej aty. E vetmja gjë që mund të bëjë, është të thërrasë për ndihmë dhe të shpresojë që ta shpëtojnë.
2 Secili prej nesh gjendet në një situatë të ngjashme. Në ç’kuptim? Kur Adami u rebelua kundër Krijuesit, u bë mëkatar. Më pas, ai ia trashëgoi mëkatin gjithë pasardhësve të tij. Si pasojë, njerëzimi ngeci nën «rrënojat» e mëkatit të trashëguar dhe nuk mund të çlirohet dot vetë. Te letra që u shkroi romakëve, apostulli Pavël përshkroi më së miri si ndikon gjendja mëkatare te ne. (Lexo Romakëve 7:22-24.) Ai u përgjërua që dikush ta shpëtonte ‘nga trupi që i nënshtrohej kësaj vdekjeje’. Pavli kishte ngecur në grackën e mëkatit të trashëguar, që çon drejt vdekjes së pashmangshme. (Rom. 6:23) Edhe ne ndodhemi në të njëjtën situatë të vështirë. Na duhet se s’bën një çlirimtar.
Ashtu si një njeri që ka ngecur nën rrënojat e një ndërtese, ne kemi ngecur nën rrënojat e mëkatit të trashëguar dhe kemi nevojë të shpëtojmë (Shih paragrafët 1-2)
3. Në cilat mënyra mund të na shpëtojë shpërblesa?
3 Pavli nuk foli vetëm për vështirësitë që sjell gjendja mëkatare, por na dha edhe shpresë. Pasi pyeti: «Kush do të më çlirojë nga ky trup që i nënshtrohet kësaj vdekjeje?», ai tha me plot gojën: «Faleminderit Perëndisë që do të më çlirojë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë!» (Rom. 7:25) Pavli e kishte fjalën për flijimin shpërblyes të Jezuit.a Kjo shpërblesë mund të na shpëtojë sepse i hap rrugën (1) faljes së mëkateve, (2) çlirimit nga gjendja mëkatare dhe (3) pajtimit me Krijuesin. Ndërsa shqyrtojmë këto aspekte do të na shtohet dashuria për Jehovain, ‘Perëndinë që jep shpresë’. (Rom. 15:13) Gjithashtu do të na thellohet çmueshmëria për Jezuin, «falë të cilit jemi çliruar nëpërmjet shpërblesës që pagoi».—Kolos. 1:14.
SHPËRBLESA I HAP RRUGËN FALJES SË MËKATEVE
4-5. Pse kemi nevojë të gjithë për shpërblesën? (Eklisiastiu 7:20)
4 Kemi nevojë për shpërblesën që të na falen mëkatet. Të gjithë njerëzit e papërsosur mëkatojnë, qoftë me fjalë a me vepra. (Lexo Eklisiastiun 7:20.) Disa mëkate janë shumë të rënda. Për shembull, në Ligjin e Moisiut kurorëshkelja dhe vrasja konsideroheshin krime dhe dënoheshin me vdekje. (Lev. 20:10; Num. 35:30, 31) Patjetër që jo të gjitha mëkatet janë kaq të rënda, prapëseprapë ngelen mëkate. Për shembull, Davidi tha: «Do të bëj kujdes, që të mos hap gojën e të mëkatoj.» (Psal. 39:1) Vërtet, me raste mund të mëkatojmë edhe me të folurin tonë.—Jak. 3:2.
5 Mendo pak për fjalët dhe veprimet e tua në të kaluarën. A ke thënë ndonjëherë diçka që do të doje ta tërhiqje mbrapsht? A ke bërë gabime për të cilat je penduar? Natyrisht, të gjithë do t’u përgjigjeshim «po» këtyre pyetjeve. Bibla thotë: «Nëse themi: ‘Nuk kemi asnjë mëkat’, mashtrojmë veten dhe nuk e kemi të vërtetën në zemrat tona.»—1 Gjon. 1:8.
6-7. Mbi ç’bazë na i fal mëkatet Jehovai? (Shih edhe figurën.)
6 Meqë drejtësia e Jehovait është e përsosur, atij i duhet një bazë për të falur mëkatet. Shpërblesa siguron një bazë të fortë që Jehovai të na falë. (Efes. 1:7) Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se Ai i mbyll sytë para shkeljeve tona, sikur të ishin të parëndësishme. Jehovai e urren mëkatin!—Isa. 59:2
7 Ligji i Moisiut kërkonte që izraelitët të flijonin kafshë për të bërë shlyerjen e mëkateve. (Lev. 4:27-31; 17:11) Këto flijime simbolizonin flijimin më të madh të Jezuit, që do t’i sillte njerëzimit plot bekime. Flijimi i tij do t’i siguronte Jehovait bazën ligjore për të falur mëkatet. Pavli e kuptonte vlerën e vdekjes flijuese të Jezuit, siç del në pah nga fjalët që u shkroi të krishterëve në Korint. Pasi përmendi disa nga gjërat e këqija që kishin bërë korintasit në të kaluarën, ai u tha: «Falë frymës së Perëndisë tonë, jeni larë, jeni shenjtëruar e jeni shpallur të drejtë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krisht.»—1 Kor. 6:9-11.
Flijimet në kafshë, të cilat ofroheshin për shlyerjen e mëkateve, simbolizonin flijimin shpërblyes të Jezuit dhe bekimet që do të vinin si rrjedhojë (Shih paragrafët 6-7)
8. Për çfarë mund të mendosh në javët para Përkujtimit?
8 Ndërsa përgatitesh për të ndjekur Përkujtimin e këtij viti, lër kohë të mendosh si ta ka përmirësuar jetën falja e Jehovait. Për shembull, falë shpërblesës, s’ka pse të të brejnë ndjenjat e fajit për mëkatet e së kaluarës për të cilat je penduar. A e ke të vështirë ta besosh këtë? Mbase thua me vete: «E kuptoj se Jehovai fal, por unë nuk e fal dot veten.» Nëse ndihesh kështu, mos harro se Jehovai është një Perëndi që fal dhe se përgjegjësinë për të gjykuar, ia ka dhënë Birit të tij. Jehovai nuk ta ka caktuar as ty, as ndonjë njeriu tjetër detyrën për të vendosur kush e meriton mëshirën e tij. Bibla thotë: «Nëse ecim në dritë, sikurse [Jehovai] është në dritë, . . . gjaku i Jezuit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.» (1 Gjon. 1:6, 7) Mund të kemi plotësisht besim se kjo është po aq e vërtetë sa çdo mësim tjetër i Biblës. Shpërblesa i ka siguruar Jehovait bazën ligjore që të na tregojë mëshirë, dhe në Fjalën e tij thuhet se ai ‘mezi pret të falë’.—Psal. 86:5.
SHPËRBLESA NA ÇLIRON NGA GJENDJA MËKATARE
9. Përveç veprimeve të gabuara, çfarë përfshin tjetër mëkati? (Psalmi 51:5 dhe shënimi)
9 Në Bibël, fjala «mëkat» nuk përdoret vetëm për të përshkruar një veprim, por edhe një gjendje, të cilën e kemi trashëguar që në momentin kur jemi ngjizur. (Lexo Psalmin 51:5 dhe shënimin.) Për shkak të saj, priremi drejt së gabuarës, dhe trupi ynë nuk funksionon siç e projektoi Jehovai. Ja pse sëmuremi, plakemi dhe vdesim. Gjithashtu kjo shpjegon pse foshnjat që s’kanë bërë ende asnjë mëkat, mund të sëmuren e madje të vdesin. Veç kësaj na ndihmon të kuptojmë pse vuajnë e vdesin si njerëzit e mirë, edhe njerëzit e ligj. Çdo pasardhës i papërsosur i Adamit ka trashëguar gjendjen mëkatare.
10. Çfarë ndikimi pati gjendja mëkatare tek Adami dhe Eva?
10 Të mendojmë për ndikimin që pati gjendja mëkatare te çifti i parë njerëzor. Mëkati u shkaktoi një luftë të brendshme. Pasi u rebeluan, Adami dhe Eva i ndien menjëherë pasojat që solli shkelja e ligjit të Perëndisë—një ligj që ‘e kishin të shkruar në zemër’. (Rom. 2:15) E kuptuan se brenda tyre kishte diçka që nuk shkonte. Ata ndien nevojën të mbulonin pjesë të trupit dhe të fshiheshin nga Krijuesi. (Zan. 3:7, 8) Për herë të parë në jetë, Adami dhe Eva provuan ndjenja faji, ankthi, pasigurie, dhembjeje dhe turpi. E këto ndjenja do t’i shoqëronin gjatë gjithë jetës.—Zan. 3:16-19.
11. Çfarë ndikimi ka gjendja mëkatare te ne?
11 Gjendja mëkatare ka një ndikim të ngjashëm edhe te ne. Ajo na shkakton vuajtje fizike dhe emocionale. Sado të përpiqemi ta përmirësojmë situatën, nuk kemi shumë në dorë. Pse? Sepse Bibla thotë se i jemi ‘nënshtruar kotësisë’. (Rom. 8:20) Kjo është e vërtetë jo vetëm për ne si individë, por edhe për njerëzimin në tërësi. Për shembull, të mendojmë për përpjekjet që bëjnë njerëzit për të mbrojtur mjedisin, për t’i dhënë fund krimit, për të zhdukur varfërinë dhe për të vendosur paqe mes kombeve. Megjithëse mund të kenë arritur njëfarë suksesi, nuk i kanë zgjidhur dot plotësisht këto probleme. Ama falë shpërblesës kemi ende shpresë. Cilën shpresë?
12. Çfarë shprese kemi falë shpërblesës?
12 Falë shpërblesës, kemi shpresën se «krijesa do të çlirohet nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes». (Rom. 8:21) Në botën e re, kur të korrim plotësisht bekimet që sjell shpërblesa, do të shpëtojmë njëherë e mirë nga çdo problem fizik, mendor ose emocional. Gjithashtu nuk do të na paralizojnë më ndjenjat e fajit, të ankthit, të pasigurisë, të dhembjes ose të turpit. Për më tepër, përpjekjet tona për të mbrojtur mjedisin dhe për të jetuar në paqe, do të kenë gjithnjë sukses nën qeverisjen e atij që na çliroi, ‘Princit të Paqes’, Jezu Krishtit.—Isa. 9:6, 7.
13. Për çfarë mund të meditosh plot mirënjohje teksa përgatitesh për Përkujtimin e këtij viti?
13 Përfytyro për një çast jetën tënde kur të jesh çliruar nga kthetrat e mëkatit. Imagjino si do të jetë të zgjohesh çdo mëngjes plot energji. Do të jetosh çdo ditë pa frikën se mos ti ose njerëzit e tu të dashur nuk keni ushqim, sëmureni ose vdisni. Gjithsesi mund të ndiesh njëfarë paqeje që tani, ndërsa përpiqesh ‘të rrokësh shpresën si një spirancë për shpirtin, të sigurt e të patundur’. (Hebr. 6:18, 19) Ashtu si një spirancë e bën të qëndrueshme një anije, shpresa mund të të bëjë të qëndrueshëm në besim dhe të të ndihmojë në çfarëdo sprove. Mos ki pikë dyshimi se Jehovai do të bëhet «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebr. 11:6) Vetëm falë shpërblesës mund të gjesh që sot ngushëllim dhe ta shohësh të ardhmen plot shpresë.
SHPËRBLESA NA PAJTON ME PERËNDINË
14. Si ka ndikuar mëkati te miqësia jonë me Krijuesin, dhe pse?
14 Që kur Adami dhe Eva mëkatuan, njerëzit kanë qenë të ndarë nga Perëndia. Madje, Bibla thotë se i gjithë njerëzimi është në armiqësi me Krijuesin. (Rom. 8:7, 8; Kolos. 1:21) Pse? Sepse Jehovai ka standarde të përsosura dhe nuk e toleron mëkatin. Bibla thotë për Jehovain: «Sytë e tu janë tepër të pastër për të parë të keqen, dhe ti nuk e toleron dot ligësinë.» (Hab. 1:13) Pra, mëkati ka krijuar një hendek mes Perëndisë dhe njeriut. Askush nuk mund të jetë mik me Jehovain nëse nuk mbyllet ky hendek dhe nuk pajtohemi me të. Vetëm shpërblesa e bën të mundur këtë pajtim.
15. Si shërbeu shpërblesa si një flijim qetësues, dhe çfarë rezultati solli?
15 Bibla thotë se Jezui është «një flijim pajtues për mëkatet tona». (1 Gjon. 2:2) Fjala greke e përkthyer «flijim pajtues» përcjell idenë e «një flijimi qetësues». Në ç’kuptim e qetësoi shpërblesa Jehovain? Natyrisht Jehovai nuk u ndie i lehtësuar nga vdekja e të Birit. Por shpërblesa e qetësoi Jehovain, sepse përmbushi standardin e tij për drejtësinë. Tani Jehovai kishte një bazë që të rivendoste paqen mes tij dhe njerëzve. (Rom. 3:23-26) Madje mund ‘t’i konsideronte’ të drejtë edhe ata që i kishin shërbyer me besnikëri para se të vdiste Krishti. (Zan. 15:1, 6, shën.) Pse mund ta bënte këtë? Sepse ishte absolutisht i sigurt se i Biri, Jezui, do ta paguante shpërblesën. (Isa. 46:10) Shpërblesa na çeli udhën që të pajtohemi me Perëndinë.
16. Për çfarë mund të mendosh tjetër, ndërsa përgatitesh për Përkujtimin e këtij viti? (Shih edhe figurën.)
16 Mendo pak për dobitë që të ka sjellë pajtimi me Perëndinë. Për shembull, mbase e quan Jehovain «Atë», siç udhëzoi Jezui. (Mat. 6:9) Me raste mund ta quash edhe «Mik». Kur përdorim fjalët «Atë» ose «Mik», duhet ta bëjmë këtë me respekt të thellë dhe me përulësi. Pse? Sepse jemi mëkatarë, dhe lidhja që kemi me Jehovain nuk është meritë e jona. Vetëm falë shpërblesës mund të bëhemi miq të Perëndisë. Nëpërmjet Jezuit, Jehovai bëri të mundur që «të pajtonte me veten të gjitha gjërat e tjera, duke bërë paqe me anë të gjakut që [Jezui] derdhi në shtyllën e torturës». (Kolos. 1:19, 20) Ja pse mund të gëzojmë që tani një miqësi të ngushtë me Jehovain, ndonëse jemi mëkatarë.
Vetëm vdekja e Jezuit mund të siguronte bazën ligjore që të rivendosej miqësia mes Jehovait dhe njerëzve (Shih paragrafin 16)
SHPËRBLESA PASQYRON MËSHIRËN E JEHOVAIT
17. Si nxjerr në pah shpërblesa mëshirën e Jehovait? (Efesianëve 2:4, 5)
17 Shpërblesa nxjerr në pah se Jehovai është «i pasur në mëshirë». Ai «na dha jetë . . . kur ishim të vdekur për shkak të shkeljeve tona». (Lexo Efesianëve 2:4, 5.) Ata që janë «të prirur për jetën e përhershme» thërrasin për ndihmë, sepse e kuptojnë që kanë ngecur nën rrënojat e mëkatit të trashëguar dhe kanë nevojë të shpëtohen. (Vep. 13:48) Jehovai u përgjigjet thirrjeve të tyre me anë të mesazhit për Mbretërinë, që këta njerëz ta njohin Atë dhe Birin e tij, Jezuin. (Gjoni 17:3) Nëse Satanai mendonte se rebelimi i Adamit dhe Evës do ta sabotonte qëllimin e Perëndisë, gabohej rëndë.
18. Cilën çështje nuk duhet të harrojmë teksa mendojmë thellë për shpërblesën?
18 Ndërsa mendojmë thellë për dobitë që na sjell shpërblesa, duhet të mbajmë ndër mend çështjen më të madhe. Në vend se ta shohim shpërblesën vetëm si një masë për dobinë tonë, të mos harrojmë se ajo është mjeti që përdor Jehovai për t’iu përgjigjur sfidës që ngriti Satanai në kopshtin e Edenit. (Zan. 3:1-5, 15) Nëpërmjet shpërblesës, Jehovai shenjtëron emrin e tij duke e pastruar nga çdo sharje. Na çliron nga mëkati dhe vdekja, e kështu provon se është Perëndi i dashurisë. Gjithashtu, falë mirësisë së tij të pamerituar, Jehovai na jep mundësinë neve—ndonëse të papërsosur—që ta nxjerrim Satanain gënjeshtar. (Prov. 27:11) Si mund të tregosh se je mirënjohës për shpërblesën? Kjo pyetje do të marrë përgjigje në artikullin tjetër.
KËNGA 19 Darka e Zotërisë
a SHPJEGIMI I SHPREHJES: Shpërblesë quhet çmimi që paguhet për të çliruar dikë. Vdekja flijuese e Jezuit është një shpërblesë, sepse çliron njerëzit që i binden Perëndisë nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes.