«Ruani njëjësinë e frymës»
APOSTULLI Pavël i nxiti të krishterët në Efes që të vazhdonin ‘ta toleronin njëri-tjetrin me dashuri dhe të bënin çmos të ruanin njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’.—Efes. 4:2, 3.
‘Njëjësia’, ose uniteti që gëzojmë, vjen nga ‘fryma’. Kjo do të thotë se është produkt i forcës vepruese të Perëndisë. Megjithatë, siç shpjegoi Pavli, duhen përpjekje për të ruajtur unitetin. Kush duhet t’i bëjë këto përpjekje? Secili prej nesh duhet të bëjë pjesën e vet që ‘të ruajë njëjësinë e frymës’.
Për ta ilustruar, ta zëmë se dikush të ka dhuruar një makinë të re. Kush e ka përgjegjësinë për ta mirëmbajtur? Përgjigjja kuptohet. Nëse makina prishet, s’mund të fajësosh atë që ta dhuroi, vetëm ngaqë ti nuk e mirëmbajte.
Po njësoj, edhe pse uniteti ynë është dhuratë nga Perëndia, secili prej nesh ka përgjegjësinë për ta ruajtur. Nëse nuk po shkojmë mirë me një vëlla a motër, duhet të pyesim veten: «A po bëj pjesën time për të ruajtur njëjësinë e frymës, duke i sheshuar mosmarrëveshjet?»
«BËNI ÇMOS» TË RUANI UNITETIN
Siç shkroi Pavli, ka raste kur duhet të përpiqemi më fort për të ruajtur njëjësinë e frymës, për shembull, kur na lëndon një bashkëbesimtar. A do të thotë kjo se, që të ruajmë unitetin, duhet të flasim patjetër me vëllanë a motrën për problemin? Jo medoemos. Pyet veten: «Nëse e bëj të madhe çështjen, a do të nxit unitetin apo do ta keqësoj situatën?» Ndonjëherë është më e mençur të anashkalosh fyerjen ose të falësh.—Prov. 19:11; Mar. 11:25.
Pyet veten: «Nëse e bëj të madhe çështjen, a do të nxit unitetin apo do ta keqësoj situatën?»
Siç shkroi apostulli Pavël, le të vazhdojmë ‘të tolerojmë njëri-tjetrin me dashuri’. (Efes. 4:2) Një vepër referimi thotë se kjo shprehje mund të përkthehet edhe «t’i pranojmë të tjerët siç janë». Pra, ne e pranojmë se bashkadhuruesit bëjnë gabime, siç bëjmë edhe ne. Natyrisht, të gjithë po përpiqemi të veshim «personalitetin e ri». (Efes. 4:23, 24) Por asnjë prej nesh s’mund ta bëjë këtë në mënyrë të përsosur. (Rom. 3:23) Kur e pranojmë këtë gjë, e kemi më të lehtë ta tolerojmë e ta falim njëri-tjetrin, e si rezultat ‘të ruajmë njëjësinë e frymës’.
Kur e falim atë që na ka lënduar—edhe nëse nuk kemi folur me të për problemin—do të vazhdojmë të ruajmë «lidhjen e paqes». Fjala greke që tek Efesianëve 4:3 përkthehet ‘lidhje’, te Kolosianëve 2:19 përkthehet ‘ligamente’. Ligamentet janë bashkime indesh fijore të forta, që lidhin kockat me njëra-tjetrën. Po njësoj, paqja dhe dashuria që kemi për vëllezërit na ndihmojnë të ruajmë lidhjet e ngushta, edhe kur kemi mosmarrëveshje.
Pra, kur një vëlla a motër të fyen, të mërzit ose të acaron, përpiqu të jesh i dhembshur, në vend se kritikues. (Kolos. 3:12) Meqë të gjithë jemi të papërsosur, me shumë gjasa edhe ti i ke lënduar të tjerët. Kur e mban parasysh këtë, e ke më të lehtë të bësh pjesën tënde që ‘të ruash njëjësinë e frymës’.