Ndihmë për gratë e keqtrajtuara
«NË MBARË botën, miliona gra e vajza janë abuzuar. A je një prej tyre? Zbulo pse Perëndia e ka merak sigurinë tënde dhe çfarë do të bëjë për keqtrajtimin e grave.»
Me këto fjalë nis artikulli «Siguria e grave—Këndvështrimi i Biblës» në jw.org. Në fund të artikullit ka një link ku mund të shkarkosh materialin në format PDF, e pastaj ta shtypësh e ta palosësh si një fletushkë me katër faqe. Stejsi, një motër në Shtetet e Bashkuara, thotë: «Bëra disa kopje, dhe i çuam bashkë me një motër tjetër në një qendër strehimi për gratë e keqtrajtuara, në territorin e kongregacionit tim.»
Një punonjëse kërkoi më shumë fletushka që t’ua jepte grave që jetonin atje. Si rezultat, u shpërndanë 40 fletushka të tjera dhe 30 kartëvizita jw.org. Më vonë, administratorja e qendrës kërkoi që Dëshmitarët t’u tregonin grave si zhvillohet një studim i Biblës.
Stejsi dhe dy motra të tjera patën rezultate të bukura edhe në një qendër tjetër. Atje dhanë 5 fletushka, dhe stafi u kërkoi edhe fletushka të tjera. Një punëtore tha: «Kjo fletëpalosje do t’i ndihmojë gratë e qendrës sonë.» Pastaj shtoi: «Kemi vërtet nevojë për këtë.» Kur motrat u rikthyen, disa nga gratë ishin mbledhur për të parë si zhvillohet një studim i Biblës, dhe dy prej tyre shprehën dëshirën që të ndiqnin mbledhjen e fundjavës në Sallën e Mbretërisë.
Stejsi thotë: «S’na e kishte marrë mendja që ky artikull do të pritej kaq mirë. Fletushka është një mënyrë tërheqëse për t’i dhënë mesazhin e Mbretërisë këtij auditori të veçantë. Na preku reagimi pozitiv dhe mezi presim të shohim si do t’i bekojë Jehovai përpjekjet tona, ndërsa vazhdojmë t’u japim lajmin e mirë këtyre grave.»