BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 nëntor f. 22-27
  • «Ti je shumë i vyer»!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Ti je shumë i vyer»!
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • SI NA NDIHMON JEZUI TË KUPTOJMË SE JEMI TË ÇMUAR
  • SI TA SHOHIM VETEN ME SYRIN E JEHOVAIT
  • «Kam parë Zotërinë!»
    Ec me Perëndinë plot guxim
  • Jehovai «i shëron zemërthyerit»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Jehovai të ka shumë për zemër
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Mësime nga 40 ditët e fundit të Jezuit në tokë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 nëntor f. 22-27

ARTIKULLI I STUDIMIT 47

KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi

«Ti je shumë i vyer»!

«Ti je shumë i vyer.»—DAN. 9:23.

FOKUSI I ARTIKULLIT

T’i ndihmojë ata që kanë ndjenja pavlefshmërie të kuptojnë se janë të çmuar në sytë e Jehovait.

1-2. Si mund të sigurohemi se jemi të çmuar për Jehovain?

PËR Jehovain, çdo shërbëtor i tij është i vyer. Mirëpo disa prej tyre ndihen sikur nuk kanë vlerë. Ndoshta kjo vjen ngaqë ashtu i kanë trajtuar të tjerët. Nëse po lufton me ndjenjat e pavlefshmërisë, si mund të sigurohesh se je i vyer për Jehovain?

2 Një gjë që mund të të ndihmojë, është të shqyrtosh ngjarje nga Bibla që nxjerrin në pah si dëshiron Jehovai të trajtohet çdo njeri. Biri i tij, Jezui, i trajtonte njerëzit me dinjitet dhe respekt. Kështu tregoi sa shumë i çmojnë ai dhe Ati i tij njerëzit e thjeshtë që ndihen të pavlerë. (Gjoni 5:19; Hebr. 1:3) Në këtë artikull do të shohim: (1) si na ndihmon Jezui të kuptojmë se jemi të çmuar për Atin tonë dhe (2) si ta bindim veten se jemi një thesar për Perëndinë.—Hag. 2:7.

SI NA NDIHMON JEZUI TË KUPTOJMË SE JEMI TË ÇMUAR

3. Si i trajtonte Jezui galileasit që shkonin për ndihmë tek ai?

3 Gjatë udhëtimit të tretë të predikimit në Galile, rreth Jezuit mblidheshin turma njerëzish që ta dëgjonin e të shëroheshin. Ai vërente se ‘ishin të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari’. (Mat. 9:36) Udhëheqësit e tyre fetarë i shpërfillnin si të mos kishin pikë vlere, e madje i quanin «njerëz të mallkuar». (Gjoni 7:47-49) Kurse Jezui u jepte dinjitet, duke gjetur kohë për ta që t’i mësonte e t’i shëronte. (Mat. 9:35) Veç kësaj, që të ndihmonte sa më shumë njerëz, ai stërviti apostujt për veprën e predikimit e u dha autoritet të shëronin të sëmurët.—Mat. 10:5-8.

4. Çfarë mësojmë nga mënyra si i trajtonte Jezui njerëzit e thjeshtë?

4 Duke i trajtuar dëgjuesit e tij me dinjitet e respekt, Jezui tregoi se ata njerëz që shoqëria shpesh i sheh me përbuzje janë të çmuar për të dhe Atin e tij. Nëse po i shërben Jehovait, por ndihesh sikur nuk ke vlerë, mendo sa vëmendje u kushtonte Jezui njerëzve të thjeshtë që donin të mësonin prej tij. Kjo mund të të ndihmojë të kuptosh sa i çmuar je në sytë e Jehovait.

5. Si ishte jeta e gruas galilease që takoi Jezui?

5 Jezui jo vetëm i mësonte njerëzit si grup, por edhe u kushtonte vëmendje si individë. Për shembull, gjatë shërbimit në Galile, Jezui takoi një grua që vuante prej 12 vjetësh nga një rrjedhje gjaku. (Mar. 5:25) Problemi i saj shëndetësor e bënte të papastër sipas Ligjit, prandaj nëse dikush e prekte, do të bëhej i papastër. Kjo duhet ta ketë izoluar goxha. Gjithashtu, nuk mund të rrinte me të tjerët në evente dhe festa ku adhurohej Jehovai. (Lev. 15:19, 25) S’do mend që ajo vuante edhe fizikisht, edhe emocionalisht.—Mar. 5:26.

6. Ç’bëri gruaja e sëmurë që të shërohej?

6 Ajo grua e vuajtur donte që Jezui ta shëronte. Ama nuk ia kërkoi këtë drejtpërdrejt. Pse? Mbase kishte turp ose siklet për shkak të gjendjes së saj. Ose mund të ketë pasur frikë se mos Jezui e përzinte ngaqë kishte hyrë mes turmës si e papastër. Prandaj, thjesht i preku rrobën, e sigurt se ai gjest do të mjaftonte që të shërohej. (Mar. 5:27, 28) Dhe besimi iu shpërblye—u shërua. Atëherë Jezui pyeti menjëherë kush e kishte prekur, dhe ajo i tregoi hapur ç’kishte bërë. Si e trajtoi Jezui?

7. Si e trajtoi Jezui atë grua të vuajtur? (Marku 5:34)

7 Jezui e trajtoi atë grua me zemërmirësi dhe respekt. Vuri re se ishte ‘e trembur dhe po dridhej’. (Mar. 5:33) Ai tregoi konsideratë për ndjenjat e saj, duke i folur ngrohtësisht. Madje e quajti «bijë»—një fjalë e përzemërt që shprehte jo vetëm respekt, por edhe dhembshuri e dashuri. (Lexo Markun 5:34.) Ky është i vetmi rast në Bibël që Jezui e quan një grua «bijë». Ka të ngjarë që e përdori atë fjalë ngaqë situata e saj ishte delikate dhe po dridhej nga frika. Përfytyro çfarë lehtësimi duhet të ketë ndier ajo grua! Nëse Jezui nuk do t’ia kishte thënë ato fjalë qetësuese, mund të kishte ikur e shëruar fizikisht, por me ndjenjën e fajit si gur në zemër. Jezui jo vetëm e shëroi, por edhe e ndihmoi ta shihte veten siç ishte vërtet—bijë e shtrenjtë e një Ati të dashur.

8. Çfarë sfidash përballoi një motër nga Brazili?

8 Edhe sot, disa shërbëtorë të Perëndisë vuajnë nga probleme shëndetësore që i dërrmojnë emocionalisht. Maria,a një pioniere e rregullt nga Brazili, lindi pa gjymtyrët e poshtme dhe pa dorën e majtë. Ajo tregon: «Për shkak të problemeve fizike, në shkollë isha vazhdimisht shënjestër e bullizmit dhe më vinin nofka që më lëndonin. Madje, ndonjëherë edhe familjarët e mi më trajtonin si të pavlerë.»

9. Çfarë e ndihmoi Marinë të kuptonte se për Jehovain është e vyer?

9 Çfarë e ndihmoi Marinë? Pasi u bë Dëshmitare e Jehovait, bashkëbesimtarët i tregonin shumë dashuri dhe e ndihmonin ta shihte veten siç e sheh Jehovai. Ajo thotë: «Nuk kam aq faqe në bllokun e shënimeve sa të përmend të gjithë ata që më janë bërë krah. E falënderoj nga thellësia e zemrës Jehovain që më ka dhuruar një familje kaq të mrekullueshme!» Vëllezërit dhe motrat e ndihmuan Marinë ta ndiente se është e vyer për Perëndinë.

10. Në çfarë situate të tmerrshme ndodhej Maria-Magdalena? (Shih edhe figurat.)

10 Të mendojmë edhe si e ndihmoi Jezui Maria-Magdalenën. Atë e kishin pushtuar shtatë demonë. (Luka 8:2) Për shkak të ndikimit të tyre, ka të ngjarë që sillej çuditshëm dhe të tjerët i rrinin larg. Gjatë asaj periudhe të tmerrshme të jetës, duhet të jetë ndier e flakur tej, e pasigurt dhe pa asnjë mbështetje. Jezui e çliroi nga demonët që e torturonin, dhe ajo u bë dishepulle e tij besnike. Në cilat mënyra të tjera e siguroi Jezui Maria-Magdalenën se Perëndia e çmonte shumë?

Kolazh: 1. Jezui sheh me vëmendje Maria-Magdalenën me shpirtin copë nga dhimbja e të gjunjëzuar në një rrugicë të errët. 2. Maria-Magdalena shoqëron plot gëzim Jezuin dhe dishepujt e tjerë.

Si e siguroi Jezui Maria-Magdalenën se ishte e çmuar për Jehovain? (Shih paragrafët 10-11)


11. Në cilat mënyra e siguroi Jezui Maria-Magdalenën se ishte e vyer për Perëndinë? (Shih edhe figurat.)

11 Jezui e ftoi Maria-Magdalenën ta shoqëronte në udhëtimet e tij të predikimit.b Kështu ajo pati mundësi ta dëgjonte Jezuin teksa mësonte dhe të nxirrte dobi. Veç kësaj, Jezui iu shfaq ditën që u ringjall. Ajo ishte ndër dishepujt e parë me të cilët foli atë ditë. Madje Jezui i ngarkoi detyrën të njoftonte apostujt për ringjalljen e tij. Çfarë provash të fuqishme se ishte shumë e vyer për Jehovain!—Gjoni 20:11-18.

12. Pse ndihej e përbuzur Lidia?

12 Sikurse Maria-Magdalena, shumë veta sot ndihen të flakur tej ose të përbuzur. Lidia, një motër nga Spanja, tregon se mamaja kishte pasur ndër mend ta abortonte. Ndër kujtimet e saj të para që në moshë të njomë janë shpërfillja dhe fjalët poshtëruese të mamasë. Lidia tregon: «Synimi im në jetë ishte që të tjerët të më pranonin dhe të më donin. Kisha frikë se s’do ta fitoja kurrë dashurinë e tyre, ngaqë ime më ma kishte mbushur mendjen se isha njeri i keq.»

13. Çfarë e ndihmoi Lidian të kuptonte se për Jehovain është e çmuar?

13 Pasi Lidia mori të vërtetën, gjërat ndryshuan. Lutjet dhe studimi i Shkrimeve, si edhe fjalët dhe veprimet e përzemërta të bashkëbesimtarëve e ndihmuan të kuptonte se është e çmuar në sytë e Jehovait. Ajo shprehet: «Im shoq ma thotë shpesh se më do shumë. M’i kujton herë pas here cilësitë e mira që kam. Njësoj bëjnë edhe mjaft miq të dashur.» A të vjen ndër mend ndokush që ka nevojë të kuptojë sa shumë e çmon Jehovai?

SI TA SHOHIM VETEN ME SYRIN E JEHOVAIT

14. Si na ndihmon 1 Samuelit 16:7 ta shohim veten siç na sheh Jehovai? (Shih edhe kutinë «Pse Jehovai i sheh si thesar shërbëtorët e tij?»)

14 Mos harro se Jehovai nuk të sheh siç të sheh bota. (Lexo 1 Samuelit 16:7.) Ai nuk e përcakton vlerën tënde në bazë të pamjes, të shtresës shoqërore ose të arsimimit. (Isa. 55:8, 9) Prandaj, mos e mat vlerën tënde sipas standardeve të botës, por sipas standardeve të Jehovait. Pse të mos mendosh për personazhe të Biblës që hera-herës ndiheshin sikur s’kishin pikë vlere, si Elija, Naomi dhe Hana? Ndërsa lexon historitë e tyre, vër re sa shumë i çmonte Jehovai. Gjithashtu mund të shkruash disa ngjarje nga jeta jote që të sigurojnë se Jehovai të do e të çmon tej mase. Mund të bësh edhe kërkime në botimet tona për ndjenjat e pavlefshmërisë.c

Pse Jehovai i sheh si thesar shërbëtorët e tij?

Jehovai e bëri njeriun shumë të ndryshëm nga kafshët. Ai na krijoi në mënyrë të atillë që ta njohim e të lidhim miqësi me të. (Zan. 1:27; Psal. 8:5; 25:14; Isa. 41:8) Mjafton edhe vetëm ky fakt për të na siguruar se kemi vlerë. Por kur zgjedhim të afrohemi me Jehovain, t’i kushtojmë jetën dhe t’i bindemi, kemi një arsye akoma më të fortë për t’u ndier të sigurt se jemi të çmuar. Atëherë bëhemi vërtet një thesar për Perëndinë dhe Krijuesin tonë të dashur.—Isa. 49:15.

15. Pse Danieli ishte «shumë i vyer» në sytë e Jehovait? (Danieli 9:23)

15 Kujtoji vetes se besnikëria të bën të vyer për Jehovain. Në një periudhë të jetës, ndoshta kur ishte nga fundi i të 90-ave, profeti Daniel ndihej «tejet i rraskapitur» dhe i shkurajuar. (Dan. 9:20, 21) Si i dha zemër Jehovai? Ai dërgoi engjëllin Gabriel për t’i kujtuar se ishte «shumë i vyer» dhe se lutjet e tij ishin dëgjuar. (Lexo Danielin 9:23.) Pse ishte aq i vyer për Perëndinë? Për cilësitë e bukura që kishte, si dashuria për drejtësinë dhe besnikëria. (Ezek. 14:14) Këtë episod nga jeta e Danielit, Jehovai e ruajti në Shkrime për të na ngushëlluar. (Rom. 15:4) Jehovai i dëgjon edhe lutjet e tua dhe të çmon ngaqë bën atë që është e drejtë dhe i shërben me besnikëri.—Mik. 6:8, shën.; Hebr. 6:10.

16. Çfarë mund të të ndihmojë ta shohësh Jehovain si një Atë të dashur?

16 Shihe Jehovain si një Atë që të do shumë. Ai dëshiron të të ndihmojë, jo të rrëmojë çfarë gabimesh ke bërë. (Psal. 130:3; Mat. 7:11; Luka 12:6, 7) Meditimi për këtë i ka ndihmuar shumë veta të dëbojnë ndjenjat e pavlefshmërisë. Të marrim rastin e Elianës, një motër nga Spanja, së cilës i shoqi i kishte folur për vite të tëra me fjalë të ashpra e poshtëruese. Si pasojë, ajo ndihej e pavlerë dhe sikur s’e meritonte ta donin. Eliana thotë: «Sa herë më duket vetja kot fare, përpiqem të imagjinoj Jehovain që më mban në krahë gjithë dashuri dhe më mbron.» (Psal. 28:9) Lorena, një motër nga Afrika e Jugut, i kujton vetes: «Përderisa Jehovai më ka tërhequr butësisht drejt vetes me kordonët e dashurisë, më ka mbajtur pranë gjithë këto vite e madje më ka përdorur që të mësoj të tjerët, patjetër që për të jam e çmuar dhe e dobishme.»—Hoz. 11:4.

17. Si mund të sigurohesh se ke miratimin e Jehovait? (Psalmi 5:12) (Shih edhe figurën.)

17 Ji i sigurt se ke miratimin e Jehovait. (Lexo Psalmin 5:12.) Davidi e krahasoi miratimin e Jehovait me një «mburojë» të madhe që mbron të drejtët. Siguria se ke miratimin dhe mbështetjen e Jehovait mund të jetë një mburojë kur të sulmojnë ndjenjat e pavlefshmërisë. Po si të jesh i bindur se ke miratimin e Jehovait? Siç e kemi parë, Jehovai të siguron për këtë nëpërmjet Fjalës së tij. Përpos kësaj, përdor pleqtë, miqtë e tu dhe të tjerë për të të kujtuar se je i vyer në sytë e tij. Si duhet të reagosh ndaj këtij inkurajimi?

Një motër buzëqesh teksa largohet nga Salla e Mbretërisë për të dalë në shërbim me një motër tjetër që i ka hedhur krahun në qafë.

Siguria se Jehovai na miraton, mund të na ndihmojë të dëbojmë ndjenjat e pavlefshmërisë (Shih paragrafin 17)


18. Pse duhet t’i besosh lavdërimet e të tjerëve?

18 Mos ngurro t’i besosh lavdërimet e sinqerta të atyre që të njohin e të duan. Kujto se ka shumë mundësi që ata po i përdor Jehovai për të të shprehur miratimin e tij. Eliana, e përmendur më sipër, thotë: «Po mësoj avash-avash t’i pranoj me gjithë zemër lavdërimet që më bëjnë të tjerët. S’e kam të lehtë, por e di se Jehovai do që t’i besoj këto fjalë të mira.» Edhe pleqtë e kanë ndihmuar me dashuri Elianën që të kuptojë se Jehovai e sheh me buzëqeshje miratimi. Sot ajo shërben si pioniere dhe si vullnetare nga shtëpia për Bethelin.

19. Pse mund të jesh i sigurt se je i vyer në sytë e Perëndisë?

19 Me ngrohtësi, Jezui na kujton se kemi vlerë të pashoqe në sytë e Atit tonë qiellor. (Luka 12:24) Ji i sigurt, pra, se ti je i vyer për Jehovain. Mos e harro kurrë këtë! Dhe bëj çmos t’i ndihmosh edhe të tjerët të kuptojnë sa shumë i çmon Perëndia!

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Si i ndihmonte Jezui njerëzit të kuptonin se ishin të çmuar për Perëndinë?

  • Si e ndihmoi Jezui gruan që vuante nga një rrjedhje gjaku?

  • Çfarë mund të na ndihmojë ta shohim veten me syrin e Jehovait?

KËNGA 139 Përfytyro agimin e jetës së re

a Disa emra janë ndryshuar.

b Maria-Magdalena ishte një nga gratë që udhëtonin me Jezuin. Ato i përdornin pasuritë e tyre që të kujdeseshin për nevojat e Jezuit dhe të apostujve.—Mat. 27:55, 56; Luka 8:1-3.

c Për shembull, shih kapitullin 24 të librit T’i afrohemi Jehovait, si edhe lexo shkrimet e sugjeruara dhe historitë nga Bibla te zëri «Mungesa e vetëvlerësimit», në librin Parime nga Bibla për jetën.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo